Home

Preokupimi me rangimet e ndryshme në listat e ndryshme të organizatave ndërkombëtare është një zakon i vjetër i politikës shqiptare. Kjo është veçanërisht e vërtetë me rangimet e Bankës Botërore, që për çdo vit nxjerr një rang-listë të shteteve me indikatorë që masin lehtësinë e “bërjes së biznesit”, ku përfshihen indikatorë si kohëzgjatja për regjistrimin e një biznesi të ri, marrja e liçencave dhe zgjidhja e kontesteve gjyqësore.

Paraqitja e rangimeve të vitit 2011 të Bankës Botërore sërish nxiten reagime. Në Kosovë, ministrja për Tregti dhe Industri Mimoza Kusari-Lila shprehet e brengosur për rangimin e Kosovës në raportin e fundit të Bankës Botërore të lëshuar sivjet, sepse nuk pati progres, duke premtuar angazhim dhe reforma. Në Shqipëri, kritikë të ndryshëm akuzuan kryeministrin Sali Berisha, i cili lavdërohet shpesh për progresin e Shqipërisë duke marrë për bazë lista dhe rangime të tilla nga organizata të ndryshme, se reformat e tij nuk po prodhojnë efekt, pasi që në rangimin e fundit Shqipëria ra nga vendi 77 në vendin 82 në rangimin e vitit 2011.

Në dukje të parë, duket se ekziston një marrëdhënie e fuqishme midis lehtësisë së bërjes së biznesit në një vend (matur me indikatorë si kohëzgjatja e procedurave për hapjen e një biznesi dhe zgjidhjes së kontesteve gjyqësore) dhe shpejtësisë së zhvillimit ekonomik të atij vendi. Me një fjalë, sa më lehtë është bësh biznes në një vend, aq më i shpejt zhvillimi ekonomik në atë vend. Ky është supozimi që bën Banka Botërore kur lëshon rezultatet e sondazhit të vet botëror mbi bërjen e biznesit, dhe i njëjti supozim që përdorët në ligjërimet e politikanëve kur flasin për sukseset e politikave të tyre në zhvillimin ekonomik, apo për reformat e duhura që do të rezultojnë në këtë të fundit. I njëjti rangim përdorët edhe në kritikat e opozitës dhe të shoqërisë civile në përgjithësi (siç bëri kolegu im Lumir Abdixhiku në faqet e kësaj gazete javën e kaluar), të cilat qortojnë ashpër qeverinë e Kosovës për lëshimet në reforma që kanë të bëjnë me bërjen e biznesit. Para disa vitesh, ambasadori amerikan në Kosovë, kampion i vetëshpallur i (neo)liberalizmit ekonomik, pati marrë shembullin e Gjeorgjisë, duke pohuar se reformat e këtij vendi në lehtësimin e bërjes së biznesit (duke shkurtuar drastikisht procedurat burokratike për regjistrimin e një biznesi) rezultuan në një rritje të madhe ekonomike për këtë vend. Krejt këto bëjnë që preokupimi me reformat procedurale dhe administrative të bëhen prioritet i politikave të zhvillimit, si dhe krejt aftësia e qeverive për të drejtuar vendin drejt një kahu zhvillimor të shprehet në rangimet sikur ato të Bankës Botërore.

Duke dyshuar shumë në supozimin se lehtësia e bërjes së biznesit është alfa dhe omega e zhvillimit ekonomik të një vendi, mora t’i analizojë rangimet e Bankës Botërore dhe raportin e tyre me rritjen ekonomike të vendeve që rangohen në listë. Mora rangimet e Bankës Botërore, të bëra në vitin 2004, për të analizuar efektet e dy indikatorëve, kohëzgjatjen e procedurave për regjistrimin e një biznesi të ri, dhe kohëzgjatja e kontesteve gjyqësore, në rritjen ekonomike të shteteve përkatëse në vitin 2007. Pse ky dallim në vite? Po supozojmë se hapja e bizneseve të reja nuk krijon efekte të menjëhershme në rritje ekonomike. Një biznes i ri do kohë për t’u rritur. Pastaj, një valë e hapjes së bizneseve të reja, të mundësuara nga procedurat e lehtësuara, gjithashtu kërkon kohë që të gjenerojë efekte në rritjen ekonomike. Nëse në shtetet me më pak procedura do të hapen më shumë biznese, efekti në rritjen ekonomike do të jetë më i madh. Dhe anasjelltas, në shtetet ku ka shumë pengesa burokratike në hapjen e bizneseve, rritja ekonomike do të jetë më e vogël. Ky është pak a shumë supozimi për marrëdhënien midis vlerësimeve të Bankës Botërore për bërjen e biznesit dhe rritjen ekonomike.

Arsyeja e dytë për përdorimin e të dhënave për rritjen ekonomike nga viti 2007 është se ky është një vit para krizës financiare të vitit 2008. Viti 2008 ishte vit i rëniës së rritjes vjetore të BPV-së në pothuajse tërë botën. Prandaj përdorimi i të dhënave të para-krizës mundëson që t’i shmangemi efektit të krizës në rritjen ekonomike të shteteve, pra do ta kemi një pasqyrë më të pastër mbi ndikimin e indikatorëve të matur nga Banka Botërore në rritje ekonomike.

Pas një analize të shpejtë statistikore që i kam bërë të dhënave, del se nuk ekziston asnjë marrëdhënie e qenësishme statistikore midis matësve të Bankës Botërore për lehtësinë e bërjes së biznesit dhe rritjes ekonomike të një vendi. Korrelacioni statisikor midis indikatorit për kohëzgjatjen e procedurave për regjistrimin e një biznesi (matur në ditë) dhe rritjen ekonomike (matur në rritjen vjetore të BPV-së) është më pak se 20 për qind. Fakti që do të duhej t’i linte gojëhapur zyrtarët e Bankës Botërore (dhe të tjerët që ndjekin diskursin e tyre) është se ky korrelacion është POZITIV – domethënë rritja ekonomike është MË E MADHE në ato shtete ku procedurat për regjistrimin e biznesit janë MË TË GJATA. Ndërkaq, korrelacioni statisikor midis indikatorit për ekzekutimin e kontratave (domethënë të procedurave gjyqësore) dhe rritjes ekonomike është pothuaja inekzistent! (Në terma më teknik, raporti statistikor i parashikuar në llogaritjen e regresionit, i shprehur në vlerën R2, është vetëm 0,05, një vlerë krejt e neglizhueshme!) Dhe, për të patur më të saktë krahasimin, nga lista e shteteve i kam hequr shtetet e zhvilluara dhe ato shumë të varfëra, duke i lënë vetëm ato me të ardhura të mesme të larta dhe me të ardhura të mesme të ulta – me një fjalë, grupet e shteteve që janë në zhvillim dhe ku hyjnë edhe Kosova dhe Shqipëria.

Me fjalë të tjera, rangimet e Bankës Botërore për lehtësinë e bërjes së biznesit nuk përbëjnë kurrfarë treguesish për suksesin e një shteti në rritje ekonomike. Të dhënat e provojnë këtë në formë të prerë. Kjo tregohet edhe nga disa nga rastet e veçanta. Është e vërtetë se ka raste ku shpejtësia e regjistrimit të një biznesi përkon me rritje të madhe ekonomike. Shembujt e tillë janë vendet si Tunizia (11 ditë kohë regjistrimi të biznesit në 2004, me rritje 6,3% në vitin 2007), Panama (18 ditë me rritje 12,1%) dhe Armenia (18 ditë me rritje 13,7%). Mirëpo, ka të tilla që kanë procedura të shkurtëra, por u kjo nuk ka rezultuar në rritje të madhe ekonomike. Rastet si Kiribati (21 ditë, me rritje vetëm 0,4%), Mikronezia (16 ditë me rritje negative -0,9%) apo Palau (24 ditë me rritje 2,1%). Është interesant të shikohet e kundërta: rastët ku regjistrimi i një biznesi merr shumë kohë, por ku rritja ekonomike vazhdon me hapa të mëdhej. Shembujt e tillë janë Brazili (152 ditë, 6,1% rritje), Lao (153 ditë, 7,4% rritje), Venezuela (141 ditë, 8,2% rritje), Peru (98 ditë, 8,9% rritje), India (një shtet i njohur në botë për burokracinë e saj të tmerrshme, ku regjistrimi zgjat 89 ditë, 9,8% rritje). Thjesht, teza se koha e regjistrimit të një biznesi është diçka tepër e rëndësishme për rritje ekonomike nuk qëndron. Të dhënat janë të ngjashme me procedurat e ekzekutimit të kontratave përmes kontesteve gjyqësore, ku kohëzgjatja e këtyre procedurave nuk gjeneron kurrfarë efekti të ndjeshëm në rritje ekonomike (shiko më poshtë për të dhënat dhe rezultatet e testit statisikor).

Me këtë nuk dua të them se lehtësimi i procedurave burokratike është diçka e panevojshme ose e parëndëshme. Mirëpo, preokupimi i debatit për zhvillimin ekonomik në faktorë si këta ngrit dy çështje. E para ka të bëjë me supozimin që fokusi në bërjen e biznesit ka të bëjë me rolin e shtetit në ekonomi. Ky supozim është tipik neoliberal – se roli i shtetit është vetëm që të krijojë kornizat për biznesin, por jo të zbatojë ndonjë politikë më përmbajtësore zhvillimore, siç është p.sh. mbështetja e zhvillimit vendor industrial, mbrojtja e tregjeve apo sigurimi i punëtorëve. E dyta, përqëndrimi në një çështje si kjo bën që shtete me kapacitete edhe ashtu të vogla (si puna e Kosovës dhe e Shqipërisë) t’i shpenzojnë ato në reforma joqenësore dhe në fund edhe jo aq të rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Aq më tepër që presioni për t’i lehtësuar procedurat e biznesit, nuk çon në reforma më të gjithanshme administrative, por në krijimin e njësive të veçanta për procesimin e regjistrimit të biznesit, që veprojnë në baza të tjera nga administrata në përgjithësi. P.sh., një shtet mund të lehtësojë marrjen e liçencave të punës, por çfarë rëndësie ka kjo kur nxjerrja e një dokumenti personal ose e një pasaporte zgjat me muaj? Funksionaliteti administrativ duhet të përmirësohet në përgjithësi, dhe jo vetëm të privilegjohen sektorët që kanë të bëjnë me biznesin, dhe që në të vërtetë kanë më shumë në shenjëstër joshjen e korporatave multinacionale se sa gjenerimin e biznesit të vogël të brendshëm.

Vendet si Shqipëria dhe Kosova duhet të shpenzojnë energjitë e tyre në çështje më qenësore dhe më të rëndësishme në zhvillimin ekonomik dhe atë shoqëror në përgjithësi. Ja një indikator shumë më i mirë i zhvillimit ekonomike: arsimi. Rangimi i OECD-së nxjerr nxënësit shqiptarë si disa nga më të dobëtit në rajon dhe në botë, veçanërisht në fushat kyçe të matematikës dhe të shkencës. Ndonëse në këtë raport nuk janë përfshirë nxënësit nga Kosova, nëse u besohet përshtypjeve sipërfaqësore se cilësia e sistemit arsimor në Shqipëri është megjithatë më e lartë se në Kosovë, atëherë nëse Shqipëria është keq në arsim, përgatitja e nxënësve në Kosovë është përtej të llahtarshmës.

Ka studime shumë më solide që tregojnë se investimi në arsim është shumë më i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të një vendi. Fatkeqsisht, është pikërisht ky investim që është vënë në fund të listës së prioriteteve, përderisa politika jonë preokupohet me indikatorë që në fund të fundit nuk janë ato që krijojnë rezultate. Në Kosovë, reforma në arsim është reduktuar në ndërtim shkollash. Nuk ka as koncept që e sheh arsimin si pjesë të zhvillimit ekonomik e social, lëre më ndonjë politikë të qartë në këtë drejtim. Rezultatet e studentëve në provimet e maturës janë katastrofike, që nuk habit kur në universitet hasë studentë që kanë problem me gjërat elementare si shkrim-leximi. Arsimtarët dhe stafi arsimor janë të rëndësishëm për qeverinë aktuale vetëm atëherë kur i duhen votat e tyre. Elita aktuale politike ka fare pak interes në sistemin arsimor, kur arsimimin dhe të ardhmen e fëmijëve të vet ia beson shkollave private. Janë masat popullore ato që vuajnë dhe fëmijet e së cilës e paguajnë çmimin e rëndë të një sistemi të dështuar shkollor, jo vetëm tani, por gjatë tërë jetës së tyre. Problemi i arsimit është problem shumë më i rëndësishëm që ka të bëjë me zhvillimin e që duhet të bëhet, shumë më tepër se sa rangimet e parëndësishme të Bankës Botërore.

Kolumna javore, Koha Ditore, 6 nëntor 2011

Të dhënat e përdorura për analizë. 

Rezultatet e testit statistikor (output i SPSS). 

Shënim: Ky është një test shumë i thjeshtë statisikor dhe nuk duhet të merret si fjala e fundit rreth rëndësisë së faktorëve të Bankës Botërore në zhvillim ekonomik. Kjo vlen veçanërisht për testin e regresionit, meqë shumë rrallë mund të gjejmë test sinjifikativ me kaq pak faktorë. Mirëpo, rezultati që vlen të theksohet është ai i korrelacionit midis kohëzgjatjes së regjistrimit të bizneseve dhe rritjes ekonomike. Sipas asaj është e qartë që nuk ekziston një marrëdhënie e drejtë midis uljes së kohës së regjistrimit të bizneseve dhe rritjes ekonomike të një vendi.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s