Home

Ndërhyrja e njësitëve të policisë speciale të Kosovës më 25 korrik në pikat kufitare në veri të vendit me shumë arsye morën mbështetjen e shumicës së qytetarëve të Kosovës dhe thuaja të gjitha partive politike të vendit. Simbolika e intervenimit nuk ishte vetëm në pikëpamje të përkrahjes së qëllimit politik të marrjes së kontrollit në një zonë të pasunduar prej vitesh nga Prishtina zyrtare, por edhe vetë ideja se shteti i brishtë i Kosovës megjithatë mundet, kur të jetë nevoja, të shfaqë dhëmbët e vet. Ky demonstrim i forcës ishte, mbase, më i rëndësishëm, në këtë pikëpamje, për psikën kolektive të shumë qytetarëve kosovarë, të shndërruar prej kohësh në cinikë dhe jobesimtarë në kapacitetet e shtetit të tyre për arritje rezultatesh (dhe jo krejt pa arsye), aq sa ishte demonstrim i vullnetit kundrejt palëve të treta, në njerën anë Serbisë, duke ia bërë me dije se në Prishtinë ekziston vullneti politik për vendosjen e kontrollit në veri, ashtu dhe për institucionet ndërkombëtare si EULEX-i, që Prishtina mund të veprojë në mënyrë autonome përkundër mosmbështetjes së tyre.

E ngjashme me këtë është edhe efekti i embargos ndaj produkteve serbe (apo, siç po quhen zyrtarisht, masat e reciprocitetit). Më shumë se një përpjekje e politikës kosovare për ta detyruar Serbinë që t’i pranojë vulat kosovare në kuadër të marrëveshjes CEFTA, dhe me këtë ta lejojë në mënyrë të papenguar qarkullimin e mallrave me origjinë nga Kosova nëpër territorin e Serbisë, efekti i embargos ka qenë krijimi i një vetëdijesimi shumë më të lartë publik mbi varshmërinë e Kosovës në produktet serbe. Formimit të kësaj vetëdije padyshim i ka kontribuar humbja e jetës e policit Enver Zymberi, vrasja e të cilit është shndërruar, në një formë, në revoltë shprehur përmes bojkotimit të produkteve të Serbisë nga vetë konsumatorët.

Megjithëse ligjërimi publik, dhe sidomos (për fat të keq) ai qeveritar është për zëvendësimin e prodhimeve serbe me importe nga vendet tjera, kjo situatë ka krijuar pikërisht shansen për valorizimin e prodhimit vendor. Megjithatë, duket se ky moment nuk po shfrytëzohet mirë në këtë drejtim, sepse ky do të ishte momenti kur politikat qeveritare do të duhej të ktheheshin me vrull drejt mbështetjes së industrive vendore, sidomos ato ushqimore. Sipas një deklarimi të ministrit të Bujqësisë, Kosova ka shënuar sivjet rritje të prodhimtarisë bujqësore, mirëpo vuan nga mungesa e kyçjes së kësaj prodhimtarie me industrinë përpunuese. Ndërkohë që pikërisht kjo është sfida kryesore për forcimin e prodhimit industrial ushqimor brenda në Kosovë, dhe maksimalizimin e shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe njerëzore të Kosovës në bujqësi dhe prodhim ushqimor. Qeveria ka hapësirë të ndihmojë në ndërtimin dhe forcimin e lidhjeve midis prodhuesve bujqësorë, industrive përpunuese dhe marketuesve dhe shitësve. Ky ristrukturim dhe rikonstituim industrial do t’i bënte prodhimet kosovare më konkurrente në treg dhe si pasojë do të eliminonte një pjesë të mirë të varshmërisë së Kosovës nga prodhimet ushqimore të jashtme, në të njëjtën kohë që do të gjeneronte investime, rritje të vendeve të punës dhe do të ndihmonte sidomos në rimëkëmbjen e ekonomisë rurale, që vuan më së shumti nga papunësia dhe varfërimi. Në të kundërtën, entuziazmi publik për masat e reciprocitetit do të kalojë pa gjeneruar një kundërlëvizje të mirëfilltë ekonomike për eliminimin e varshmërisë ekonomike ndaj Serbisë (veçanërisht për elementet bazë të konsumit ushqimor, si drithërat dhe vajrat, në të cilat industria serbe momentalisht gëzon avantazh rajonal). Aq më tepër që ai entuziazëm shpejt mund të kthehet kundër qeverisë, sidomos nëse embargoja vazhdon dhe fillojnë të ndjehen efektet në çmimet e elementeve bazë të konsumit.

Sido që të jetë, intervenimi dhe zhvillimet që rrodhën prej atij momenti kanë edhe aspektin e tij të pamohueshem politik. Ato shërbyen si një alarm për institucionet ndërkombëtare në Kosovë, në radhë të parë EULEX-in dhe KFOR-in, se në Kosovë akoma ekziston një problem i quajtur veri. Jo që këto institucione nuk e kanë patur parasysh problemin e kontestit politik rreth veriut të Kosovës, por që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës edhe ato kanë dëshmuar se i ka konvenuar ruajtja e status quo-s. Institucionet ndërkombëtare në Kosovë, por edhe politika e shteteve të fuqishme, kryesisht prihet nga parimi i stabilitetit. Përderisa nuk ka dhunë të hapur dhe konflikte të nxehta, gjendja konsiderohet “stabile”. “Stabiliteti” i rrejshëm i krijuar në veri gjatë viteve të fundit (nga pikëpamja e sundimit të ligjit por edhe e jurisdiksionit ambiguoz politik e administrativ të territorit) ka qenë i pranueshëm, pikërisht se, deri më 25 korrik, konflikti politik në atë territor ka mbetur i ngrirë, ndërsa EULEX-i kishte normalizuar atë situatë, duke mos patur asnjë plan veprimi për ndryshimin e situatës në veri, as në pikëpamje të implementimt të Pakos së Ahtisaarit, as të shpërbërjes së strukturave paralele, as të luftimit të krimit të organizuar të cilin e ka mandat primar.

Prishja e ekuilibrit të brishtë politik në veri shpërfaqi në plotni dështimin e EULEX-it, si dhe interesin e Beogradit për konservimin e konfliktit të ftohtë në këtë pjesë të Kosovës. Por në ndërkohë, po shfaqet edhe pafuqia e Prishtinës për të ndërmarrë veprime që të arrijë ndonjë ndryshim në terren. Është lehtë dhe ndoshta deri diku edhe ironike, që Hashim Thaçi të lëshojë deklarata të ashpra për shtrirjen e sovranitetit në veri, në ndërkohë që “kompiri i nxehtë” i veriut ra në duart e KFOR-it, i cili vazhdon të përballët me turmat e revoltuara të serbëve dhe me grupet e armatosura kriminale, dhe pa angazhimin e të cilit zor se Prishtina do t’i mbante nën kontroll pikat kufitare.

Paralajmërimet e disa vëzhguesve nga dy anët e kufirit se ngjarjet rreth veriut janë vetëm uvertyrë për nisjen e negociatave të reja për veriun, të cilat mund të përfundojnë me “status special” për veriun (dmth të drejta të autonomisë lokale që tejkalojnë ato që parashihen në Pakon e Ahtisaarit), apo edhe me ndarje territoriale, duket se nuk do të dalin të qëndrueshme. Shtetet evropiane nuk kanë disponim të merren me çështjen e veriut, aq më pak të merren me Ballkanin, sidomos në kohën kur Evropa po kalon një nga krizat më të mëdha ekonomike që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Politika zyrtare e SHBA-ve prej kohësh nuk e ka Ballkanin dhe Kosovën prioritet, praninë e saj ushtarake e ka zvogëluar pothuajse në minimum ndërsa çështjet e menaxhimit politik të situatës i ka lënë në duart e menaxherëve lokalë, si ambasadorit Christopher Dell. I vetmi institucion i cili ka takat të merret me Ballkanin sot është BE-ja. Por, BE-ja si një organizatë supranacionale ka fare pak instrumente me të cilat mund të implementojë ndonjë zgjidhje apo të detyrojë palët. E vetmja kartë e saj është perspektiva e anëtarësimit (dhe tek-tuk, ndonjë ndihmë financiare), ndërkohë që edhe pozita e saj politike e diplomatike është e ndërlikuar si pasojë e mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të saj. Është shumë domethënëse, edhe për çështjen e masave të reciprocitetit, që negociimi i tyre i është referuar CEFTA-s dhe jo ndonjë forumi tjetër ndërkombëtar. Kjo është tendencë për lokalizimin e problemit, jo vetëm në kuptimin gjeografik, por edhe në atë politik.

Në këtë mes problemi i veriut duket se do të mbetët për një kohë të gjatë problem kryesisht për KFOR-in. KFOR-i u tregua si menaxhues jo vetëm ushtarak, por edhe politik i situatës, me “diplomacinë” fluturuese midis Beogradit dhe Prishtinës të komandantit të saj Erhard Buehler, i cili bëri dy marrëveshje të ndryshme rreth kontrollit të pikave kufitare të veriut, një me Beogradin dhe një tjetër me Prishtinën. Në shtator të vitit të kaluar, Buehler pati deklaruar se situata në veri kërkon zgjidhje politike, dhe nuk mjaftojnë mjetet ushtarake. Tani duket se vetë Buehler mbushi vakuumin dhe bëri punën në të cilën dështoi diplomacia civile.

KFOR-i tashmë ka një dhe të vetmin qëllim: stabilizimin e situatës dhe evitimin e situatave të konfliktit të hapur, sidomos të turmave të serbëve lokalë që me bllokada rrugësh dhe veprime të tjera rrezikojnë provokimin e situatës. Në njërën anë, kjo mund të jetë e dobishme për Prishtinën, sepse kufijtë veriorë vihen nën administrim ndërkombëtar ushtarak. Kjo e menjanon EULEX-in nga kontrolli në terren, i cili po dëshmohet si një institucion joefektiv në raport jo vetëm me veriun, dhe i cili për nga inkompetenca dhe zvarritja e vendimeve dhe veprimeve po ia tejkalon edhe UNMIK-ut të dikurshëm.

Sido që të jetë, do të zhgënjehën fort ata që presin që epilogu i zhvillimeve të pas 25 korrikut të jetë ndonjë marrëveshje historike për veriun. Në këtë kontekst, nëse Prishtina arrin që ta shfrytëzojë praninë e KFOR-it në pikat kufitare të veriut, që të vendos doganierët e saj, dhe, që është më e rëndësishme, të zbatohet aty embargoja kundër mallrave serbe, Prishtina do të ketë arritur një sukses të madh në procesin e vendosjes së kontrollit sovran mbi veriun. Në rrethanat aktuale, Prishtina nuk ka çfarë të humb në veri, dhe çdo ndryshim i vogël që shtrin qoftë edhe për një milimetër më shumë sundimin e Prishtinës është fitore e madhe për të. Në fund të fundit, cenimi i integritetit territorial të Kosovës do të ishte shuplakë fytyrës jo vetëm për Prishtinën, por edhe për shtetet perëndimore që në efekt ishin sponsorët politikë të pavarësisë së saj. E vetmja që Prishtina mund të bëjë tani, është që të kërkojë mostërheqjen e KFOR-it nga pikat kufitare, dhe mbajtjen e tyre të vazhdueshme nën mbikëqyrje ushtarake, dhe assesi kthimin në gjendjen e mëparshme.

Nuk ka vullnet në Perëndim për t’u marrë me çfarëdo krize të re në Ballkan. Në këtë kontekst, çdo fitore rreth veriut – që në esencë ndërlidhet me problemin më të madh të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë – do të arrihet me hapa të vegjël.

Kolumna javore, Koha Ditore, 7 gusht 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s