Home

Të jesh ekonomi e varfër mund të jetë avantazh, sidomos në botën e sotme ku projekti i globalizimit ekonomik dhe financiar tashmë po dëshmon të gjitha disfunksionet e veta. Paradoksi i Kosovës është ndonëse është ekonomia më e varfër në Ballkan dhe në Evropë, ajo është burim i pasur i kapitalit likuid. Në këtë ndikon faktori i parë, që ekonomia kosovare (ashtu si pjesa më e madhe e shteteve tjera të Ballkanit), nuk është e financiarizuar në shkallën e shumë vendeve të BE-së. Financiarizimi i ekonomisë dhe mbizotërimi i tregjeve financiare si sektor dominant ekonomik – pra, një ekonomi të dominuar nga tregjet e kapitalit, instrumentet financiare dhe aktivitetet spekulative të institucioneve financiare – ishte përgjegjëse jo vetëm për katastrofën financiare të vitit 2008, por edhe për krizën aktuale të borxheve sovrane në eurozonë. Shtetet si Greqia, Portugalia dhe Irlanda nuk do të ishin në krizë sikur bankat gjermane, franceze e të tjera nuk do të derdhnin kredina të lira në arkat e këtyre shteteve, të stimuluara nga normat e ulta të Bankës Qëndrore Evropiane dhe premtimet për kthime të shpejta dhe profit të majmë nga zhvillimi i premtuar i këtyre ekonomive. E dyta, likuiditetin e ekonomisë kosovare e ndihmon fakti se një nga faktorët kyç zhvillimorë në Kosovë janë remitancat, të cilat kryesisht vijnë në formë të parave të gatshme dhe shpenzohen në konsum. Secili eksportues e lakmon tregun e Kosovës sepse pagesat jo vetëm që kryhen në para të gatshme, por edhe kryhen në një valutë botërore. E treta, Kosova gëzon një shkallë relativisht të mirë kursimi. Përveç kursimeve bankare, në akumulimin e kapitalit kosovar luajnë rol edhe Trusti i Kursimeve Pensionale dhe Fondi i Privatizimit, që bashkërisht përbëjnë një vlerë prej rreth një miliard eurove. Problemi kryesor i këtyre fondeve është që qëndrojnë të investuara në institucione financiare jashtë Kosovës dhe nuk kontribojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Pra, në njerën anë, Kosova eksporton para të gatshme përmes konsumit të importeve. Në anën tjetër, Kosova ëshë burim i kapitalit për tregjet e jashtme financiare përmes fondeve të saja modeste pensionale dhe atyre të privatizimit. Çka është më keq, luhatjet e bursave dhe krizat e ekonomive të zhvilluara kanë bërë që fondi pensional të shkojë drejt devalvimit.

Qeveria e Kosovës duket se tashmë ka filluar t’i lakmojë këto të holla dhe do të përpiqet që një pjesë të tyre t’i mobilizojë për investime të brendshme. Kjo është ide jo vetëm e qëlluar por e domosdoshme, pasi që është jo vetëm marrëzi, por edhe krim, që kapitali kosovar i akumuluar në Trust dhe në fondin e privatizimit t’i lihet mëshirës së menaxherëve financiarë pa kontribuar aspak ndjeshëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Qeveria e ka gjetë një formulë që këto fonde t’i mobilizojë për nevoja të brendshme, mirëpo mënyra se si kjo qeveri do ta realizojë këtë jo vetëm që nuk do të kontribojë në zhvillimin e vendit, por rrezikon të ashpërsojë keqmenaxhimin financiar të cilin e kemi dëshmuar gjatë viteve të fundit, tretjen e kapitalit në investime pa kthim, dhe përkeqësimin e mëtejmë të financave publike duke nxitur një spirale të keqe të huamarrjes nga shteti.

Mënyra se si kjo qeveri ka zgjedhur që t’i mobilizojë paratë e fjetura të Kosovës është përmes investimit të një pjese të tyre në letra me vlerë (bono). Qeveria e Kosovës po përgatitet që në fillim të vitit të ardhshem të emetojë bono, ose siç quhen ndryshe letra me vlerë. Sipas paralajmërimit të Ministrisë së Financave, në fillim të vitit, do të emetohen 74 milionë euro letra me vlerë, një pjesë e së cilës pritet të blihen nga Trusti i Kursimeve Pensionale dhe nga Fondi i Privatizimit. Sipas planit aktual, këto 74 milionë euro, do të përdorën për të financuar deficitin buxhetor të vitit 2012. Se blerja e bonove kosovare do të vije kryesisht nga Trusti dhe Fondi i Privatizimit është pothuajse e garantuar. Mënyra e vlerësimit të rrezikut të investimeve në bono është e standardizuar, dhe ajo bëhet nga agjensionet ndërkombëtare të rejtingut siç janë Standard and Poor’s dhe Moody’s. Nëse merret parasysh se bonot e të gjitha shteteve të Ballkanit kanë rejting negativ, është shumë e dyshimtë se bonot e Kosovës do të konsiderohen si më të sigurta. Me një fjalë, bonot kosovare sipas gjitha gjasave do të cilësohen si investim i rrezikshëm, me kthim të pasigurt, çka e bën shumë të dyshimtë se investitorët do të ngarendin për të blerë bono shtetërore të Kosovës.

Kjo lë vetëm një mundësi, ajo është që Qeveria të detyrojë Trustin Pensional dhe AKP-në që të investojnë fondet e tyre në bono, të cilat do të shfrytëzohen për të financuar deficitet buxhetore.

Ky është një gabim trashanik për një sërë arsyesh. E para, shfrytëzimi i kapitalit kosovar për të mbuluar deficitet buxhetore përbën jo vetëm rrezik për humbjen e investimeve, por edhe një formë absolutisht joproduktive e mobilizimit të kapitalit financiar kosovar për zhvillim ekonomik. Shpenzimet buxhetore janë vetëm aq – shpenzime. Ato ndikojnë në rritjen nominale ekonomike, por nuk kontribojnë në krijimin e sektorëve produktivë, që është problemi kryesor i strukturës ekonomike të Kosovës.

Një zgjidhje shumë më e mirë do të ishte sikur bonot të shfrytëzoheshin për financimin e një Fondi Investues, i cili do të mobilizonte kapacitetet financiare të vendit për investime në sektorë ekonomikë. Kjo do të siguronte jo vetëm që paratë e pensioneve dhe ato të privatizimit të mos derdhen në asfallt, siç planifikon të bëjë aktualisht Qeveria, por që financimi të orientohet drejt financimit të rimëkëmbjes ekonomike të vendit. Kjo do të bëhej duke i dhënë mbështetje financiare ndërmarrësve të rinjë dhe duke mbështetur rimëkëmbjen dhe zhvillimit e ndërmarrjeveve të mëdha publike, siç janë Trepça dhe KEK-u.

Përveç tërheqjes së financimit me garanca nga shteti i Kosovës, Fondi Investues do të mund gjithashtu të shndërrohej në aksionarin kryesor të ndërmarrjeve të mëdha publike, duke eliminuar kështu kontrollin e drejtpërdrejtë qeveritar në to dhe duke profesionalizuar menaxhimin e tyre, puna e së cilave do të vlerësohej në baza të performansës ekonomike dhe kthimit në investime. Fondi Investues gjithashtu do të eliminonte nevojën e privatizimit të ndërmarrjeve publike, duke ruajtur pronësinë e aseteve strategjike të ekonomisë së Kosovës në duar të vendit, dhe duke mundësuar që profitet nga ato asete të riinvestohen në ekonominë e Kosovës, në vend se ato të riatdhesohen në vende të treta nga firmat e huaja.

Selia e parë e firmës "Samsung", në Daegu, Kore, 1938.

Kolegët e mi ekonomistë liberalë mund të kundërshtojnë këtë duke thënë se asetet ekonomike duhet të jenë në pronësi të sektorit privat. Mirëpo, problemi i Kosovës është se sado që është ndërmarrës, sektori privat nuk ka kapacitete që të gjenerojë kapital të mjaftueshëm për investime të mëdha çfarë janë të nevojshme për rimëkëmbëjen e sektorëve tradicional industrial të Kosovës si ai minerar dhe energjetik, dhe ndërtimin e industrive të reja që mund të jenë konkurrente në nivel evropian dhe global. Këtë mangësi strukturore mund të plotësojë shteti i Kosovës duke vënë në dispozicion kapacitetet financiare dhe organizative të tij.

Kjo që po propozoj nuk është asgjë e re, sepse përbën rrugën që është ndjekur nga shumë shtete në zhvillim. Në vitet 1960 dhe 1970, Korea Jugore përdori përkrahjen shtetërore për të ndihmuar rritjen e firmave të vogla familjare, me emra si LG, Samsung dhe Hyundai, që sot janë marka globale. Në vitin 1993, shteti izraelit ndoqi shembullin korean dhe themeloi fondin Yozma, për përkrahjen e sektorit të teknologjisë informative. Në fillimvitet 1990 Izraeli kishte sektor pothuajse neglizhent të teknologjisë informative, ndërsa sot, eksportet izraelite të teknologjisë së lartë kanë arritur vlerën prej mbi 18 miliardë dollarë. Ndërkaq, Sllovenia përdori fondin e saj investues për të ruajtur pronësinë vendore mbi një sërë asetesh të rëndësishme ekonomike të Sllovenisë, duke u bërë aksionar në ndërmarrjet e mëdha si Telekomi i Sllovenisë dhe Gorenje.

Kosova ka një shans të rrallë që burimet e veta financiare t’i mobilizojë për zhvillimin e vet ekonomik. Fatkeqsisht, për një projekt të këtillë qeverisë së Kosovës do të duhej një ndryshim radikal i modelit të saj zhvillimor. Duke ndjekur avazin e deritanishëm, me emetimin e bonove qeveria vetëm do të shumëfishojë mundësitë për keqmenaxhim financiar dhe dëm ekonomik.

Kolumna javore, Koha Ditore, 27 nëntor 2011.

2 mendime mbi “Bonot, shansa që po humbet

    • Flm, z. Thomai, per komentin. Librin tuaj do ta kerkoj me shume interesim.

      Koncepti i shtetit zhvillimor nuk eshte imi. Mund te jeni ne dijeni mbi faktin se ekziston nje literature e gjere per kete nga historia e politikave ekonomike te shteteve latinoamerikane dhe atyre te Azise lindore, qe kane patur sukses te jashtezakonshem ne industrializim dhe zhvillim gjate periudhes pas 1945. Intervenimi im ka te beje me mundesine qe nje model i tille zhvillimor te gjeje aplikim ne Kosove, ku besoj se mund te ishte shume efektiv ne gjenerimin e rritjes ekonomike.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s