Home

Njeriu i mendimeve të thella.

Dy ngjarje shënuan javën politike në Kosovë: lansimi i Raportit të Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian dhe dështimi i sërishëm i privatizimit të PTK-së. Ngjarjet janë vetëm incidentalisht të lidhura, mirëpo që të dyjat janë indikacion për një problem fundamental në karakterin e qeverisjes në Kosovë. Dimë fare mirë për skandalet dhe për nivelin e thellë të korrupsionit moral, politik e financiar që ka gllabëruar pjesën më të madhe të strukturave shtetërore dhe të institucioneve publike në Kosovë, diçka që konfirmohet edhe në Raportin e Progresit. Mirëpo, dështimet e kësaj qeverisjeje nuk janë vetëm në nivel të korrupsionit të gjithanshëm. Ato janë gjithnjë e më evidente edhe në nivel të politikave publike, veçanërisht ato zhvillimore. Ministrat e qeverisë Thaçi 2 përditë paraqiten në media duke proklamuar suksese dhe rezultate, sado që sipas shumicës së indikatorëve objektivë vendi vazhdon të marrë teposhtëzen.

Në fakt, siç na tregoi Raporti i Progresit, gjërat nuk po ecin përpara, por po ecin mbrapa. Veçanërisht në fushën e gjendjes ekonomike në vend, ka jo përmirësim, por përkeqësim të gjendjes në krahasim me atë të viteve të kaluara.

Në të njëjtin moment që mediat dhe publiku kosovar kapërdinë mesazhin e idhët që erdh nga Brukseli, një nga ofertuesit e tenderit për privatizimin e Telekomit të Kosovës (TK), Hrvatski Telekom (pronë e Deutsche Telecom), tërhiqet nga gara nën pretekstin e korrupsionit brenda menaxhmentit aktual të PTK-së. Në mungesë të ofertuesve të mjaftueshëm, duket se privatizimi i TK-së do të dështojë edhe sivjet.

Dështimi për herë të dytë i një politike që qeveria Thaçi 2 synon ta sendërtojë me çdo kusht, tregon se jo vetëm korrupsioni, dyshimet për afera kriminale dhe problemet tjera që kanë karakterizuar qeverisjet (të kaluarën dhe aktualën) nga Hashim Thaçi, por se më fundamentalisht, kjo qeverisje po dështon edhe në objektivat e veta politike.

Ka shumë raste kur qeveri të korruptuara, madje shumë më autoritare dhe anti-demokratike se ajo që ekziston në Kosovë, megjithatë kanë arritur rezultate në pikëpamje të zhvillimit ekonomik apo përmirësimit të standardit të jetës së qytetarëve të saj. Kina, me regjimin e saj represiv njëpartiak, megjithatë arrin të krijojë rritje ekonomike marramendëse. Regjimi autoritar i gjeneral Parkut në Korenë Jugore gjatë viteve 1960 arriti ta industrializojë Korenë dhe të ndërtojë bazën e zhvillimit që ky vend gëzon sot. Edhe Egjipti në vitet e fundit të sundimit të Hosni Mubarakut apo të Tunizisë nën Ben Alinë, të cilat përkundër korrupsionit dhe sistemeve represive politike, shënuan rezultate jo edhe krejt dëshpruese në rrafshin e rritjes ekonomike. Realiteti është se në Kosovë, hapësira për një kompromis me një qeverisje të keqe dhe të korruptuar, në shkëmbim të rritjes ekonomike dhe ngritjes së mirëqenies, shpejt po shkon drejt ngushtimit. Qeveria Thaçi 2, përderisa nuk është në gjendje ta adresojë korrupsionin, gjithashtu po dështon në nxjerrjen e qoftë edhe të një rezultati pozitiv në rrafshin e politikave ekonomike.

Struktura aktuale politike gjithmonë ka pasë mekanizma të tjerë për ruajtjen e pushtetin, që i nxjerr në përdorim atëherë kur rezultatet konkrete mungojnë. Politika e metodave klienteliste, fokusi në krijimin e imazheve të fuqisë dhe autoritetit dhe e shfrytëzimit të cikleve mediale për të plasuar në vazhdimësi sllogane boshe për “integrime euroatlantike” në kohën kur anëtarësimi në BE duket të jetë më larg se kurrë më parë, dhe përdorimi i shantazheve dhe kërcënimeve joformale nga ana tjetër, janë simptomë e një problemi më fundamental që ka Hashim Thaçi dhe qeveria e tij. Ajo di t’i menaxhojë situatat politike, di t’i përshtatet momenteve politike që imponohen nga fuqitë e jashtme (siç ishte presioni për t’i hyrë bisedimeve me Serbinë), por nuk di të qeveris. Ka dallim thelbësor midis aftësisë së një kryeministri dhe të një qeverie që t’i mbijetojë situatave të momentit, dhe aftësisë së një qeverie që të sjell rezultate konkrete për qytetarët e vendit. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rrafshin e politikës ekonomike. Korrupsioni qeveritar për qytetarin e rëndomtë mbetet një abstraksion që nuk e godet atë drejtpërdrejtë, pasi që efektet e korrupsionit në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie janë indirekte. Mirëpo qytetarëve nuk mund t’i shitet mjegulla dhe iluzionet në kohën që ata ballafaqohen me vështirësi reale dhe të përditshme në sigurimin e mbijetesës, dhe kur përkeqësimi i gjendjes ekonomike godet drejtpërdrejtë xhepin dhe standardin e jetesës së tyre.

Problemi i politikave pa rezultate të qeverisë Thaçi 2 janë pasojë e faktit se këto politika janë politika jofleksibile dhe është vetëm inercioni që i mban ato në themel të politikave të ashtuquajtura zhvillimore të kësaj qeverie. Privatizimi i PTK-së, autostrada Vërmnicë-Merdar, privatizimi i KEK-ut dhe projekte të tjera të gjitha filluan si nisma nën qeverinë Thaçi 1 – kuptohen, me asistencën e “miqëve” konsulentë, këshilltarë dhe “ekspertë” të angazhuar nga USAID, Banka Botërore dhe institucioneve tjera që punuan dhe hartuan programet në mbrapavijë, programe që Hashim Thaçi dhe qeveria e tij, si ajo e kaluara ashtu dhe kjo e tanishmja, i përvetësuan si projekte të veta politike.

Këto politika u treguan dhe po tregohen katastrofike. Autostrada, në kombinim me papërgjegjësinë fiskale të kryeministrit, çoi në rritjen e deficitit buxhetor, dhe rrezikun e tretjes së rezervave shtetërore, gjë që duket gjithnjë e më e mundshme tani pas dështimit të shitjes së PTK-së, duke e çuar Kosovën pashmangshëm drejt një krize fiskale gjatë vitit 2012. Privatizimi i PTK-së po dështon jo vetëm për shkak të korrupsionit dhe nepotizmit që qeverisja e Hashim Thaçit ka instaluar në këtë institucion, por për faktin se ky privatizim po ndodh në kushtet e një krize të thellë ekonomike në Evropë, në momentin që mbarë kontinenti rrezikohet nga një valë e dytë e kolapseve bankare si pasojë e krizës së borxheve sovrane. Në një situatë të tillë, bankat kanë rrudhur kredidhënien ndërsa firmat kanë një qëndrim shumë më konservator karshi investimeve. Në një kontekst të tillë, privatizimi, sidomos i një ndërmarrje të zaptuar fund e krye nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi, natyrshëm se do të dështojë.

Këtij dështimi i shtohen problemet tjera. Inflacioni i përmasave katastrofike – diçka që fare pak po diskutohet në debatet mediale për ekonominë – po han edhe atë pak fuqi blerëse të familjeve kosovare, duke ua bërë më të shtrejtë jetën dhe duke ia zbehur perspektivën sidomos të rinjëve, që nuk u mbetet rrugë tjetër pos emigrimit nga Kosova. Bizneset e vogla familjare po shkojnë drejt shkatërrimit, si pasojë e kamatave të larta që bëjnë të pamundur investimet dhe e konkurrencës nga monopolet e mëdha tregtare, që mbajnë lidhje të ngushta me partitë politike, e që gradualisht po zaptojnë tregtinë në Kosovë, veçanërisht përmes vërshimit të tregut me mallra serbe. Papunësia është në rritje, jo në ulje, ndërkohë që mijëra të rinjë çdo vit i shtohen një tregu të punës që nuk ka çka të ofrojë për ta – as bile të një page për jetesë, lerë më një karrierë dhe një të ardhme. Rritja ekonomike për sivjet, sado që të jetë shifra e saktë në fund, do të jetë krejtësisht artificiale, pasi që në realitet, varfërimi i gjithmbarshëm i qytetarëve nga inflacioni do të hajë çfarëdo shifre nominale të rritjes ekonomike që pretendohet. Akti i dytë në rrafshin e politikave ekonomike që po përgatitet nga qeveria Thaçi, privatizimi i KEK-ut, është skandal në vete i cili tek sa do të fillojë të na shpaloset nëpër ballinat e gazetave.

Problemi i Kosovës nuk është vetëm se ajo ka krizë ekonomike, problemi më i madh është se ajo ka krizë të qeverisjes ekonomike. Kjo qeveri duhet ta kuptojë se qytetarët shumë shpejt ngopen me spektakle, sllogane dhe iluzione joreale që refuzojnë të ballafaqohen me realitetin. Inercioni dhe mbështetja në strategji dhe programe të dështuara nuk do të funksionojnë më si zgjidhje.

Kolumna javore, Koha Ditore, 16 tetor 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s