Home

Titulli i kësaj kolumne mund ta krijojë përshtypjen se po bëhet fjalë për një krizë të re ekonomike që rrezikon ta kaplojë qendrën e ekonomisë botërore, SHBA-të dhe Evropën. Fjala është, megjithatë, për vazhdimin e dhimbshëm të të ashtuquajturës “Tkurrje të Madhe” të krizës financiare dhe ekonomike që shpërtheu në vitin 2008. Zhvillimet e javës së fundit na përkujtuan se kriza është larg së përfunduari: ulja, për herë të parë në histori, e rejtingut kreditor të SHBA-ve nga kategoria AAA në AA+ nga shoqëria Standard and Poor’s, luhatja drastike e tregjeve financiare në SHBA, Evropë dhe Azi dhe rritja e rrezikut që kriza e borxheve që ka fundosur Greqinë, Portugalinë dhe Irlandën të godasë Spanjën dhe Italinë (në ndërkohë që mediat botërore ekonomike tani kanë filluar ta përmendin edhe Francën si vend i rrezikuar).

Në gjuhën ekonomike, kur flitet për krizën bëhet fjalë rreptësisht për tkurrje në numrat ekonomik, si ato të rritjes ekonomike, rënie të tregjeve, apo rritje të papunësisë. Kjo gjuhë normale për recesionet e zakonshme ciklike të ekonomive kapitaliste po dëshmohet gjithnjë e më e paaftë për të kapur në plotësinë e saj procesin e transformimeve në ekonominë botërore që kanë filluar të prekin në çdo cep të jetës politike dhe shoqërore, sidomos në qendrën euro-atlantike të ekonomisë botërore. Britania përjetoi një nga tronditjet më të mëdha shoqërore që nga vitet 1980, me dhunën e shfaqur në Londër, që disa e lidhin drejtpërdrejtë me ambientin e zymtë dhe të paperspektivë të krijuar në këtë vend pjesërisht edhe nga shkurtimet e thella buxhetore të ndërmarra nga qeveria e kryeministrit konservator David Cameron. Eurozona nuk po arrin ta shoh as “dritën në fund të tunelit”, siç thotë shprehja angleze, nga kriza e borxheve sovrane që i ka futur kreditorët në ankth, politikanët në hamendje dhe qytetarët në revoltë. Ndërkaq, tensionet politike të nxitura midis republikanëve dhe demokratëve në SHBA, rezultat pjesërisht i hyrjes në Kongres të radikalëve të djathtë të lëvizjes “Tea Party” që refuzonin bashkëpunimin me presidentin Barack Obama lidhur me ngritjen e “kulmit” ligjor të borxhit publik të SHBA-ve, ishin momenti që sipas disave çuan në uljen e besimit në financat e shtetit amerikan.

Megjithatë, duket se vëzhguesit e ndryshëm të zhvillimeve ekonomike kanë arritur konsensus në dy konstatime. E para është se SHBA-të kanë hyrë përfundimisht në një periudhë të rënies relative ekonomike në raport me fuqitë tjera botërore. Ndonëse dikur paralajmërimet e tilla quheshin nga analistët liberalë medialë vetëm klithma të intelektualëve të çoroditur të së majtës (sado mirë të argumentuara dhe të mbështetur në të dhëna historike), shpalljet për fundin e hegjemonisë ekonomike amerikane tani lexohen që nga komunikatat e Fondit Monetar Ndërkombëtar deri tek faqet e “Financial Times” – institucione që janë tepër larg së qeni instanca të radikalizmit. Përveç të dhënave të pamohueshme për rritjen e pashmangshëm të rolit të Kinës në ekonominë botërore, ulja e rejtingut kreditor ka thyer një barrierë psikologjike për pacënueshmërinë e centralitetit të SHBA-ve në ekonominë botërore. Ulja e rejtingut mund të ketë provokuar edhe zbrapsjen e tregjeve gjatë javës së shkuar, dhe do të kërkojë një riadaptim të investitorëve në realitetin e ri të një Amerike me besueshmëri të reduktuar financiare. Aq më tepër që shkurtimet buxhetore që do të ndodhin në nivel federal (si pjesë e marrëveshjes politike midis demokratëve dhe republikanëve për rritjen e kulmit të borxhit) do të provokojnë vazhdim të konsiderueshëm të krizës ekonomike në SHBA, me pasoja të vazhdueshme për ekonominë botërore. Disa parashohin për SHBA-të një skenar japonez. Që nga vitet 1990, Japonia lëngon nga stagnimi ekonomik, të një recesioni pa fund, e cila e ka lënë Japoninë në vendnumërim ekonomik përkundër masave politike. Japonisë, megjithatë, i ka ndihmuar fuqia e eksporteve, e cila e ka lënë ekonominë japoneze (ashtu si jenin) me bilans pozitiv përkundër mosrritjes. Rreziku në SHBA është që një recesion i tillë i zgjatur të ndiqet edhe me rënien e vlerës së dollarit, sidomos nëse banka qëndrore amerikane detyrohet që t’i futet edhe një cikli të ri të emitimit të dollarit (të ashtuquajtur “quantitative easing”, që përkthehet thjesht në shtypje të parave të reja). Me rastin e uljes së rejtingut kreditor të SHBA-ve mediat zyrtare në Kinë përsëriten thirrjen për zëvendësimin e dollarit si monedhë rezervë me një monedhë të re botërore, për shkak të perspektivës së devalvimit të dollarit që sa vjen e shtohet me krizën ekonomike dhe konfliktit rreth politikave fiskale në SHBA. Se sa do të ketë sukses kjo orvatje kineze mbetet të shihet. Megjithatë, në perspektivë, një monedhë rezervë botërore mund të imponohet jo si pasojë e dëshirës së kinezëve, por e nevojës për stabilitet në ekonominë botërore, në rast të devalvimit të dollarit. Në një situatë të tillë është eurozona, të cilës po i imponohet një riorganizim i unionit monetar për hir të shpëtimit të euros.

Në Evropë thellësia dhe intensiteti gjithnjë e më i madh i krizës së borxheve sovrane po e bën të nevojshme kthimin e vendeve të eurozonës kah ndërtimi i një sistemi të ri të qeverisjes monetare, që shkon përtej aranzhmaneve të unionit që parashihnin një monedhë të përbashkët por pa instrumente të qeverisjes monetare të përbashkëta. Kjo domethënë një rol më të fuqishëm për Bankën Qëndrore Evropiane, ndërhyrja e së cilës po bëhet gjithnjë e më e pashmangshme (përmes blerjes së bonove evropiane) për të shpëtuar rrëshqitjen e Spanjës dhe Italisë drejt humnerës greke. Një lëvizje e tillë, e rezistuar për shumë kohë nga kancelarja gjermane Angela Merkel nga frika e një kundërlëvizje politike në Gjermani (e cila do të duhej ta merrte përsipër barrën më të madhe financiare të kësaj nisme), duket se po gjen hapësirë pikërisht nga rreziku se kriza financiare e shteteve eurozonës mund të kthehet nga periferia dhe gjithnjë e më shumë drejt qendrës. Kundërthëniet aktuale janë rreth natyrës së një unioni të ri monetar dhe mënyrës së saj të qeverisjes. Ironikisht, janë pikërisht federalistët evropianë që po e kritikojnë një lëvizje të tillë, me argumentin se një arkitekturë e re monetare e eurozonës duhet të shoqërohet me reforma centralizuese dhe demokratizuese në institucionet e BE-së, siç janë Parlamenti dhe Komisioni Evropian, të cilat duhet të përurohen me pushtete të vërteta ekzekutive dhe legjislative. Problemi që federalistët ngrisin është legjitim: a mund të ketë union monetar, pa union politik? Ndryshe qeverisja e unionit të reformuar monetar sërish do t’i nënshtrohet interesave të shteteve të veçanta, që nuk janë gjithmonë në harmoni me njëra-tjetrën, duke mundësuar sërish që shtetet e fuqishme e sidomos Gjermania, t’i imponojnë rregullat që duhet t’i ndjekin të tjerët.

Është interesant që në kontekstin e një fuqizimi të ri gjerman në kontinent, shfaqet angazhimi i ri gjerman në Ballkan pas tensioneve të krijuara në veriun e Kosovës dhe acarimit të marrëdhënieve diplomatike midis Prishtinës dhe Beogradit. Gjermania vazhdon të jetë ekonomia më dinamike në Evropë dhe fjala e znj. Merkel sot çon peshë në çdo skaj të kontinentit si pasojë e avantazhit të theksuar ekonomik dhe financiar gjerman në kontekstin e një Evrope të zhytur në krizë. Marrja e nismës nga Gjermania për adresimin e çështjeve të ngelura midis Kosovës dhe Serbisë është domethënëse për arsyen se kjo i jep peshë konkrete presionit politik që konfliktit t’i jepet fund dhe të arrihet një zgjidhje për çështjet e ngelura midis Kosovës dhe Serbisë. Vizita që Merkel do t’i bëjë Beogradit në këtë kontekst mund të shënojë një kthesë të re në rolin gjerman si shtytës i procesit të integrimit të pjesës së mbetur të Ballkanit në BE. Ndikimi i Gjermanisë në Beograd është i lartë jo vetëm për shkak të trupave që ka në terren në Kosovë, por edhe nga fakti se Gjermania është partneri kryesor ekonomik i Serbisë dhe donatori kryesor i rimëkëmbjes ekonomike të saj. Kjo i jep kancelarës gjermane një levë të fuqishme për ta bindur Tadiqin se duhet t’i jap fund lojës së tij të dyfishtë, të synimit të anëtarësimit në BE dhe fuqizimit të marrëdhënieve me Gjermaninë dhe shtetet tjera të BE-së në ndërkohë që i bën ballë politikave të shteteve të fuqishme evropiane – dhe sidomos Gjermanisë – dhe vendimit të tyre për ta njohur Kosovën si shtet i pavarur. Mesazhi gjerman mund të mos jetë kaq i drejtpërdrejtë, por, nëse mund të mbështetemi në paralajmërimet e ministrit Westerwelle, në mes të rreshtave do të jetë e qartë se Gjermania nuk do të lejojë që Serbia me politikën e saj ta mbajë peng rajonin. Në këtë kontekst, angazhimi i ri i znj. Merkel dhe shfrytëzimi i ndikimit të saj në rajon dhe në kontinent do të jetë pozitiv për perspektivën e përmbylljes së kaptinës së konflikteve në Ballkan dhe aq më mirë për konsolidimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.

Kolumna javore, Koha Ditore, 14 gusht 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s