Home

Përderisa shkruaj këta rreshta, Kosova gjendet në pjesën e fundit (ndoshta) të dramës politike të filluar pas zgjedhjeve të qershorit 2014. Thyerja e koalicionit LDK-AAK-Nisma-Vetëvendosje, që tashmë duket punë e kryer, ka hapur sërish spekulimet mbi kombinacionet e mundshme partiake që do ta qeverisin Kosovën në mandatin e ardhshem qeverisës, përfshirë dhe atë se cila figurë nga cila parti politike do ta udhëheq qeverinë.* Se si do të duket qeveria e ardhshme e Kosovës, çfarë mish-mashi projektesh e programesh do t’i oftojnë ata publikut kosovar, është çështje e hapur. Ajo që është më e sigurt, dhe që është edhe çështja në të cilën do t’ua kthej lexuesit vëmendjen në këtë kolumne, është përkeqësimin e vazhdueshëm të vitpërvitshëm të gjendjes fiskale të Kosovës.

Është alarmuar disa herë për mundësinë e shterjes së buxhetit dhe ndalimin e pagimit të rrogave në sektorin publik, si pasojë e bllokadës politike që deri më tani pengoi konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re. Kjo nga shkaku se pa një kuvend të konstituuar, vendi nuk mund ta miratojë buxhetin për vitin 2015. Kjo domethënë se, pas një periudhe të shkurtër, shteti i Kosovës mund të mos ketë më mundësi që të kryejë obligimet e veta.

Ky alarm, sado që është real, është gjithashtu një problem që do të rezultonte kryekëput nga shkaqe kushtetuese e ligjore. Nuk është se shteti do të falimentojë, por ai nuk do të ishte më i autorizuar të bënte shpenzime, pasi që ky autorizim vjen në instancë të parë nga Kuvendi. Ai që është problem më real dhe më afatgjatë, dhe i cili do të jetë problem gjithnjë e në rritje për qeverinë e ardhshme të Kosovës – me çfarëdo qoftë përbërje dhe lidershipi – është se vendi po përjeton një thellim të vështirësive fiskale.

Për çka është fjala? Që nga paslufta, Kosova ka patur fatin e mirë që të përjetojë një rritje të vazhdueshme të përvitshme të të hyrave fiskale. Gjatë viteve të para-pavarësisë, vendi madje shënonte suficite. Kjo qëndrushmëri buxhetore ka qenë edhe një argument shtesë për pavarësinë e vendit, por edhe ka mundësuar politikën ekspanzioniste në frontin e shpenzimeve, sidomos në investimet kapitale, që kanë krijuar, të paktën në dukje, një ekonomi që po ecën para.

Kjo situatë duket se po ndryshon gjatë viteve të fundit. Në njerën anë, qeveritë Thaçi 1 dhe 2 i kanë rritur shpenzimet vit pas viti. Nga ana tjetër në vitin e fundit dhe me gjasë edhe sivjet, ndërkaq, vendi po shënon një krizë fiskale, ku instrumentet kryesore të tatimit (Dogana dhe ATK-ja) po sjellin gjithnjë e më pak të hyra.

Ja ilustrimi. Më 2011, qeveria shpenzoi 1,220 miliardë euro. Në vitin 2013, shpenzmet arriten në 1,490 miliardë euro, një rritje prej 22 për qind. Këto shpenzime erdhen si pasojë e shpenzimeve kapitale (në veçanti autostradës), por edhe rritjes së rrogave të sektorit publik, që koincidon me periudhat parazgjedhore. Në këto vite, vendi ka shënuar rritje gjithnjë e më të madhe të deficitit (deficiti është dallimi në mes të hyrave dhe shpenzimeve, kur këto të fundit tejkalojnë të parat). Në vitin 2011, deficiti ishte 52 milionë euro. Në vitin 2012, deficiti arriti në 62 milionë euro. Në vitin 2013, ndërkaq, që ishte ndoshta viti më i keq fiskal për vendin që nga paslufta, deficiti arriti në 134 milionë euro, një dyfishim prej vitit paraprak.

Për t’i financuar deficitet, qeveria duhet ose t’i kthehet rezervave monetare, ose të marrë hua. Shihet qartë se përdorimi i rezervës, që në vitet e para të pavarësisë kalonte shumën mbi 100 milionë euro, e ka çuar këtë të fundit vazhdimisht drejt tkurrjes. Në vitin 2011, rezerva monetare, që ruhet në BQK, ishte 63 milionë euro. Nga ky vit shohim reduktim të vazhdueshëm, në korrelacion me rritjen e shpenzimeve dhe rritjen e deficiteve. Në vitin 2012, rezerva ishte 43 milionë euro, në vitin 2013, 39 milionë euro. Sipas të dhënave të fundit të BQK-së, niveli mesatar i rezervës për këtë vit është 30 milionë euro. Ky është niveli më i vogël i rezervës monetare të vendit, që nga themelimi i saj në kohën e UNMIK-ut.

Paralelisht me shfrytëzimin gjithnjë e më të madh të rezervës monetare për të financuar shpenzimet gjithnjë e më të mëdha qeveritare (diskutimin e rezonit zhvillimor të të cilave e kam trajtuar më parë), kemi edhe rënien e të hyrave, që është pjesa më alarmante e zhvillimit fiskal të vendit. Në vitin 2012, agjensionet tatimore mblodhën 1,383 miliardë euro të hyra, me një rritje të vogël prej rreth 5,5 për qind, ndërkohë që shpenzimet u rritën për 6 për qind, kundrejt vitit paraprak. Por, në vitin 2013, shteti mblodhi vetëm 1,356 miliardë euro (2 për qind më pak), ndërkohë që shpenzimet u rriten për 3 për qind. Nuk është e çuditshme pra, pse në vitin 2013, vendi pati deficitin më të madh që nga paslufta, por edhe rezerva ra në nivelit më të ulët që nga themelimi.

Situata, ndërkaq, nuk po shkon drejt përmirësimit. Sipas raporteve të Ministrisë së Financave, të hyrat për vitin 2014 rrezikojnë sërish të jenë më të ulta se sa në vitin e kaluar. Kjo domethënë që vendi do të kalojë dy vite rresht rënie të të hyrave, ndërkohë që shpenzimet vetëm rriten, ndërsa planifikohen shpenzime edhe më të mëdha për vitin 2015. Kjo rrezikon që rezerva e vendit të shkojë në zero – apo edhe më keq, në rast të ndonjë krize ose situate tjetër të pa parashikuar, vendi të mos jetë në gjendje të kryejë pagesat e veta, kësaj radhe jo pse nuk ka ligj, por sepse thesari është bosh.

Kosova ndërkaq nuk e ka fleksibilitetin financiar që i kanë shumica e shteteve botërore. Në rast krizash, shtet marrin hua, por Kosova nuk ka qasje në tregjet ndërkombëtare financiare. Vendi lëshon bono vendore, por këto janë në shuma të kufizuara (deri në disa dhjetëra miliona euro), dhe për fat, deri më tani, interesi i ofruar për to ka qenë i ulët. Por, një përkeqësim fiskal i vendit mund të fillojë ta ngrisë edhe këtë interes në nivele më të larta, pasi që investitorët, që janë kryesisht bankat e vendit, do të vlerësojnë se bonot paraqesin një risk më të lartë. Kjo vështirëson gjendjen fiskale të vendit edhe më tej. Mundësia tjetër është trokitja në derë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), por FMN-ja do të kushtëzojë çfarëdo asistence financiare me kërkesa të gjera për reduktime shpenzimesh, që do të ishin të rënda si për sektorin publik, por edhe për ekonominë e vendit, duke marrë parasysh rolin primar të shpenzimeve qeveritare në mbajtjen e niveleve të konsumit dhe në investime, që kanë mirëmbajtur shifrat e rritjes ekonomike. FMN-ja do ta penalizojë rëndë Kosovën edhe për faktin se ajo, deri në prishjen e marrëveshjes për financim me këtë institucion, kishte kërkuar nga qeveria e Thaçit disiplinë të shtuar fiskale, sidomos në sektorin publik, gjë që nuk ndodhi. Mundësia tjetër është shitja e PTK-së, për të përdorë të hyrat nga shitja për financim të deficitit, e që në gjendje të rëndë fiskale, do ta detyroi qeverinë që ta shesë edhe më lirë se që kishte ofruar në përpjekjen e fundit.

Kjo domethënë se qeveria e ardshme mund të detyrohet patjetër të ndërmarrë vetëvetiu shkurtime, e që, siç thamë, do të jenë me pasoja edhe për ekonominë e gjerë. Mirëpo përgjegjësia financiare deri më tani nuk është treguar si vlerë e partive që deri më tani kanë qeverisur me vendin. Qeveria e re, pas marrjes së pushtetit, do të ndjehet e obliguar të shpërblejë padronët dhe rrjetet e tyre përkatëse klienteliste me tenderë e kontrata, por edhe që, për elektoratin, të mirëmbajnë iluzionin për një ekonomi që gjoja po lulëzon, përmes manovrave sikur projektet megallomane kapitale, siç është autostrada për në Shkup, dhe aty-këtu ndonjë rritje rrogash. Duke marrë parasysh këta faktorë, perspektiva fiskale – por edhe ekonomike – e vendit nuk duket fare e mirë.

Botuar te revista “Ekonomia” e dhjetorit 2014.

* Shënim: Shkrimi është bërë dhe botuar para formimit të qeverisë së re në Kosovë, me lidhjen e koalicionit PDK-LDK.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s