Home

Javët e fundit në shtypin dhe sferën publike në Kosovë është ndezur sërish debati për privatizimin. Duket se shtytës për këtë ishin një numër zhvillimesh. E para është përmbyllja e pritur e kontratës për kalimin në pronësi të konsortiumit turk Limak-Çalik të Distribucionit të KEK-ut (KEDS) (për çmimin absurd prej rreth 26 milionë eurosh), që pritet të ndodh gjatë këtij muaji. E dyta janë zërat e protestës së ngritur kundër këtij privatizimi, bashkë me atë të PTK-së, në njërën anë nga Lëvizja Vetëvendosje e njohur për qëndrimin e saj kundërshtues ndaj privatizimit, por edhe nga BSPK-ja dhe grupe të tjera shoqërore dhe qytetarë që janë shprehur kundër përmes një peticioni. Midis këtyre ishin edhe disa debate të nxitura nga një shkrim në dy seri i mikut tim Lumir Abdixhiku, i cili është kritik ndaj politikave qeveritare, por ku ai përpiqet të argumentojë se problemi nuk qëndron tek privatizimi si i tillë, por te mënyra se si ai po implementohet në Kosovë. Në këta rreshta do të përqëndrohem në disa pika të argumentit të shtruar aty më shumë se në debatet e tjera politike, sado që debati mbi politikat ekonomike, nga i gjithë spektri ideologjik opozitar (ta quajmë kështu kushtimisht) në Kosovë po reduktohet në sllogane populliste dhe rrjedhimisht po degradon nga cilësia e tij intelektuale.

Boshti kryesor i argumentit të Lumirit është ideja, e argumentuar si në baza doktrinare ashtu dhe në empirike (por duke u referuar në studime të pacituara) se zhvillimi ekonomik duhet të mbështetet në sektorin privat. Interesant është se një qëndrim të ngjashëm shprehu edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës, organizatës që deri dikur drejtohej nga ministri aktual i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj por që kohët e fundit sikur kishte dalë në pozicione kritike ndaj politikave qeveritare. Oda Ekonomike bashkë me grupet tjera përfaqësuese të biznesit nga një pozicion kritik dolen në mbështetje të parezervë për privatizimin e KEDS-it dhe të PTK-së.

Krejt në rregull në aspektin doktrinar, sidomos kur publiku kosovar terrorizohet gjithnjë me fantazmën e socializmit, që na paskësh qenë një katrahurë totale ekonomike (dhe një argument i çuditshëm për një shoqëri si puna e Kosovës që nuk ka histori të zhvillimit kapitalist dhe gjithë bazën industriale që e ka e ka trashëguar nga socializmi). Krejt në rregull, edhe kur paraqiten fakte për rëndësinë akuale të sektorit privat në Kosovë, i cili përpjestimisht punëson më tepër persona se sa sektori publik i marrë përgjithësisht (pra duke përfshirë ndërmarrjet publike si PTK dhe KEK por edhe administratën shtetërore, arsimin publik etj.). Por, hajde ta marrim se na pëlqen shumë koncepti neoliberal (ose libertarian, siç e parapëlqen Lumiri) për idenë se sektori privat duhet të jetë motori i zhvillimit ekonomik, dhe se shteti nuk duhet të ketë rol në këtë punë përveç si një mbrojtes i pronës private dhe eventualisht si rregullator i disa fushave që tregu nuk mund t’i vetë-rregullojë.

Edhe nëse e marrim këtë bazë, ne sërish ballafaqohemi me problemin e madh të dobësisë së madhe strukturore të sektorit privat në Kosovë. Në një aspekt të këtij problemi pata aluduar në një shkrim të mëparshëm ku tregoj se një prej problemeve të sektorit privat në Kosovë është ekonomia në shkallë. Shumica e bizneseve në Kosovë janë të vogla. Ato janë firma kryesisht në pronësi familjare dhe shumica syresh merren me tregti ose shërbime të thjeshta. Ndër pak industri ku sektori privat ka patur sukses koncentrimi i kapitalit dhe rrjedhimisht kalimi në ekonomi të shkallës është në tregti (me firma si Elkosi dhe firma të tjera të mëdha tregtare) dhe deri dikund në ndërtimtari. Sektori privat nuk ka arritur të rigjenerojë industritë e dikurshme të Kosovës, dhe sidomos bazën bujqësore, minerare dhe energjetike që kanë shërbyer si shtyllë e industrializimit të Kosovës gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Në njëfarë mënyre, sektori privat i Kosovës është vazhdim dhe evoluim i ekonomisë së shërbimeve të viteve 1990, e jo asaj industriale të viteve 1970.

Pa ekzagjerim mund të thuhet se sektori privat në Kosovë nuk investon pothuajse fare në sektorët e rëndësisë strategjike për zhvillimin e Kosovës. Për ta vërtetuar këtë desha ta ofrojë këtë pasqyrë të dhënash që kam përpiluar nga të dhënat e botuara nga Banka Qëndrore e Kosovës (BQK). Kjo tabelë është pasqyrë e strukturës të kredive në ekonominë kosovare, sipas sektorëve ekonomikë. Nga një këndvështrim tjetër mund të thuhet se po kjo tabelë na reflekton edhe strukturën e investimeve në ekonominë e Kosovës, duke treguar se ku është më së shumti i përqëndruar kapitali investues. Për ta ndërtuar krahasimin që dua ta bëj, në tabelë jam përqëndruar vetëm në katër sektorë: nga ai industrial (prodhues) në miniera, energjetikë dhe në ndërtimtari, ndërsa nga ai i shërbimeve në tregtinë.

Siç shihet, nga 918,2 milionë eurove të lëshuara në formë kredie për bizneset kosovare, pjesa më e madhe janë orientuar në shërbime, dhe pjesa më e madhe në tregti (afër 68% e totalit të investimeve në Kosovë). Vetëm 3.3% e totalit të kredive (rrjedhimisht edhe investimeve private) në industri janë orientuar drejt minierave dhe energjetikës. Ky është një indikator i qartë i strukturës jashtëzakonisht të brishtë ekonomike të Kosovës. Sektorët tradicionalë industrialë të Kosovës përfitojnë jashtëzakonisht pak investime nga sektori privat. Sektori privat i Kosovës (duke përfshirë bankat si dhe bizneset) deri më tani nuk kanë treguar interesimin e vet për të investuar në industri, dhe sidomos jo në xehtari dhe energjetikë (dhe sipas të dhënave të tjera e dimë se niveli i kredive për bujqësi është gjithashtu jashtëzakonisht i vogël).

Është deri dikund e çuditshme pra që të mbrohet privatizimi në emër të sektorit privat, kur shtyllat themelore për zhvillimin e sektorëve industrialë nuk janë aty. Të kota janë thirrjet në sektorin privat kosovar kur në të vërtetë i vetmi sektor privat që po shfaq interesimin të investojë në asetet publike në Kosovë janë konsortiumet turke dhe spekulantët financiarë nga Londra, Wall Street dhe Dubai. Sektori privat i brendshëm kosovar nuk i ka kapacitetet financiare, organizative dhe as profesionale që me forcat e veta të rigjenerojë dhe ringjallë industritë e dikurshme të Kosovës, as të bëjë investimet e duhura në sektorët ekzistues si telekomi ose energjetika. Ky është realiteti që e din gjithkush por që sikur harrohet kur flitet për nevojën e mbështetjes së zhvillimit ekonomik mbi sektorin privat. 

Cila është zgjidhja këtu? Kosova nuk mund të mbijetojë si një ekonomi e shërbimeve tregtare pa prodhim. Kosova ka ndjekur këtë rrugë gjer në këtë pikë falë ndihmave nga jashtë dhe remitancave. Por kjo nuk është rrugë e qëndrueshme dhe vazhdimi i trendeve negative ekonomike në Evropë pashmangshëm do të krijojë probleme të mëdha jo vetëm në papunësi dhe varfëri, por edhe në mundësinë e një krize fiskale të shtetit që pothuajse është e garantuar nga politikat e investimeve të mëdha kapitale (lexo: autostrada) që ndjek qeveria aktuale.

Andaj, rigjenerimi industrial i Kosovës i ka dy rrugë. Rruga e parë është privatizimi i shpejt dhe shitja e aseteve kryesore industriale (energjetikës dhe minerave) firmave të huaja. Këto firma zgjidhin problemin e investimeve në plan afatshkurtër, sepse këto firma supozohet se kanë mundësitë e tyre financiare (qoftë të brendshme, qoftë përmes kredive të lira të marrura nga bankat e huaja) dhe edhe ato organizative (si të stafit menaxherial, qasjes në tregje të jashtme etj.). Mirëpo në plan afatgjatë Kosova humb përfitimin e mbivlerës nga asetet e veta dhe pasuria e vet natyrore – profitet tërhiqen jashtë vendit, investimet zvogëlohen, punësimi ngelet në minimumin e nevojshëm operativ, nuk ka nxitje për investime në avancim industrial drejt industrive përpunuese dhe teknologjike etj.

Rruga e dytë është më e kushtueshme në fillim, por krijon bazament të qëndrueshëm për zhvillim afatgjatë. Kjo rrugë nuk thotë që asetet industriale duhet të mbetën vetëm në pronësi publike për hir të pronës publike, por se pronësia publike është pjesë e një strategjie të gjithmbarshme për zhvillim industrial. Kjo strategji nuk fillon dhe mbaron me privatizimin, por me ristrukturimin e plotë institucional, duke filluar nga sektori financiar (duke themeluar, p.sh., një Bankë Zhvillimore për investime strategjike përmes kredive të lira), ai arsimor (duke investuar në kapacitetet profesionale dhe shkencore në fushat e rëndësishme për këta sektorë) dhe ai ekonomik (duke kryer reformat e duhura organizative në mënyrë që ndërmarrjet publike të operojnë profesionalisht dhe jashtë ndikimeve politike dhe klanore).

Kjo është rruga e shtetit zhvillimor, koncept që kam shtjelluar më parë. Rruga e shtetit zhvillimor është më e ngadalshme, më e vështirë dhe ka më shumë sfida. Por është rrugë për zhvillim të sigurt dhe të qëndrueshëm, ku ekonomia e Kosovës funksionon në radhë të parë në shërbim të vendit, dhe jo të interesave të jashtme. Problemi i Kosovës nuk është thjesht privatizimi apo parapëlqimet doktrinore për sektorin privat apo atë publik. Sfida e Kosovës është ndërtimi dhe ndjekja e një kursi afatgjatë zhvillimor, i cili do të përcaktojë të ardhmen jo vetëm të gjeratave të sotme por edhe atyre të ardhme. Ndyshe potencialet ekonomike, burimet natyrore dhe pasuria e Kosovës do të mbizotërohen nga interesat e jashtme, ndërsa të riut kosovar, atij që nuk ka privilegjin të jetë i lidhur me paranë ose pushtetin, i jepet një dhe vetëm një mundësi për të mbijetuar: ikja nga Kosova.

5 mendime mbi “Struktura e investimeve në Kosovë

  1. Besnik, eshte nje analize e mire, por me lejo te te them qe eshte e bazuar me teper ne baza teorike dhe ne statistika te ‘dyshimta’. Jane disa faktore te cilet duhet te merren parasysh kur behen keso analizash per “privatizimin ne Kosove”, dhe ato mund te permblidhen ne keto:
    1. Kosova nuk ka as ingerenca por edhe as kuadro te kualifikuara ne institucionet e saja te cialt do te krijonin nje strukture dhe nje strategji te mirefillt te zhvillimit;
    2. Kosova ne institucionet e saja ka elemente mafioze te instaluara, gje qe mund te konfirmohet cdo dite nga lajmet qe vijne pikerisht nga bartesit e tyre;
    3. Privatizimi nuk duhet te vihet ne pyetje “po apo jo” por “pse, kur dhe si”. Eshte kunder interesave te ‘Qeverive’ te ndodhe privatizimi, nga se e njejta privohet nga burimet kryesore te finansimit dhe ushtrimit te ndikimit ne masa. Ndermarrjet publike, si KEK, PTK dhe Aeroport, jane nder punedhenesit me te medhenj, jo vetem ne aspektin e te punsuarve, por edhe te dhenjes se opuneve ne forme te projekteve;
    4. Sa i perket ekonomive te shkalles, kjo nuk vjen ne pyetje ne Kosove, nga se mentaliteti nuk lejon! Ketu ose ushtrohet ose lufte ne cmime ose ushtrohet monopoli (Telekomunikacioni dhe KEK);
    5. Ne Kosove nuk mund te behet fjale per parime, kur flitet per ushtrimin e veprimeve te caktuara per te penguar dukurit e demshme, por duhet te shiqohet per “emrat” qe jane bartes te proceseve te tilla. Si mund te flitet per nje proces pozitiv te udhehequr nga BSPK ku eshte i involvuar uddheheqesi i saj i cili eshte kryekeput i korruptuar, dhe i cili sipas funkcionit (i cili tash i kontestohet) ka qene bartes i te gjitha privatizimeve te ndermarrjeve shoqerore ne Kosove? Nonsense;
    6. Nese duhet te ushtrohet presion ne institucionet e kosoves dhe bartesve te tyre rreth ceshtjes se privatizimit, atehere duhet te fillohet nga parimi: jo STOP privatizimit, por STOP privatizimit tash dhe ne kete menyre.

  2. Afro, ngreh shume pika, me nje pjese te te cilave pajtohem dhe nuk besoj se do te mund te te pergjigjem mirefilli ne te gjitha. Shkrimi nuk permbledh te gjitha problemet ekonomike ne Kosove dhe as nuk e ka ate qellim. U nisa nga nje fakt konkret per te treguar brishtesine e sektorit privat ne Kosove, sidomos shperputhjes midis struktures se investimeve nga ky sektor dhe potencialeve te verteta zhvillimore te Kosoves. Per mua, ky eshte nje fakt domethenes.

    Sa i perket te dhenave, ti i quan te dyshimta, por une do ta quaja skandaloze nese bankat kosovare po i raportojne BQK-se te dhena te rrejshme, dhe nuk shoh asnje arsye pse bankat do ta kishin nje motiv te tille per t’i shtremberuar te dhenat per kredite qe i japin, e qe jane pjese e raporteve te rregullta financiare qe ato ia japin BQK-se. As nuk shoh motiv qe BQK-ja te publikoje te dhena te manipuluara, qe tek e fundit nuk i interesojne kujt pos ndonje zyreje te FMN-se dhe ndonje te cmenduri si puna ime.

    • Avni, nese ka nje faktor qe ka proliferu pranine e mafias dhe mungesen e kapaciteteve politika-krijuese ne kosove atehere eshe pikerisht prania e kompanive nderkombetare PRIVATE ne keta sektore…. ata kane averzion ndaj ekspertizes kosovare, e luftojne, e largojne, ne menyre qe ndermarrjet te jene ne nji gjendje amullie e te demonizuara per te arritur dy qellime:
      1. Krijimi i alibit per privatizim te shpejt dhe pakritere
      2. Vazhdimi i kontratave per “konsulenca” te kompanive nderkombetare ne keto ndermarrje, punen e te cilave nuk guxon asnjihere me e analizu kush
      Pra, korrupsioni ne kompanite publike kosovare para se gjithash eshte rezultat i nderhyrjes se sektorit privat ne to…. e kur them sektorit privat e kam fjalen kryesisht per korporata te huaja qe thjesht sherbejne si “conveyors” te pareve prej kosove ne vendet e tyre…..

  3. Se pari te perjashtojme industrine e dikurshme tonen ne kohen e socializmit, ajo tashme eshte inekzistente , me perjashtim ( sic edhe e ke cekur Besnik ) te energjetikes, minierave dhe posttelekomit , se dyti te harrojme se ekziston nje transparence kompetente e bizneseve Kosovare ne raportimet qe i bejne ne BQK dhe se treti vete BQK-ja eshte institucion kukull qe as vete nuk e di se pse eshte ne ate vend. a mundeni me imagjinu paralelet e kompetencave qe ECB-ja i ka ne rrelacion me ato te BQK-se – peshku e balena -. Besnik ke te drejte kur krijon nderlidhjen ne mes te ekonomise se sherbimeve si edhe prodhimtarise si element shume i rendesishem per nyjen e zhvillimit ekonomik ne vend,por ama, do te duhet te mos harrojme se rinia jone eshte mese e afte ne drejtimin e teknologjise dhe aftesive teknologjike, mos ndoshta nje politike-ekonomike strategjike ne kete drejtim do te na siguronte nje prosperitet me te shpejt – shembull mund te marrim Estonine si krye-hub i zhvillimit teknologjik per Evropen qendrore dhe ate lindore. Besnik besoj se ne analize e ke percaktu vehten ne mes te Keynes dhe Friedman – ne menyre te dyshimte. Pastaj nuk fole aspak se sa rrol duhet te kete qeverisja ne etablimin e projekteve ekonomike ne vend…Pse?

  4. KEK-distribucioni(lex Limak – Calik), Autobani(lex LIMAK), Adem Jashari(lex Limak), PTK(lex Turkcell) Besnik, nashta na pranojne prap si vezira :)))) a per te rinjt mos u brengos ata kurre nuk do te largohen, te dhenat e regjistrimit te popullsise ta konfirmojne bindjen time.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s