Home

Në vijim është kolumna ime e botuar në revistën “Ekonomia” të dhjetorit 2013. Origjinali mund të shihet këtu

Elementet e kapitalizmit shtetëror, i përkufizuar si pronësi shtetërore, apo si një model më i gjithëmbarshëm zhvillimor, janë të pranishme edhe në vendet postsocialiste

Gjatë muajit nëntor pata privilegjin të jem pjesëmarrës në një konferencë të organizuar nga Instituti për Studime të Larta Ndërkombëtare pranë Universitetit Laval të Kuebekut me titull “Kapitalizmi shtetëror në ekonominë e re politike globale”. Karakteri i konferencës ishte ndërdisiplinar, me pjesëmarrje nga ekonomistë, politologë, sociologë dhe përfaqësues të shkencave të tjera shoqërore, deri tek profesorë shkollash biznesi, përfaqësues të qeverisë dhe ish-politikanë kanadezë.

Problemi themelor i konferencës ishte vetë përkufizimi i fenomenit, që nga disa është mbiquajtur “kapitalizëm shtetëror”. Fjala është, kuptohet, për politikat ose sistemet ekonomike të ndërtuara gjatë viteve të fundit në vendet e të ashtuquajtur BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), por edhe vendet e tjera në zhvillim. Përshtypja e parë është se në këto sisteme ekonomike, mbështetja në tregje dhe pjesëmarrja në ekonominë globale kombinohet me pjesëmarrje dhe intervenim të thellë të shtetit në ekonomi. Disa vëzhgues i kanë dhënë rëndësi këtij lloj kombinimi si faktor kyç në rritjen e madhe ekonomike të përjetuar vitet e fundit nga vendet e BRICS. Sidomos nga kriza financiare e 2008-tës, pjesëmarrja e vendeve të BRICS në rritjen e gjithëmbarshme ekonomike botërore është shtuar ndjeshëm, duke krijuar përshtypjen se këto shtete janë jo vetëm joshëse për investitorët e vendeve të pasura, por edhe se ecja e tyre e shpejtë ekonomike po i afron këto shtete me ato perëndimore.

Sipas shumë indikatorëve të tjerë, si, p.sh., shkalla e arsimit, shkalla e përgjithshme e varfërisë, niveli i pabarazisë, apo edhe sistemet politike, këto shtete janë tejet të ndryshme nga njëra-tjetra. Brazili dhe India kanë sisteme demokratike, por Brazili njihet për pabarazinë e madhe, ndonëse me hendek që po zvogëlohet gjatë viteve të fundit, ndërsa India me popullsi prej mbi një miliard banorësh ka akoma pjesë të madhe të popullsisë në varfëri të skajshme. Kina dhe Rusia, ndonëse të dyja vende “post-socialiste”, sundohen nga sisteme shumë të ndryshme autoritare dhe kanë ekonomi të bazuara në modele krejt të ndryshme: në Rusi nga eksporti i lëndëve të para (sidomos gazit dhe naftës), kurse Kina në eksport prodhimesh industriale. Afrika e Jugut ballafaqohet me ngarkesat shoqërore, ekonomike dhe institucionale të së kaluarës së saj së aparteidit dhe faktit se mazhoranca zezake e këtij vendi ende ballafaqohet me diskriminim dhe eksploatim.

Shteti si pronar i mirë

Pra, ideja se këtu bëhet fjalë për një model alternativ zhvillimor, të konceptuar dhe të artikuluar mirë, me konceptet dhe teoritë e saj mbështetëse, është iluzore. Siç e tha politologu Jeffry Frieden, specialist i ekonomisë politike nga Universitetii Harvardit, ajo që po quhet “kapitalizëm shtetëror” është produkt i nevojave të caktuara ekonomike të këtyre shteteve, me të cilat ato janë ballafaquar në momente të caktuara dhe të cilave u kanë dhënë një përgjigje politike. Në rastin konkret, sipas Frieden-it, kjo është pronësia shtetërore mbi asete të caktuara industriale, e cila ka dalë si rezultat i qëllimeve afatgjata zhvillimore, siç është  orientimi brazilian për mbajtjen e sektorit të naftës në pronësi shtetërore (gjiganti Petrobras) apo si përgjigje ndaj krizave momentale që kanë bërë të nevojshme ndërhyrjen e shtetit për mbrojtjen e industrive të caktuara nga kolapsi, ose për stimulimin e ekonomisë (siç bën Kina me bankat e saj shtetërore). Siç e theksoi Frieden, nuk ekziston asnjë arsye, qoftë edhe e dalë nga teoria ekonomike, se ndërmarrjet në pronësi shtetërore nuk mund të performojnë po aq mirë sa ato private. Kjo sidomos duke marrë parasysh organizimin modern korporativ, ku menaxhmenti korporativ vepron në bazë të strukturës së nxitjeve që i vendosin aksionarët, dhe jo thjesht sipas performansës së firmës në treg. Pra, në kuptim shumë të ngushtë, shteti, kur sillet si një pronar i zakonshëm që synon kthimin në investim, nuk ka asnjë arsye të sillet më dobët se kapitalisti individual.

Megjithatë, Frieden e përkufizoi “kapitalizmin shtetëror” në çështje të pronësisë shtetërore mbi industritë, pa shtjelluar më tej pasojat ekonomike të kësaj. Për disa pjesëmarrës të tjerë, si studiuesi Christian May, përfaqësues i një ekipi studiuesish nga Universiteti Goete në Frankfurt të Gjermanisë që po studion në mënyrë krahasimore institucionet ekonomike të vendeve BRICS, kapitalizmi shtetëror simbolizon një paradigmë të re zhvillimore, e cila i shmanget “Konsensusit të Washingtonit” të viteve 1990, i cili bazohej në besim fundamental  në tregje dhe privatizim si mjetin e vetëm efikas për rritje ekonomike dhe zhvillim. Paradigma e kapitalizmit shtetëror mbështetet mbi një ekonomi të politizuar, por të tillë që është në gjendje t’i manipulojë tregjet për qëllime politike. Nga kjo pikëpamje, kapitalizmi shtetëror është vërtetë kapitalizëm shtetëror, sepse shteti nuk është thjesht pronar pasiv asetesh por vepron institucionalisht si një kapitalist i vërtetë ku synim themelor ka rritjen e shkallës së akumulimit. Sipas May dhe kolegëve të tij, kapitalizmi shtetëror paraqet një alternativë të vërtetë, ndonëse jo akoma krejt të artikuluar, kundrejt “Konsensusit të Washingtonit”.

Një pikëpamje tjetër u paraqit nga një studim i gjerë kuantitativ i një grupi ekspertësh nga Universiteti i Marsejës në Francë, i cili përmes një analize të gjerë të disa dhjetëra parametrave ekonomikë siç janë shkalla e industrializimit, struktura e punësimit dhe organizimi i tregjeve të punës, dhe ata shoqërorë siç janë shkalla e arsimimit, sistemet e mbrojtjes sociale dhe të mirëqenies, kundërshtoi idenë se ekziston i sintetizuar një model i vetëm i kapitalizmit shtetëror. Ky studim analizonte jo vetëm shtetet e BRICS, por përfshinte mbi 100 shtete të zhvilluara dhe në zhvillim dhe bëri të ditur se ekzistojnë të paktën pesë ose gjashtë modele të ndryshme, përfshirë sistemin e ekonomisë liberale (siç ekziston p.sh., në SHBA dhe Britani të Madhe), sistemin e tregjeve të koordinuara, ku bëjnë pjesë shumica e shteteve evropiane (si dhe një pjesë e vendeve ish-socialiste), ekonomi të shtetëzuara (si Kina dhe Rusia) dhe disa modele hibride që, sipas këtyre studiuesve, paraqesin mundësinë për modele krejtësisht të reja (dhe ku bënte pjesë Brazili). Kapitalizmi shtetëror, sipas këtij studimi, është koncept joadekuat për të kapur dhe përshkruar diversitetin e sistemeve ekonomike (kapitaliste) nëpër botë. Ky koncept gjithashtu homogjenizon një realitet shoqëror dhe ekonomik, që, në pikëpamje më të thelluar analitike, është shumë më heterogjen.

 Kapitalizmi shtetëror dhe liberalizimi

Paraqitja ime në konferencë pati të bënte me studimin tim për industritë shtetërore në vendet ish-socialiste. Studimet e shumta të kësaj zone botërore kanë theksuar karakterin liberal të politikave ekonomike, si dhe transnacionalizimin e thellë të industrive për shkak të pjesëmarrjes së madhe të kapitalit të jashtëm në zhvillim industrial postsocialist gjatë periudhës së tranzicionit. Pas një analize të strukturës pronësore të 100 firmave më të mëdha të vendeve postsocialiste të Evropës Lindore dhe Qendrore, gjej se, ndonëse industritë kryesore dominohen nga kapitali i huaj, pas tyre dominojnë industritë në pronë shtetërore. Kapitali privat vendor përfaqësohet në pjesën më të vogël të firmave më të mëdha të rajonit. Përveç kësaj, shtatë nga dhjetë firmat më të mëdha të Evropës Lindore dhe Qendrore janë pronë shtetërore, çka tregon për dominancën e vazhdueshme të industrive shtetërore, me gjithë privatizimet e shumta që u janë nënshtruar industritë e këtij rajoni që nga viti 1990. Me një fjalë, kemi lindjen e një lloj kapitalizmi shtetëror si bi-produkt i projektit të liberalizimit ekonomik dhe me siguri një bi-produkt të padëshiruar nga neoliberalët e rajonit që, në fillim të tranzicionit, synuan zhdukjen e plotë të pranisë shtetërore nga ekonomia. Megjithatë, ky kapitalizëm shtetëror (nëse mund ta quaj kështu kushtimisht) është pjesë e realiteteve të reja postsocialiste, po aq sa edhe prania e thellë e kapitalit të huaj.

Me një fjalë, elementet e kapitalizmit shtetëror, i përkufizuar si pronësi shtetërore, apo si një model më i gjithëmbarshëm zhvillimor, janë të pranishme edhe në vendet postsocialiste. Pra, ngjashmëritë dhe paralelet me vendet e tjera në zhvillim megjithatë janë të qëndrueshme, pavarësisht nga përpjekjet për ta përshkruar këtë rajon si të ndryshëm nga zonat e tjera botërore në zhvillim, pa harruar normalisht specifikat historike të këtij rajoni dhe të pikënisjes së tranzicionit në kapitalizëm nga sistemi socialist në të cilin tregjet ishin eliminuar dhe e tërë ekonomia ishte e shtetëzuar.

Në këtë konferencë, por edhe në medie ndërkombëtare dhe në disa raste edhe në botën akademike, kanë filluar debate serioze për modele alternative zhvillimore kundrejt “Konsensusit të Washingtonit”, që na e solli neoliberalizmin ekonomik si sistemin “të paalternativë”, siç e përshkruante avokatja më e zëshme e saj në arenën politike, ish-kryeministrja britanike Margaret Thatcher. Në pikëpamje më të thellë historike, ne sot mund të shprehim habi pse shohim praninë e shtetit në ekonomi, por prania dhe ndërhyrja e shtetit në ekonomi, jo vetëm si rregullator (p.sh., si garant i pronës private), por edhe si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në procesin e akumulimit të kapitalit, ka qenë veçori e përhershme e kapitalizmit si sistem historik ekonomik. Historiani i madh ekonomik, Fernand Braudel, përshkruan rastet e shumta kur, në shekullin XVI, monarkia spanjolle mori përsipër minierat e argjendit të cilat ishin joprofitabile për sektorin privat, apo kur përmes inovacioneve fiskale si bonot dhe organizimin e financierëve asistoi në krijimin e institucioneve të para bankare kapitaliste. Në epokën e hershme të kapitalizmit, shteti ishte ndër ndërmarrësit më të mëdhenj, në kuptimin e inovacioneve organizative dhe institucionale, na e kujton Braudel. Andaj, në njëfarë mënyre anomalia nuk qëndron në kohën tonë, kur kemi filluar ta shohim shtetin gjithandej duke futur duart në ekonominë kapitaliste, madje në një kapitalizëm që performon suksesshëm në ekonominë globale, por në idenë e mbrapshtë se shteti dhe ekonomia janë antinomi të papajtueshme. Nëse epoka jonë na lejon mendimin e problemeve ekonomike, shoqërore dhe ato zhvillimore përtej dikotomisë së imponuar shtet-treg ose shtet-ekonomi në të cilën insiston neoliberalizmi, kjo është një arritje në vetvete.

2 mendime mbi “A është kapitalizmi shtetëror model i ri zhvillimor?

  1. Mendoj se per ceshtjet te paraqitura ne shkrimin, kini ngacmuar nje debat te rendesishem i cili do duhej te jipte rrugen per ritme me intensive te zhvillimit ekonomik. Ne vecanti eshte ngacmues termi “kapitalizem shtetror” dhe “prone shteterore” ne vecanti i dyti…

  2. Ne demokraci pretendohet se zeri i popullit shprehet nepermjet institucioneve, por kjo gjithmone ne rrafshin politik, kurse ekonomia i eshte lene hapsirave te egra te konkurences kapitaliste qe sa vijne e ngushtohen duke u agravuar ne sitauta shoqerore konfliktuale e te dhunshme. Ne kete moment, pikerisht ne kete moment politika merr pergjegjesine te nderhyje ne ekonomi duke rivendosur rregullat e lojes dhe duke rrafshuar majat e thepisuara te konflikteve te konkurences ekonomike. Ne kete sens nderhyrja e politikes ne ekonomi eshte e pelqyeshme, e perkrahshme dhe idealisht e mbeshtetur nga populli qe vuan pasojat e konkurences kapitaliste ne kulmin e saj.
    Mund te jete nje zgjidhje – jo ZGJIDHJA – por nje zgjidhje

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s