Home

Më në fund kriza e eurozonës dhe ajo e ekonomisë botërore filloi të merret më seriozisht në Ballkan. Deri para pak kohe, shtetet e Ballkanit preferuan të shikojnë nga distanca heqjet e fqinjit jugor Greqisë, jo pse do të duhej të kishin ndjerë ndonjë simpati të veçantë për grekët, por sepse kishin harruar se ndoshta një fat i ngjashëm mund t’i presë edhe ata. Në qoftë se jugun e Evropës e imagjinojmë si një pyll të madh e të thatë të cilin e ka përfshirë flaka, tymin dhe gacat tashmë po i shohim edhe në brendi të Ballkanit. Çështja nuk është më se a do të ketë zjarr por sa do të jetë dëmi nga djegia.

Se kriza e eurozonës filloi të merret seriozisht në Ballkan vlen gjithkund përveç në Prishtinë, natyrisht. Megjithë krizën që zgjat tani e mbi një vit, megjithë përshpëritjet dhe rreziqet reale për shkatërrimin e mundshëm të eurozonës, nga qeveritarët në Prishtinë jo që nuk kemi dëgjuar ndonjë koment serioz për atë se çfarë po ndodh në kontinentin tonë (me të cilin, sipas fjalëve të kryeministrit tonë, në vazhdimësi po liberalizohemi dhe integrohemi), por asnjë fjalë se a ekziston ndonjë plan rezervë nëse vjen deri te realizimi i skenarit më të errët, dhe dinamika e ngjarjeve çon deri te zhdukja e euros. Ndoshta kam përshtypje të gabuar për virtytet e liderëve politikë në Prishtinë, por nuk e di pse më krijohet bindja se në rast të një rreziku imanent të zhdukjes së euros, veprimi i tyre i parë do të jetë jo që të marrin masa për mbrojtjen e ekonomisë së vendit, por që të fillojnë fill që t’i kthejnë paratë në kontot e tyre personale në dollarë dhe franga zvicëranë. Ndoshta disa sosh tashmë edhe kanë filluar ta bëjnë një gjë të tillë.

Megjithatë, t’i kthehemi çështjes më serioze. Ballkani u zgjua nga gjumi sepse dolën një sërë raportesh dhe deklaratash, përfshirë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të cilët paralajmëruan rreziqe për ekonomitë e vendeve ballkanike si pasojë e krizës së eurozonës, e cila tashmë kaploi edhe Italinë dhe e cila ndër të tjera mori me vete Silvio Berlusconin nga froni qeveritar ndërsa solli një qeveri teknokratësh në Athinë. FMN dhe Banka Botërore gjithashtu reviduan parashikimet për rritje ekonomike në Ballkan gjatë vitit që vjen, duke zbritur parashikimet në 2,5 për qind dhe 2,1 për qind për rajonin.

Mirëpo, efektet e krizës së eurozonës në vendet e Ballkanin nuk do të jenë të njëtrajtshme, pasi që lidhjet e shteteve ballkanike me shtetet e eurozonës janë të ndryshme. Shqipëria, si ekonomi e lidhur ngushtë me atë të Italisë dhe Greqisë, rrezikon që ta pësojë shumë më keq se sa Kosova ose, fjala vjen, Serbia, nga kriza. Kjo për arsyen se partneri kryesor ekonomik i Kosovës dhe i Serbisë në eurozonë është Gjermania, një ekonomi që vazhdon të jetë stabile, ndërsa Shqipëria rrezikon të përvlohet nga spiralja e problemeve italiane. Ndonëse qeveria e re teknike e Mario Montit do të ndërmarrë masa për reduktimin e deficitit përmes masave shkurtuese, edhe suksesi i Montit në përmirësimin e financave italiane të goditura nga kërkesat e shtuara të kreditorëve nuk do të parandalojnë tkurrjen ekonomike të Italisë, që tashmë është e pashmangshme. Lidhjet ekonomike midis Shqipërisë dhe Italisë ekzistojnë në disa nivele. Së pari, një shtim i papunësisë në Itali mund të ndikojë negativisht në nivelin e remitancave në Shqipëri, duke marrë parasysh se Italia është burimi kryesor i Shqipërisë i të ardhurave të këtij lloji. E dyta, një tkurrje ekonomike e Italisë ka efekt në investimet italiane në Shqipëri, dhe veçanërisht godet rëndë industrinë shqiptare të tekstilit dhe veshmbathjes (veçanërisht asaj të këpucëve), që prodhon ekskluzivisht për prodhuesit italianë. Harrohet shpesh se Shqipëria është prodhues i madh i lëkurës dhe eksportuesi i gjashtë në botë i këpucëve (pa gjon), 99 për qind e të cilave prodhohen për firmat italiane (me fjalë të tjera fabrikat shqiptare bëjnë prodhimin “offshore” për firmat italiane). Në vitin 2005, këto fabrika punësonin rreth 20.000 punëtorë (kryesisht femra), numër që padyshim do të jetë rritur në ndërkohë. Këpucët dhe lëkura përbëjnë një pjesë të madhe të eksporteve shqiptare në Itali, që në vitin 2009 kapën shifrën totale prej 683 milionë dollarë. Rënia e eksporteve në këtë industri do të dëmtojë bilansin edhe ashtu negativ tregtar të Shqipërisë, por edhe do të shtojë edhe radhët e të papunëve. Tkurrja ekonomike në Greqi dëmton në mënyrë të ngjashme ekonominë e Shqipërisë, pasi që Greqia përbën burimin e dytë më të madh të investimeve dhe remitancave në Shqipëri, si dhe partnerin e dytë tregtar të Shqipërisë pas Italisë.

Qeveria e Sali Berishës, e mësuar të rrahë gjoks për arritjet ekonomike të Shqipërisë gjatë viteve të qeverisjes së tij, si dhe t’i krenohet faktit se në vitin 2008, kur gjithë Evropa shënoi rënie, Shqipëria pati rritje ekonomike, tashmë duket se ka parë realitetin me sy. I mësuar gjithashtu të flasë për borxhin e ulët dhe rritjen e pagave në sektorin publik, Berisha tashmë po bën kthesën kah shkurtimet buxhetore dhe zvogëlimi i shpenzimeve duke harruar fjalët e dikurshme për rritje pagash e pensionesh. Qeveria shqiptare është detyruar që t’i reduktojë shpenzimet e planifikuara buxhetore për sivjet për 20 miliardë lekë, ndërkohë që parasheh reduktim të mëtejmë të buxhetit për vitin 2012, i cili do të jetë më i vogël se buxheti i planifikuar për sivjet. Ky reduktim buxhetor ndodhi para përkeqësimit të gjendjes në Itali, ndërsa tashmë mund të rezultojë edhe më i madh, me pasoja të thella në rritjen ekonomike në Shqipëri. Në hall duket të jetë edhe sektori bankar i Shqipërisë, ku shkalla e kredive të këqija raportohet të ketë arritur në shkallën 18 për qind, me një vlerë prej 700 milionë dollarëve, siç raporton gazeta Shqip.

Tkurrjes së buxhetit dhe problemeve të mundshme në sektorin bankar i shtohen edhe  pasojat e politikave neoliberale të privatizimit të ndjekura me zell nga qeveria Berisha. Siç merret vesh, Korporata Energjetike Shqiptare (KESH) po humb mbi 20 milionë dollarë në muaj, pjesërisht nga detyrimi që Shpërndarjes, tashmë në pronë të firmës CEZ, t’ia shesë rrymën me çmim më të lirë se kostoja e prodhimit. Me një fjalë, në mënyrë që t’i garantojë profitet e CEZ-it dhe t’i shmanget ngritjes së çmimit të energjisë për konsumatorët (që pothuajse ka qenë rezultat i çdo privatizimi në sektorin e energjisë, kudo që është provuar), qeveria shqiptare po e çon drejt falimentimit ndërmarrjen publike KESH, duke subvencionuar profitet e CEZ-it. Ky është një sinjal i mirë për atë se çka e pret edhe Kosovën me planin e qeverisë Thaçi për privatizimin e Distribucionit të KEK-ut, dhe shprehje e modës së re të asaj që disa e mbiquajnë “socializëm kapitalist”, ku në emër të tregut të lirë dhe efiçiencës ndërtohen monopole private, proftet e së cilave subvencionohen me paratë e taksapaguesve.

Për fat të mirë marrëdhëniet ekonomike të Kosovës me Greqinë dhe Italinë nuk janë aq të thella, kështu që efektet e krizës së eurozonës në Kosovë do të jenë indirekte. Kosova, rrezikohet nga një dukuri tjetër, ajo e inflacionit, i cili vazhdon me rritje galopante në shkallën më të madhe në rajon, dhe në këtë situatë nuk do të ndikojë aq kriza e eurozonës se sa efekti i krizës së eurozonës në Serbi. Bilansin negativ tregtar që Serbia ka me BE-në (dhe veçanërisht me Gjermaninë) ajo e kompenzon pjesërisht me bilansin pozitiv që ka me CEFTA-n (përfshirë edhe Kosovën, që padyshim është tregu më profitabil i prodhuesve serbë). Në qoftë se trendi i rritjes së çmimit të naftës mund të merret si tregues, shtrejtimi i vazhdueshëm i importeve për Kosovën do të vazhdojë ta vështirësojë jetën e shumë kosovarëve, veçanërisht atyre të papunë dhe ata me paga të ulta.

Sido që të jetë, megjithëse përfshirja e Ballkanit nga kriza e eurozonës mund të përshkruhet me metaforën e një zjarri pyjor që në pikun e thatësisë verore djeg krejt malin, një përshkrim që i shkon më shumë përshtati kësaj kohe ndërrimi stinësh është se shqiptarët në Ballkan po i pret një dimër i ftohtë.

Kolumna javore, Koha Ditore, 20 nëntor 2011.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s