Home

Kriza globale financiare e vitit 2008 vuri në lëvizje ndryshime gjeopolitike që, sipas parashikimit të shumë vëzhguesve, do të shkojnë duke u thelluar dhe intensifikuar në vitet që do të vijnë. Në këto ndryshime nuk po luan rol vetëm ndikimi i shtuar kinez në Azinë juglindore dhe si garant i stabilitetit të ekonomisë globale në përgjithësi, por edhe shprehjet e ndikimit të fuqive të reja regjionale si India, Brazili, Rusia dhe Turqia. Këto dy të fundit po i ndjejmë veçanërisht në Ballkan, i cili duket se po shndërrohen në një arenë të re ndikimi politik dhe ekonomik të këtyre dy shteteve dhe Gjermanisë, sidomos me rolin gjithnjë e më të zbehur të SHBA-ve në këtë regjion.

SHBA-të tradicionalisht nuk kanë pasë interes të veçantë në Ballkan, veçanërisht nëse e krahasojmë këtë me rolin dhe ndikimin historik të SHBA-ve në regjionet si Lindja e Mesme, Amerika latine apo Azia juglindore. Edhe gjatë viteve 1990, kur Ballkani u kaplua nga luftërat e përgjakshme dhe spastrimet etnike, SHBA-të hezituan të ndërhyjnë deri vonë, duke preferuar që me problemet e Ballkanit të merren evropianët. Ishte vetëm dështimi i vazhdueshëm evropian që t’i ndalë konfliktet, veçanërisht atë në Bosnjë, që bëri që SHBA-ja të marrë përsipër përmbylljen e konfliktit në Bosnjë dhe udhëheqjen e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Që nga kjo periudhë SHBA-të kanë synuar një tërheqje graduale ushtarake dhe diplomatike nga Ballkani. Pas vitit 2001, kur presidenti Bush shpalli të ashtuquajturën “luftë kundër terrorizmit”, dhe nisi luftërat në Afganistan dhe Irak, interesi strategjik amerikan në Ballkan pak a shumë kishte marrë fund dhe regjioni iu la nën menaxhim BE-së. Po kështu, interesi i firmave amerikane në Ballkan ishte dhe mbetët i vogël, në krahasim sidomos me vendet e Azisë juglindore dhe Indisë ku ato kanë çuar pjesën më të madhe të investimeve të tyre të jashtme, apo në Lindje të Mesme ku vazhdon interesimi për burimet e naftës. Interesi politik dhe ai ekonomik nganjëherë ecën paralelisht, nganjëherë jo. Përderisa interesi politik i SHBA-ve në Ballkan ka shkuar drejt tërheqjes, interesi i akterëve ekonomik amerikan në Ballkan ka qenë gjithmonë i vogël, gjë që shihet edhe nga niveli relativisht i ulët i investimeve dhe eksporteve të firmave amerikane në Ballkan. Kjo ka ndodhur përkundër programeve të shtetit amerikan, siç është dhënia e granancave për investime nga Banka amerikane (shtetërore) e Eksport-Importeve, që kanë synuar nxitjen e investimeve amerikane në regjion.

Humbja e interesit amerikan në Ballkan vetëm se do të intensifikohet me rënien e ndikimit amerikan në botë si pasojë e krizës ekonomike. Sistemi botëror efektivisht ka hyrë në procesin që para disa viteve sociologu Giovanni Arrighi e kishte quajtur “bifurkim” – një ndarje midis fuqisë botërore ushtarake që mbetet e përqëndruar në SHBA, dhe fuqisë financiare që tani po zhvendoset kryesisht në Azinë juglindore. Një proces i tillë vetëm sa është intensifikuar gjatë krizës së katër viteve të fundit, gjatë së cilave ekonomitë e vendeve në zhvillim kanë vazhduar të rriten përdërisa ekonomia amerikane dhe ajo evropiane lënguan dhe vazhdojnë të lëngojnë nga probleme të thella strukturore.

Kjo situatë i ka kontribuar energjisë dhe hapësirës së re që shtetet në zhvillim, sidomos fuqitë regjionale, kanë gjetë për të shtrirë apo përforcuar më tej influencën në rrethinat e tyre gjeografike. Ballkani duket se po bëhet pre e një konkurrence të tillë të re regjionale, si pasojë jo vetëm e tërheqjes së interesimit amerikan, por edhe e mundësive të reja që këto shtete të përdorin fuqitë e tyre të reja për të shtrirë ndikimin në këtë zonë. Është e dukshme se në sistemin botëror kapitalist, fuqia financiare po bëhet gjithnjë e më përcaktuese e prestigjit dhe ndikimit të një shteti se sa fuqia ushtarake.

Sot, përpjekja kryesore gjeopolitike për Ballkanin po bëhet nga Gjermania, e cila synon që shtetet e Ballkanit t’i fusë apo mbajë në sferën evropiane të ndikimit, veçanërisht përmes përfshirjes së tyre në BE. Ky rol i Gjermanisë mundësohet sot nga fuqia financiare e këtij vendi, e cila po e mban në jetë euron përkundër krizës së thellë fiskale që ka përfshirë periferinë e Eurozonës. Turneu i kancelarës gjermane Angela Merkel dhe sidomos vizita e saj në Serbi, ishte pjesërisht përçim i mesazhit për vendet e e të ashtuquajturit Ballkan perëndimor që të disiplinohen në përpjekjet e tyre për anëtarësim në BE, por në anën tjetër një mesazh i qartë se Ballkani (dhe sidomos Serbia), është pjesë e sferës së interesit gjerman. Ndikimi gjerman realizohet si drejtpërdrejtë (përmes ndihmave ekonomike direkte), ashtu edhe tërthorazi, përmes investimeve të firmave gjermane që prej kohësh synojnë ta shtrijnë ndikimin e tyre në Evropën qëndrore. Instrumenti kryesor politik gjerman është BE-ja, meqë pikëpamja gjermane ka qenë gjithmonë se BE-ja përbën një arkitekturë politike, ekonomike dhe të sigurisë që është e favorshme për interesat afatgjata gjermane.

Rivali i Gjermanisë në këtë proces është padyshim Rusia. Rusia jo vetëm që ka synuar prej kohësh rolin e “protektorit” ndërkombëtar të Serbisë, por ka synuar të avancojë në Serbi interesat ekonomike, sidomos ato në fushën energjisë, strategji kjo që i ka mundësuar prej kohësh Rusisë që të mbaj nën kthetrat e saj politike republikat ish-sovjetike. Ngjashëm, përpjekja ruse për ringjalljen e projektit sovjetik nga vitet 1980 për ndërtimin e një elektrane bërthamore 2000 megavatëshe në Bullgari ka krijuar një konflikt të thellë politik midis Moskës dhe Sofjës, por është shenjë e përpjekjeve ruse për të ruajtur interesat dhe ndikimin edhe në një vend anëtar të BE-së si Bullgaria. “Lufta” për Serbinë duket se nuk qe e suksesshme, meqë Gjermania në vitet e fundit arriti të shndërrohet në partnerin kryesor tregtar të Serbisë dhe një nga investitorët më të mëdhëj në ekonominë e Serbisë. Rusia megjithatë nuk ka heqë dorë nga tendenca për të shtrirë ndikimin në Ballkan, çka dëshmon edhe nisma e re ruse për “luftën kundër trafikimit të drogës” që Rusia nënshkroi më Serbinë dhe Maqedoninë, ndërsa propozon ta nënshkruaj edhe me Malin e Zi dhe Shqipërinë, për të parandaluar qarkullimin e heroinës afgane që, sipas autoriteteve ruse, arrin në Evropë përmes Kosovës.

Fuqia tjetër regjionale që po synon të zgjerojë ndikimin në Ballkan është Turqia. Koncepti i ministrit të Jashtëm turk Ahmet Davutoglu për të ashtuquajturin “neo-otomanizëm” dhe shtrirje të ndikimit turk në zonat e ish-perandorisë është tashmë i njohur për shumë kosovarë. Paradoksalisht, përderisa rivaliteti gjermano-rus lidhet kryesisht me Serbinë (si vend me rëndësi strategjike për Ballkanin), Turqia ka gjetë aleatin kryesor te Kosova. (Shqipëria është tepër shumë nën sferën e ndikimit italian që të krijojë lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me Turqinë.) Për arsye të ndryshme politike dhe historike, Turqia ka pak shansa që të krijojë ndonjë ndikim në Serbi, megjithëse realitetet ekonomike të botës së sotme nuk lënë asnjë mundësi për t’u përjashtuar a priori. Por një situatë e tillë po e krijon një situatë të pafavorshme, sidomos për Kosovën.

Serbia është në avantazh pikërisht sepse është jashtë BE-së. Ajo është gjithashtu në avantazh sepse mbetët shtet strategjik në regjion, si në kuptimin ushtarak, ashtu dhe politik dhe ekonomik. Kjo e bën Serbinë të rëndësishme, dhe po aq sa Serbia mund t’i nënshtrohet presionit gjerman, ajo po aq mund t’i kundërvihet këtij presioni përmes shfrytëzimit të interesave ruse. Faktori që është vendimtar në këtë moment është që elita aktuale politike në Serbi megjithatë sheh të ardhmen e Serbisë në BE, dhe do ta shihte si çmim tepër të lartë heqjen dorë nga anëtarësimi në BE për ndonjë afrim të ri me Rusinë.

Kosova gjendet në një situatë tjetër. Interesi evropian, në formën e ICO-së, EULEX-it dhe mekanizmave të tjerë multilateral, nuk është përkthyer asnjëherë në një interes të veçantë ekonomik dhe politik. Shtetet evropiane janë kryesisht të interesuara që Kosova të mos degjenerojë, duke u shndërruar në vatër të krimit transnacional, terrorizmit, korrupsionit dhe emigracionit. Edhe përfshirja eventuale e Kosovës në BE shihet dhe justifikohet pothuajse krejtësisht në këta terma. Thirrja ruse për organizim të policive ballkanike kundër tregtimit të heroinës përmes Kosovës në Evropë (duke përjashtuar nga kjo marrëveshje vetë autoritetet e Kosovës) mund të jetë pjesë e përpjekjeve për një përafrim me BE-në duke prekur një pikë të ndjeshme të sigurisë evropiane – tek e fundit, pse i dhemb Rusisë për heroinën që po tregtohet në Evropë? Në këtë rrafsh, në kontekstin e një BE-je të dobët dhe një Rusie që synon shtrirje të ndikimit në rajon, forcimi i lidhjeve politike me Turqinë dhe thirrja ritualistike në miqësinë me SHBA-të, që tashmë ka marrë përmasa më shumë simbolike se sa reale (përjashtuar këtu ndikimin personal të ambasadorit Christopher Dell tek qeveria aktuale), në dëm të përafrimit sidomos me interesat gjermane, mund të jetë i rrezikshëm dhe i dëmshëm për interesat afatgjata të Kosovës. Në këtë ristrukturim multipolar të globit, çelësi për Kosovën është jo që të anojë nga njëra apo tjetra fuqi, por që të përfitojë nga rivalitetet e tyre. Kjo ka qenë historikisht gjithmonë formula shpëtimtare e shteteve të vogla.

Kolumna javore, Koha Ditore, 4 shtator 2011

Një mendim mbi “Lufta e re për Ballkanin

  1. Pingback: Sëmundjet amerikane.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s