Home

Shikuar nga planeti Ballkan, BE-ja është më stabile, më e madhërishme dhe më e fuqishme se kurrë. Pritja me padurim e Raporteve të Progresit të Komisionit Evropian nga shtetet që synojnë anëtarësimin në BE, për të shikuar se a po u jepet “bekimi” për të nisur procesin e anëtarësimit në këtë kolektiv (i cili, në fakt, iu aprovua Serbisë), jep shenjë për qëndrimin pothuajse të pandryshuar entuziast ndaj BE-së nga elitat politike të Ballkanit, përfshirë asaj në Kosovë, që prej një dekade e më shumë. Ndërkaq, kur shikon nga brenda, e sheh se BE-ja është buzë shpërthimit, si në pikëpamje ekonomike ashtu dhe politike. Nga ana ekonomike, kriza e borxheve sovrane po lë pa gjumë liderët evropianë, padyshim edhe drejtuesit e bankave më të mëdha evropiane, ndërsa ka zhytur jugun e Evropës në revolta sociale dhe veriun në kriza politike. Është një realitet i çuditshëm që, në momentin që gjithë evropianët kanë dyshime të thella në projektin evropian (që dëshmojnë sondazh pas sondazhi), besimi ndaj projektit në Ballkan ndër ballkansit (dhe veçanërisht shqiptarëve) është në kulm.

Kriza më imediate e BE-së sigurisht se nuk është vetë BE-ja por Eurozona, sado që çdo çarje brenda Eurozonës lëkund shtyllën themelore të unitetit evropian. Samiti i presidentit francez Nicholas Sarkozy dhe i kancelares gjermane Angela Merkel, pas negociatave të tensionuara dhe agonizuese, përfunduan në një marrëveshje – të tretin të radhës gjatë këtij viti – që synon të adresojë krizën e borxheve sovrane. Ky problem po ndjek si një hije e zezë politikën dhe ekonominë evropiane dhe rreziku nga orteku i kolapseve financiare anëmbanë Evropës dhe globit, dukej se mund të shtyhej muaj pas muaji, por kohëve të fundit gjithnjë e më shumë dukej buzë shpërthimit nga java në javë dhe dita në ditë, aq më tepër kur zjarri që po digjte Greqinë rrezikonte të kalonte edhe në Itali. Presioni për të vepruar ka qenë i jashtëzakonshëm, që duket se ktheu momentin drejt arritjes së një marrëveshjeje – që disa kritikë po e quajnë të paplotë – për t’u ballafaquar me problemin e krizës greke dhe mundësisë së përshkallëzimit të saj.

Sipas kësaj zgjidhjeje, liderët evropianë u dakorduan që të ngrisin kapacitetin e Mjetit  për Stabilitet Financiar Evropian (EFSF) nga 400 miliardë në një bilion euro, të përgjysmojnë borxhin e Greqisë përmes presionit që një pjese të humbjes ta përballojë sektori bankar, si dhe të hartojnë një plan për rikapitalizimin e bankave evropiane që janë në rrezik. Kjo masë duket se nxiti optimizmin tek tregjet e kapitalit në Evropë dhe SHBA, që reaguan pozitivisht ndaj lajmit për marrëveshjen e re Merkel-Sarkozy, e që u përshëndet edhe nga presidenti amerikan Barack Obama. Një rezultat pozitiv i dalur nga procesi është fakti që shtetet më të fuqishme të Eurozonës më në fund u pajtuan me faktin se shkalla e rritjes së borxheve e shtetit grek është aq e lartë sa që është e pamundur që ai borxh të shlyhet. Në fakt, sipas disa parashikimeve, pavarësisht ndihmës nga BE-ja dhe shkurtimeve masive të shpenzimeve të brendshme, borxhi grek do të arrinte në mbi 200 për qind të BPV-së së vendit brenda tre vitesh. Sipas marrëveshjes aktuale, borxhi i Greqisë do të përgjysmohet, kjo me participimin e “vullnetshëm” të bankave nga të cilat kërkohet absorbimi i një pjese të humbjeve dhe të cilat në realitet aktualisht kërkojnë nga Greqia pagesa në shuma të pamundura për t’u përballuar nga ky vend. Në fakt, frika e bankave ka qenë gjithmonë mundësia e humbjes së likuiditetit të shtetit grek (me një fjalë, pamundësisë për të paguar), pasi që në kushtet aktuale përfitimi i tyre nga borxhi grek është enorm. Siç thotë një shprehje, bankat janë sikur ai personi që ta huazon çadrën kur është koha me diell, por që e kërkon që t’ia kthesh kur bie shi. Ky është pak a shumë raporti i Greqisë me investitorët që mbajnë bonot e saj.

Duhet theksuar se pyetja në tërë këtë lojë nervash nuk është niveli i borxheve të shteteve të veçanta, por tek “besimi” i tregjeve financiare ku blihen dhe shkëmbehen bonot, dhe që rrjedhimisht kanë mundësinë të përcaktojnë normat e interesit të kërkuara për bonot e shteteve të veçanta, të përcaktuara në bazë të rejtingut kreditor të secilit shtet. Për këtë ekziston një fakt shumë domethënës. Ndonëse shpesh përmendet fakti se borxhi aktual i Greqisë është mbi 180 për qind të BPV-së, të dhënat e përpiluara nga rrjeti CNBC tregojnë se në fakt, shkalla e borxheve e shteteve veriore evropiane është shumë herë më e lartë se ajo e Greqisë. Listën e borxhlinjëve më të mëdhej – gjithmonë në raport me BPV-në e tyre – e kryesojnë vendet si Britania e Madhe dhe Zvicra (mbi 400 për qind të BPV-së), Holanda (mbi 370 për qind), Belgjika (335 për qind), Danimarka (310 për qind), Suedia (280 për qind), Finlanda (270 për qind), Austria (260 për qind), Norvegjia dhe Franca (250 për qind). Madje edhe borxhi aktual i Gjermanisë, rreth 185 për qind të BPV-së së saj, është po aq sa ai i Greqisë dhe ai i Spanjës, dhe më i lartë se borxhi i Italisë, që shpesh përmendet si rrezik (që është rreth 146 për qind të BPV-së italiane). Këtu dhe qëndron hipokrizia e shteteve veriore evropiane, që tash e sa muaj i mbajnë leksione shteteve të jugut se qenkan të papërgjegjshme me financat dhe shpenzimet publike. Në një rast, në kohën kur Greqisë po i bëheshin presione të mëdha për shkurtime të rënda buxheti, ministrja austriake e Financave e arsyetonte këtë duke folur në terma pothuajse raciste për “dorëshlirësinë” e grekëve, karshi prudencës, disiplinës dhe kujdesit financiar të shteteve të veriut, duke u thirrur në stereotipet e vjetra për evropianët veriorë si të disiplinuar, kursimtarë dhe racionalë me paratë e veta dhe ata të jugut si shpenzues të verbër që nuk mendojnë për të nesërmen. Ndërkaq, këto të dhëna dëshmojnë se trendi i rritjes së borxheve të shteteve evropiane nuk kishte asgjë të bënte me stereotipet e tilla kulturore, por se ishte një trend mbarë-evropian (dhe pjesë, padyshim, e trendit të financiarizimit neoliberal të ekonomive evropiane që është në themel të krizës aktuale), e aspak pjesë e dorëshlirësisë dhe irracionalitetit të evropianëve jugorë (dhe sidomos të grekëve ballkanas), kur shihet fare qartë se borxhet e shteteve të veriut të Evropës janë nga dy e trefish më të mëdha se sa ai i Greqisë, kur ato borxhe vlerësohen në përpjestim me vëllimin e ekonomisë së vendit përkatës.

Pse atëherë po dënohet Greqia? Meqenëse normat e paguara nga shtetet evropiane për borxhet e tyre nuk përcaktohen nga vetë ato, por nga tregjet financiare (dhe në radhe të parë sipas rejtingut kreditor të vlerësuar nga agjensionet si Standard and Poor’s dhe Moody’s), shtetet ngelin përfundimisht nën mëshirën e tyre. P.sh., një “bund” 10-vjeçar (bono e thesarit gjerman) aktualisht shitet në normën 2,17 për qind, që do të thotë se shteti gjerman blen kredi nga tregjet financiare me një normë jashtëzakonisht të ulët. Ndërkaq, një bono greke 10-vjeçare aktualisht shitet në normën 21,5 për qind, që domethënë se për të huazuar 100 euro, Gjermanisë i kushton 2 euro kurse Greqisë 21 euro. Masat e fundit të ndërmarra në samitin Merkel-Sarkozy nuk kanë të bëjnë me adresimin e borxheve evropiane në përgjithësi, por me krijimin e instrumenteve financiare evropiane që zbusin frikën e tregjeve financiare për rrezikun që paraqesin shtetet si Greqia dhe Italia, duke i siguruar tregjet se në rast të çdo dështimi financiar dhe devalvimi të mëtejmë të bonove, EFSF do të shërbejë si një lloj superthesari evropian që garanton thesaret e shteteve të veçanta.

Pyetja është nëse tregjet do të binden nga këto masa. Ngritja e kapacitetit të EFSF-së tashmë nuk ka të bëjë me Greqinë aq sa me Italinë dhe për financimin e saj BE-ja do të kërkojë mbështetje edhe nga Kina dhe shtetet tjera në zhvillim, që aktualisht gëzojnë rezerva të mëdha dollarësh. Mirëpo, pas një entuziazmi të shkurtër, se Italia vazhdon të paraqesë rrezik u tregua edhe në ankandin e së premtës së bonove italiane, në të cilën norma e bonove italiane u rrit në 4,93 për qind – shkalla më e lartë në dhjetë vitet e fundit. Kjo domethënë se rreziku i përhapjes së zjarrit nga kriza e borxheve sovrane nuk është zhdukur as pas masave të fundit, dhe se gjërat në BE nuk do të vazhdojnë të jenë të qeta për një kohë të shumë të gjatë.

Kolumna javore, Koha Ditore, 30 tetor 2011.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s