Home

Në Kosovë, si zakonisht, është bërë rrëmujë e madhe rreth sondazheve. Nuk jam ekspert i sondazheve, por meqë mund të them se di diçka nga metodologjia dhe metodat statistikore, ja 2-3 fjalë për to. Për ata që e kanë ekspertizën, kjo më poshtë mund të mos i interesojë.

Që një sondazh të jetë kredibil, duhet të përmbush disa kritere. E para, sondazhi si bazë ka matjen e opinionit duke anketuar një mostër të një popullate të caktuar. Pra nëse ne na intereson disponimi i elektoratit kosovar (popullata e sondazhit), ne duhet të anketojmë një mostër përfaqësuese të tij (mostra e popullatës).

Mostra duhet të jetë e rastit por duhet të jetë gjithashtu përfaqësuese e popullatës. P.sh., nëse ne na intereson opinioni i elektoratit të Kosovës, nuk mjafton të anketohen vetëm studentët, vetëm banorët e një lagjeje ose qyteti, vetëm të punësuarit, vetëm përdoruesit e rastit në internet etj. Pra, mostra duhet të jetë përfaqësuese e popullatës si në kuptimin gjeografik, ashtu dhe atë gjinor e socio-ekonomik. Si rregull, sa më përfaqësuese dhe më e madhe mostra, aq më i saktë do të dalë sondazhi. 100 të anketuar janë pak, 500 janë mirë, 1000 më mirë, 2000 edhe më mirë. Ekzistojnë formula statistikore përmes të cilave mund të llogaritet shkalla e statistikore konfidencës për vlerësimin e rezultatit të marrë nga një mostër e caktuar e një popullate të caktuar.

Supozimi bazë statistikor i kësaj është se probabiliteti i distribuimit të opinioneve brenda një popullate ka atë që në statistikë quhet distribuim normal; pra, pas një numri të caktuar të anketuarish, do të kemi mjaft të dhëna që të nxjerrim përfundime mbi tërë popullatën në fjalë.

Por, si e dimë nëse mostra është mjaftueshëm përfaqësuese e popullatës?

Për shkak se sot kemi të dhënat e censusit, ne sot kemi mundësi të bëjmë kontrollin më të mirë të cilësisë përfaqësuese të mostrës së një sondazhi. Mirëpo, në të njëjtën kohë, censusi është instrument i kufizuar për këtë për shkak se ai përfshin të gjithë popullatën, përfshi ata që nuk votojnë (p.sh. fëmijet). E dyta, censusi bëhet çdo dhjetë vite, ndërsa çdo vit në elektorat hyn një gjeneratë e re, tendencat votuese të së cilave ne nuk i dimë. E treta, trendet socio-ekonomike (p.sh. ato të shkallës së punësimit) mund të ndryshojnë gjatë viteve dhe këto ndikojnë edhe në profilin e përgjithshëm demografik. Që të plotësohen këto boshllëqe të njohurisë, të nevojshme janë studimet e shpeshta dhe të rregullta të elektoratit (kjo do të ishte punë e një instituti të përhershëm studimor) që të krijojmë profilin demografik të votuesve, të tendencave të profileve të ndryshme të votojnë për një parti të caktuar apo të mos votojnë fare. Përveç studimit të elektoratit të nevojshme janë edhe studimet kritike të vetë sondazheve, të praktikave të mira, metodologjisë etj. P. sh., po supozojmë, sa të besueshme janë rezultatet e një sondazhi të bërë përmes telefonit, për një popullatë në të cilën vetëm 30% ka linjë telefonike? Ose, p. sh., shumë studime të sondazheve në vendet e zhvilluara tregojnë se të varfërit kanë më pak tendenca që t’i përgjigjen sondazheve, çka i lë ata jashtë rezultateve. Ky është problem për besueshmërinë e rezultateve të sondazheve në përgjithësi. Ndonëse çdo sondazh bazohet në disa supozime shkencore (statistikore), problemet praktike si këto e bëjnë punën e anketimit për sondazhe më shumë një punë arti se sa shkence.

E dyta, në rastin specifik të Kosovës, lojalitetet partiake në rastin e shumë partive janë të shpërndara në mënyrë të pabarabartë gjeografike. P.sh., historikisht e dimë se AAK ka fituar shumë vota në komunën e Deçanit, por pak në komunën e Kamenicës. Mirëpo, në nivel nacional, çdo votë numrohet njësoj. Nëse Deçani voton për AAK-në (kryesisht), por pjesëmarrja në Deçan në këto zgjedhje (po supozojmë) është e vogël, kjo e dëmton AAK-në në nivel nacional. Mirëpo, për shkak se mostra jonë nuk është përfaqësuese e Deçanit në tërësi, ne nuk e dimë disponimin e votuesve atje. Si rezultat, kjo e bën të vështirë vlerësimin me konfidencë të arsyeshme të shpërndarjes së votave në nivel nacional. Në rastin më të mirë, një sondazh efektiv do të merrte një mostër të popullatës në çdo vendbanim, por një gjë e tillë është logjistikisht pothuajse e pamundur për shkak të kapaciteteve të kufizuara të organizatave që tek ne bëjnë sondazhe.

E treta, sondazhet, edhe ato më të mirat, nuk janë të mbështetshme kur rezultatet janë të përafërta. P.sh., nëse dallimet midis dy partive hipotetike që garojnë në një palë zgjedhje janë 80% për partinë A dhe 20% për partinë B, mund të jemi konfident që partia A do të fitojë. Por, kur rezultatet janë 49% me 51%, vetë margjinat e gabimit e bëjnë të pamundur që të dihet rezultati përfundimtar. Në rastin e Kosovës (me sa duket edhe nga tendencat elektorale gjatë viteve të fundit) partitë kryesore janë me rezultat të përafërt, gjë që e bën të vështirë çfarëdo prognoze për “fituesin” edhe në rastin kur kemi sondazh me metodologji solide.

E mira e sondazheve, kur bëhen mirë dhe shpesh: ajo na ndihmon në njohjen e elektoratit dhe të tendencave brenda tij; grupeve shoqërore dhe profileve demografike dhe socio-ekonomike që prihen drejt njëres parti ose tjetrës. Një gjë e tillë i ndihmon edhe partive të cilat mund ta akordojnë mesazhin për të apeluar tek një pjesë e popullatës që ndoshta nuk e kanë pas vetës. Dobia tjetër e sondazheve është se ato shërbejnë si një lloj kontrolli kundër manipulimit të zgjedhjeve. Nëse rezultatet e zgjedhjeve devijojnë në mënyrë dramatike nga ajo që tregojnë sondazhet që janë bërë shpesh dhe me metodologji relativisht të besueshme, mund të kemi bazë të mirë për të dyshuar në manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve.

E keqja e sondazheve: krijojnë tendenca që si rezultat i mbështetjes në sondazhet si mjet themelor për orientimin e strategjisë elektorale, partitë të përdorin gjithnjë e më shumë metoda të marketingut dhe të apelit emocional drejtuar grupeve të caktuara të votuesve, në vend të prezantimit të platformave përmbajtësore politike dhe lidhjes direkte me qytetarët dhe grupet shoqërore (kjo është tendencë e gjithanshme në shtetet perëndimore me partitë e mëdha). E dyta, sondazhet, edhe kur janë krejt shkencore, përveç se masin opinionin e votuesve mund të krijojnë një “feedback effect” në kuptimin që votuesit fillojnë e orientojnë votën përmes tyre. P.sh., votuesi që nuk don që vota t’i shkojë huq, do të shikojë se kush udhëheq në sondazh dhe votën do t’ia japin asaj partie, ose do të votojë për të me arsyetimin se “pasi të gjithë të tjerët po votojnë për partinë X, për të do të votoj edhe unë” (që i krijon kësaj partie avantazh edhe më të madh). Ose, votuesi që ndoshta ka menduar të votojë për një parti të vogël, do të votojë për një parti tjetër pasi që të shoh në sondazh se partia në fjalë nuk ka gjasa ta kalojë pragun (që e dëmton këtë parti edhe më shumë). Pra sondazhet, edhe kur bëhen me qëllime më fisnike, nuk janë krejt neutrale në efektin që kanë (kjo shihet edhe nga paniku që krijohet rreth tyre në Kosovë).

Disa përfundime:

1) Sondazhi është instrument i mirë por i papërkryer. Edhe në vendet ku sondazhet e elektoratit kryhen me dekada dhe në vazhdimësi, si në SHBA, ka probleme të shumta me rezultatet e tyre. Ndodh që sondazhe të ndryshme japin rezultate të ndryshme, dhe kjo është e pritur duke marrë parasysh kufijtë e sondazhit si instrument matës i opinionit.

2) Praktika e sondazheve në Kosovë, ndonëse praktikohet tash e sa vite, është megjithatë e nënzhvilluar. Kjo e bën rezultatin e çdo sondazhi (edhe kur plotëson standardet bazike statistikore), më shumë preliminar. Përveç kësaj, kemi edhe problemet e cekura më lartë dhe faktin se nuk kemi shumtësi sondazhesh të besueshme publike përmes të cilave mund t’i krahasojnë rezultatet.

3) Sondazhet e gazetave, portaleve dhe faqeve të ndryshme të Internetit nuk janë për t’u besuar aspak. Ato nuk janë përfaqësuese të popullatës votuese dhe për më tepër janë lehtë të manipulueshme.

4) Mos i besoni asnjë sondazhi i cili nuk boton bashkë me rezultatet edhe metodologjinë, përfshirë madhësinë e mostrës, shpërndarjen gjeografike të saj, profilin demografik të mostrës etj. Kjo nuk e bën sondazhin medoemos më të mirë, por tregon se zbatuesit e tij janë transparent dhe të hapur për vlerësim kritik në këtë pikëpamje.

PMDC SURVEY INSTITUTE KHEWRA PUNJAB, PAKISTAN

Instituti i Sondazheve PMDC, Khevra, Punxhab, Indi.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s