Home

Krizat janë momente të dhimbshme dhe agonizuese, në veçanti për klasat popullore që goditën më së keqi nga ato. Mirëpo ato janë gjithashtu shansa për ristrukturime dhe riorientime institucionale dhe ekonomike që i hapin rrugë një cikli të ri zhvillimor dhe ekspansional ekonomik. Kur krizat janë botërore, ato krijojnë shansa në veçanti për shtetet në zhvillim.

Së pari duhet sqaruar disa çështje që lidhen me zhvillimin si koncept. Politika jonë dhe diskursi ynë profesional dhe publik përgjithësisht, kur flet për zhvillimin, e përdorë atë në terma të vjetëruar dhe diskredituar, si në pikëpamje historike, ashtu dhe teorike. “Zhvillimi” në formën që përdorët tek ne, nënkupton ndjekjen e një kahjeje zhvillimore që pak a shumë e kanë ndjekur vendet që tani janë “të zhvilluara” (në radhë të parë, Evropa perëndmore dhe Amerika Veriore). Modeli i vjetër zhvillimor u promovua, sidomos gjatë viteve 1950, nga ajo që njihej si “teoria e modernizimit”, që zhvillimin e shihte si një proces të shkallë-për-shkallëshëm, të cilat duhet t’i kalojë çdo shoqëri (e kuptuar si shoqëri nacionale). Në një formë, ajo idealizonte një trajektore të veçantë historike zhvillimore – në radhë të parë historinë të Britanisë së Madhe – duke identifikuar “stadet” që duhet t’i kalojë një shoqëri në mënyrë që ta arrijë “zhvillimin”. Një mendim i ngjashëm ishte adaptuar edhe në shtetet socialiste. Projekti zhvillimor ekonomik i socializmit bazohej në idenë e industrializimit të shpejtë, përmes të cilit shtetet socialiste do ta zinin hapin me shtetet e zhvilluara kapitaliste. Duke kaluar shpejt nëpër hapa zhvillimorë, shtetet socialiste, mendonin ideologët e kohës, do të arrinin dhe dikur edhe kapërcenin nivelin ekonomik të shteteve kapitaliste. (Ironia e gjithë kësaj është, natyrisht, se aspiratat e ekonomive socialiste ishin të përcaktuara nga ato kapitaliste. Nuk është çudi pse popullatat e vendeve socialiste kaluan në revoltë kur socializmi përfundimisht dështoi që ta arrinte këtë cak.).

Në të vërtetë, studimet kritike kanë treguar se ky koncept për zhvillimin është iluziv. Së pari, shtetet e zhvilluara nuk kanë arritur aty ku janë në saje vetëm të fuqive të brendshme, por duke përfituar nga ekonomia botërore, e arritur përmes pushtimeve. Suksesi i zhvillimit historik britanik është i pandashëm nga roli i këtij shteti si fuqi koloniale që nxirrte përfitime nga kolonitë e veta. Rrjedhimisht, shpjegimi për “nënzhvillimin” e ish-vendeve koloniale është i pandashëm nga periudha e eksploatimit të tyre kolonial. Kjo domethënë se si zhvillimi, ashtu dhe nënzhvillimi është kushtëzuar nga ekonomia botërore, dhe nuk ka qenë vetëm proces i zhvillimit të brendshëm (ose nacional).

Së dyti, studimet kanë treguar se hierarkitë e ekonomisë botërore, marrë për bazë shpërndarjen e pasurisë botërore, janë relativisht stabile. Sipas teorisë së sistemit botëror, kjo hierarki është e ndarë në tri zona polare: qendrën, periferinë dhe gjysëmpëriferinë. Gjatë shekullit XX, hierarkia e këtyre shteteve pothuajse nuk ka ndryshuar – me përjashtime të vogla të shteteve që arriten në kalojnë nga gjysëmperiferia në qendër (si Italia, Japonia dhe Korea Jugore).

Së treti. shtetet e pa- ose nënzhvilluara që kanë treguar suksesin më të madh zhvillimor, janë pikërisht ato shtete që kanë arritur që ekonomitë e tyre t’i kyçin në rrjetet e ekonomisë globale, duke dalur nga ato si neto përfitues. Shtetet e Azisë juglindore janë shembull i kësaj. Në qoftë se zhvillimi ka qenë “nacional”, ai gjithmonë ka qenë i orientuar kah sigurimi i përfitimeve nga ekonomia botërore.

Një zbulim i rëndësishëm i perspektives së sistemit botëror është se gjysëmperiferia, që pavarësisht se përfshin shtete nga më të ndryshmet, është pothuajse gjithmonë zona më dinamike e globit, si në pikëpamje ekonomike ashtu dhe politike. P.sh., tranzicionet në demokraci ishin fenomen i përqëndruar gati krejtësisht në gjysëmperiferi, që nga Evropa jugore në vitet 1970 deri te Amerika Latine dhe Evropa lindore në vitet 1980 dhe 1990. Ky fakt vërtetohet sërish sot. Në perudhën e krizës globale ekonomike, përfituesit më të mëdhej po paraqiten shtetet e mëdha të gjysëmperiferisë, duke filluar nga Kina, por duke përfshirë Indinë, Brazilin dhe Rusinë, që po përfitojnë nga rritja e cikleve investuese, suficitet e krijuara nga eksportet dhe zgjerimi i shpejt i bazës konsumatore përmes nxjerrjes së masave nga varfëria (sidomos në Kinë dhe Indi).

Joseph Schumpeter, 1940

Ku gjendet ekonomia botërore sot? Sipas neo-Schumpeterianëve, ekonomistëve të frymëzuar nga puna e ekonomistit të njohur Joseph Schumpeter, kriza e sotme botërore paraqet një moment ristrukturimi ekonomik dhe institucional, i nxitur në radhë të parë nga revolucioni i teknologjive informative dhe komunikuese, globalizimit dhe kalimit nga sistemet hierarkike në sisteme të rrjetizuara dhe të decentralizuara të kontrollit, organizimit dhe prodhimit. Ky domethënë gjithashtu edhe vlerësim i ri i kapitalit njerëzor, dhe i punës “jomateriale” dhe profesioneve kreative. Sipas neo-Schumpeterianëve si Carlota Perez, bota po përjeton një krizë ciklike që është karakteristikë e periudhave të transformimeve të tilla të “paradigmës tekno-ekonomike” siç e quan ajo. Këto janë periudha të “shkatërrimit kreativ” siç i quante Schumpeter, të paraprira dhe të shoqëruara me kriza financiare dhe rialokim të investimeve drejt qarqeve të reja të prodhimit dhe akumulimit. Këto pasohen me periudha të “ndërtimit kreativ” të formave dhe proceseve të reja organizative dhe institucionale ekonomike, që i hapin rrugë një “kohe të artë” të re të akumulimit dhe të ekspansionit ekonomik. Një pikëpamje tjetër, ajo e Giovanni Arrighit, shton se periudha të tilla shoqërohen edhe me ndryshime në pozitat e qendrës hegjemonike të sistemit botëror. Rritja e shpejtë ekonomike e Kinës dhe dobësimi relativ i ekonomisë amerikane (dhe sidomos vartësia e saj financiare) mund të jetë shenjë për një transformim të këtij lloji. Roli hegjemonik ekonomik dhe gjeopolitik amerikan në sistemin botëror mund të jetë në rënie, por kjo nuk domethënë se ai nuk do të vazhdojë të jetë dominant.

Ajo që është fundamentale, sipas Perez, është se kriza financiare i ka dhënë fund mitit të “tregut të lirë” si një formulë magjike zhvillimore. Problemi nuk është tek ekzistenca e tregjeve dhe nismës private si të tilla, por e qëndrimit laissez-faire ndaj zhvillimeve ekonomike dhe tërheqjen nga angazhimet sociale, që është kërkuar nga shtetet në periudhën e neoliberalizmit. Mirëpo, një realitet i tillë mund të jetë i vlefshëm vetëm për qendrën e ekonomisë botërore, dhe sidomos në SHBA, ku neoliberalizmi kori suksesin më të madh. Në vendet e gjysëmperiferisë shteti asnjëherë nuk është tërhequr komplet nga ekonomia. Në fakt, pikërisht në ato shtete ku pati intervenim, planifikim dhe koordinim shtetëror të ekonomisë, përfshirë të kapitalit të jashtëm, projektet zhvillimore paten suksesin më të madh. Kina është shembulli më i fundit dhe më eklatant i kësaj, por ka edhe shumë të tjerë. Shembulli i Sllovenisë është më i afërt për rrethinën tonë.

Sipas Perez, momenti i ri i transformimeve strukturore dhe institucionale kërkon inovacione edhe në rrafshin e intervenimeve shtetërore. Kjo është sidomos e domosdoshme duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë ekologjike dhe shoqërore të paradigmës së vjetër ekonomike. Modeli i vjetër ekonomik bazohej në ekzistencën e burimeve të vazhdueshme të energjisë nga fosilet (naftës), rezervat e së cilës mund të arrijnë fundin sidomos me rritjen e kërkesës globale. Ai gjithashtu po lë pasoja serioze në mjedis, sidomos përmes ndikimit në ndryshimet klimatike. Duhet përmendur, sidomos, se globalizimi neoliberal ka gjeneruar edhe presione sociale, përmes përqëndrimit të pasurisë në klasat e larta kapitaliste dhe menaxheriale dhe duke e gërryer bazën e “paktit të pasluftës” e cila u mbështet në rishpërndarjen e pasurisë dhe fuqizimin ekonomik të klasave të mesme dhe popullore në shoqëritë e qendrës. Dimension tjetër i dinamikës globalizuese të epokës që (pandehet se) po përfundon, është padyshim edhe lindja e diasporave të reja dhe ngritja e të ashtuquajturave probleme të “identiteteve kulturore”. “Problemi” islamik i Evropës është një shembull i tillë, i shfrytëzuar nga lëvizjet e djathta dhe e shfaqur në formë ekstreme me rastin e ekstremistit vrasës Anders Brevik dhe manifestit të tij për “rrezikun islamik” në Evropë. Këto janë probleme politike që do të vazhdojnë, por që janë shenjë e akomodimeve dhe zgjidhjeve të reja që po kërkohen.

Sido që të jetë, sfida kryesore – si dhe shansa – për kapjen e një vale të re zhvillimore mbështetur në një paradigmë të re qëndron mu në gjysëmperiferi. Ballkani, si një zonë jo krejt e varfër, por relativisht mbrapa standardeve evropiane të pasurisë, bie pikërisht brenda kësaj zone. Shtetet e Ballkanit kanë pasë rezultate të përziera në ristrukturimin e tyre ekonomik gjatë dekadës së fundit, dhe nuk mund të thuhet se kanë ndjekur një model të njëjtë. Ballkani është larg së arrituri dinamizmin dhe ekspanzionin e madh ekonomik të vendeve të Azisë juglindore, dhe përshtatja ndaj paradigmave të reja zhvillimore ka ecur me hapa të ndryshëm. Sido që të jetë, është e qartë se, nëse kriza aktuale përfundon me hapjen e një momenti të ri zhvillimor për globin, ky shans do të kapet dhe shfrytëzohet maksimalisht nga ato shtete që janë në pozitë që t’i përshtaten paradigmës së re tekno-ekonomike, por në forma gjithashtu që gjenerojnë zhvillim të gjithmbarshëm dhe të nivelizuar, kundrejt sistemeve ekonomike nga të cilat përfitimi më i madh përfundon në xhepat e elitave financiare dhe – në Ballkanin e korruptuar – edhe atyre politike.

Kolumna javore, Koha Ditore, 21 gusht 2011.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s