Home

Komedia e pështirë e radhës e servirur nga Qeveria e Kosovës është numrimi i “sukseseve” që kjo Qeveri i paskësh realizuar në planin e zhvillimit ekonomik. Në kohën kur ekonomia kosovare po shkon drejt një përkeqësimi në shkallë dhe thellësi që nuk është parë që nga fundi i luftës më 1999 – mjafton të shikohet vetëm shkalla e inflacionit – kjo Qeveri haptazi mbulon dhe shtrembëron faktet që tregojnë se gjendja ekonomike, duke përfshirë edhe perspektivën financiare të shtetit, nuk është aspak pozitive. Kjo e fundit është edhe më alarmante sepse rrezikon që gjendjen ekonomike ta çojë drejt një përkeqësimi të thellë gjatë viteve të ardhshme, duke marrë parasysh edhe trendet negative në ekonominë botërore që nuk duken se do të kalojnë shpejt.

Megjithëse papunësia e madhe dhe varfëria kanë karakterizuar shoqërinë kosovare me dekada, manipulimi i papërgjegjshëm i buxhetit të shtetit për interesa të ngushta dhe afatshkurtëra politike të klikës në pushtet po e cënon edhe atë arritje pozitive që, tek e fundit, ka qenë një nga argumentet bazë për arsyet pse Kosova meriton të jetë vend i pavarur dhe sovran. Kjo është qëndrueshmëria fiskale e shtetit, e cila gjithnjë e më shumë po vihet në pikëpyetje tani që duket se deri në fund të vitit, me dështimin e shitjes së TK-së, qeveria duhet ta shfrytëzojë edhe rezervën modeste buxhetore të Kosovës për ta mbuluar deficin e shkaktuar nga kontrata me Bechtel-Enkan për ndërtimin e autostradës. Në vitin 2012, jo 300 milionë euro, por edhe 50 milionë euro do t’i pranojë kjo qeveri për shitjen e TK-së vetëm që t’i financojë avanturat e veta dhe të mos e çojë buxhetin e shtetit drejt mungesës së likuiditetit (pamundësisë për të paguar).

Natyrisht, qeverisja buxhetore në Kosovë është nën mbikëqyrje të rreptë të FMN-së, prandaj edhe mundësitë për avantura të mëtejme, sikur ajo e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup (që, në fakt, nga një pikëpamje e thjeshtë ekonomike dhe financiare, do të duhej të kishte qenë prioritet, duke marrë parasysh se vendkalimi kufitar në Han të Elezit është porta kryesore e hyjrës dhe daljes së mallrave nga Kosova, dhe fakti se ajo do të kushtonte përgjysëm më pak se ajo Vërmnicë-Merdar). Një shtet normal, deficitet e veta mund t’i mbulojë edhe me kredi, që i siguron përmes shitjes së bonove. Mirëpo, sistemi financiar dhe fiskal i Kosovës është i nivelit rudimentar, kurse shitja e bonove nuk planifikohet të ndodh para vitit 2012. Prandaj është shumë qesharake kur ministri i Financave, Bedri Hamza, siç ka bërë në më shumë se një rast, lavdërohet se shkalla e deficitit është nën tre për qind të BPV-së, që sipas tij është brenda një niveli të pranueshëm. Realiteti është se Kosova nuk mund të tolerojë as 0,5 për qind deficit sepse nuk ka kapacitete për financimin e deficitit me tërheqje të fondeve shtesë në mënyrë të pavarur (siç është shitja e bonove). E vetmja mundësi financimi shtesë për Kosovën në këtë moment është FMN-ja, e cila tashmë është treguar e padisponuar që t’i ndajë kredi kësaj qeverie.

Kjo do të thotë se edhe mundësitë e qeverisë për manovrime fiskale janë të kufizuara, rrjedhimisht edhe varshmëria ndaj diktateve të FMN-së shumë më e lartë. Penalizimi i Kosovës me humbjen e kredisë njëqind milionëshe “stand-by” nga FMN-ja në fillim të këtij viti, si pasojë e ngirtjes arbitrare të shpenzimeve, ishte një shuplakë fytyrës për qeverinë e Hashim Thaçit që buxhetin e shtetit e shndërroi në instrument të PDK-së për fitim votash. Qeverisë së “integrimeve euroatlantike” nuk i konvenon një dënim i dytë i radhës nga FMN-ja, me pezullimin e kredive edhe për vitin 2012, prandaj ajo do të bëjë çmos që t’i përmbahet parametrave buxhetorë të përcaktuar nga FMN-ja. Mirëpo, paaftësia e kësaj qeverie që t’i realizojë ato që ministri për Zhvillim Ekonomik Besim Beqaj i quan “reforma strukturore” (lexo: tëhuajësim i aseteve strategjike, shoqëruar padyshim edhe me përfitime “nën tavolinë” të klikës në pushtet nga transaksionet qindra milionëshe) përmes ngritjes së fondeve nga privatizimi i TK-së dhe i aseteve tjera, të kërkuara edhe nga FMN-ja, kësaj qeverie mund t’i kushtojë me kërkesa të reja nga FMN-ja për shkurtime më të ashpra buxhetore në vitin 2012 dhe në vitet në vijim.

Kjo do të thotë se gjendja fiskale e vendit do të përkeqësohet, veçanërisht nëse për mbulimin e shpenzimeve buxhetore, sidomos ato të autostradës, ministrit të Financave do të duhet shumë shpejt t’i shfrytëzojë fondet e rezervës. Me zhdukjen e rezervës rrezikohet jo vetëm qëndrueshmëria fiskale e shtetit, por edhe nxjerrja eventuale e bonove do të jetë pa efekt, pasi që asnjë investitor nuk do të blejë bono të një shteti buzë falimentimit, apo do t’i blejë ato me kamata drakonike, të tilla çfarë i paguan aktualisht Greqia huadhënësve të saj, që shkojnë në normën 30 për qind e më lartë. Vendosja e qeverisjes buxhetore nën menaxhim emergjent të FMN-së, që është rruga drejt së cilës po e çon Kosovën kjo qeveri, do të jetë katastrofike në një ekonomi edhe ashtu të brishtë, dhe një popullatë që për çdo muaj humb vlerën e të ardhurave të veta nga inflacioni. Meqë një pjesë e madhe e inflacionit në Kosovë importohet nga jashtë, parashikimet për shtrejtimet e mëtutjeshme të naftës dhe komoditeve bazë ushqimore në ekonominë botërore, bashkë me krizën ekonomike që do të pasojë pashmangshëm nëse FMN-ja imponon shkurtime më të thella buxhetore (duke marrë parasysh se shpenzimet qeveritare aktualisht janë motori kryesor i rritjes ekonomike në vend), do ta çojë popullatën e Kosovës drejt një krize ekonomike të paparë gjatë dekadës së fundit.

Ky është një skenar i errët, por më indikativ se treguesit ekonomikë dhe financiarë për rrezikun në të cilin gjendet vendi është qëndrimi i kësaj qeverie, e cila me një pafytyrësi të paparë flet për sukseset e veta, siç bëri javën që shkoi, duke pretenduar që i po i realizon programet e strategjisë së saj të zhvillimit ekonomik, duke kallzuar përalla për rritje ekonomike prej 7-8 për qind dhe për planet për zvogëlimin e papunësisë në 10 për qind për vetëm pak vite! Dhe për t’i shitur këto deklarata që nuk janë asgjë më shumë se sa manipulime të pastra me opinionin publik, zëvendës-kryeministrja Mimoza Kusari-Lila thotë që është akoma herët, sepse rezultatet duhet t’i presim tek vitin tjetër!

Nuk duhet të kesh ndonjë ekspertizë të thellë në ekonomi për ta kuptuar se në kushtet aktuale, qëndrimet e tilla, që e injorojnë komplet perspektivën ekonomike dhe fiskale të vendit, që janë komplet të shkëputua nga realiteti agonizues i ekonomisë botërore dhe sidomos i asaj evropiane, janë jo vetëm të papërgjegjshme, por tregojnë edhe për një pafytyrësi të një kabineti qeveritar dhe për ministra që kanë më shumë hallin te ruajtja e vendit të tyre të punës se sa te mirëqenia e vendit.

Por, duhet të mendojmë në mos edhe kjo politikë ekonomike e qeverisë së Hashim Thaçit është pjesë e strategjisë së saj për zgjidhjen e problemit të barrikadave në veri. Sepse, duke marrë parasysh kahjen që ka marrë ekonomia e vendit, barrikadat e masave të indinjuara dhe të revoltuara nuk do t’i shohim më në veri por të rreshtuara para ndërtesave qeveritare në Prishtinë.

Kolumna javore, Koha Ditore, 23 tetor 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s