Arkiva Kategorie: Marrëdhënie ndërkombëtare

Fundi i hegjemonisë ekonomike amerikane?

Një kolumne e botuar në websajtin MarketWatch nga Wall Street Journal, tërheq vëmendjen kah një vlerësim i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbi mundësinë që brenda jo më shumë se pesë vitesh, bota të përjetojë një ndryshim drastik në barazpeshën ekonomike. Sipas FMN-së, viti 2016 është ai i cili do ta shënojë tejkalimin, në terma real, të fuqisë ekonomike kineze karshi asaj amerikane. Llogaria e bërë nga FMN bëhet jo me vlera nominale, por me të ashtuquajturin Purchasing Power Parity (PPP), e cila vlerën monetare e llogarit në bazë të fuqisë blerëse. Tek e fundit, një dollar nuk vlen njëjtë si në New York, si në një fshat kinez, dhe një milion dollarë si investim nuk çojnë peshë në Kaliforni aq sa mund të çojnë peshë në Shanghai. Kështu, me vlera të shprehura në PPP, ekonomia kineze do të rritet nga 11,2 bilionë në 19 bilionë (një bilion = një mijë miliardë) dollarë, kurse ajo amerikane nga 15,2 bilionë në 18,8 bilionë dollarë. Prodhimi i gjithmbarshëm amerikan në botë do të jetë 17,7%, ndërsa ai kinez 18% dhe në rritje e sipër. Sipas FMN-së, nëse këto parashikime dalin të sakta, viti 2016 do të shënojë fundin e “Epokës së Amerikës”. Sipas kolumnistit të MarketWatch, presidenti i ardhshëm amerikan, kushdo qoftë ai, do të jetë i fundit president, që nga fillimi i shekullit XX (kur SHBA-ta tejkaluan Britaninë si shteti më i fuqishëm ekonomik në botë), që do t’i prijë vendit me ekonominë më të madhe në botë.

Natyrisht, për ekonomistët e qendrës, të dhënat që parashohin fundin e hegjemonisë ekonomike amerikane janë shokuese. Mirëpo shkolla e sistemit botëror (world-systems) ka kohë që parashikon fundin e hegjemonisë ekonomike (dhe mbase dikur edhe atë ushtarake) amerikane, duke marrë për bazë jo vetëm rritjen e hatashme ekonomike të Azisë, por edhe logjikën historike të kapitalizmit. Sipas shkollës së sistemit botëror, e frymëzuar nga vepra e historianit Fernand Braudel, kapitalizmi që nga fillet e tij ishte një sistem ekonomik botëror, ndërsa akumulimi kapitalist në shkallë globale mundësohej gjithmonë brenda një konstelacioni të caktuar politik dhe tregtar të dominuar nga një fuqi hegjemone. Në shek. XV ishte Spanja e Habsburgëve në aleancë me qytet-shtetet italiane si Gjenova dhe Venecia (ku ishin shpikur institucionet themelore financiare të kapitalizmit, siç janë bankat, shoqëritë aksionare dhe këmbimoret e letrave me vlerë), për t’u pasuar nga Holanda, e cila brenda shek. XVI, nga një provincë habsburge u shndërrua në perandori botërore, pastaj nga Britania, që në kulmin e saj në shek. XIX sundonte mbi 80% të rruzullit tokësor, për të arritur në shek. XX dhe epokën e hegjemonisë amerikane. Këto janë njohuri me vlerë për një vend të vogël e periferik si puna e Kosovës (dhe e rajonit të Ballkanit në përgjithësi), sepse shënjojnë pistat e mundshme të zhvillimeve ekonomike, gjeopolitike, e mbase edhe kulturore, që na presin në të ardhmen jo shumë të largët.

Immanuel Wallerstein, një nga themeluesit e shkollës së sistemit botëror, ka hedhur tezën e “rënies së SHBA-ve” që në vitet 1970. Kriza globale ekonomike e viteve të fundit mund të na bëjnë të harrojmë se edhe vitet 1970 ishin moment i një krize të thellë ekonomike botërore. Embargoja e OPEC-ut dhe e ashtuquajtur krizë e Petrodollarëve, inflacioni i pakontrolluar në SHBA shoqëruar me efektet e para sociale të deindustrializimit (sidomos në qendrat urbane amerikane), rritja e borxheve ndërkombëtare dhe zhytja e SHBA-ve në deficite të thella (që shkuan drejt shpërthimit gjatë viteve 1980), bashkë me vendimin e administratës së Nixon-it për ta shkëputur rregullimin e vlerës së dollarit përmes rezervave të arit (duke nxitur lindjen e tregjeve të valutave me vlera të luhatshme), të përcjellura me turpërimin e SHBA-ve me humbjen e luftës në Vietnam, vërtetë krijonin përshtypjen e fundit të një epoke. Siç kishte theksuar Wallerstein, fundi i një hegjemonie mund të ndiqet me një kataklizmë botërore (siç ndodhi me luftërat botërore që përcollën rënien e gjatë të hegjemonisë britanike). Megjithatë, pas 1945-ës, Britania përfundimisht kuptoi se epokës së saj i kishte ardhë fundi, ndërsa vendin ia liroi SHBA-ve, përderisa gradualisht çmontoi perandorinë e saj të formuar gjatë epokës së lavdishme të kolonializmit.

Giovanni Arrighi çon argumentin e Wallersteinit më tej duke zbërthyer logjikën e akumulimit kapitalist i cili qëndron në bazë të ngritjes dhe rënies së një konstelacioni të caktuar hegjemonik në sistemin botëror. Sipas Arrighit, i cili mbështetet mbi analizën ekonomike të Marksit, pas një periudhe të caktuar, barrierë për akumulimin kapitalist paraqitet vetë kapitali – konkurrenca e shtuar në një treg përfundimisht çon në rënien e mbivlerës së përfituar, i cili detyron mobilizim të kapitalit në drejtime të reja. Kjo është arsyeja, sipas Marksit (me çka pajtohet edhe ekonomisti Schumpeter) pse kapitalizmi gjithmonë ka nevojë ta revolucionarizojë vetëvetën – kapitalizmi (i cili sipas Arrighit, NUK është sinonim i asaj që e quajmë “ekonomi e tregut”) është dhe mbetët një forcë revolucionare në epokën tonë. Në këto momente, argumenton Arrighi, akumulimi kapitalist ka tendencë që ta zhvendos bazën e saj nga aktivitetet prodhuese dhe tregtare në ato financiare – me një fjalë, spekulimi financiar (huatë, kreditë, borxhet, tregtimi i letrave dhe synimi që kapitali të shumohet nga vetë kapitali) shndërrohet në aktivitetetin kryesor ekonomik në periudhën e pjekur të një cikli akumulues.

A nuk është pikërisht kjo që po ndodh në SHBA, ku që nga vitet 1970, po ndodh ajo që sociologia Greta Krippner e quan “financiarizimi i ekonomisë amerikane”? Që nga vitet 1960, pjesëmarrja e profiteve nga prodhimi në BPV-në amerikane ka rënë nga 5% në më pak se 2%, ndërsa profitet nga aktivitetet financiare janë ngritur nga 1,5% në mbi 3%. Me një fjalë, aktiviteti dominant ekonomik në SHBA sot nuk është prodhimi, por aktivitetet financiare. Ky kalim i ekonomisë amerikane në ekonomi që përfitimin e mbështet në aktivitete financiare (të ilustruar me kalimin e prodhimit industrial në vendet e Azisë dhe të Amerikës Latine, ndikimin e rritur politik të Wall Streetit dhe krizën e fundit ekonomike të shkaktuar drejtpërsëdrejti nga spekulimet bankare dhe financiare në tregun e patundshmërive), dëshmon se logjika e vënë re nga Arrighi mbi përfundimin e një sistemi historik të akumulimit kapitalist në spekulime financiare nuk është në shpërputhje me ndryshimet ekonomike që po i vështrojmë në realitet. Shto kësaj edhe faktin që SHBA-të, nga kreditori më i madh në botë në vitet e pasluftës, është shndërruar në kredimarrësin më të madh në botë, me borxhin e saj prej rreth 14 bilionë dollarëve (afër 90% të BPV-së amerikane), të financuar në masë të madhe nga (kush tjetër), shtetet aziatike si Kina, që sot ballafaqohen me teprica kapitali.

Fundi i hegjemonisë ekonomike amerikane mund të vijë shumë më shpejt se që e kishte menduar Arrighi, i cili ndërroi jetë më 2009, diçka që po vënë re edhe ekonomistët e qendrës që po ballafaqohen me shifra të pamohueshme mbi ngritjen e pashmangshme të Azisë në raport me SHBA-të dhe Evropën perëndimore. Çka do të thotë kjo? Rënia e hegjemonisë amerikane nuk do të thotë se do të ndiqet shpejt nga rënia ushtarake amerikane, megjithëse deficitet e mëdha amerikane do ta detyrojnë se shpejti Amerikën që të zgjedh midis shpenzimeve të mëdha ushtarake (e cila ka buxhetin më të madh ushtarak në botë) ose shkurtimin e programeve të brendshme sociale. Dhe ngritja e Azisë, ndonëse e dominuar aktualisht nga Kina, nuk duket se do të çojë shpejt në krijimin e një hegjemonie të re kineze. Ngritja aziatike është policentrike, e cila, ndonëse e përqëndruar në Kinën, përfshin edhe vendet e zhvilluara si Japona, Korea e Jugut, Taivani e Singapuri, por edhe ato me zhvillim të shpejt si India, Rusia, Indonezia, shtetet arabe e Turqia. Siç kam theksuar në një kolumne të mëhershme, kapitali turk tashmë po troket zhurshëm në dyert e Kosovës. Se orientimi ynë politik e kulturor kah Evropa mund të shoqërohet heshturazi me një gravitim ekonomik kah Azia – të nxitur nga vetë fakti se Azia është sot qëndra globale e përqëndrimit dhe gravitimit të kapitalit – nuk është diçka e pamundur në perspektivën që e kemi përpara.

Botuar te Koha Ditore, 1 maj 2011

Merhaba, kapitalist efendi!

Para pak ditësh Ministria për Zhvillim Ekonomik – ministria që tashmë ka në dorë privatizimin e ndërmarrjeve publike të Kosovës – botoi listën e firmave të interesuara për blerjen e Distribucionit të KEK-ut. Ajo që është interesante (dhe që në një mënyrë ilustron argumentin e kolumnës së javës së shkuar për origjinën e kapitalit të interesuar në asetet e Kosovës) se nga katër firmat e interesuara, tri ishin firma turke. Firmat turke tashmë kanë një prani të shtuar në ekonominë kosovare. Firma turke Limak para pak kohësh mori në kontroll menaxhimin e Aeroportit “Adem Jashari”. Firma Enka, e cila në Kosovë vjen nën ombrelën e korporatës amerikane me aktivitete multinacionale Bechtel, është përfituesja e kontratës më të madhe infrastukturore në historinë e Kosovës. Duket se, me interesimin e firmave turke në Distribucionin e KEK-ut – e mbase edhe më tej në sektorin e energjisë në Kosovë, e që mundet, sikur në Shqipëri, mbase t’i shtohet edhe Telekomi i Kosovës (duke marrë parasysh se edhe Telekomi i Shqipërisë është nën kontrollin e kapitalit turk), duket se kapitali turk në përgjithësi synon një prani më të madhe në Kosovë.

Një nga supozimet që mund të ngrihen është se interesi i shtuar i kapitalit turk në Kosovë ka të bëjë me të ashtuquajturën politikë të jashtme “neo-otomane” e kryeministrit aktual të Turqisë Recep Erdogan. Protagonist kryesor i qasjes neo-otomane në politikën e jashtme turke është ministri i saj i Jashtëm, Ahmet Davutoğlu. Në vitin 2001, Davutoğlu, me profesion politikolog, ka botuar një libër ku ravijëzon premisat dhe synimet e kësaj politike. Në esencë, premisa e politikës neo-otomane (një emër i vënë nga të tjerët dhe që nuk pëlqehet nga vetë Davutoğlu) është që Turqia duhet të fillojë ta luajë rolin e një fuqie botërore, duke projektuar fuqinë dhe ndikimin e saj politik, ekonomik dhe kulturor veçanërisht në zonat e dikurshme të sunduara nga Perandoria Osmane. Sipas kësaj, Turqia do të forconte influencën e saj në Lindje të Mesme, Afrikë Veriore, Ballkan, si dhe në republikat turkomane të Azisë Qëndrore. Përveç investimeve të shtuara të kompanive turke në këto zona, Turqia pretendon edhe një rol të veçantë politik në rajon. Kjo shihet edhe në pretendimet e shtuara të kryeministrit Erdogan në fushën e politikës së jashtme. Është e njohur kritika e ashpër e kryeministrit Erdogan karshi Izraelit, pas incidentit të vitit të kaluar kur trupat izraelite okupuan dhe zbatuan dhunë ndaj flotës së anijeve me ndihma humanitare drejtuar Gazës – një gjest domethënës për një shtet aleat i SHBA-ve që të sfidojë politikat izraelite në Palestinë. Kohën e fundit, Turqia shfaqi rezerva serioze ndaj intervenimit ushtarak perëndimor në Libi – vend ku firmat turke kanë investime të konsiderueshme. Dhe më rastin e revolucioneve në Tunizi dhe Egjipt, Erdogan nuk ngurroi që të deklarojë në një forum ndërkombëtar se frymëzimi kryesor për këto revolucione është modeli turk i demokracisë.

Por pavarësisht nëse paradigma neo-otomane qëndron ose jo mbrapa mendimit dhe strategjisë së re të politikës së jashtme turke, duket se kapitali turk me kohë ka filluar zbarkimin e tij në brigjet e ish-perandorisë, pavarësisht ndryshimeve ideologjike në kreun e shtetit.

Një nga forcat kryesore që tërheq vendet e zonës ish-otomane kah Turqia është rritja e madhe ekonomike e këtij vendi gjatë viteve të fundit. Sot ekonomia turke radhitet në një nga njëzet më të mëdhat në botë. Vitin e kaluar, rritja ekonomike e Turqisë ishte afër 9%, në kohën kur krejt bota e zhvilluar – e në veçanti Eurozona – ishte në stagnim. Rritja ekonomike midis viteve 2009 dhe 2010 u përkthye në mbi një milion e gjysmë vende të reja pune. Këto janë rezultate që do t’i lakmonte çdo shtet.

Banka Botërore merr shembull Turqinë për të treguar se sa me dobi është hapja e një ekonomie për investime të jashtme. Në fakt, rritja e investimeve të jashtme në Turqi, nga një shifër e neglizhueshme në fillim të viteve 2000, gjatë vitit të kaluar arriti në mbi pesë miliardë USD. Por, Turqia nuk është vetëm pranuese e investimeve të jashtme. Firmat turke – siç kemi mundësinë ta dëshmojmë edhe në Kosovë – janë vetë investitore të mëdha në ekonomitë e jashtme. Investimet e jashtme të firmave turke, nga 849 milionë USD në vitin 2004, arritën në 2.500 milionë USD në vitin 2007, kurse numri i firmave që investojnë jashtë është rritur nga 183 në 283. Me një fjalë, fakti se firmat turke kërkojnë dalje në tregje të jashtme dëshmojnë se ekonomia turke posedon një tepricë kapitali që nuk mund të investohet në mënyrë profitabile në Turqi. Prania e likuiditetit në ekonominë turke dëshmohet edhe nga kamatat e Bankës Qendrore të Turqisë që sot janë ndër më të ultat historikisht.

Në një anë, kjo është shenjë e mirë për rajonin përreth Turqisë. Si Afrika Veriore, ashtu dhe Azia Qëndrore dhe Ballkani (dhe natyrisht Kosova), janë të uritura për kapital dhe investime. Ky kapital duhet ta ketë një burim, dhe duke marrë parasysh ngathtësinë ekonomike të Eurozonës, duket se gjasat janë të vogla që investimet kryesore në Ballkan (dhe sidomos në Kosovë) të vijnë nga shtetet e Evropës perëndimore, apo edhe nga SHBA-të (sidomos kur firmat amerikane kanë shprehur shumë pak interesim për Kosovën). Është e vërtetë se shtetet e Evropës qëndrore, si Çekia, Polonia dhe Hungaria, përfituan nga qasja në ekonominë gjermane dhe investimet gjermane. Sllovenia pati fatin t’i ketë afër dy shtete të pasura, Austrinë dhe Italinë. Edhe Shqipëria u shndërrua në shënjestër të kapitalit italian dhe grek – dy vende anëtare të BE-së. Marrëdhënie të tilla nuk janë jashtë përvojave historike. Shtetet si Korea Jugore dhe Tajvani përfituan nga forca e shtuar ekonomike e Japonisë, sidomos gjatë viteve 1950-1970. Shpesh harrohet se industrializimi i Amerikës gjatë fundshekullit XIX u financua kryesisht nga kapitali evropian. Edhe Britania, ekonomia më e pasur e shekullit XIX, fillet e saj i pati në shekullin XVIII me derdhjen në ekonominë e saj të kapitalit holandez, në kohën kur Holanda me kolonitë e saj tejdetare ishte shteti më i fuqishëm komercial në botë.

A ekziston mundësia që rol të ngjashëm ta luaj Turqia në Kosovë? Natyrisht, është herët për të thënë nëse kapitali turk do të ketë rol dominant në Ballkan, ose edhe në Kosovë – një gjë e tillë njëherë për njëherë nuk është evidente. Por investimet e jashtme, qoftë ai me origjinë turke ose tjetërfare,  kanë anën tjetër të medaljes – ato mund të jenë të dobishme për pranuesin e saj, por, për vendet në zhvillim, ato mund të kenë gjithashtu karakter eksploatues. Ta marrim shembullin e një nga “tigrave të Azisë”, Koresë Jugore. Ndonëse pranues i investimeve të firmave japoneze gjatë viteve 1970, në kohën kur ekonomia japoneze kishte zhvillim të hovshëm dhe tepricë kapitali, këto investime u bënë në formën e subkontraktimit të punëve, siç është prodhimi i pjesëve, nga firmat koreane. Në këtë raport firmat koreane përfituan ekspertizën e nevojshme, por edhe qasjen në tregun e pasur amerikan, që ishte dalja kryesore për eksportet japoneze. Këto lidhje bënë të mundur që, pas disa dekadash, firmat koreane të zaptojnë vendet e atyre japoneze dhe të kenë qasje në tregun amerikan, tani me prodhime me vlerë të shtuar si pajisjet elektronike dhe automobilat. Me një fjalë, investimet japoneze mundësuan firmat koreane (që pjesërisht përkraheshin edhe nga shteti) që të ngrisin kapacitetet e tyre por edhe pozitën e tyre në zinxhirin e vlerës ekonomike, për të përfituar qasje në tregje eksporti.

Kapitali turk do të mund të luante një rol të ngjashëm sikur ai të investohej në krijimin e industrive përpunese në Kosovë, p.sh. si në tekstil (sektor ku gëzon epërsi Turqia), apo në hapjen e sektorëve të rinjë ekonomik të lidhur dhe me qasje në tregjet globale. Mirëpo me derdhjen e kapitalit në asete si Telekomi dhe Distribucioni, mbivlera e përfituar e ekonomisë së Kosovës është margjinale sepse bazohen jo në investime të reja por në përvetësimin nga kapitali i huaj i aseteve ekzistuese dhe me mundësi të vogla rritjeje.

Por problemi në këtë mes nuk është interesimi i kapitalit turk në Ballkan, por politika e gabuar ekonomike e Kosovës. Turqia mund të dëshirojë që të tregojë muskujt e saj politikë e ekonomikë në rajon, dhe kapitali turk të kërkojë pista të reja të profitit në tregjet e Ballkanit. Por deri më tani, duke marrë parasysh kornizat aktuale të ekonomisë politike në Kosovë, që investimet i kërkon duke shitur asete ekzistuese, me pak mundësi ekspanzioni, në dhënien në shfrytëzim të tregut të brendshëm të konsumit dhe jo në zgjerimin e prodhimit dhe eksportit, trokitja e kapitalit turk në dyert e Kosovës duket se do të jetë më i levërdishëm për të se sa për Kosovën.

Botuar te Koha Ditore, 10 prill 2011

Rëndësia e revolucionit në Egjipt

Titulli më i mirë për revolucionin në Egjipt ishte ai i revistës humoristike amerikane “The Onion”: “Të shpresojmë se populli i Egjiptit nga kjo do të përfitojë diçka më shumë se vetëm demokraci”. E vërteta është se Mubaraku u shporr nga posti i presidentit, atë që e mbajti për tridhjetë vjet dhe nuk e lëshoi deri sa vendosmëria e popullit të Egjiptit nuk e mbështeti për muri dhe e la pa rrugëdalje tjetër. Natyrisht, dikush pret të dalin detajet e fshehta të mbrapaskenës. A ishte presioni i armatës që e bëri Mubarakun të heqë dorë më në fund? Çfarë roli në këtë proces luajten amerikanët, që ishin aktivë mbrapa skenës, sidomos në kontaktet e thukëta që ekzistojnë midis kreut të lartë të armatës egjiptase dhe Departamentit amerikan të Mbrojtjes? Por kërkimi i detajeve të takimeve dhe marrëveshjeve të mbrapaskenës tashmë është i parëndësishëm. Sepse të gjitha ato ishin intervenime të fundit për ta nxjerr jashtë kufomën politike të Mubarakut, frymën e të cilit ia zuri populli i Egjiptit me lëvizjen e tij masive.

Sigurisht, ajo që është më e rëndësishme është se çfarë do të ndodh tani e tutje. Sepse megjithëse Mubaraku ra, mbetët akoma që vlerat e revolucionit egjiptas të institucionalizohen në një kushtetutë dhe një rend shoqëror të ri për Egjiptin.

Komentatorët gjithnjë e shohin rënien e Mubarakut në kontekstin e regjimeve autoritare të Lindjes së Mesme. Thonë se rënia e Mubarakut është moment i rëndësishëm për tërë botën arabe, sepse shënon momentin kur e ashtuquajtur “valë e tretë” e demokratizimeve, e filluar me rëniën e regjimeve autoritare në Portugali, Spanjë dhe Greqi në vitet 1970 dhe e vazhduar në Amerikën latine dhe Evropën lindore për gjatë viteve 1980 dhe 1990, më në fund kaplon edhe Lindjen e Mesme dhe Afrikën veriore. Bota arabe kështu, sipas kësaj logjike, i kthehet “normalitetit” politik dhe institucional: demokracisë liberale. Akoma mbetet të shihet procesi i tranzicionit të pushtetit në Egjipt, i cili medoemos do të ndiqet nga hartimi i një kushtetute të re për ta zëvendësuar kushtetutën autoritare të Mubarakut. Armata, e cila tani për tani është autoriteti më i lartë politik në vend, me sa duket do të ketë rol udhëheqës në këtë proces, dhe mbetet të shihet nëse tranzicioni do të vazhdojë me një marrëveshje midis forcave të opozitës për hartimin e kushtetutës së re të Egjiptit. Në këtë proces, ekzistojnë tri rreziqe. E para, është që forcat e ish-regjimit të rigrupohen dhe të rivendosin dominancën politike në vend, përmes Partisë Nacionale Demokratike të drejtuar deri në javën e kaluar nga Mubaraku. Në këtë parti ndikim mund të kenë sidomos elementet e klasës afariste që kanë përfituar nga regjimi i Mubarakut, dhe të cilët duan të sigurojnë pozitat e tyre politike dhe ekonomike në epokën pas Mubarakut. Rreziku i dytë është nga vetë armata. Në Egjipt, armata nuk është thjesht një formacion ushtarak, dhe sidomos pas paqes me Izraelin misioni i saj ka qenë gjithnjë e më i ngushtë. Nën Mubarakun, armata është lejuar që të angazhohet ligjërisht në aktivitete afariste si pronare firmash dhe konkurrente për tenderë ndërtimi dhe të ngjashme, me çka shumë nga gjeneralët e saj janë shndërruar gjithashtu në biznesmenë. Me këtë udhëheqje, armata me çdo kusht do që të ruajë këtë pozitë të privilegjuar. E treta do të jetë gatishmëria e opozitës për ta përfshirë në tyrezë bisedimesh Vëllazërinë Muslimane. Çdo tentativë për ta përjashtuar Vëllazërinë nga një pakt kushtetues post-Mubarakian (sidomos nëse në këtë bëhet presion nga SHBA) do të rezultojë në radikalizimin dhe antagonizimin e këtij elementi që megjithatë është pjesë e botës së re politike të Egjiptit. Populli i Egjiptit, ai që me revoltën e tij ishte shkaku themelor dhe motori kryesor i revolucionit, duhet të jetë i kujdesshëm që procesi i ndryshimeve radikale të shkojë deri në fund dhe që revolucioni të mos kidnapohet nga askush.

Sido që të jetë, pavarësisht renditjes së forcave të brendshme politike në Egjipt, vetë rrëzimi me kryengrithe popullore të Mubarakut shënon një moment të ri në historinë e Lindjës së Mesme. Me shumë të drejtë, në Lindjen e Mesme tani pyeten se cili vend e ka radhën? Shtetet arabe të Lindjes së Mesme janë përplot diktatorë që jo vetëm se nuk kanë sunduar shtetet e tyre me dekada, por që nisen procesin e krijimit të dinastive politike deri sa këtë proces nuk e ndali vrulli i revoltave popullore. Në Siri, pas vdekjes së presidentit Hafez al-Assad më 2000, i cili këtë vend e sundoi që nga viti 1971, postin e tij e trashëgoi i biri Bashar. Në Libi, Muamar Gadafi përgatit për fron birin e tij, Mutasimin. Në Tunizi dhe Egjipt, Ben Ali dhe Mubarak gjithashtu përgatitnin të bijtë e tyre për trashëgimin e fronit presidencial, deri sa nuk u dëbuan nga pushteti. Diçka e ngjashme përflitet për Jemenin. Në Jordani dhe Arabi Saudite një gjë e tillë është e garantuar ligjërisht, meqë këto vende janë monarki. Diktatorë dhe regjime autoritare në këto vende ka mjaft, dhe shembulli që dha populli i Tunizisë dhe tani ai i Egjiptit do të ndjellë frikë të mjaftueshme te të gjithë këta se sundimi i tyre nuk është edhe aq i garantuar dhe aq i përhershëm.

Por lëvizja në Egjipt nuk është pëfundimi i vonuar një historie të demokratizimit që më në fund arrin në botën arabe. Përkundrazi, ngjarjet në Egjipt janë spektri i një vale të re të lëvizjeve demokratike popullore në shekullin XXI. E veçanta e Egjiptit është se revolucioni atje ndodhi në kushte krejt të tjera nga revolucionet e Evropës lindore më 1989. Në dallim prej vendeve të Evropës lindore që i takonin një blloku armiqësor ndaj SHBA-ve, Egjipti është shtet klient i SHBA-ve. Mubaraku ishte në pushtet pjesërisht si pasojë e mbështetjes politike, ushtarake dhe financiare që gëzonte ky autokrat nga Washingtoni. Revolucioni ishte tjetërfarë edhe nga të ashtuquajtura revolucionet me ngjyrë (sikur ai në Ukrainë ose Gjeorgji, apo rënia e Millosheviqit në Serbi), ku financimi dhe përkrahja perëndimore luajti rol kyç në organizimin e opozitës dhe në përcaktimin kahjes së zhvillimeve të mëpastajme. Leksioni këtu është i dyfishtë, si për regjimet autoritare e të korruptuara sikur atij të Egjiptit, ashtu dhe për politikën e jashtme perëndimore. Për të parët, është se fshehja prapa mbështetjes perëndimore nuk i përligj të këqijat e këtyre regjimeve. As mbështetja e jashtme, e as aparati represiv i brendshëm nuk i bën ata imun nga kryengritja popullore. Për të dytet, është se mbështetja e autokratëve dhe liderëve të korruptuar është në kundërshtim jo vetëm me vlerat perëndimore në të cilat thirren këto shtete dhe që i predikojnë botës, por është pengesa kryesore për arritjen e aspiratave demokratike të popujve të botës. Prandaj edhe leksioni kryesor dhe më i madhi i Egjiptit është për popujt e botës që synojnë demokraci reale kundër regjimeve represive dhe padrejtësive sociale: nuk ka forcë që mund të ndalë dhe as të pengojë shpërthimin popullor për demokraci, liri dhe barazi.

Botuar te Koha Ditore, 13 shkurt 2011

Frymë e re në Lindjen e Mesme

Dy protesta të mëdha ndodhën të premten e kaluar. Njëra ishte në Tiranë, kurse tjetra, dhe më e rëndësishme për nga pesha historike, ishte në kryeqytetin egjiptian, Kairo. Por jo vetëm aty. Të gjitha qytetet kryesore të Egjiptit ishin ndezur nga protestat dhe përleshjet e masave popullore me forcat e rendit. Të premten, kur shkruaj këta rreshta, pas një dite protestash masive, policia ishte tërhequr nga rrugët e qyteteve të Egjiptit dhe vendin e saj e kishte marrë ushtria. Ushtria ishte pritur me gëzim nga popullata, ndërsa protestuesit kishin hipur dhe festonin mbi tanksa. Situata është e paqartë, por nuk duket larg mendësh që regjimi i Hosni Mubarakut në Egjipt të marrë rrugën e regjimit të Zine el-Abidine Ben Ali në Tunizi. Kjo do të hapte një kaptinë krejt të re në historinë e Lindjes së Mesme, sepse do të shënonte fillimin e fundit të autokracive të korruptuara dhe represive që sundojnë shtetet arabe me dekada.

Çfarë lidhje kanë ngjarjet në Lindjen e Mesme me ato të Shqipërisë? Në të kaluarën ka ekzistuar një solidaritet domethënës mids këtyre vendeve. Në prill të vitit 1939, kur Shqipëria humbi mëvetësinë e saj si pasojë e okupimit italian, vendet perëndimore si Britania dhe Franca mbyllen sytë dhe vetëm verbalisht dënuan këtë akt, që ishte ndër agresionet e para në prag të Luftës së Dytë Botërore. Por ngjarja nuk kishte shkuar pa u vënë re në Lindjen e Mesme. Në Tunizi, Egjipt dhe Libi, u organizuan protesta popullore kundër okupimit italian të Shqipërisë. Fakti se ato ndodhen në Libi është domethënës; Libia asokohe ishte gjithashtu koloni italiane. Shqipëria, së bashku me Libinë dhe Eritrenë dhe Etiopinë, u shpallën pjesë e asaj që regjimi i atëhershëm fashist italian mbiquajti “Perandori e Romës”. Përveç kësaj historie të përbashkët, lidhjet historike me këto pjesë të botës shkojnë më larg në histori, duke filluar nga ndarja e një epoke të tërë historike si pjesë e të njëjtës perandori tjetër, asaj osmane. Për të mos përmendur shqiptarët osmanë që shërbyen si administratorë e ushtarakë në këto territore, pa harruar njërin nga këta që u shndërrua në themeluesin e Egjiptit modern, ushtarakut osman me origjinë shqiptare, Muhamet Alisë.

Sigurisht se këto lidhje historike tashmë janë harruar. Ballkani dhe Lindja e Mesme shihen si botëra krejt të tjera dhe të ndryshme, pavarësisht pikëprerjeve të përbashkëta historike. Dhe ndoshta kjo histori do të ishte pa ndonjë rëndësi po të ishte që Shqipëria të kaplohej nga protesta popullore sapo të tillat kishin dëbuar regjimin e presidentit Ben Ali në Tunizi, që sundoi këtë vend që nga viti 1987. Një protestues tunizian kishte vënë re ironinë që Ben Ali, i njohur si ndalues i ferxhesë dhe përndjekës besnik me dhunë policore i lëvizjeve fundamentaliste islamiste (për ç’shkak pëlqehej dhe përkrahej nga Washingtoni), gjeti strehim në Arabinë Saudite. Por, meqenëse Tunizia njihej edhe më parë për orientimin e saj laik (drejtim i vendosur qysh me dekolonizimin e këtij vendi nga Franca më 1959), problemi ishte jo vetëm të pushteti represiv i ndërtuar nga Ben Ali, por se një pjesë e mirë e ekonomisë së Tunizit gjendej nën kontrollin e tij dhe të familjarëve të tij. Përderisa Ben Ali dhe elita politike dhe ekonomike bënin jetë vilash në bregun e bukur mesdhetar të Tunizisë, papunësia në këtë vend sillej në rreth 14%.

Në Egjipt situata është më e ndërlikuar. Së pari, ky shtet me popullatë rreth 80 milionëshe është një ndër shtetet kryesore strategjike në Lindjen e Mesme. Që nga viti 1979, ky shtet ka një pakt me Izraelin, gjë që ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit në rajon. Për më tepër, Egjipti historikisht ka luajtur rol të rëndësishëm politik dhe kulturor ndër arabët e Lindjes së Mesme. Rënia e Mubarakut vetëm do të shtonte efektin domino në rajon, pasi që protesta popullore tashmë ka edhe në Algjeri e Jemen, me mundësi që të përhapen edhe më tej. E treta, dhe ajo që e bën Washingtonin të ngurrojë në përkrahjen e plotë të protestuesve në Egjipt, është fakti se “Vëllazëria islamike” (Islamic Brotherhood), një ndër lëvizjet më të vjetra fundamentaliste në Lindje të Mesme, ka organizim dhe peshë të fuqishme në Egjipt. Washingtoni akoma kujton makthin e rënies së Shahut në Iran, i cili në këtë vend solli në pushtet regjimin e ajatollave. Përveç mbajtjes së një qëndrimi pasiv karshi çështjes palestineze, represioni i vazhduar politik dhe policor që Mubaraku ka zbatuar kundër “Vëllazërisë islamike” është një arsyet pse Mubaraku është konsideruar nga Washingtoni si aleat i ngushtë. Në fakt, Egjipti është vendi i dytë pas Izraelit që përfiton më së shumti se cilido shtet në botë nga ndihmat ushtarake dhe ekonomike amerikane.

Por nuk duket aspak e saktë që “Vëllazëria islamike” qëndron prapa protestave. Në dallim prej lëvizjeve të kaluara kundër Mubarakut, këto protesta kanë karakter gjithpopullor. Pjesëmarrja në to shquhet nga klasat e mesme. Siç e tha një komentator i ngjarjeve në Egjipt, “Washingtoni duhet ta kuptojë se zgjedhja nuk është midis diktatorëve apo islamistëve, por diktatorëve dhe popujve që kërkojnë liri, të drejta demokratike dhe barazi sociale”.

Në fakt, masat në Egjipt, ashtu si në Tunizi, shquhen nga fakti se janë kryesisht të reja. Dhe është në radhë të parë rinia e këtyre vendeve që është në frontin e parë të protestave. Në këtë pikëpamje, këto shtete kanë elemente të përbashkëta me Shqipërinë. Të gjitha këto shtete janë vende demografikisht të dominuara nga popullata nën moshën 30 vjeçare. Të gjitha këto vende kanë shënuar suksese ekonomike gjatë viteve të fundit, por rritja ekonomike nuk është përkthyer në ngritje të standardeve për shumicën. Korrupsioni është githandej, sidomos në kreun politik. Këtë gjendje e përjeton në mënyrën më të rëndë popullata e re. Në Tunizi, papunësia ndër të rinjët (mosha 20-29 vjeçare) është 20%; në Egjipt ajo shkon mbi 30%. Në Shqipëri papunësia tek rinia është në po këto nivele. Por karakteri i protestave në Tunizi, Egjipt dhe Shqipëri është krejt tjetërfarë. Jo vetëm nga fakti se shkalla e represionit politik është shumë më e lartë në këto shtete. Por edhe nga fakti se kush organizon protestat. Në Tunizi dhe tani në Egjipt, lëvizjet e pavarura, sindikatat dhe qytetarët e thjeshtë janë ata që kërkojnë fundin e autokracive dhe korrupsionit. Në Shqipëri kemi të bëjmë sërish me një situatë ku shqetësimet legjitime të qytetarëve bëhen pre e ambicieve politike të këtij lideri apo atij opozitari. Në Shqipëri po shohim shfaqjen e një tragjedie politike që vetëm hap më tej gropën në të cilën gjendet ky vend politikisht. Kurse në Lindjen e Mesme po e përjetojmë hapjen e një horizonti të ri historik, atë të shkatërrimit të regjimeve të qelbura që sunduan këta popuj me dekada.

Botuar te Koha Ditore, 30 janar 2011

Dëshira me emrin BE

Në Evropën lindore, dekada e viteve 1990 u shënua me aspiratën e shteteve të ish-bllokut sovjetik për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian. Asokohe, Paul Goble, redaktor i Radios Evropa e Lirë dhe një nga vëzhguesit më të mprehtë të politikës së vendeve të Evropës lindore, pat theksuar dallimin midis motivit që shtynte shtetet si Polonia, Çekia, Rumania e Hungaria drejt anëtarësimit në këto institucione, dhe kapaciteteve reale të këtyre institucioneve për të përmbushur aspiratat që këto vende shihnin në to. P.sh., sa përket NATO-s, Goble pat deklaruar se motivi kryesor i shteteve të Evropës lindore për anëtarësim në NATO është mbrojtja nga çfarëdo rreziku të ardhshem rus. Mirëpo, pat thënë ai, pasi që të kenë hyrë në NATO, këto vende do të zbulojnë se NATO-ja nuk është më e njëjta organizatë që ka qenë dikur.

Kështu dhe ndodhi me NATO-n. E themeluar si një aleancë strategjike për mbrojtje nga rreziku ushtarak i bllokut sovjetik, më 1999 ai kreu në Kosovë një operacion krejt jashtë mandatit të që kishin menduar për NATO-n themeluesit e saj, kur nënshkruan traktatin themelues më 1949. Sot, shtetet anëtare të NATO-s janë mobilizuar në Afganistan, vend ku tani edhe një ndër anëtarët më të rinjë, Shqipëria, dërgon ushtarë. Shtetet e vogla shihnin vlerën tek NATO-ja sepse aty siguronin mbrojtje ushtarake nga një superfuqi, SHBA-të. Sot, roli i NATO-s duket të jetë i kundërt: është SHBA-ja që prej anëtarëve të NATO-s siguron një pjesë të fuqisë ushtarake për intervenimet që Washington-i i konsideron strategjike nga këndvështrimi i interesave të tij, këndvështrim që nuk po has gjithmonë në mbështetje në kancelaritë evropiane.

Rezistenca, sidomos e shteteve të fuqishme evropiane, për t’u shndërruar në instrumente të politikave strategjike amerikane duket edhe një prej motiveve që po shtyn shtetet si Franca dhe Gjermania të gjejnë alternativa tjera për arkitekturën e sigurisë në kontinent. Rol kyç këtu luan faktori i Rusisë: Franca dhe Gjermania synojnë një kultivim të marrëdhënieve me Moskën, në mënyrë që të parandalojnë çfarëdo acarimi që do ta shtynte Rusinë drejt një politike më agresive të jashtme ndaj vendeve të BE-së. Një gazetë rumune, në një formë paksa bombastike, tashmë paralajmëron rrezikun e formimit të asaj që e quan një “bosht Paris-Berlin-Moskë”, i cili do të dobësojë më tej rolin e NATO-s në sigurinë evropiane. Duke parashikuar një kthim të realpolitikës së shekullit XIX, kjo gazetë bën thirrje që Rumania dhe vendet tjera të Evropës lindore të zhvillojnë marrëdhënie direkte me Washington-in, duke anashkaluar NATO-n. Megjithatë, nënshkrimi i një marrëveshje të re për sistemin e mbrojtjes raketore në Evropë gjatë samitit të NATO-s në Lisbon më 19 dhe 20 nëntor, paksa zbeh ashpërsinë e pretendimit se NATO-ja nuk luan më rol të rëndësishëm në mbrojtjen evropiane. Sido që të jetë, skepticizmi i shprehur në këtë gazetë rumune ndaj NATO-s pak a shumë tregon për faktin se, atëherë kur u bënë pjesë e NATO-s, rumunët si shumë evrolindorë tjerë, zbuluan se NATO ishte një organizatë krejt tjetër prej asaj që e kishin imagjinuar.

Një gjë e ngjashme po ndodh me BE-në. As BE-ja nuk është më ajo organizatë që ka qenë, dhe dështimet në federalizimin e mëtejmë të BE-së po tregojnë se projekti i integrimit të shteteve kombëtare në një strukturë supershtetërore ka arritur disa kufij. Kjo po shihet jo vetëm tek shtetet që tradicionalisht kanë qenë për një BE që funksionon dhe vepron si bashkësi shtetesh sovrane, si Britania e Madhe, por edhe boshtin e vjetër të BE-së, Gjermani-Francë. Elita politike në Francë, sidomos e djathta e presidentit Nicholas Sarkozy, por edhe figura si ish-ministri i Jashtëm Hubert Vedrine, haptazi flet për nevojën e rishikimit të BE-së si një bashkësi shtetesh sovrane, duke hequr dorë nga çfarëdo projekti federalist. Kjo, natyrisht, nuk domethënë zhdukjen e BE-së, por në rikonceptimin e BE-së si një mekanizëm për koordinimin e shteteve anëtare në disa fusha të caktuara ekonomike e institucionale, por jo si zëvendësim apo organizim që në ndonjë mënyrë suprimon sovranitetin e shteteve anëtare.

Një gjë e ngjashme është parë në rolin ridistributiv që BE-ja ka luajtur në të kaluarën. Kur BE-ja kishte vetëm dymbëdhjetë anëtarë, shtetet më pak të pasura të bashkësisë, si Portugalia, Irlanda dhe Greqia, përfituan nga investimet dhe fondet e BE-së, me para që financoheshin nga shtetet anëtare më të pasura. Kur BE-së ju bashkuan një pjesë e shteteve të Evropës lindore, këto programe u shkurtuan drastikisht – kusht i vënë nga vetë shtetet më pak të pasura të BE-së për pranimin e tyre në bashkësi. Përfitimi ekonomik i Bullgarisë apo Hungarisë nuk është i barabartë me atë të dikurshmin për Irlandën apo Greqinë.

Sot lufta kryesore e BE-së është mbijetesa e euros, e rrezikuar nga borxhet sovrane, e parë në mënyrën më dramatike në rastin e Greqisë, e cila me vite kishte huazuar para, duke manipuluar edhe me kontabilitetin e financave publike për ta fshehur shkallën e borxhit ndërkombëtar. Kur goditi kriza financiare, Greqia u vu para kolapsit financiar, të cilin e evitoi me ndërhyrjen nga BE-ja, me financim kryesisht nga Gjermania. Në një situatë të njëjtë gjendet sot Irlanda, e cila është buzë katastrofës financiare. Në dyja këto shtete kishte pasë një boom në fushën e ndërtimtarisë të financuar nga bankat, treg që pësoi kolaps dhe që tani po tërheq zvarrë gjithë financat bankare dhe ato të shtetit. BE-ja tani po luan rolin e zjarrfikësit financiar, duke shpëtuar financat publike të Greqisë dhe tani Irlandës, por duke imponuar mbi to edhe një disiplinë fiskale që çon në rritje të pakënaqësisë popullore, si në shtetet huamarrëse si Greqia dhe Irlanda (që duhet të ballafaqohen me shkurtime drastike buxhetore), si në shtetet huadhënëse si Gjermania, ku popullata nuk e sheh të arsyeshme që me para të tyre të paguhet për avanturat e qeverisë greke, kur ekzistojnë nevoja të mëdha të brendshme për investime.

Është interesante që këto zhvillime të shihen në pasqyrën e sondazhit të fundit gjithëballkanik nga Gallup, Balkan Monitor 2010. Ndonëse shumica e ballkansave mbështesin idenë që shtetet e tyre të anëtarësohen në BE (me përjashtim të kroatëve, nga të cilët vetëm 28 përqind shprehen pozitivisht për anëtarësimin e Kroacisë në BE), këto shifra janë më të lartat në Shqipëri (93 përqind) dhe Kosovë (87 përqind). Siç komenton raporti, mbase kemi të bëjmë me një reagim përmes të cilit popullatat e shteteve ballkanike shprehin pakënaqësitë e tyre me qeverisjen dhe politikën e brendshme duke lidhur shpresën e tyre me një institucion si BE-ja. Por, pyetja përfundimtare është nëse anëtarësimi në BE vërtetë do të jetë – atëherë kur të bëhet – ilaçi magjik që do të shpëtojë shoqëritë ballanike nga korrupsioni dhe varfëria. Mirëpo, në dallim prej aspiratave të evrolindorëve gjatë 1990-ave, të cilët nuk kuptonin se institucionet si NATO dhe BE do të ndryshojnë në karakter me vetë aderimin e tyre në to, në rastin e vendeve të Ballkanit perëndimor, sidomos në Kosovë dhe Shqipëri, kemi të bëjmë me një hendek që ekziston midis realitetit të BE-së dhe asaj që ajo përfaqëson si simbol i brendshëm politik. Sepse ajo çfarë ka gjasa të ndodh, është që edhe pas anëtarësimit eventual në BE, shoqëritë ballkanike do të shohin se përfitimi nga ky institucion nuk është edhe aq i madh sa që kanë kujtuar, të paktën jo në një formë që ndjehet shpejt në jetën e përditshme, duke humbur me këtë edhe atë simbol që përfaqëson aspiratën për një të ardhme tjetër nga realiteti i sotëm. Në njërën anë, kjo mund të jetë një zhvillim negativ, sepse krijon kushtet që pakënaqësia që dikur ngushëllohej dhe kompenzohej me nocionin se BE-ja paraqet shpëtimin, të kalojë në mllef që zëvendësohet me një popullizëm nacionalist, siç po ndodh në shtetet si Rumania e Hungaria, por edhe në vendet perëndimore të BE-së. Në anën tjetër, anëtarësimi në BE eliminon shumë prej mitologjisë që sot rrethon këtë projekt, duke krijuar mbase edhe kushtet për një debat më të informuar dhe më racional për BE-në, dhe çfarë domethënie konkrete, politike dhe ekonomike, ka ky projekt për vendet e Ballkanit.

Botuar te Koha Ditore, 21 nëntor 2010

Rruga aziatike drejt Evropës

Hegjemonia ekonomike amerikane në botë përfundimisht po tregon çarjet. Këto ditë në kryeqytetin e Koresë Jugore u mbajt samiti i G20, klubit të shteteve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, i cili pak a shumë përcakton konturat e ekonomisë globale. Presidenti Obama erdhi në Seul me një agjendë të gjerë ekonomike e tregtare, por hasi në shumë rezistencë dhe mosmarrëveshje. Ajo çfarë pamë gjatë samitit është shprehja e ankesave gjithnjë në rritje e shteteve në zhvillim karshi politikave të shteteve të zhvilluara, në veçanti SHBA-ve. Krejt këto tregojnë për konfliktet politike e ekonomike që rrjedhin nga fakti i një ndërvarshmërie gjithnjë e më e madhe të ekonomisë botërore, por edhe ndryshimi gradual i hierarkive ekonomike në botë. Në këtë mes, të zëshme janë sidomos shtetet e Azisë juglindore, ku rritja ekonomike ka vazhduar në shkallë të larta përkundër stagnimit që ka kapluar SHBA-të dhe Evropën. Shkalla e rritjes ekonomike në Azinë juglindore, si dhe në shtetet në zhvillim në Amerikën latine, për këtë vit pritet të sillen rreth shifrës 7%. Rritja në SHBA do të arrijë në 2,7% kurse në eurozonë nuk pritet ta tejkalojë shifrën 1%.

SHBA është në hall, sidomos presidenti Obama pas humbjes së mazhorancës demokrate në zgjedhje dhe nevojës së tij për ta përçuar një mesazh të fuqishëm angazhimi për rritje ekonomike. Populli amerikan dëshiron të shoh rimëkëmbje ekonomike sa më parë, prandaj ngërçet që hasi agjenda ekonomike e Obamas në Seul është edhe një rëndim mbi vështirësitë politike të presidentit. Nga ana tjetër, shtetit federal amerikan i kanë mbetur pak leva për ta adresuar problemin ekonomik. Shkalla e kamatës e vendosur nga Banka Federale e Rezervës (banka qëndrore e SHBA-ve) është afër zeros. Për programe të stimulimit tashmë nuk ka përkrahje politike me ardhjen e republikanëve, që mesazh kryesor kanë uljen e deficitit buxhetor. Në SHBA me kohë ekziston edhe frika e nisjes së një spiraleje të deflacionit, që do t’i çonte SHBA-të në një rrugë të ngjashme të recesionit pa krye që kaploi Japoninë gjatë viteve 1990 (e njohur në Japoni si “dekada e humbur”). Banka qëndrore amerikane tani ka marrë një masë tjetër: blerjen e borxheve shtetërore, rreth 600 miliardë dollarë, që me fjalë të tjera domethënë shtypjen dhe emitimin e dollarëve. Por, kjo masë është jo pa pasoja, ndërsa është pjesë e zhurmës që u bë në samitin G20.

Emitimi i dollarëve të rinjë në treg ka efektin e uljes së vlerës së dollarit, me shpresën se një masë e tillë do të nxit eksportet amerikane (për shkak se ulja e dollarit karshi valutave tjera i bën prodhimet amerikane më konkurrente në tregun botëror). Kjo është pikërisht ajo që nuk duan shtetet si Kina, Brazili dhe Korea Jugore, rritja ekonomike e të cilëve varet nga fuqia blerëse e konsumatorit amerikan. Siç e tha troç presidenti i Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva, i cituar nga AP, “nëse shtetet e pasura nuk po konsumojnë dhe duan t’i rrisin ekonomitë e tyre mbi eksportet, bota do të falimentojë sepse nuk ka kush të blejë”. Pasi që, sipas tij, “të gjithë duan të shesin”. Jo vetëm vendet në zhvillim, por edhe një vend i zhvilluar si Gjermania është vënë nën presion, sidomos pasi që fuqia e eksporteve e ka ruajtur ekonominë gjermane nga stagnimi që ka kapluar ekonomitë tjera evropiane. Sikur shtetet në zhvillim, Gjermania tani ka frikë se zhvleftësimi i dollarit do t’i godasë eksportet gjermane. Në thumb të kritikës është vënë edhe Kina, e cila një kohë të gjatë llogaritet të manipulojë me vlerën e valutës së saj, duke e mbajtur artificialisht të ulët në mënyrë që të stimulojë eksportet e veta.

Rëndësia gjithnjë e më e madhe e shteteve në zhvillim, sidomos e shteteve aziatike, është dëshmuar edhe me vizitën që Obama i ka bërë javëve që shkuan në Indi, Indonezi dhe së fundi Korenë Jugore, dhe pastaj Japoni, ku po mbahet forumi i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Pacifik. Vizitat zyrtare janë përqëndruar pothuajse krejtësisht në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare. Ajo çka synon Obama dhe administrata e tij, është që të ndryshojë raporti tregtar që këto shtete kanë me SHBA-të. Deri më tani, shtetet aziatike e kanë parë Amerikën si treg për shitjen e mallrave të tyre, diçka që ka sjellë përfitime të mëdha për ekonomitë e tyre. Obama kërkon që tani këto shtete të fillojnë të hapin tregjet e tyre për produkte amerikane, duke lejuar edhe firmat amerikane të përfitojnë nga fuqia e rritur blerëse e konsumatorit kinez, indian, indonezian, koreanojugor dhe latinoamerikan. Me Indinë, p.sh., Obama nënshkroi marrëveshje për mbi 10 miliardë dollarë eksporte amerikane, ndërsa atje shkoi i shoqëruar me 250 biznesmenë amerikanë. Por marshi tregtar i Obamas në botën në zhvillim nuk po shkon aq hareshëm. Ulja e vlerës së dollarit mund ta nxisë një luftë monetare, pasi që shtetet mund të tentojnë ta ulin vlerën e monedhave të tyre si përgjigje ndaj masave të bankës qëndrore amerikane. Efekti i uljes së dollarit është i dyfishtë, jo vetëm për uljen e çmimeve të eksporeve amerikane, por edhe për fluksin e kapitalit që mund t’i pushtojë tregjet financiare të shteteve në zhvillim, duke kontribuar në shtrenjtimin e valutave të tyre dhe rrjedhimisht rëniën e fuqisë së tyre eksportuese. Një luftë tjetër që mund të nxitet është ajo tregtare: shenjat e kësaj u panë qartazi kur presidenti koreanojugor Lee Myung-bak refuzoi të nënshkruajë një marrëveshje historike me Obaman për tregti të lirë midis dy shteteve, që ndër të tjera do të hiqte kufizimet koreane për importin e mishit dhe automobilave amerikanë, një nga mënyrat se si Korea Jugore ka mbrojtur industritë se saj vetanake nga konkurrenca dhe ka mundësuar zhvillimin e shpejt të këtij shteti.

Krejt këto reflektohen në ndryshimet rrënjësore të balanseve ekonomike (dhe me to edhe politike) që po i shohim në botë, me trende që do të vazhdojnë në dekadat që vijnë, dhe me riorganizimin global ekonomik, ku SHBA-të dhe Evropa nuk kanë më rolin dominant të dikurshëm. Për pak mbi një dekadë Kina pritet të bëhet ekonomia më e madhe në botë. Zhvillime të ngjashme po shohim edhe në fusha tjera: nxënësit aziatikë prej kohësh dominojnë në garat ndërkombëtare për matematikë dhe shkencë, kurse sipas raportit vjetor të UNESCO-s, gjatë viteve të ardhshme Azia do të shndërrohet në kontinentin dominant për kërkime shkencore, duke rrezikuar dominancën e shteteve të pasura në këtë fushë. Reformat e fundit në Fondin Monetar Ndërkombëtar i japin shteteve në zhvillim një zë më të madh në caktimin e politikave të këtij institucioni, krejt këto shenja të influencës së shtuar të shteteve ku hovi zhvillimor që disa dekada nuk ka të ndalur.

Ku qëndron Kosova në këto trende? Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën kishte pak gjëra pozitive për të thënë për gjendjen ekonomike në Kosovë. Megjithëse konstatimet e raportit janë formulaike dhe fare pak me rëndësi për politikat ekonomike që duhet të ndiqen në periudhën që po vjen, ato tregojnë për një dështim të thellë të politikave të deritanishme, shumë prej të cilave janë zhvilluar nën patronatin ideologjik të ambasadave, institucioneve financiare dhe agjensive zhvillimore të shteteve të huaja. Krejt kjo ka çuar në imponimin e politikave të dështuara që deri më tani kanë sjell vendnumrin ekonomik, vazhdim të varfërisë, ikje të investitorëve, rrezikun e deficiteve buxhetore dhe të huamarrjes pa fund, dhe ruajtjen e deficitit të tmerrshëm tregtar. Ajo çfarë duhet të bëjnë partitë kosovare është që ta kthejnë kokën pak më larg zyrave të ambasadave dhe drejt shteteve që kanë treguar sukses ekonomik edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë ekonomike në botë. Përderisa Amerika kërkon gjallërimin e ekonomisë së saj në kërkim të tregjeve në Azi, Kosova duhet të kërkojë në Azi modelet zhvillimore që do ta nxjerrin vendin nga varfëria dhe do ta shndërrojnë atë në partner regjional e global ekonomik. Kosova mund të ketë një të ardhme evropiane, por po bëhet e qartë se rruga më e sigurt drejt kësaj të ardhme është një rrugë aziatike.

Botuar te Koha Ditore, 14 nëntor 2010

EULEX-i dhe racizmi i sundimit të ligjit

Në sajtin e njohur të internetit Youtube, dikush ka vendosur një xhirim të këngëtarës kosovare Genta Ismajli e cila, gjatë një performanse të këndimit ‘playback’, rrëzohet në binë. Por, për ta maskuar rrëzimin, në video Genta shihet duke bërë disa akrobacione dhe me disa lëvizje të shpejta të trupit ajo tenton që rrëzimin ta paraqesë si pjesë të kërcimit të saj, si pjesë e vetë performansës në skenë. Mund të ndodh që audienca e pranishme në sallë edhe nuk e ka vënë re se Genta kishte humbur balansin dhe ishte rrëzuar, por në video bëhet qartë se Genta përpiqet që me lëvizjet e pastajme ta fsheh këtë gaf të performansës dhe të vazhdojë me performansë thuajse nuk ndodhi asgjë. Mirëpo, ky synim i Gentës bëhet i pamundur në video, ku reprizimi i disahershëm i momentit të rrëzimit qartë tregon përpjekjet e Gentës për ta rikuperuar performansën nga ai moment.

I njëjtë me Gentën është Hashim Thaçi. Gjashtë-pikëshi i Ban Ki Moon-it dhe tani, Protokolli i bashkëpunimit midis EULEX-it dhe Serbisë janë sikur video-reprizat e rrëzimit të Gentës – ato pashmagshëm tregojnë për gafe, për lëshime dhe për përpjekje që ato të mbulohen, të fshehen e të relativizohen me akrobacione të improvizuara. Pos asaj, videoja e Gentës tregonte për faktin e ‘playback’-ut – derisa Genta merrte thu dhe trupi i saj binte për toke, këndimi i saj dëgjohej në altoparlante dhe vazhdonte sikur të mos ishte duke ndodhur asgjë. Edhe Hashim Thaçi këto ditë po përpiqet që sërish të sinkronizohet me playback-un e tij politik, sipas të cilit në Kosovë gjithçka është në rregull, gjithçka ecën mirë, Kosova është sovrane, është e pavarur, qeveria ka kontroll të plotë mbi territorin e Kosovës, mbi sigurinë etj. Por, për fat të keq, 6-pikëshi dhe Protokolli i EULEX-it për Thaçin do të jenë sikur videoja e Gentës në Youtube – një dëshmi e pamohueshme e gafeve politike që nuk mund të mbulohen, pavarësisht akrobacioneve retorike dhe mohimeve këmbëngulëse.

Por ç’të themi për revoltën kundër Protokollit të EULEX-it? Është interesant se kur Lëvizja Vetëvendosje dhe disa tjerë prej nesh, kritikonin formën e pavarësisë së Kosovës që vinte në formën e Pakos së Ahtisaarit, përbuzëshim, përqesheshim, quheshim të krisur, të papërgjegjshëm etj. Është interesant se sot, kur Kosovës po i vijnë në pragun e derës faturat dhe llogaritë e shumta që Kosova ia ka borxh Ahtisaarit (dmth pakos, jo individit), si p.sh. 6-pikëshi, Protokolli, decentralizimi, shthurja e TMK-së, borxhet ndërkombëtare etj., atëherë edhe ata që dikur me entuziazëm ngriteshin pas lidershipit politik kosovar, indinjohen, revoltohen, nervozohen etj. Sfida në politikë është gjithmonë të parashikohen disa rrjedha dhe t’u paraprihet të këqijave, jo që të bëhën revolta pas faktit të kryer. Edhe sot, pas faktit të kryer, kemi shumë të tillë që janë revoltuar për nënshkrimin e Protokollit, ashtu sikur disa ish-pjesëtarë të TMK-së u kujtuan të protestonin kundër përjashtimit të tyre nga puna shumë kohë pasi shpartallimi i TMK-së kishte hyrë si pjesë e marrëveshjes me Ahtisaarin, ndërsa në kohën kur bëhej kjo marrëveshje kishin qëndruar këmbëkryq. Kjo ngjan shumë me skenën komike pas hyrjes së NATO-s në Kosovë në qershor 1999: përderisa trupat e NATO-s hynin dhe po shtoheshin, kolonat e ushtarëve serbë tërhiqeshin nga Kosova duke bërë këngë e valle – edhe pse e kishin humbur luftën.

Andaj, ndoshta para se të merremi me kritikën kundër Protokollit, duhet të merremi me EULEX-in si të tillë. Sot, kundërshtia ndaj EULEX-it paraqitet në terma nacional: EULEX-i është i keq sepse bashkëpunon me Serbinë, mbron serbët në veri etj. Kjo domethënë se sikur të kishim një EULEX “pro-shqiptar”, gjithçka do të ishte në rregull. Ky qëndrim është sa gabim aq edhe politikisht naiv. EULEX-i nuk është problem sepse është pro-serb apo pro-shqiptar. EULEX-i është problem sepse ekziston SI I TILLË. Një analizë kritike e EULEX-it është e domosdoshme jo vetëm për ta tejkaluar një vizion të tillë binar dhe manikeist për të, por edhe për ta refuzuar shantazhin aq të fuqishëm: “Ju jeni kundër EULEX-it? Ju qenkeni kundër Bashkimit Evropian!” Këtij shantazhi duhet t’i jepet një JO e menjëhershme dhe kategorike, dhe kjo bëhet duke problematizuar dhe treguar karakterin thelbësisht racist të EULEX-it.

Ç’është EULEX-i? Siç dihet, misioni formal i EULEX-it është vendosja e sundimit të ligjit në Kosovë duke dhënë përkrahje “teknike” për policinë, gjyqësinë dhe sistemin penal të Kosovës. Por, kjo nuk është e tëra. EULEX-i rezervon, sipas mandatit të PCN-së, Pakos së Ahtisaarit dhe 6-pikëshit të Ban Ki Moon-it, edhe pushtete ekzekutive në Kosovë, të trashëguara përmes Rezolutës 1244 nga UNMIK-u. Statusi juridik i EULEX-it është, sikurse dikur ai i UNMIK-ut, ambivalent dhe jo gjithmonë i përcaktuar. EULEX-i vepron në bazë të Rezolutës 1244, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ai gjithashtu vepron në bazë të pushteteve që jepen nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, qeveria dhe ligjet e Kuvendit. EULEX-i është mision me pushtete ekzekutive në sistemin penal dhe juridik të Kosovës së pavarur, mirëpo EULEX-i ka në radhët e veta anëtarë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën shtet të pavarur, domethënë e njohin si pjesë të Serbisë. BE-ja, nga ana tjetër, nga shkaku i mungesës së koncenzusit brenda shteteve anëtare, ka marrë qëndrim “neutral” karshi statusit të Kosovës.

Por, problemi i EULEX-it shkon edhe më thellë. EULEX-i, bashkë me PCN-në, përbën një entitet me pushtete mbisovrane. Misioni i EULEX-it, ndërkaq, fshehet mbrapa legjitimitetit universal që ngerthen diskursi i “sundimit të ligjit” – sigurisht se askush nuk do pushtete arbitrare dhe të gjithë janë për sundimin e ligjit. Mirëpo vetë ideologjia e EULEX-it na tundon që ta ngrisim kritikën e vjetër marksiste ndaj ligjit: ligji nuk ekziston si normë e izoluar, si rregull formale e mbyllur në vetëvete; përkundrazi, ligji shpreh dhe formalizon, pra institucionalizon dhe legjitimon, një marrëdhënie të caktuar shoqërore. Marrëdhënia themeltare shoqërore e ligjit është raporti që individi ka me sovranin, pra, me shtetin. Sistemi juridik konstituon individët si subjekte juridike, dhe funksioni i ligjit në këtë kontekst është rregullimi i marrëdhënieve midis subjekteve juridike. Por, cili është sovrani në Kosovë? A nuk janë qytetarët e Kosovës subjekte juridike të Republikës së Kosovës, shtet sovran? Formalisht, po, por me EULEX-in, sikur dikur me UNMIK-un, kemi të bëjmë me kthimin në praktikë të konceptit Schmittian të sovranitetit – të sovranitetit si “rregulla e përjashtimit”. Juristi gjerman Carl Schmitt, gjatë viteve 1920 ka zhvilluar konceptin e sovranitetit në të cilin sovrani paraqitet si element jashtë sistemit juridik. Sovrani, sipas Schmitt, nuk është ai që vepron brenda rendit normal juridik, brenda kufizimeve të normave pozitive juridike, por ai që ka të drejtën e pezullimit të së drejtës, pra, të pezullimit të rendit juridik si të tillë. (Ishte pikërisht ky element i kushtetutës së republikës së Weimarit që u shfrytëzua nga Hitleri për marrjen e pushteteve diktatoriale në Gjermani.) Jo sistemi juridik, por fuqia emergjente, “gjendja e jashtëzakonshme” është forma esenciale e sovranitetit, sipas Schmitt-it. Është pikërisht ky koncept që kthehet në praktikën juridike të EULEX-it. EULEX-i pohon se ka mision teknik, këshilldhënës në Kosovë. Kjo është e saktë, për sa kohë që EULEX-i kryen veprime teknike në sistemin juridik të Kosovës. Por kjo nuk është e tëra, për shkak të “fuqive të rezervuara” të EULEX-it që i takojnë sipas Pakos së Ahtisaarit dhe dokumenteve përkatëse. Në çdo moment, EULEX-i gëzon të drejtën e sovranit Schmitt-ian, ai ka të drejtë jo vetëm të pezullojë çfarëdo vendimi të dalur nga sistemi juridik i Kosovës, por edhe të ndërmarrë “masa emegjente” përmes forcave të veta ekzekutive. Për këtë arsye, EULEX-i nuk është thjesht një mision teknik, ai është element mbisovran i cili ka të drejta juridikisht të pakufizuara ndaj vetë sistemit juridik të Kosovës dhe përmes tij, ndaj çdo qytetari të Kosovës.

Racizmi i EULEX-it gjehet pra në vetë strukturimin e tij. Nuk është fjala për qëndrimet subjektive të zyrtarëve të EULEX-it – ata jo që mund të mos jenë subjektivisht racistë, ata bile mund të shfaqin motivet dhe dëshirat më të mira për Kosovën, mund të jenë liberalë dhe multikulturalistë që çmojnë traditat kulturore kosovare, që promovojnë tolerancën multikulturore etj. Kjo nuk është esenca. Esenca është te vetë rezoni prapa EULEX-it. Pyetja themelore është, pse ka Kosova nevojë për EULEX? Siç pyet me të drejtë Albin Kurti, pse i duhen Kosovës mijëra policë, prokurorë e gjykatës evropianë, por jo po aq mjekë, arsimtarë, shkenctarë e specialistë të tjerë nga Evropa? Me fjalë tjera, çka është e veçanta e Kosovës që e bën atë të ketë nevojë për një strukturë të mbisovrane që ka si funksion klasifikimin dhe regjimentimin juridik të shoqërisë kosovare? Më saktësisht, me çka arsyetohet marrëdhënia shoqërore prej një sovrani karshi një subjekti juridik që ky mision ka me popullatën vendore në Kosovë?

Nëse mund të përdorim terminologjinë e Michel Foucault-së, funksioni i EULEX-it është “biopolitik”. Siç na përkujton Foucault, ideologjia pozitive e sundimit të ligjit pashmagshëm lidhet me diskursin juridik të kriminalizimit të subjekteve juridike dhe teknologjive të ndërlidhura të kontrollit dhe menaxhimit disiplinor, policor dhe penal të një popullate të caktuar. “Misioni” i EULEX-it pra, më pak se me ideologjinë e tij pozitive, duhet të identifikohet pikërisht me aktin e patologjizimit të shoqërisë kosovare si një element i paasimiluar ndaj ligjit dhe normave juridike. Kjo është, nëse mund të përdorim gjuhën e psikanalizës, e pavetëdijshmja institucionale e EULEX-it – ai vjen në Kosovë për spastrimin e hapësirës shoqërore evropiane nga ato që Zizek i quan “subjekte toksike” – Tjetri (etnik, tribal, fetar) i cili nuk i asimilohet normës, dhe i cili si pasojë ka nevojë për teknologji të kontrollit normativ. Si mund të jetë ndryshe në epokën e multikulturalizmit liberal, i cili i indinjohet shprehjeve të hapura të racizmit dhe për të cilin ndërhyrja e drejtpërdrejtë në vlerat kulturore të Tjetrit përbën akt të papranueshëm? Racizmi i EULEX-it pra nuk është racizëm në kuptimin kulturor të fjalës, por është racizëm që gjehet brenda strukturës së saj institucionale: racizëm që ka bazë ideologjinë e sundimit të ligjit dhe Tjetrin si qenie barbare (etnike, tribale) i cili kërkon zbatimin e dhunës juridike karshi universalitetit të Ligjit Perandorak – Lex de Imperio. EULEX është simptomë e transfigurimeve të sovranitetit që ka nxitur eksperimenti i Bashkimit Evropian, por edhe të tenativës Perandorake për kontroll të kufijve jo vetëm politik, por edhe normativ dhe kulturor të “Evropës”, duke kategorizuar popullatat e pranueshme dhe të papranueshme brenda bashkësisë shoqërore të saj. Ashtu sikur fushatat kundër imigrantëve dhe kundër të huajve, diskurset e kriminalizimit të minoriteteve etnike dhe fetare brenda BE-së, përpjekjet për ndalimin e hyrjes së afrikanëve dhe jo-evropianëve të tjerë brenda BE-së, EULEX-i është shprehje e një racizmi universal evropian karshi Tjetrit dhe duhet të luftohet vetëm si i tillë.

(Botuar te Koha Ditore, 12 shtator 2009)

Disa shënime nga tetori 2007

Po i botoj këto shënime pasi ngrisin disa çështje që akoma mbesin të rëndësishme edhe sot. Këto janë shënime të pabotuara nga tetori 2007, katër muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

 

Ekziston gjithmonë mundësia që të dëshmojmë ndonjë kthesë të paparashikueshme në Kremlin. Presidenti rus Putin, kohëve të fundit ka filluar të bëhët i njohur për gjeste të tilla. P.sh., Putini befasoi edhe njerëzit e rrethit të tij të ngushtë politik me kandidatin që propozoi për kryeministër, duke anashkaluar dy kandidatë favoritë. Apo, këto ditë ai deklaroi se karriera e tij politike mund të mos përfundojë pas skadimit të mandatit të tij si president. Ai sugjeroi se pas zgjedhjeve në Rusi, që do të mbahen vitin që vjen, mund të rikthehet në postin e kryeministrit. Por qëndrimi rus ndaj Kosovës zor se do të marrë një kthesë të tillë. Prandaj llogaria se shkëputja e Kosovës nga Serbia mund të bëhet me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-ve tashmë bie përfundimisht në ujë. Cili është atëherë hesapi politik për pavarësinë formale të Kosovës? Është e qartë se kjo gjë, nëse ndodh, mund të ndodh vetëm në mënyrë të njëanshme. Mediat ndërkombëtare, ndër to edhe New York Times, njoftojnë se diplomacia evropiane ka filluar, mbase me shtytjen franceze, të llogarisë në shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës. Qëndrimi këmbëngulës amerikan për pavarësinë krijon bindshëm përshtypjen se SHBA-të nuk janë kundër njohjes bilaterale të Kosovës si shtet i pavarur. Prandaj barra kryesore e tie-breaker-it në këtë situatë të komplikuar diplomatike është vendimi evropian për ta mbështetur njohjen e njëanshme të pavarësisë.

 

Çfarë do të thotë kjo? Një gjë është e qartë. Nxitimi i disa qarqeve institucionale, qeveritare e jo-qeveritare, për t’u marrë me problemin “çka pas statusit”, doli se ishte paksa i nxituar. Sepse problemi themelor politik sot nuk kishte qenë çka pas statusit (që këta të pas-statusit e merrnin si një çështje të kryer), por çka deri te statusi. Apo, më saktësisht, çka deri te pavarësia? Dallimi midis këtyre dy pyetjeve nuk është thjesht semantik. Vetë formulimi i pyetjes i shtron premisat e zgjidhjes. “Statusi” është kuptuar (dhe vazhdon të kuptohet) si një çështje formalo-juridike, si një njohje që i vjen Kosovës nga sipër, nga jashtë. “Pavarësia” ndërkaq, në kuptimin më fundamental të tij, nuk përbën vetëm njohje nga jashtë, por edhe një mëvetësi cilësore politike për një shoqëri që të gëzojë mjetet institucionale të përcaktimit të vetë fatit të saj kolektiv. Kurse mëvetësia politike është diçka që arrihet me veprime, jo diçka që kurorëzohet me bekim nga sipër. Por mos të ndalemi tek finesat filozofike, sepse problemi vazhdon të jetë politik. Kurse pafytyrësia e Serbisë dhe shuplakat e Rusisë mbase kanë qenë një këndellje serioze për opinionin kosovar për domethënien e vërtetë të politikës. Politika nuk është mbizotërimi i koncenzusit, i arritjes së gjërave me pëlqim të gjithanshem, i kënaqjes së secilës palë. Në fund, politika ka qenë dhe mbetët akt i rrëmbimit të asaj që të takon.

 

Por cilat janë problemet që paraqiten në situatën e shpalljes së njëanshme dhe njohjes bilaterale nga shtete të veçanta? Edhe në situatën e shpalljes së njëanshme, problemi themelor i diplomacisë perëndimore mbetët kontrolli mbi situatën në terren. Çka mund të ndodh në ditën që Kuvendi i Kosovës e shpall pavarësinë e Kosovës? Cili do të jetë, në radhë të parë, reagimi i Rusisë? A do të kundërpërgjigjet Rusia me njohjen e provincave secesioniste në Gjeorgji e Moldovë? Cilat do të jenë implikimet e njohjes së Kosovës për marrëdhëniet ruso-evropiane dhe ruso-amerikane? Por për Kosovën këto çështje janë më pak të rëndësishme. Më e rëndësishme është, cili do të jetë reagimi i Serbisë? Mund të llogarisim pa shumë mëdyshje se reagimi serb nuk do të jetë drejtpërsëdrejti ushtarak. Jo pse Serbisë i dhimbsen shqiptarët, por sepse një konfrontim ushtarak me NATO-n do të ishte një akt auto-destruktiv për Serbinë. Lidershipi në Beograd, megjithëse ka ngritur kokë mjaft, nuk është aq i çmendur që ta dëshirojë skenarin e një lufte të re me NATO-n. Por Serbia ka mjete tjera në dorë. Veprimi i parë i Serbisë do të jetë sipas të gjitha gjasave vendosja e një bllokade ekonomike kundër Kosovës, duke mbyllur qarkullimin për mallra përmes kufirit Kosovë-Serbi. Serbia gjithashtu do të shfrytëzojë arsenalin e saj të mbetur diplomatik, duke dërguar nota proteste dhe duke kërkuar mbështetjen e Rusisë dhe Kinës për mosnjohjen e Kosovës dhe mospranimin e saj si anëtare të OKB-së.

 

Në anën tjetër, reagimi politik i serbëve të Kosovës nuk është aq i qartë. Veriu mbi Ibër ka gjasa që të veprojë politikisht në mënyrë të mëvetshme, duke mos e njohur jurisdiksionin e pushtetit në Prishtinë (i cili ashtu-kështu nuk ushtron ndonjë autoritet në këtë territor). Pa asnjë dyshim kjo zonë do të vazhdojë të mbetët një problem afatgjatë për Kosovën dhe për rajonin. Por cili do të jetë reagimi i serbëve nën Ibrin? A do të ndjekin ata një skenar të ngjashëm me atë që mund të ndodh në veri, apo do të pajtohen me fatin, duke parë shpëtimin e tyre tek decentralizimi i Planit të Ahtisaarit dhe zënien e vendeve të rezervuara në institucionet në Prishtinë? Çka do të ndodh në rast të ndonjë incidenti nëpër zonat e banuara me serbë, i cili mund të provokojë ndonjë reaksion masiv të popullatës shqiptare, të krahasueshëm me atë të marsit 2004? Në një situatë të tillë, kush do të mund të intervenojë që ta kontrollojë situatën?

 

Në dallim prej njeriut, i cili lindë dhe vjen në këtë botë i papajisur me kapacitetet për ta siguruar mbijetesën e vet pa kujdesin dhe mbështetjen e të tjerëve, shtetet e reja, dhe sidomos ato që krijohen në rrethana konflituoze, testohen mu në momentin e lindjes. Paradoksalisht, që të bëhet shtet, Kosova duhet të jetë shtet në momentit që shpall vetën si të tillë. Llogaria aktuale politike është bythësëprapi – ta shpallim shtetin, të na njihet, pastaj (sigurisht me ndihmën e miqëve) do ta bëjmë! Kjo logjikë është e rrezikshme, aq sa është politikisht e papërgjegjshme. Sigurisht se roli i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare është i neglizhueshëm. Por roli i institucioneve politike kosovare brenda Kosovës është kyç. Në momentin që Kosova ka hasur në një bllokadë diplomatike për statusin e saj, ajo është dashur ta fillojë rrugën e kompletimit të kornizës institucionale të një shteti sovran. Periudha e ndërmjetme përbën një oportunitet për të bërë hapa konkret drejt vendosjes së themeleve të një pushteti autoritativ me kapacitete të plota të kontrollit të gjendjes në terren kundrejt çfarëdo situate kontigjente. Por fatkeqsisht, në vend të kësaj ne kemi një kryeministër dhe ministër të Punëve të Brendshme që dëshmojnë pafuqinë e tyre duke dalur dhe protestuar bashkë me qytetarët kundër dukurive që ata kanë për detyrë normative dhe morale (nëse jo krejt kushtetuese dhe ligjore brenda suazave të kompetencave të rezervuara nga UNMIK-u) që t’i luftojnë. Me gjasë, nesër, edhe kur veriu i Kosovës shpall shkëputjen e tij nga territori administrativ i Kosovës, këta mbase po njëjtë do të dalin në rrugë me pankarta në duar. Mos kjo ndoshta është motivi pse qeveria dhe partitë politike me kaq komoditet vëzhgojnë persekutimin që i bëhet Albin Kurtit nga gjyqësia e UNMIK-ut – nuk është se ata duan eliminimin e tij nga skena për shkak të kërcënimit që ai paraqet, por për shkak se duan t’ia zënë vendin, duke dalur ata në vend të tij për t’i udhëhequr protestat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe duke denoncuar institucionet të cilat ata vetë i takojnë. Nejse, nuk dua të bëhem krejt banal, por fantazitë e këtilla gravitojnë jo larg realitetit në Kosovën e sotme.

 

Sido që të jetë, problemi që shtrohet sot nuk është, a ka mbështetje ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, sepse mbështetje ka. Gjërat, në këtë rrafsh, tashmë janë të qarta. Problemi prandaj është, a është në gjendje Kosova ta trasojë rrugën e vet drejt pavarësisë së saj. Qytetarët e Kosovës, por në radhë të parë Kuvendi dhe qeveria e saj, me këtë përbërje apo me ndonjë tjetër, duhet të jenë të gatshëm jo vetëm që ta festojnë shpalljen e pavarësisë, por edhe ta marrin mbi vete një përgjegjësi historike për atë se çfarë do të bëhet me Kosovën në minutat, orët dhe ditët pas shpalljes së pavarësisë. Testi i vërtetë politik dhe institucional është jo vetë shpallja, por momenti pas shpalljes. Por në të njëjtën kohë, veprimi i guximshëm i Kosovës drejt mëvetësimit të saj përbën gjithashtu shansën për t’ia kthyer përgjithmonë dinjitetin këtij populli të viktimizuar e gjunjëzuar, dhe momentin kur ai do t’ia dëshmojë vetëvetes se pavarësia nuk është diçka që ishte merituar me vuajtje, me viktimizim, apo me sjellje të mirë, por ardhja e një gjëje, jetësimi i së cilës nuk mund më të presë.

 

Njohja ndërkombëtare dhe Rezoluta 1244

Miku im Shkëlzen Gashi, kritik i madh, siç kam qenë edhe unë, i proceseve politike për definimin e statusit të Kosovës gjatë dy viteve të fundit, në Kohën Ditore të datës 19 shkurt botoi një koment për situatën e re juridike në të cilën gjendet Kosova pas shpalljes së pavarësisë. Aty ai problematizon çështjen e sovranitetit në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, që është me vend. Sigurisht se, tashmë që shumica kanë filluar të kthjellen nga festat dhe ahengjet masive për shpalljen e pavarësisë, është koha të ulemi e të shikojmë me seriozitetin e duhur se çfarë në të vërtetë po ndodh me Kosovën si entitet politik.

 

Pa dashur që të nisi një polemikë të kotë, për shkak të rëndësisë së çështjeve që ngrit, Shkëlzeni bën një numër konstatimesh që sipas meje janë problematike. Është shumë e vërtetë se Kosova nuk do të jetë shtet i pavarur e sovran në kuptimin klasik të fjalës. Kjo është e qartë për të gjithë ata që dallojnë të bardhen nga e zeza. Prania ndërkombëtare e sigurisë, pushteti ndërkombëtar mbi institucionet e zgjedhura të Kosovës, dhe njohja jo e plotë nga bashkësia ndërkombëtare, nuk e bëjnë Kosovën një shtet të pavarur e sovran në kuptimin tradicional të fjalës. Mirëpo kjo nuk do të thotë se shpallja e pavarësisë dhe njohja ndërkombëtare e Kosovës nga shtetet kryesore të rendit ndërkombëtar përbëjnë ngjarje të parëndësishme që nuk transformojnë rrënjësisht pozicionin politik dhe juridik të Kosovës.

 

Kështu, Shkëlzeni pohon se edhe pas shpalljes, për shkak se pavarësia ndodh mbi bazën e Pakos së Ahtisaarit, Kosova mbetët “në mënyrë fort të sofistikuar nën sovranitetin e Serbisë”. Si argument shtesë për këtë ai përmend mbetjen në fuqi të Rezolutës 1244, e cila e ruan sovranitetin e Serbisë (trashëgimtarës së RFJ-së) në Kosovë.

 

Pavarësisht përmbajtjes së deklaratës së pavarësisë dhe premisave politike mbi të cilat ajo bëhet, njohja ndërkombëtare e Kosovës si shtet i pavarur anulon realitetin politik të krijuar sipas Rezolutës 1244. Me njohjen ndërkombëtare në kufijtë aktualë, Kosova de facto dhe de jure shkëputet nga Serbia. Nga pikëpamja e ligjit dhe praktikës ndërkombëtare, për shtetet që e njohin e që do ta njohin Kosovën, Kosova është efektivisht një shtet i pavarur, me qeveri të vetën dhe territor të përcaktuar. Prandaj, të thuhet se Kosova mbetët nën sovranitetin e Serbisë, edhe pas njohjes së saj nga SHBA, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia e një varg shtetesh tjera më të rëndësishme evropiane e botërore, është të injorosh realitetin e ri që imponon njohja ndërkombëtare. Reaksioni histerik i qeverisë në Beograd tregon qartë se fjala është për një akt të pakthyeshëm dhe historik që Kosovën e vendos përgjithmonë në një raport tjetër karshi Serbisë.

 

E dyta, njohja ndërkombëtare krijon një realitet të ri në terren që hedh poshtë çfarëdo përmbajtje tekstuale të Rezolutës 1244. Siç e din edhe Shkëlzeni, ligji ndërkombëtar është ligj zakonor, që domethënë se atë e bën sjellja e shteteve, ai nuk bëhet me akte legjislative dhe Këshilli i Sigurimit nuk përbën kurrfarë organi legjislativ për ligjin ndërkombëtar. Çfarëdo që të jetë përmbajtja tekstuale e Rezolutës 1244 (megjithëse tashmë në interpretimin e ri të disa juristëve evropianë, garancat e rezolutës për sovranitetin e Serbisë në Kosovë janë vetëm kalimtare dhe jo të përhershme), njohja ndërkombëtare krijon një realitet të ri në terren, pasi që me këtë akt Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me vende të tjera dhe në këtë mënyrë shndërrohet efektivisht në aktor të politikës ndërkombëtare. Ndërkaq, rezolutat e OKB-së nuk janë obligative dhe shkilen vazhdimisht: në fakt, shkelësi më i madh në botë i Rezolutave të OKB-së është Izraeli, por kjo gjë shumë pak i ka bërë dëm aftësisë së këtij shteti që të zhvillojë politika sipas interesave të saj.

 

Prandaj, të thuhet se edhe pas njohjes ndërkombëtare, Kosova vazhdon të mbetët nën sovranitetin e Serbisë është një konstatim që nuk përkon me realitetin e ri të krijuar. Kosova, me njohje, fiton subjektivitet ndërkombëtar. Të vetmet elemente që e pengojnë hyrjen e plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare do të jenë mosnjohja e Kosovës nga të gjitha shtetet (sidomos Rusisë dhe shtetet satelite të saj), si dhe veton e pritshme të Rusisë për çfarëdo përpjekje për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në këtë pikëpamje, Kosova do të shndërrohet në një lloj Taivani evropian: ai do të njihet nga shumica e shteteve, por jo të gjitha shtetet. Por njohja jo e plotë dhe rezistenca e një shteti të madh sikur Kina nuk e ka penguar Taivanin që të zhvillohet e të prosperojë, prandaj edhe rezistenca e Rusisë nuk do të jetë pengesë për Kosovën e cila do të ketë marrëdhënie diplomatike dhe ekonomike me shtetet kryesore të Evropës dhe me SHBA-të. Për më tepër, mosnjohja nga një pjesë shtetesh nuk është fakt i kryer dhe i përhershëm. Me një politikë të mençur, ndoshta një ditë edhe Rusia do të pajtohet me faktin e Kosovës së pavarur dhe do të heq dorë nga nervoziteti i saj i kotë rreth kësaj çështjeje. Dhe për fat të mirë Serbia nuk e ka as përafërsisht forcën dhe influencën globale politike dhe ekonomike të Kinës.

 

Në aspektin e ushtrimit të brendshëm të sovranitetit, është e qartë se Kosova do të vazhdojë të jetë e kufizuar në një numër dimensionesh. Në këtë pikëpamje Kosova do t’i përngjet më shumë Bosnjës, i cili është shtet i njohur ndërkombëtar, por i kufizuar nga brenda sipas provizioneve që rrjedhin nga Marrëveshja e Dayton-it dhe pushtetit ndërkombëtar që ajo vendos atje. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të jetë pushtet kryesor përsa i përket zbatimit të çështjeve të “Interesit Vital” siç i përkufizon edhe draft-Kushtetuta e Kosovës, dhe do të ketë autoritete të gjera ekzekutive në këtë pikëpamje, që janë superiore karshi organeve të zgjedhura të Kosovës. Gjitashtu, prania ndërkombëtare e sigurisë dhe kufizimet drastike për Forcën mbrojtëse të Kosovës (përfshirë numrin e ushtarëve dhe llojet e armatimit) gjithashtu paraqesin një pengesë që Kosova të ushtrojë sovranitet të plotë në aspektin e brendshëm.

 

Mirëpo më shumë se kufizimet juridike të përcaktuara në Pakon e Ahtisaarit, sfida kryesore për arritjen e kontrollit të plotë mbi territorin e saj (gjë që përkufizon një shtet sovran) do të jetë vazhdimi i funksionimit të strukturave paralele administrative të Serbisë në Kosovë. Sipas Ahtisaarit, ato struktura duhet të shkrihen dhe të legalizohen si pjesë e administratave të reformuara e të decentralizuara komunale. Mirëpo rezistenca e Serbisë dhe e serbëve lokalë, sidomos në veri, i shndërron ato në një sfidë afatgjatë për vendosjen e pushetit të Prishtinës në gjithë territorin e Kosovës. Një shpresë është se serbët, sidomos në jug të Ibrit, do ta shohin dëmin e madh që ju shkakton getoizimi nëpër enklava, varshmëria në strukturat paralele dhe izolimi nga jeta shoqërore dhe politike në Kosovë. Por në anën tjetër, Serbia, siç paralajmëroi edhe qeveria e Beogradit dhe gjesti i Serbisë që të dërgojë ministrin e saj në Mitrovicë në ditën kur Kosova shpallte pavarësinë, tregojnë se Serbia nuk do të heqë dorë nga këto struktura dhe forma aktuale e funksionimit të tyre. Megjithatë, ekzistenca e “zonave gri” të ushtrimit të pushtetit nëpër territorin e Kosovën nuk e anulon realitetin juridik se i gjithë territori i Kosovës njihet si pjesë e një shteti të vetëm me të drejtë ushtrimi të pushtetit në gjithë territorin.

 

Sido që të jetë, e ardhmja e organizimit të brendshëm administrativ e territorial të Kosovës nuk është çështje e mbyllur njëherë e përgjithmonë. Shumë do të varet edhe nga lëvizjet politike në terren. Në praktikë, rolin dhe pushtetin e PCN-së dhe EULEX-it nuk do ta përckatojnë vetëm teksti literal në Pakon e Ahtisaarit dhe dokumente tjera, por edhe pozicionimi politik që karshi tyre marrin institucionet e Kosovës. Po qe se institucionet e Kosovës i nënshtrohen lehtësisht dhe i japin atij hapësirë të madhe të veprimit, PCN-ja kollaj do të shndërrohet në një PSSP të ri kurse EULEX-i në një UNMIK të dytë (ashtu dhe siç ndodhi në muajt e parë të UNMIK-ut – realiteti politik në muajt pas qershorit 1999 ishte shumë fluid dhe i papërcaktuar, derisa partitë kosovare nuk ia dhuruan UNMIK-ut pushtetin). Presioni politik mund të bëjnë të mundur që EULEX-i të mos jetë një mision pa afat, dhe që gjatë kohës së tij në Kosovë të orientojë presionin e tij drejt shpërbërjes së strukturave paralele. Mirëpo sido që të jetë me punët rreth organizimit të brendshëm të shtetit, njohja ndërkombëtare është një fakt i pandryshueshëm dhe juridikisht i paanulueshëm. Prandaj, domethënia dhe rëndësia e saj politike nuk bën të minimizohet, nëse për asgjë tjetër atëherë për hir të betejave politike që akoma mbesin për t’u bërë. Ato beteja tashmë do të zhvillohen në një kontekst radikalisht tjetër politik, dhe përfundimisht jashtë orbitës së sovranitetit ndërkombëtar të Serbisë mbi Kosovën.

 

Botuar te Koha Ditore, 21 shkurt 2008.

 ———–

Në vijim është artikulli origjinal i Shkëlzenit, i cili ka qenë shkak i shkrimit të mësipërm. Ai botohet këtu për hir të lexuesve që janë të interesuar në ndjekjen e debatit.

Deklarata e Varësisë

Shkëlzen Gashi

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës votoi që “Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe demokratik”. Pra, jo që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Të paktën kështu thotë Deklarata, të cilën Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e lexoi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të transmetuar nga televizioni publik RTK. Kështu thuhet edhe në Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës, të botuar në gazetën Koha Ditore (Koha Ditore, 18 shkurt 2008, faqe 3). Mirëpo, kështu nuk thotë teksti i Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës, të botuar në ueb faqen e Kuvendit të Kosovës.

Në vijim të kësaj, është me rëndësi që të përmendet fakti se pasi që Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përfundoi së lexuari Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se Kosova tash është shtet i pavarur dhe sovran, por një gjë të tillë nuk e tha Kryeministri i Kosovës, i cili e lexoi tekstin e Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës. Si rrjedhojë, nuk është e rëndësishme se çfarë ka thënë Jakup Krasniqi, por çfarë ka lexuar Hashim Thaçi dhe çfarë kanë nënshkruar deputetët e Kuvendit të Kosovës. Prandaj, mbase do të ishte mirë që të bëhet publik teksti i deklaratës origjinale të nënshkruar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Në të vërtetë, edhe sikur Deklarata për Pavarësinë e Kosovës të thotë se e shpallë Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, prapëseprapë nuk ndryshon asgjë, po qe se më poshtë merret për bazë Propozimi i Martti Ahtisaarit dhe Rezoluta 1244.

Sidoqoftë, po qe se lexohet me vëmendje Deklarata për Pavarësinë e Kosovës, atëherë, janë një varg arsyesh që e bëjnë evident faktin se teksti i kësaj deklarate është shkruar nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Në këtë deklaratë, përmenden “vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë”, por nuk përmendet askund lufta çlirimtare. Tutje, në këtë deklaratë thuhet se kjo shpallje është në pajtueshmëri të plotë me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të hartuar nga i Dërguari Special i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari. Por, në këtë propozim nuk thuhet askund se Kosova do të jetë shtet sovran dhe i pavarur në përputhje me vullnetin e popullit të saj. Për më shumë, ky propozim as që i hap Kosovës rrugën për pavarësi, por parasheh lënien e saj në mënyrë fort të sofistikuar nën sovranitetin e Serbisë.

Deklarata për Pavarësinë e Kosovës mirëpret mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare, por “nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 për të zbatuar përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 dhe Planit të Martti Ahtisaarit”. Ç’është e vërteta, Kosova ka nevojë për prani ushtarake dhe civile ndërkombëtare në Kosovë, të atillë çfarë është në Shqipëri, Maqedoni e rajon, por duhet të ndryshojë ana formale-juridike e saj, që do të thotë duhet të kundërshtohet Prania Civile Ndërkombëtare në bazë të Rezolutës 1244 dhe Prania Ushtarake Ndërkombëtare në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës. Pra, duhet të ketë nënshkrim të marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe trupave të huaja, marrëveshje e cila do t’i përcaktonte të drejtat dhe detyrimet e palëve, Kosovës dhe NATO-s, e që ndërkombëtarisht quhet “SOFA” (“Status of Forces Agreement”).

Mbi të gjitha, Deklarata për Pavarësinë e Kosovës afirmon në mënyrë të qartë se Kosova në të gjitha këto çështje, do të veprojë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Sikundër dihet, Rezoluta 1244 e garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të RFJ-së, e cila nuk ekziston më, por ekziston Serbia. E, neni 60 i Kartës për krijimin e Unionit Serbi-Mali i Zi thotë se në rast të shpërbërjes së këtij unioni, Serbia do të jetë trashëgimtare e Rezolutës 1244 dhe të gjitha dokumenteve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Kosovën. Pra, Rezoluta 1244, siç e tha, edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, pas shpalljes së Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës, është edhe më tutje kornizë juridike për Kosovën.

Në fund të Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës, thuhet se të gjitha “shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre”. Kjo do të thotë se Kosova kërkon nga shtetet sovrane dhe të pavarura ta mbështesin këtë deklaratë, e cila deklaratë e merr për bazë jo vetëm Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të hartuar nga i Dërguarit Special i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, por edhe Rezolutën 1244. Kjo do të thotë se shumë shtete do ta njohin, siç tha Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, Kosovën demokratike e shumetnike të bazuar në sundimin e ligjit. Por, edhe nëse Kosova njihet si shtet sovran dhe i pavarur, prapëseprapë nuk ndryshon asgjë, po qe se më poshtë kërkohet të zbatohet Propozimi i Martti Ahtisaarit, i cili e ndanë Kosovën në baza etnike e fetare dhe kërkon instalimin e misionit të BE-së për ta sunduar Kosovën dhe kërkohet zbatimi i Rezolutës 1244.

Krejt për fund, duhet thënë edhe një herë se shteti nuk krijohet me shpallje e njohje, por, sikundër e thotë Robert Baditner në mendimet e tij për shpërbërjen e Jugosllavisë, krijimi apo moskrijimi i një shteti është çështje e faktit në terren. Për ilustrim, Palestina njihet si shtet nga më shumë se 114 shtete dhe, veç kësaj, më 15 dhjetor 1988, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën 43/177, e cila e njeh shtetin e ri të Palestinës (për më tepër shih: “The Creation of the State of Palestine” by Francis A. Boyle, European Journal of International Law), por, dihet shumë mirë se sa është shtet Palestina.

 

Një analizë për Rusinë nga Economist

Numri i ri i revistës The Economist jep një vështrim interesant për politikën gjithnjë e më imponuese të Rusisë. Artikulli mund të lexohet këtu. Sipas saj, një nga shkaqet e kësaj është mbushja e aparatit shtetëror rus me ish-pjesëtarë të KGB-së. Vizioni i tyre për marrëdhëniet globale është i ashpër, ndërsa ata duan që Rusia të rikthejë rolin e saj të një superfuqie, me rival kryesor Perëndimin. Por megjithë fuqinë në rritje të Rusisë, artikulli numron dobësitë strukturore të këtij shteti. Pavarësisht nga kjo, gjykuar nga kjo situatë duket se Kosova do të jetë vazhdojë të jetë viktimë e politikës gjithnjë e më arrogante ruse në marrëdhëniet e saj me Perëndimin.

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 59 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: