Home

Një nga raportet më pak të popullarizuara në mediat kosovare është ai i lëshuar çdo tre muaj nga Enti i Statistikës së Kosovës për çmimet e importeve. Një e dhënë që mund të duket paksa ekzotike për një qytetar mesatar, por për një ekonomi si ajo e Kosovës, e varur gati tërësisht nga importet, ky indikator përbën një nga pasqyrat më të mira për matjen e standardit të jetesës në Kosovë, duke reflektuar gjithashtu efektin e trendeve në ekonomitë regjionale si dhe asaj globale në vend. Gjatë javës së kaluar, ESK-ja publikoi raportin e çmimeve të importeve për tremujorin e dytë të vitit 2011, i cili vërteton trendin e vazhdueshëm të ngritjes së çmimeve të importeve, me efekt të drejtpërdrejtë në inflacionin në Kosovë dhe rrjedhimisht, në shtrejtimin e jetës dhe në aftësitë blerëse të familjeve kosovare. Megjithë rëniës së lehtë në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti, çmimet e importeve vazhdojnë të jenë në nivel rekord që nga fillimi i matjes së këtij parametri ekonomik nga ESK-ja, në vitin 2006. Në fakt, pas një periudhe stabilizimi të çmimeve gjatë vitit 2009, një vit pas krizës globale financiare (gjatë së cilës ndodhi një ngritje drastike e çmimeve), gjatë vitit 2010 dhe në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtij viti, indeksi i çmimeve të importeve ka shënuar ngritje duke tejkaluar edhe ato të periudhës së menjëhershme të krizës.

Por, në fakt, kriza ekonomike botërore vazhdon dhe kjo reflekton drejtpërdrejtë në çmimet që kosovarët paguajnë për të importuar që nga frigoriferët dhe televizorët deri te mishin dhe grurin që e konsumojnë përditë. Që nga viti 2006, çmimet e importeve janë ngritur në masën mbi 15%. Kjo domethënë se mesatarisht 15% më shumë paguajnë importuesit kosovarë për gjërat që blejnë – përfshirë edhe prodhuesit që importojnë lëndë të para. E njëjta pastaj reflekton në inflacion: mbi 20% është inflacioni i çmimeve që nga viti 2007, ndërsa çmimet sot janë 5,3% më të larta në krahasim me vitin e kaluar. Viti 2011 po tregohet i tmerrshëm për nga inflacioni. Mesatarja e inflacionit për sivjet është afër 9%, që është një nga shkallët më të larta – në mos më e larta – në rajon dhe në Evropë. Kjo domethënë pak a shumë se çfarëdo rritje ekonomike që regjistrohet për sivjet do të jetë krejt nominale, pasi që rritje reale nuk mund të ketë në kushte të inflacionit të lartë.

Rritjet e pagave të sektorit publik, të proklamuara me aq pompozitet gjatë zgjedhjeve të kaluara dhe nga kryeministri, nuk ishin ngritje efektive, meqenëse çdo ngritje e pagave realisht është hangër dhe po hahet nga inflacioni. Programi i famshëm i qeverisë për zhvillim ekonomik po dëshmohet i suksesshëm – jo në rritje ekonomike dhe punësim, por në shtrejtim, ulje të standardit të jetesës dhe nivel të përkeqësuar të papunësisë.

Efektivisht, Kosova është në trend varfërimi, pasi që edhe rritja ekonomike që realizohet çdo vit nuk mjafton për të përballuar efektet e inflacionit. Trendi i varfërimit (në terma relativ) nuk prek vetëm ata që tashmë gjenden në varfëri ekstreme, por nuk kursen as të punësuarit që mbijetojnë me rroga mesatare, pasi që gjithçka, që nga shporta e përditshme deri te banimi, energjia, barnat dhe ngasja e makinave, ua han pjesën gjithnjë e më të madhe të të ardhurave.

Nëse trendet aktuale në ekonominë botërore vazhdojnë, problem do të bëhet edhe niveli remitancave, nga të cilat sigurojnë jetesën rreth 20% të familjeve kosovare, sipas një studimi të bërë nga UNDP-ja. Kjo për faktin se probleme ekonomike kanë filluar të ngacmojnë Gjermaninë dhe Zvicrën, dy nga ekonomitë kyçe për Kosovën meqenëse janë vendbanimi i pjesës më të madhe të diasporës kosovare nga ku shumë familje kosovare gjejnë mbështetje financiare tek të afërmit e tyre. Nga vendet e qendrës së ekonomisë botërore të goditura nga kriza financiare e 2008-ës, ekonomia gjermane tejkaloi shumë më shpejt vështirësitë me të cilat ballafaqohen shumë ekonomi të mëdha evropiane si dhe SHBA-të. Mirëpo, kohët e fundit lajmet ekonomike nga Gjermania nuk janë inkurajuese. Rritja ekonomike në periudhën e fundit matëse ishte vetëm 0,1%. Pjesa e dytë e vitit gjithashtu tregon për një rënie të eksporteve, që janë motori kryesor ekonomik gjerman. Në anën tjetër, kriza e borxheve sovrane dhe mënyra se si kjo do të reflektojë në qëndrueshmërinë e euros është barrë e cila rrezikon më tej rritjen ekonomike në Gjermani. Një recesion në Gjermani mund të përkthehet në rritje të papunësisë atje, e cila mund të reflektojë, sikur gjatë vitit 2008, në rënie të remitancave në Kosovë. Nga ana tjetër, Zvicra po ballafaqohet me një problem tjetër, pjesërisht pasojë e krizës së borxheve sovrane. Ky është problemi i rritjes së vazhdueshme të vlerës së frangut zvicëran, si pasojë e investimeve në franga nga bankat dhe investitorët e tjerë që druajnë nga qëndrueshmëria e euros. Ky shtrejtim i frangut, të cilën shteti zvicëran po përpiqet ta luftojë me masa të ndryshme, përkthehet në vështirësi për eksportuesit zvicëranë dhe mundësinë që edhe Zvicra të ngërthehet nga recesioni. Megjithëse gjendja e ekonomisë zvicërane është akoma stabile, një recesion më i thellë ekonomik në Evropë dhe SHBA, do të reflektojë pashmangshëm në ekonominë zvicrane dhe, rrjedhimisht, në rënien e të hyrave që familjet në Kosovë përfitojnë nga të afërmit e tyre atje. Një kombinim i tillë, inflacioni i gjeneruar nga rritja e çmimeve të importit, i shoqëruar me rënie të remitancave, përbën formulë katastrofike për ekonominë kosovare.

Është iluzive të mendohet se ekonomia kosovare mbetet e paprekur nga fatet e ekonomisë evropiane dhe asaj botërore. Por, kjo mendësi e izolimit duket se qëndron e ngulitur në kokat e njerëzve kryesor të ngarkuar me udhëheqjen e qeverisjes ekonomike në Kosovë, që kujtojnë se gjendja edhe ashtu e keqe ekonomike në Kosovë nuk mund të shkojë drejt përkeqësimit të mëtejmë. Ky mohim i realitetit vazhdon edhe tani, nga fakti se qeveria, duke filluar që nga kryeministri e teposhtë, nuk ka shprehur as brengën më të vogël rreth inflacionit të pakontrolluar dhe në rritje, lerë më që kundër saj të ndërmarrë ndonjë masë lehtësuese, siç është p.sh. zvogëlimi i TVSH-së apo heqja e akcizave për mallrat elementare si gruri, apo, siç do të ishte më mirë, stimulimi i prodhimit vendor përmes politikave të zëvendësimit të importeve, sidomos në fushën e bujqësisë.

Siç tregon shkalla e varshmërisë së Kosova nga importet, një pjesë e madhe e inflacionit importohet nga jashtë. Ngritjet e çmimeve, sidomos të gjërave ushqimore si gruri, vajrat dhe sheqeri, janë reflektim i ngritjeve të çmimeve të komoditeteve bazë në tregjet botërore, që kanë arritur në nivelet më të larta në njëzet vitet e fundit sipas të dhënave të Organizatës së Ushqimeve dhe Agrokulturës. Këto trende godasin më së keqi vendet e varfëra dhe ato në zhvillim, sidomos si Kosova, e cila importon një pjesë të madhe të ushqimeve që i konsumon (dhe, siç është theksuar shpesh kohëve të fundit, pjesën më të madhe nga Serbia, prodhuesit e së cilës tani do t’i rikuperojnë humbjet e shkaktuara nga embargoja jetëshkurtër).

Mirëpo, problemi qëndron edhe në faktin se qeveria aktuale nuk ka as një dhe të vetmën ide se si ta mbrojnë vendin dhe qytetarët e tij nga vorbulla në të cilën gjendet sot ekonomia botërore. Jo vetëm që kjo qeveri tregohet e paaftë që t’i përgjigjet dhe adaptohet realiteteve aktuale të ekonomisë botërore, por ajo vazhdon të shtyjë politikat e njëjta të cilat do të gjenerojnë përkeqësim të mëtejmë të gjendjes ekonomike në vend. Insistimi në privatizimin e Telekomit të Kosovës dhe veçanërisht të Distribucionit të KEK-ut, në kushtet e një recesioni global ekonomik, do të jetë goditje e dyfishtë, në njërën anë duke rritur papunësinë, në anën tjetër duke shtrejtuar, siç do të ndodh pashmangshëm, çmimin e energjisë elektrike, duke i kontribuar kështu shtrejtimit të përgjithshëm të jetës dhe duke i kaluar në pronësi të huaj asetet kryesore në një ekonomi që nuk prodhon dhe importon gjithçka.

Rezultatet e këtij modeli ekonomik janë të qarta. E qartë është edhe trajektorja ekonomike – drejt humnerës, ndërsa, për qytetarin e Kosovës, drejt varfërimit.

Kolumna javore, Koha Ditore, 25 shtator 2011

Një mendim mbi “Drejt humnerës ekonomike

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s