Home

Përpjekja për shpëtimin e euros ka marrë një kahje të çuditshme. Ka qenë e qartë që nga fillimi se përballimi i krizës së eurozonës nuk mund të bëhej nga shtetet veç e veç. Problemi i borxheve greke (dhe atyre portugeze, irlandeze, spanjolle, italiane etj.) nuk ishte thjesht një produkt i keqmenaxhimit financiar të shteteve të veçanta. Problemi ishte vetë mënyra e dezajnimit të monedhës së përbashkët, që krijoi një union monetar evropian pa ndërtuar gjithashtu një union fiskal evropian, ndërthurur në një ekonomi politike që favorizonte shtetet me fuqi financiare si Gjermania. Por më shumë se kaq, qëndron problemi më fundamental, se projekti i bashkimit evropian nuk arriti të artikulohej përtej një projekti ekonomik dhe tregtar. Është pikërisht ky limit i projektit evropian që sot po sfidohet nga kriza e eurozonës.

Konstrukti i eurozonës, por edhe më fundamentalisht projekti që qëndron në bazë të BE-së në përgjithësi, po ballafaqohet me një sfidë qenësore që – siç e them shpesh në këto kolumne – nuk po merret fare parasysh nga debatet mbi integrimin evropian në Prishtinë, Tiranë e gjetiu në Ballkan. Sido që të jetë – politikanët e Ballkanit le të vazhdojnë të flasin për integrimin pa e ditur tashmë se me kë dhe me çfarë do të integrohen – një moment kyç i zhvillimeve ndodhi gjatë kësaj jave, me paralajmërimin se Banka Qëndrore Evropiane (BQE) do të luajë një rol më qëndror me intervenimet e veta për të stabilizuar tregun e bonove evropiane. Ky lajm gëzoi shumë komentatorë dhe analistë që tani e sa kohë japin argumente për nevojën e një përqëndrimi më të fuqishëm të pushteteve monetare e fiskale në institucionet e BE-së.

Të enjten që shkoi kryetari i ri i BQE-së Mario Draghi paralajmëroi mundësinë që BQE të shtojë intervenimet e saj në blerjen e bonove të shteteve në krizë, gjë që ka bërë kohë pas kohe për të ndikuar në uljen e normave të interesit dhe stabilizimin e tregjeve. Ndonëse rreth kësaj ndërhyrjeje të BQE-së vazhdon të ketë kundërshti nga Gjermania, dhe sidomos nga shefi i Bundesbankës, një tjetër propozim i ardhur nga marrëveshja e fundit Sarkozy-Merkel, është për krijimin e një të ashtuquajturi “pakti fiskal” midis shteteve të eurozonës. Ky pakt është një lloj uvertyre për një rinegocijim të traktateve që qëndrojnë në themel të BE-së dhe të eurozonës, në bazë të propozimeve që do të diskutohen javën që vjen në samitin e liderëve të BE-së që do të mbahet më 9 dhjetor.

Sipas paralajmërimeve, pakti fiskal do të shtrëngojë dhe ashpërsojë rregullat fiskale për shtetet anëtare të eurozonës. Tashmë ekzistojnë disa rregulla të përbashkëta për eurozonën, siç janë ruajtja e deficiteve buxhetore nën tre për qind dhe mbajtjen e nivelit të borxheve shtetërore nën 60 për qind të BPV-së. Mirëpo, këto rregulla shpesh janë shkelur nga qeveritë dhe këto shkelje nuk janë ndëshkuar. Gjermania është sidomos këmbëngulëse rreth ndërtimit të mekanizmave të disiplinës fiskale, sepse sipas ortodoksisë gjermane, shkak themelor i krizës së eurozonës është “papërgjegjësia” financiare e shteteve të periferisë (duke harruar se edhe vetë Gjermania, në më shumë se një rast, me politikat e veta fiskale ka shkelur rregullat e unionit monetar).

Pakti i ri synon, të paktën sipas versionit gjerman, ashpërsimin e kontrollit fiskal nga Brukseli dhe krijimin e mekanizmave ndëshkues nëse shtetet anëtare të eurozonës nuk i përmbahen kritereve të përbashkëta fiskale. Ndonëse një koordinim fiskal duket me vend dhe i nevojshëm, ky lloj pakti do të vuajë sërish nga një sërë problemesh.

Një problem tepër themelor për paktin fiskal është çështja e humbjes së sovranitetit fiskal të shteteve anëtare. Përcaktimi i politikës fiskale, siç janë buxheti publik, shkalla e tatimeve, shpenzimet publike etj., është një elementet themelore të sovranitetit të një shteti. Sipas disa paralajmërimeve, pakti i ri fiskal do t’i detyronte shtetet anëtare që para se parlamentet e tyre të miratojnë buxhetin, atë buxhet ta dorëzojnë për shqyrtim dhe aprovim në Bruksel. Apo që në momente të caktuara, siç është ballafaqimi me një krizë ekonomike, të konsultohen me Brukselin para se të ndërmarrin masa siç është ndryshimi i shkallës së tatimeve apo rritja e deficiteve.

Një analogji me Kosovën do të ishte modeli i EULEX-it. Në Kosovë, EULEX-i gëzon pushtete në fushën e ekzekutimit të ligjit dhe të gjyqësisë, dhe mbikëqyrë organet gjyqësore të Kosovës. Pakti i ri fiskal evropian do të funksiononte si një “Euro-Lex” – një prani të gjithanshme të BE-së në monitorimin, kontrollimin dhe diktimin e politikave fiskale të shteteve anëtare.

Problemi i dorëzimit të sovranitetit fiskal BE-së është i ngjashëm me problemin e dorëzimit të sovranitetit juridik në Kosovë – ky është problemi i “deficitit demokratik”. BE-ja nuk qeveriset si institucion demokratik dhe nuk është e konstituuar si e tillë. BE-ja është bashkësi shtetesh sovrane të lidhura përmes trakteve ndërshtetërore. Parlamenti evropian ka pushtete simbolike dhe nuk funksionon si një “sovran” i “popullit evropian”, një nocion i paqenë dhe i pranishëm vetëm në demagogjinë e liderëve politikë të Evropës.

Këtë problem e ka vënë re edhe filozofi Jurgen Habermas, një nga besimtarët e mëdhej të projektit evropian dhe një nga përfaqësuesit kryesorë intelektualë të asaj që mund të quhet staatsphilosophie (filozofi politike) e projektit evropian. “Në të kaluarën, ishin armiqtë, sot, janë tregjet”, thotë Habermas i cituar nga revista gjermane “Der Spiegel”. Sipas Habermas, BE-ja po shkon drejt një modeli që ai e quan “post-demokraci”, në të cilin strukturat politike të BE-së, si Komisioni Evropian, përqëndrojnë pushtete gjithnjë e më të mëdha, me fuqi gjithnjë e më të shumta për të diktuar politika kundrejt shteteve anëtare, pa patur mandat demokratik. Frika e Habermasit për mundësinë e shpartallimit të BE-së nuk është paranojë por një frikë reale. Pas presioneve ekonomike nga kriza e eurozonës, është vështirë të besohet se popujt e shteteve të BE-së do të pajtohen me dorëzimin e mëtejmë të sovranitetit fiskal, në emër të ruajtjes së monedhës së përbashkët. Ndërkaq, një projekt më i thellë demokratizues nuk mund të imponohet nga lartë. Këtë nuk e ndihmon edhe mungesa e një solidariteti të gjerë pan-evropian, i cili teknokracinë evropiane e ka shkëputur dhe ndarë plotësisht nga realitetet sociale dhe politike të kontinentit. Në fund, domethënia e Evropës duhet të jetë diçka më e madhe se tregjet dhe financat. Z. Habermas ka plotësisht të drejtë në shqetësimin e tij kur për një pjesë të madhe të problemit të sotëm evropian akuzon liderët aktualë të Evropës se nuk prihen nga asnjë ide më e madhe përveç nevojës që të të ngadhënjejnë në zgjedhje. Duke tentuar që ta shpëtojnë euron, këta mund ta harrojnë faktin se euroja është në shërbim të projektit evropian, dhe jo projekti evropian në shërbim të euros.

Kolumna javore, Koha Ditore, 4 dhjetor 2011.

Një mendim mbi “Një Evropë pa idenë evropiane?

Lini një koment