Home

Në vijim është një reflektim imi mbi sundimin e Hashim Thaçit dhe në atë se ku qëndron dobësia e tij kryesore, të cilin e pata shkruar në gusht të 2012-ës por nuk e kisha botuar asnjëherë. Këtu, nga vetë metoda e sunduese e Thaçit, e bazuar në kryqëzimin e interesave të ndryshme dhe ndërtimin e një rrjeti të gjerë klientelist,  kisha përfunduar se në pikëpamje afatgjatë, Thaçi do të përfundojë i izoluar, çka edhe ndodhi pas zgjedhjeve parlamentare 2014. Ata që përtojnë ta lexojnë tërë shkrimin (sado që mendoj se ia vlen :)), mund ta lexojnë vetëm paragrafin e fundit dhe të nxjerrin përfundim për situatën ku gjendet Hashim Thaçi sot, pas zgjedhjeve 2014.

 

 

Si kritik i qeverisjes së Kosovës nga Hashim Thaçi duhet t’ia pranoj një gjë: në krahasim me periudhën e trashëguar të historisë politike të Kosovës, Thaçi, marrë gjithmonë si shënjues i një forme politike, ka bërë një hap të rëndësishëm historik në demistifikimin e politikës kosovare. Me këtë nënkuptoj se, në krahasim me periudhën kur tërë politika kosovare gjendej nën hijen e liderit Ibrahim Rugova, Thaçi përgjithësisht nuk ka tentuar (apo edhe ka dështuar në përpjekje) për të legjitimuar qeverisjen e tij përmes ndërtimit të një kulti të personalitetit. Por kjo, them unë, është edhe Thembra e Akilit e metodës politike të Hashim Thaçit, çka tregon edhe për rrezikun e qëndrueshmërisë së tij afatgjate si lider.

 

Shumë mund të kujtojnë fjalimin madhërues të ministrit aktual të Jashtëm Enver Hoxhaj, gjatë Kuvendit të fundit zgjedhor të PDK-së, i mbajtur në prag të zgjedhjeve më 2010 (të shtyrë nga nevoja e plotësimit formal të konditave ligjore), në të cilën u konfirmua vazhdimi i mandatit të Thaçit si lider partie. Në atë fjalim, Hoxhaj ndërtoi një portret të Thaçit si figurë historike për Kosovën: ne të tjerët do të vdesim, por “emri i tij [Thaçit] nuk do të harrohet kurrë” kishte thënë ai, me rastin e paraqitjes së Thaçi si kandidat të vetëm për kryetar. Ajo që rrezaton nga ky fjalim nuk është përmbajtja monumentalizuese për figurën e Thaçit, por fakti se sa të rralla janë, të paktën në forume publike, përshkrimet e tilla të figurës së Thaçit. Madje, mund të thuhet se tendencat për idolizimin e Thaçit i gjen vetëm tek të ashtuquajtura prurje të reja në PDK, në dallim prej gardës së vjetër të trashëguar nga lidershipi i UÇK-së që akoma e ka të gjallë kujtesën për Thaçin kur “nuk ishte kurrkushi” politikisht, kur zgjedhja e të riut 20-e-kusur vjeçar si drejtor politik në UÇK më 1998 kishte të bënte më shumë me përpjekjen e Shtabit të Përgjithshëm që ta gjejë fytyrën që do ta bëjë përfaqësimin publik dhe ndërkombëtar të UÇK-së se sa të ndonjë autoriteti të tij të veçantë brenda lëvizjes çlirimtare.

 

Pa tentuar këtu që t’i bëjë biografi politike Thaçit, duhet theksuar se karriera e vërtetë politike e Thaçit nisi më qershor 1999, dhe konsolidimi i tij si lider vetëm pasi ai arrin të futet në pozitën e kryeministrit më 2007, kryesisht si pasojë e fragmentimit të LDK-së pas vdekjes së Rugovës. E përbashkëta e periudhës së para dhe pas 2007-ës është pragmatizmi absolut i tij: ndërkombëtarisht, Thaçi përvetësoi konceptin e Kosovës multietnike të UNMIK-ut, u tregua jashtëzakonisht i dëgjueshëm gjatë negociatave për Planin e Ahtisaarit. Në planin e brendshëm, pozicionoi vetën dhe partinë e tij, sipas nevojave dhe rrethanave, herë si të majtë, herë si të djathtë, dhe ka mobilizuar si platformë të vetën nocionin, më shumë mistik se sa racional, të “integrimeve evropiane”. Pas ardhjes në pushtet, Thaçi shfrytëzoi të mirat (materiale e simbolike) që jep pushteti në një vend të vogël e të varfër për të zgjeruar bazën personale duke ndërtuar, përveç rrjetit vertikal në parti, edhe një rrjet horizontal të patronazhit të lidhur drejtëpërsëdrejti me te (që nga rrjeti i SHIK-ut deri tek të ashtuajtura “prurje të reja” në PDK). Me fjalë të tjera, metoda politike e Thaçit është absolutisht pragmatike; ai flet, kryesisht atë që kërkon të dëgjohet nga ai, bashkëpunon me secilin, qofshin edhe njerëz që vetëm para pak vitesh s’mund ta duronin e s’linin gjë të mbrapshtë pa folur për të, që i shërben interesit të qëndrimit të tij në pushtet. Të vetmin reputacion që Thaçi ka arritur ta ndërtojë është të njeriut që “kryen punë”. Në këtë kontekst, të një lideri që punon më shumë si farkëtar që di të kombinojë dhe manipulojë interesa të ndryshme dhe t’i lidh ato me mbijetesën e tij në pushtet, se sa ndonjë lider me vizion apo koncept të vetin, fjalët e Hoxhajt për Thaçin si lider historik tingëllojnë jashtëzakonisht jopërmbajtësore, madje edhe patetike kur vihen përkrah misticizmit që akoma mbulon figurën e Rugovës.

 

Por këtu dhe qëndron edhe dobësia kryesore e Thaçit. Në dallim prej tij, Rugova nuk kishte nevojë që t’i futej lojëve të tilla. Për grupet dhe koalicionet e ndryshme brenda LDK-së, Rugova ishte më shumë trofe se sa udhëheqës konkret. Si një monark i cili nuk ka nevojë të dëshmohet politikisht, Rugova kishte mandat të sigurt nga një pjesë e mirë (ajo më e madhja) e elektoratit kosovar. Misticizmi rugovian, i ndërtuar dhe rindërtuar gjatë dy dekadave, mjaftonte si atu politike për ta siguruar sundimin e tij. Si parti, LDK kishte nevojë për Rugovën më shumë se sa Rugova për LDK-në.

 

Thaçi nuk e ka këtë epërsi. Sundimi i tij nuk bazohet në misticizëm apo kult personaliteti (përjashto këtu idolizuesit e aty-këtushëm, por këta përbëjnë një sekt të vogël, jo elektorat). Thaçi duhet të punojë, dhe duhet të punojë shumë, që të ruajë koalicionet dhe rrymat e ndryshme brendapartiake, sidomos tani pas divergjencave serioze me rivalin e brendshëm Fatmir Limaj, dhe të mbahen në nivel të menaxhueshëm ambiciet e parnterëve të tij të koalicionit. Njëkohësisht, Thaçi duhet të kujdesët që të mirat të vazhdojnë të rrjedhin drejt rrjetit klientelist që ka ndërtuar, që nga propagandistët e vegjël të qeverisjes së tij, që duhet të sigurohen se si kundërshpërblim, Thaçi do t’i kënaq në vazhdimësi ambiciet e tyre, deri te financuesit e partisë dhe ata personalë që duhet të sigurohen se investimi në Thaçin u kthehet me shkallë të lartë përfitimi përmes tenderëve, me lidhje të vërtetuara tashmë nga raporti skandalizues i organizatës “Çohu”.

 

Mirëpo Thaçi ka gabuar në një llogari. Metoda politike e Thaçit ka funksionuar përderisa ka qenë në krye të një shteti në ekspanzion, si në kuptimin administrativ, ashtu dhe në atë shpenzues. Që nga shpallja e pavarësisë më 2008, aparati administrativ i shtetit ka përjetuar një zgjerim të hatashëm, si në pozita (të larta, të mesme dhe të ulta), ashtu dhe në shpenzime. Mirëpo, kësaj periudhe po i vjen fundi. Kriza e parë ishte pas zgjedhjeve të fundit. Deficiti i pozicioneve bëri që përmbushja e egove dhe pritjeve të mëdha për ndërtimin e koalicionit të ri qeverisës të detyrojnë Thaçin që të bëjë një hap inflativ në zgjerimin e hatashëm të kabineteve qeveritare, numrit të zv/kryeministrave dhe zv/ministrave, për të akomoduar të gjithë atë që duheshin akomoduar.

 

Ndërkaq, pas avanturave buxhetore para- dhe pas-zgjedhore të 2010-ës dhe fillimit të 2011-ës, viti 2011 e gjeti buxhetin e Kosovës nën mbikëqyrje të rreptë nga FMN-ja. Viti 2012, si pasojë e krizës evropiane (dhe siç kisha paralajmëruar në një shkrim një vit më parë) po dëshmohet i rrezikshëm në pikëpamje buxhetore. Barra buxhetore e pagesave për autostradën ia ka lidhur duart politikës fiskale në Kosovë, duke detyruar manovra në vijat buxhetore gjatë vitit të kaluar dhe shkurtime të përkohshme ose të përhershme buxhetore në shpenzimet e parashikuara për sivjet. Perspektiva nuk duket aspak e mirë. Remitancat janë në ulje dhe me këtë i gjithë aktiviteti ekonomik në Kosovë pëson tkurrje. Rezultatet tashmë po shihen: Dogana e Kosovës është rreth 20 milionë euro nën planin e vet të parashikuar në të hyra, ndërkohë në gjendje më të mirë nuk është as ATK-ja. Rezerva tashmë është reduktuar dukshëm nga viti i kaluar, për shkak të deficitit të vitit të kaluar. Lëshimi i bonove kosovare ka filluar, por bonot kosovare me periudhë tremujore të maturimit janë më shumë një ushtrim financiar i Ministrisë së Financave se sa mjet i vërtetë financimi. Rritja e tatimeve (siç u ndodhi bizneseve të vogla) vetëm se do të ngulfasë më tej ekonominë e brishtë të Kosovës që tashmë ecën buzë greminës.

 

Zhvillimet ekonomike tashmë janë pothuajse krejtësisht të varura nga zhvillimet në Evropë. Sipas të gjitha prognozave, perspektiva ekonomike evropiane (dhe rrjedhimisht edhe ajo ballkanike) është shumë e zymtë, ndërkohë që dalja eventuale e Greqisë nga eurozona mund të shkaktojë dëme shumë më të mëdha, që pashmangshëm do të reflektojnë në Kosovë, qoftë përmes inflacionit, qoftë përmes rënies së remitancave dhe donacioneve. Kriza e bankave evropiane tregon se privatizimi i KEDS-it dhe PTK-së do të bëhet vetëm nëse asetet u shiten një investitori jo-evropian (diçka që po duket e sigurt në rastin e KEDS-it), ndërkohë që vetë Qeveria ka ulur pritjet për privatizimin e PTK-së gjatë këtij viti. Me mospërmirësimin e shifrave të Doganës, situata fiskale pashmanshëm do të përkeqësohen edhe më tej, duke krijuar në fund të vitit një situatë gjithnjë e më të shtrënguar financiare për shtetin e Kosovës. Këtyre problemeve i shtohen paralajmërimet për rritjen e çmimeve të grurit dhe komoditeteve bazë ushqimore si pasojë e thatësisë në vendet prodhuese, që do të reflektojë në ngritjen e çmimeve ushqimore jo më larg se ky fund vere.

 

Ramifikimet e kësaj do të ndjehen politikisht. E para, sektori publik, i cili po përballet me ngrirje pagash dhe vendesh pune (sipas kërkesës së FMN-së), mund të shkojë drejt rritjes së pakënaqësisë, sidomos nëse, siç pritet, kostoja e jetesës në Kosovë vazhdon ritmin e saj të shpejt të shtrejtimit. E dyta, shtrëngimi buxhetor do të zvogëlojë dukshëm shpenzimet kapitale dhe ato të shërbimeve të qeverisë, që drejtpërsëdrejti godet klientelën e biznesmenëve që përfitojnë nga kontratat qeveritare. Nga ana tjetër, jostabiliteti brendapartiak jep shenja të rritjes, përderisa Limaj, në mënyrë të tërthortë, por prapë zëshëm, lëshon akuza në drejtim të kreut të partisë së tij, ndërkohë që PDK duhet ta mbajë Kuvendin e saj zgjedhor sivjet.

 

Krejt kjo tregon për rritje enorme të vështirësive me të cilat do të ballafaqohet Thaçi gjatë gjysmës së dytë të vitit – pa përfshirë këtu pataten e nxehtë që ia ka hedhë në prehër BE-ja duke e detyruar t’i futet bisedimeve për veriun me krahun nacionalist që tani sundon në Serbi. Periudha e rëndë do të jetë ajo e vjeshtës, kur arsmitarët kthehen në punë, dhe presionet buxhetore do të ndjehen gjithnjë e më shumë. Tani për tani, faktori vendimtar dhe imediat për mbijetësën e qeverisë Thaçi është vështirë të precizohet, por ai mund të jetë cilido: që nga përçarja e mundshme brenda partisë deri tek partneri Pacolli, i cili për hir të ambicies për t’u zgjedhur president mund të vendos se nuk do të bëhet bashkëfajtor për pakënaqësinë gjithnjë e më të mëdha nga keqqeverisja.

 

Por pavarësisht faktorit vendimtar, fakt është se ai do të jetë pasojë e një procesi të gjatë. E një procesi në të cilin Thaçi hap gropën e vet, si çmim i metodës politike me të cilën ka qeverisur deri tani. Sepse logjika është shumë e thjeshtë dhe shumë e lashtë: ai që, në mungesë të një ideologjie, karizme ose kulti personal, sundon përmes shpërblimit të interesave, e gjen vetën të izoluar dhe pa përkrahje në momentin që nuk ka më me se të shpërblejë.

(Shkrim i pabotuar, gusht 2012.)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s