Home

Javët e fundit kemi ndjekur një sërë lajmesh të këqija nga fusha e tregut botëror të ushqimeve. Siç njofton Financial Times, këto ditë çmimet e misrit dhe sojës arriten në nivele rekorde pas nivelit rekord që kishin arritur në vitin 2007-2008, shpejt pas krizës globale financiare. Rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimit thuhet të ketë qenë përgjegjëse për mijëra protesta nëpër botë, ndërsa disa analistë vlerësojnë se ky faktor ndikoi drejtpërsëdrejti edhe në shpërthimet e Pranverës arabe. Çmimet e ushqimit ndikojnë më së shumti në ekonomitë e varfëra, ku shporta ushqimore konsumon pjesën më të madhe të shpenzimeve të popullatës. Është e qartë se, kur inflacioni shkaktohet nga rritja e çmimeve të ushqimeve bazë, varfërimi është i mënjëhershëm. Për popullata që jetojnë me të ardhura që i mbajnë në pragun e mbijetesës, edhe një shtrejtim i vogël i elementëve bazë të ushqimit (p.sh. misrit, grurit ose orizit – varësisht nga regjionet botërore) çon në shtimin e vështirësisë për mbijetesë – përfshirë këtu mundësinë për plotësuar nevojat ushqimore. Rritja e fundit rezulton si pasojë e thatësisë ekstreme në SHBA, që është një nga eksportuesit më të mëdhej të drithërave në botë.

Shtrejtimi i çmimeve të ushqimit shihet si një nga përgjegjësit kryesor të inflacionit në Kosovë, i cili ka qenë një ndër më të lartit në Ballkan dhe Evropë. Të dhënat e mëposhtme tregojnë të dhëna mbi shkallën e inflacionit në Kosovë në krahasim me disa vende fqinje dhe mesatarën e inflacionit në eurozonë.

Shkalla e rritjes (në përqindje) të inflacionit në Kosovë dhe eurozonë.

Grafikoni i mësipërm tregon se sa jostabil është inflacioni në Kosovë kur krahasonet më atë në eurozonë. Ndryshimi më i madh vërehet në periudhën menjëherë pas krizës. Deri në vitin 2007, shkalla e rritjes së inflacionit në Kosovë ka qenë më e ulët se në eurozonë. Kjo domethënë se gjatë kësaj periudhe, kostoja e jetesës në eurozonë është rritur më shpejt se sa në Kosovë, vend i cili gjithashtu përdorë euron si monedhë të vendit. Mirëpo, nga gjysma e dytë e vitit 2007 shohim një kthim radikal ku inflacioni në Kosovë shpërthen në mënyrë pothuaj të pakontrolluar. Përderisa inflacioni rritet dukshëm në eurozonë pas shpërthimit të krizës financiare më 2008, masat e Bankës Qëndrore Evropiane dhe qeverive të eurozonës gjatë 2009-ës bënë që në eurozonë të ngritet alarm mbi rrezikun e deflacionit. Megjithatë, përderisa inflacioni mesatar në eurozonë shkoi drejt stabilizimit pas vitit 2010 (ndonëse me dallime të theksuara, për shkak të efektit të krizës së borxheve sovrane gjatë vitit 2010 e cila gjeneroi inflacion të shtuar në disa nga vendet e periferisë së eurozonës), inflacioni në Kosovë sërish kalon një valë shpërthimi gjatë viteve 2010-2011.

Lartësia e inflacionit në Kosovë merret vesh edhe nga krahasimi i mëposhtëm me vendet fqinje. Grafikonet me të dhëna krahasuese jepen më sipër. Shkalla e rritjes së inflacionit në Kosovë gjatë viteve të fundit ka qenë më i lartë se në Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni. Ajo çka vërehet qartë është se lëvizjet e çmimeve në Kosovë janë direkt të varura nga ato në Serbi dhe Maqedoni (dhe shumë më pak se me ato në Shqipëri, e cila, siç shihet, ka treguar një stabilitet të jashtëzakonshëm në kontrollin e inflacionit, edhe përgjatë viteve të krizës). Kjo për faktin se Kosova importon pjesën më të madhe të mallrave nga këto dy vende, përfshirë pjesën më të madhe të prodhimeve bujqësore dhe të ushqimeve të përpunuara. Është mbreslënës fakti se shkalla e rritjes së inflacionit në Kosovë është pothuajse krejtësisht e koordinuar me lëvizjen e çmimeve në Serbi. Thënë në formë pak sa perverse, na del që nga aspekti i çmimeve (dhe i ekonomisë më gjerësisht), ekonomia kosovare funksionin si një lloj zgjatje e tregut serb (të paktën përsa i përket ushqimeve), por që në vend të dinarit blen me euro. Kosova jo vetëm që përmirëson bilansin tregtar të Serbisë, por edhe si ekonomi e euroizuar ndikon në rritjen e rezervave devizore të Serbisë që ndihmojnë në stabilizimin e dinarit. Shprehur pak thjeshtë, realiteti është kështu: krahu i diasporës shqiptare punon në Gjermani e Zvicër, çon euro që t’i ushqejë familjet në Kosovë, ndërsa po ato euro përfundojnë si të hyra në bankat serbe.

Shkalla e rritjes së inflacionit (në përqindje) në Kosovë dhe Shqipëri.

Shkalla e rritjes së inflacionit (në përqindje) në Kosovë dhe Maqedoni.

Shkalla e rritjes (në përqindje) të inflacionit në Kosovë dhe Serbi.

Inflacioni në Kosovë, i matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK), ndikohet në shkallë të madhe nga çmimi i ushqimeve. Grafikoni më poshtë tregon normën mesatare të rritjes së IÇK-së në Kosovë në raport me çmimin e ushqimeve dhe atë të transportit (që përfshin çmimin e derivateve të naftës). Gjatë viteve të krizës 2007-08, çmimi i ushqimeve shënon shkallë më të lartë të rritjes se sa mesatarja e IÇK-së, përderisa çmimi i transportit ka rritjen më të lartë gjatë tërë periudhës, që përkon me rritjen e përgjithshme të çmimit të naftës në tregjet botërore. Ajo që vlen të nënvizohet është se, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2011, përderisa çmimi i transportit vazhdon trendin e rritjes, çmimet e ushqimit shënojnë rënie, që ndikon në zvogëlimin e nivelit mesatar të IÇK-së. Këtu përfshihet edhe periudha e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë që Qeveria e Kosovës vendosi nga fundi i korrikut deri në shtator, që për këtë periudhë bllokoi mallrat serbe nga hyrja në Kosovë, përfshirë edhe të shumë artikujve ushqimor që importohen nga ky vend. (Kjo nuk domethënë se po të vazhdonin ato masa, inflacioni nuk do të ndjehej, por që si duket rezervat e deponive private, importet alternative dhe mbase edhe një pjesë e prodhimit vendor, ndikuan që të mos ketë rritje të çmimeve për këtë periudhë. Se çmimet do të rriteshin nëse masat do të vazhdonin, e dëshmon edhe lidhshmëria e thellë e inflacionit në Kosovë me atë në Serbi, që u tregua më lartë.)

Transporti dhe ushqimi si përbërës të Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK) në Kosovë. Vija e kaltër (mbyllur) është mesatarja e IÇK-së. Vija e kaltër (çeltë) është IÇK-ja për ushqimet kurse ajo hiri është për transportin.

U larguam pak nga objekti kryesor i këtij shkrimi për t’i sqaruar disa aspekte të inflacionit në Kosovë, por tani po i kthehemi problemit të ndikimit të çmimeve të komoditeteve ushqimore në tregjet botërore dhe inflacionit në Kosovë. Me ka rastisur jo pak herë që të bisedojë me njerëz në Kosovë – përfshirë edhe të tillë me përgatitje të larta akademike – që nuk e kanë të qartë rëndësinë e lëvizjes së çmimeve të komoditeteve bazë ushqimore, si ato të drithërave, vajit, sheqerit dhe mishit në tregjet botërore (dhe të tregut kryesor, atë të ‘futures’ për komoditetet agrokulturore në Chicago Mercantile Exchange (CME))  për çmimet në Kosovë. Sikur çmimet e tregjeve botërore disi nuk kanë lidhje me çmimet e ushqimit në Kosovë. Natyrisht, një gjë e tillë do të ishte e drejtë sikur Kosova të mbulonte pjesën më të madhe të nevojave të veta ushqimore nga prodhimi i saj (dhe me kusht që ky prodhim të konsumohej brenda Kosovës dhe të mos eksportohej). Por, e dimë të gjithë që pjesën më të madhe të ushqimeve bazë Kosova i importon. Tani, që ta shohim se si çmimet e tregut botëror ndikojnë në Kosovë, kam marrë indeksin e çmimeve të ushqimit (Food Price Index – FPI) që mbahet nga Organizata për Ushqime dhe Agrokulturë e Kombeve të Bashkuara (FAO), një nga matësit kryesor të lëvizjës së çmimeve të komoditeteve ushqimore në botë, dhe e kam krahasuar atë me lëvizjën e çmimeve të ushqimit në Kosovë. Rezultati jepet në grafikonin më poshtë.

Indeksi i Çmimeve të Ushqimeve (FPI) i FAO-s krahasuar me Indeksin e Çmimeve të ushqimit në Kosovë, 2007-2012. (Viti 2007 = 100.)

Grafikoni paraqet lëvizjen e indeksit të çmimeve, me janarin e vitit 2007 baraz me 100. Çmimet e ushqimit në Kosovë jo që nuk janë, por janë jashtëzakonisht të sinkronizuara me levizjët e çmimeve të tregjet botërore sipas FPI-së. Me përjashtim të periudhës nga fundi i 2008-ës dhe fillimi i 2009-ës, çdo rritje në FPI është shprehur drejtpërsëdrejti në shtrejtimin e çmimeve të ushqimit në Kosovë. Aq më tepër që që nga viti 2010 e tutje, koordinimi midis FPI-së dhe çmimeve të ushqimit në Kosovës është pothuajse i plotë. Sipas kësaj, kosovarët duhet të jenë jashtëzakonisht të brengosur nga lajmet që javët e fundit po dalin nga tregjet botërore të komoditeteve agrokulturore.

Për të shkuar përtej paraqitjes vizuele të të dhënave, kam bërë gjithashtu një llogari të regresionit, për ta llogaritur në formë statistikore ndikimin e FPI-së në çmimet në Kosovë. Rezultati është mahnitës. Koefiçienti i përcaktimit (R2) është jashtëzakonisht i lartë, 0,70 (sinjifikante me vlerën p < 0,05). Përafërsisht, kjo domethënë se afër 70% e ndryshimit të çmimeve të ushqimit në Kosovë shpjegohet nga ndryshimi i çmimeve në tregjet globale! Për të interesuarit në detajet teknike të testit statistikore, rezultati i plotë është dhënë më poshtë.

Çka domethënë kjo?

E para, politikanë, por edhe analistë dhe të ashtuquajtur ekspertë të ndryshëm vazhdojnë të insistojnë se Kosova nuk ka qenë prekur nga kriza globale financiare 2007-08, dhe se ekonomia e saj nuk ndikohet drejtpërsëdrejti nga kriza ekonomike në eurozonë dhe faktorët tjerë të ekonomisë botërore, siç janë ato të tregjeve të komoditeteve agrokulturore. Si ekonomi importi, se ekonomia e Kosovës nuk ndikohet nga lëvizjet e tregjeve evropiane dhe botërore është absurde, është pretendim i marrë se gjoja Kosova, vend i cili importon gjithçka, ekzistoka si një ishull i izoluar në ekonominë botërore dhe jo si nyje në rrjetin e tregjeve globale të komoditeteve – sado periferike dhe e ndërmjetësuar qoftë lidhja e saj me qendrat e ekonomisë botërore. Të dhënat mbi ndikueshmërinë e çmimeve të ushqimit në Kosovë nga çmimet botërore e konfirmojnë ndikimin global në ekonominë e Kosovës përmes inflacionit, në formë mjaft të prerë.

Dikush mund të thotë se çmimet e tregjeve botërore nuk janë indikator i mirë pasi që Kosova furnizohet me ushqim nga tregjet regjionale (Serbisë dhe Maqedonisë). Mirëpo, kjo nuk domethënë se çmimet e komoditeteve ushqimore në Serbi dhe Maqedoni janë të pavarura nga ato botërore – përkundrazi, pavarësisht rendimenteve të brendshme, gjasat janë që çmimi i tregut botëror shërben si referent për çmimet eksportuese të këtyre vendeve.

E dyta, këto tregojnë se lajmet e fundit për rritjen e çmimeve të komoditeteve agrokulturore në tregjet botërore (përfshirë edhe mundësinë që një nga eksportuesit më të mëdhej të grurit, Rusia, të veprojë njësoj sikur vite më parë dhe të ndalojë eksportin e grurit të vet, me efekte më direkte në furnizimin me grurë në Ballkan) janë për t’u marrë seriozisht. Është e qartë se paralajmërimet se rreziku i inflacionit të madh është tejkaluar, dhe me këtë aludoj në vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, janë të paqëndrueshme. Përkeqësimi i rendimenteve amerikane dhe ndikimi që ato kanë në çmimet botërore do të ndjehen drejtpërsëdrejti në shtrejtimin e ushqimeve Kosovë.

E treta, është e qartë nga përvoja historike se rritja e çmimeve të ushqimit ndikon drejtpërsëdrejti në stabilitetin politik. Shtrejtimi i ushqimeve, sidomos në vend të varfëra dhe në zhvillim është shkas direkt për revolta. Shembulli që unë e përdor shpesh është ai i revolucionit në Francë, që filloi si protestë e parisieneve kundër shtrejtimit të bukës. Pas një vale të rëndë inflacioni gjatë vitit të kaluar, pas shtrëngimeve buxhetore të imponuara nga FMN-ja dhe projektet megallomane të Qeverisë Thaçi, disponimi politik i popullatës në Kosovës është veçanërisht i lidhur me çmimin e bukës, dhe sidomos i punëtorëve me të ardhura të vogla, pensionistëve dhe atyre të papunë. Vjeshta është gjithnjë periudhë e tkurrjes së aktiviteteve ekonomike në Kosovë, ndërsa fundosja e mëtejme i standardit të jetesës do të ketë efekt direkt në perspektivën e mbijetesës për partinë në pushtet.

2 mendime mbi “Çmimi botëror i komoditeteve ushqimore dhe inflacioni në Kosovë

  1. Pajtohem plotesisht me idene qendrore te shkrimit se duket te kete nje korrelacion te qarte mes cmimeve te ushqimit ne Kosove dhe atyre nderkombetare, si kunderpergjigje ndaj deklaratave te painformuara qe po i citon te cilat e mohojne kete lidhshmeri. Ne fakt, mua me duket se ceshtja eshte triviale; eshte gati injorante te mohosh plotesisht nje lidhshmeri te tille. Sic ndodh rendomte me pyetje triviale, ato cojne edhe ne artikuj jo shume interesante. Se kendejmi, me duket se pjesa e pare e artikullit, qe jep nje panorame te gjere e te kthjellet sidomos te lidhshmerise se qarte mes indeksit te cmimeve ne Serbi dhe Kosove, i ngre pritshmerite ne nje nivel lehtesisht te zhgenjyeshem nga pjesa e dyte qe merret me vertetimin kuantitativ te lidhshmerise mes cmimeve ushqimore globale dhe atyre kosovare.
    Gjithsesi, disa gjera ne artikull me bene te vras pak me shume mendjen. Se pari, ne grafikonin me cmimet globale nga FAO eshte e dukshme se cmimet e ushqimeve ne tregun kosovar duket te jene ndikuar nga ato globale vetem kur tregu global ka pervojuar lekundje te thella ne cmime. Psh, periudha mes 2008-mes 2010 duket te jete goxha stabile per cmimet kosovare, edhe pse indeksi global perjeton ulje ngritje te dukshme. Kjo me ben te dyshoj nese ne fakt regresioni eshte i nje forme jolineare, cka do e vinte ne dyshim rezultatin linear te ofruar ne artikull. Se dyti, pyetja me interesante se sa nje interpretim i thjeshte i R squared (nje mates i pare me shume dyshim nga statisticienet per arsye te mira ne shume raste) eshte: Cili eshte mekanizmi permes te cilit cmimet kosovare ndikohen nga ato globale? Natyrisht, pyetja se a kalon ai mekanizem permes Serbise ne menyre ekskluzive lind vetiu se kendejmi. Kjo mund te studiohej me thellesisht ndoshta duke perdorur cmimet serbe si variabel instrumental ne analize.
    Se treti, duke iu kthyer analizes se grafikeve nga Reuters EcoWIn, mua me duket pak logjikisht e ekzagjeruar te thuhet se “Se çmimet do të rriteshin nëse masat do të vazhdonin, e dëshmon edhe lidhshmëria e thellë e inflacionit në Kosovë me atë në Serbi, që u tregua më lartë.” Ne rastin e vazhdimit te masave, ajo lidhshmeri do zhbehej; kjo nuk eshte per te thene se nuk do kishte “lag effects”, por ato “lag effects” nuk do buronin nga lidhshmeria qe me nuk ekziston.

    Gjithsesi, jam nje lexuese e rregullt e blogut tuaj. Ju uroj per updatimin e vazhduar te blogut dhe per observimet e mprehta qe sillni per lexuesin.

  2. Flm per komentin. Nga nje kendeveshtrim me i informuar eshte triviale se ekziston lidhshmeri midis lidhja mes FPI dhe cmimeve te ushqimit ne Kosove (dhe gjetiu). Por edhe pyetjet triviale sjellin observime interesante. P.sh., problemi qe shtruat ju, qe nje krahasim i te dhenave tregon ndyshueshmeri ne periudhat kur FPI ka ndikim dhe kur jo. Periudha e krizes 2008-09 duket te kete qene moment kthese dhe sic theksoj ne shkrim duket se pas vitit 2010 koordinimi ne mes te cmimeve eshte me i madh. Kjo ngrit pyetje tjera, per ndikmin e faktoreve ndermjetes (si p.sh. tregjeve dhe prodhimit ne rajon, veprimet e importuesve dhe prodhuesve ne Kosove, efektet e ndaleses se eksportit te grurit ne Rusi me 2011 etj.) dhe pergjithesisht mundesine qe cmimet e prodhimeve agrokulturore te behen gjithnje e me te koordinuara ne nivel global (qe per disa kritike shihet si nje zhvillim negativ per vendet ne zhvillim dhe si simptome e shkaterrimit te metejme te prodhimit agrokulturor ne shkalle te vogel, nenshtrimit te popullatave ndaj zinxhireve te prodhimit industrial te agrokultures). Pyetje tjeter, qe nuk e ngris ketu, eshte dallimi i thelle midis inflacionit ne Kosove, Serbi dhe Maqedoni dhe Shqiperi. Rritjet e cmimeve duken me modeste ne Shqiperi, ndonese Shqiperia sikur Kosova importon nje pjese te madhe te ushqimeve (p.sh. grurit). Krejt keto ngrisin problemin e faktoreve ndermjetes, qe natyrisht shkojne pertej nje shkrimi ne blog dhe mund te jene rezultat i nje studimi me serioz shkencor. Kjo lidhet edhe me perdorimin e regresionit, qe une ketu e kam perdore vetem si nje mates te thjesht statistikor te percaktueshmerise dhe jo si analize te thelluar kauzale (qe sic theksoni ju, kerkon sqarimin e mekanizmave).

    Sa per embargon ndaj Serbise, ajo qe kam dashur te them eshte se fakti qe ekziston kaq lidhshmeri e madhe midis nivelit te cmimeve, na sugjeron se efekti i nje bllokade me te gjate do te conte ne shkeputjen e kesaj lidhjeje, por me gjasat e rritjes se cmimeve ne Kosove si rezultat i mungeses se shtuar – te pakten perkohesisht – te mallrave ushqimore (sidomos grurit dhe miellit).

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s