Home

Urimi i parë për vitin e ri, Kosovës i erdh në formën e raportit të fundvitit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) për gjendjen ekonomike dhe fiskale të vendit. Ndonëse raporti nuk është bombastik, ai përmban një numër paralajmërimesh për rreziqet që e presin Kosovën gjatë vitit 2012.

Ashtu siç pritej, gjendja e pafavorshme ekonomike në kontinentin evropian pritet të reflektojë negativisht në ekonominë kosovare. FMN-ja tashmë ka zvogëluar parashikimin e saj për rritje ekonomike në vitin 2012 nga 5 në 4 për qind. Në radhë të parë, këtu demitizohen pretendimet e dikurshme të qeverisë për rritje ekonomike 7-8 për qind, ndonëse sikur për rënien e vazhdueshme të investimeve të jashtme, qeveria do të pretendojë se kjo rezulton nga kriza ekonomike në Evropë, gjë që nuk qëndron fare. Tashmë mund të thënë se kur flisnin për rritje ekonomike, mendjen në fakt e kanë patur tek inflacioni, për çka kjo qeveri mund të krenohet se po then rekorde.

Sido që të jetë, fakti se do të vazhdojë të ketë rritje ekonomike është lajm i mirë për vendin, sidomos në kontekstin e një ekonomie evropiane në krizë. Mirëpo shkalla e rritjes ekonomike në vetëvete nuk tregon asgjë për cilësinë e zhvillimit ekonomik që po ndodh. Ta zëmë, edhe investimi në ndërtimin e burgjeve regjistrohet si rritje e BPV-së së një vendi, por për një vend që rritë BPV-në e saj duke investuar vetëm në burgje dhe duke rritur numrin e gardianëve të punësuar nuk mund të thuhet se ka zhvillim cilësor ekonomik. Aq më pak mund të flitet për cilësinë e jetës në një shoqëri të tillë, ku nevoja për burgje dhe gardianë është aq e madhe. Sido që të jetë, jemi në një situatë pak a shumë të ngjashme, ku investimet në burgje në rastin konkret të Kosovës mund t’i zëvendësojmë me investime në asfallt, dhe atë në vetëm një rrugë, autostradën Morinë-Merdarë, investim që për vitin 2012 do të vazhdojë të kushtojë mbi 20 për qind e gjithë buxhetit të paraparë për qeverinë qëndrore. Me fjalë të tjera, investimet kapitale vazhdojnë të jenë motori kryesor i rritjes ekonomike në Kosovë, gjë që është e paqëndrueshme aq më shumë kur investimet po bëhen në infrastrukturë dhe asete të tjera joproduktive, aq më tepër kur kjo infrastrukturë në vetëvete nuk pritet të nxisë ndonjë zhvillim tjetër ekonomik. Këto ditë doli lajmi se investimi prej tetë milionë eurosh në Parkun Industrial në Drenas po del një investim i dështuar, pasi që nuk ka biznese të interesuara që të vendosen në atë lokacion. Ky pak a shumë mund të merret si model i politikave “zhvillimore” të qeverisë aktuale, i cili investimet i bën sipas kalkulimeve politike, dhe i cili në vend se të investojë në mbështetjen direkte të zhvillimit industrial, investon në projekte të padobishme nga pikëpamja ekonomike dhe që në fund sjellin vetëm humbje.

Shkalla e papunësisë në Gjermani, Zvicër, Itali dhe Greqi, 1999-2010 (në përqindje).

Shqipëria po ballafaqohet me vështirësi të mëdha fiskale dhe ekonomike në vitin 2012, ndërsa shkalla e rritjes ekonomike në Shqipëri, që mbeti një nga më të lartat në Evropë përgjatë viteve të krizës financiare 2008-10, tashmë pritet të bie dukshëm si pasojë e efekteve të masave shkurtuese në Greqi dhe Itali. Rripi tashmë është shtrënguar dhe problemet buxhetore në Shqipëri tashmë kanë çuar në shkurtime serioze të shpenzimeve, me mundësi që këto shkurtime të shkojnë edhe më thellë, veçanërisht nga fakti se qeveria e Sali Berishës nuk mund të mbulojë deficitet përmes shitjes së aseteve publike, ngase nuk i ka mbetur pothuajse asgjë më për të privatizuar. FMN-ja ndërkaq ka të drejtë kur sheh rritjen ekonomike në Kosovë në varshmëri të plotë nga remitancat që vijnë nga Gjermania dhe Zvicra. Me fjalë të tjera vetë rritja ekonomike në Kosovë është një lloj “knock-off effect” i rritjes ekonomike dhe papunësisë së vogël në këto dy shtete. Gjermania vazhdon t’i bëjë ballë problemeve që kanë shumë vende evropiane, si pasojë e fuqisë së vazhdueshme të eksporteve gjermane (Gjermania është, pas Kinës, eksportuesi i dytë më i madh në botë). Këto ditë doli lajmi se papunësia në Gjermani ka rënë në nivelin më të ulët që nga fillimi i viteve 1990. Zvicra gjithashtu mbetet e mbrojtur nga problemet e shumë vendeve evropiane, ndihmuar edhe nga fakti se Zvicra nuk është e ngarkuar me problemin e euros. Fati se Kosova ka shumicën e emigrantëve të saj në Gjermani dhe Zvicër (dhe jo në Itali dhe Greqi si Shqipëria) është faktor kyç në faktin se luhatjet ekonomike në Evropë kanë patur një efekt më të zbutur në rritjen ekonomike në Kosovë. Ironia qëndron te ajo se profitet dhe vlera e aksioneve të Deutsche Bank, dhe jo raportet dhe politikat e Bankës Qendrore të Kosovës, Ministrisë së Financave apo Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, janë indikatori më i mirë se si do t’i ketë punët Kosova gjatë 2012-ës. Deutsche Bank nuk ka investime dhe as interesa të drejtpërdrejta në Kosovë, mirëpo është një nga fascilituesit më të mëdhej financiarë të eksporteve gjermane, si dhe një nga institucionet bankare më të ekspozuara ndaj krizës së borxheve sovrane. Nëse njëri nga këta faktorë cënon bilansin dhe profitet e Deutsche Bank-ës (dhe rrjedhimisht ekonominë gjermane), Ministria e Financave e Kosovës shumë shpejt do të ballafaqohet me rënie të të hyrave dhe krizë buxhetore.(1) Le të lutemi pra për suksesin e vazhdueshëm të kapitalizmit gjerman!

Megjithatë, sado që Kosova duhet t’i falemndërohet qëndrueshmërisë ekonomike të Gjermanisë dhe Zvicrës në kushte krize (dhe punëtorisë kosovare në këto vende që përmes remitancave vazhdon ta mbajë të gjallë ekonominë kosovare), politikat ekonomike vazhdojnë të jenë në duar të qeverisë dhe ato ndërlidhen ngushtë me udhëzimet, parametrat dhe kërkesat e FMN-së.

Një gjë që del qartë nga raporti është se qeveria i ka bërë “detyrat e shtëpisë” përsa i përket mbajtjes së shpenzimeve dhe bilansit buxhetor në rend sipas kërkesave të FMN-së. Siç dihet, FMN-ja ka kërkuar nga qeveria e Kosovës një disiplinë të jashtëzakonshme fiskale si pasojë e prishjes së marrëveshjes për kredi nga ky institucion dhe kalimin e Kosovës në status të monitorimit. Përmbushja e kritereve rigoroze të FMN-së tashmë është kusht nëse qeveria do të ketë sërish mundësi të financohet nga FMN-ja, dhe qeveria arriti të tejkalojë krizën e mundshme buxhetore të shkaktuar nga dështimi në shitjen e PTK-së (jo pse privatizimi ishte politikë e drejtë, por se qeveria kalkulonte që deficitin e vitit 2011 ta mbulojë me shitjen e këtij aseti). Mirëpo, krejt kjo vjen me një çmim të madh në pikëpamje ekonomike dhe sociale: ngrirje të rrogave në sektorin publik, vështirësi në financimin e beneficioneve për veteranët e luftës, reduktime të ashpra në investime kapitale (me përjashtim të autostradës Morinë-Merdar), vonesat në kryerjen e pagesave për bizneset kontraktore të qeverisë, dhe manovrime të ndryshme ku borxhet e një dikasteri mbulohen me transferte të brendshme nga kontoja e një tjetri. Nuk e dimë ende (dhe kjo nuk theksohet në raport) nëse për financimin e buxhetit 2011 është prekur fondi rezervë. Disa prej këtyre nuk theksohen në raport, por janë të ditura për të gjithë ata që kanë ndjekur gjatë vitit mënyrën e qeverisjes së financave publike nga kjo qeveri.

Mirëpo, vargu i problemeve ekonomike dhe financiare për vitin 2012 është i madh. Vështirësitë janë strukturore, ndërsa shkurtpamësia dhe moskalkulimi se vendi mund të ballafaqohet me probleme ekonomike, e ka lënë qeverinë me shumë pak hapësirë që të manevrojë në rrethanat me të cilat ballafaqohet vendi tani. FMN-ja tashmë kërkon disiplinë të jashtëzakonshme fiskale dhe buxhetore, duke e bërë vitin 2012 – ashtu siç paralajmërohet në buxhet – një vit me më pak investime, më pak rritje të shpenzimeve dhe një varfërim të përgjithshëm si pasojë e paaftësisë për ta përballuar inflacionin e madh i cili pas llogarive të ciklit të fundit matës mund të rezultojë në 8 ose 9 për qind gjatë vitit 2011, një nga normat më të mëdha të inflacionit në rajon dhe Evropë. Nga raporti, gazetarët dhe redaksitë mediale gjithashtu do ta kuptojnë pse qeveria hoqi dorë nga premtimi i saj për heqjen e TVSH-së për mediat. Për të siguruar qëndrueshmërinë fiskale të vendit, FMN-ja kundërshton çfarëdo zvogëlimi të TVSH-së, ndërkohë që për nevojat e financimit buxhetor qeveria u detyrua të ngris tatimet sikur ato në të ardhura dhe në duhan. Gjatë këtij viti qeveria gjithashtu do të ngris çmimin e energjisë elektrike, ndërkohë që tashmë është në presion të madh që ta realizojë pa vonesa privatizimin e PTK-së dhe Distribucionit të KEK-ut.

Problemi kryesor, natyrisht, është se raporti i FMN-së kap një tren në lëvizje – aty përshkruhen parametrat e ecjes si shpejtësia dhe sa me mjeshtri treni i kap kthesat, por nuk vlerësohet kahja dhe as ku çojnë përfundimisht binarët. Kjo është me rëndësi të theksohet, pasi që ndodh shpesh që gazetarët dhe analistët e ndryshëm medialë t’i marrin vlerësimet e FMN-së si fjala e fundit përsa i përket suksesit apo dështimit të politikave ekonomike të vendit. Ndërkaq, problemi më kryesor i kësaj qeverie nuk janë gjithmonë keqkalkulimet në vlerësimin dhe zbatimin e politikave ekonomike (sado që edhe ato janë, ta themi modestisht, jo të rralla), por ai më esencial i modelit zhvillimor që ajo ka përpara, i cili nuk po sjell rezultate dhe është i paqëndrueshëm.

Vlera në dollarë e aksioneve të Deutsche Bank AG gjatë një viti, të tregtuara në NYSE (sipas Bloomberg).

(1) Logjika është si në vijim: problemet e shtuara të Deutsche Bank, si banka më e madhe gjermane, mund të merren si indikator për gjendjen e ekonomisë gjermane, që mund të dëmtohet qoftë nga rënia eventuale e eksporteve gjermane, apo nëse kriza e eurozonës dëmton bazën e kapitalit të Deutsche Bank. Nëse Gjermania bie në krizë ekonomike, kjo domethënë shtim të papunësisë atje, që domethënë rënie e remitancave në Kosovë, që domethënë ulje e konsumit në Kosovë, që domethënë rënie e importeve, që domethënë rënie e të hyrave tatimore në buxhetin e Kosovës.

Kolumna javore, Koha Ditore, 8 janar 2012.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s