Home

Sulmi i bandave serbe mbi pikën kufitare në Jarinjë ngrit disa pyetje të vështira në të cilët ata që kanë marrë mandat për paqeruajtjen dhe vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë, duhet të përgjigjen.

Së pari duhet përmirësuar një interpretim paksa simplifikues që është dhënë mbi zhvillimet e fundit, dhe sidomos sulmit të organizuar të një turme të armatosur mbi pikat kufitare në veri të Kosovës. Është pohuar si nga kryeministri i Kosovës, ashtu dhe nga opozita, se sulmi mbi pikat kufitare ishte orkestruar nga Beogradi. Kësaj bindjeje në opinionin publik i shtoi një medium kosovar, i cili ndonëse nuk kishte asnjë gazetar në terren, në natën e sulmit, botoi lajmin se grupi që po sulmonte pikën kufitare në Jarninjë po udhëhiqej nga Borko Stefanoviqi. Është shumë më probabile dhe e besueshme, se në të vërtëtë Beogradi zyrtar nuk qëndron mbrapa sulmit dhe nuk dëshiroi fare një eskalim të tillë të situatës. Kjo u dëshmua jo vetëm nga deklarata e menjëhershme e presidentit serb Boris Tadiq, në mbrëmjen e 27 korrikut, që dënonte sulmin (duke i quajtur “bandë kriminale” ata që po kryenin sulmin), por edhe nga hutia, indinjata dhe paniku që kaploi negociatorët serb në terren, Stefanoviqin dhe ministrin e Serbisë për Kosovë Goran Bogdanoviq, kur situara eskaloi pas sulmit të turmës kundër pikës kufitare në Jarninjë, derisa këta të fundit ishin në përpjekje për ta bindur komandantin e KFOR-it që të pajtohej me kërkesën e Beogradit që gjendja në kufijtë veriorë të Kosovës të kthehej në gjendjen para ndërhyrjes së forcave të ROSU. Djegia e pikës kufitare ishte drejtpërsëdrejti në kundërshtim me këtë synim politik të Beogradit, andaj – pavarësisht mendësisë ballkanike që çdo ngjarje kërkon ta shpjegojë si rezultat i ndonjë konspiracioni të dirigjuar nga lartë – organizimi i sulmit nga Beogradi do të ishte plotësisht irracional dhe në shpërputhje me qëllimet e Beogradit për kthimin e regjimit të vjetër në pikat kufitare. Tani, marrja e kontrollit të sigurisë në pikat kufitare nga KFOR-i dhe militarizimi efektiv i tyre e ka bërë edhe më të largët këtë qëllim.

Ky fakt është i rëndësishëm për dy arsye, dhe është i tillë sepse lidhet drejtpërdrejtë me kapacitetin e Beogradit për ta ruajtur status quo-n që mbretëroi në veriun e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008. Kjo status quo përfshinte “kompromisin” e arritur që nga atëherë që pikat kufitare të veriut të kontrollohen nga EULEX-i në bashkëpunim me pjesëtarët serbë të SHPK-së, situatë që zgjati deri në ditën kur Qeveria e Kosovës vendosi që pikat kufitare të veriut t’i marrë nën kontroll të vetin. Serbisë i ka konvenuar mbajtja e regjimit të vjetër, sepse pikërisht kjo gjendje i ka dhënë mundësinë Beogradit që ta problematizojë statusin e veriut në arenën ndërkombëtare, duke pretenduar se, në raport me Serbinë, kufiri kosovar është vetëm kufi administrativ, që qeverisët nga forcat ndërkombëtare në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, përderisa komunat e veriut të Kosovës qeverisën nga strukturat paralele që janë luajale ndaj qeverisë së Beogradit. Pikërisht për këtë arsye Serbisë nuk i ka konvenuar dalja e situatës nga kontrolli në veri, siç ndodhi më 27 korrik. Nuk është pa arsye që Beogradi me urgjencë kishte dërguar në veri Stefanoviqin dhe Bogdanoviqin për ta qetësuar masën e serbëve të revoltuar, dhe pse kërkesa e vetme e përfaqësuesve të Beogradit në të cilin ngulnin këmbë, ishte dhe vazhdon të jetë kthimi i regjimit kufitar në gjendjen para ndërhyrjes aty të forcave të ROSU.

Fakti i parë lidhet me kontrollin e Beogradit në terren. Është e qartë tashmë se në veri ekzistojnë grupe dhe organizata ekstremiste (që mund të kenë lidhje me strukturat paralele), por që nuk janë nën kontroll të Beogradit. Ka spekulime, si nga Prishtina por edhe në mediat e Beogradit, se turma e organizuar që sulmoi pikën kufitare në fakt ishte organizuar nga kontrabandues të veriut, të cilët rrezikojnë të humbin mijëra e miliona euro nga ndërprerja e qarkullimit të mallrave serbe në Kosovë. Ndonëse ekziston një brengë legjitime e banorëve serbë të veriut, se ndërprerja e qarkullimit të mallrave serbe do t’i ngulfasë ata ekonomikisht (pasi që furnizimi i tyre realizohet pothuajse tërësisht nga Serbia), kjo nuk shpjegon dhunën e turmës që ishte, siç shihej edhe nga xhirimet, jo shprehje e një revolte spontane, por e organizuar, e armatosur dhe e përgatitur për shkatërrim. Se interesat e kontrabanduesve dhe strukturave kriminale të veriut qëndrojnë mbrapa sulmit do të mbetët një spekulim, por duhet përkujtuar vëllimin e qarkullimit të mallrave nga Serbia në Kosovë. Vitin e kaluar, vetëm tregtia legale me Serbinë arriti në 260 milionë euro. Nëse vetëm 10% e kësaj i mbetët si profit tregtarëve, po flasim për një shumë prej 26 milionë euro në vit. Kjo shumë është akoma më e madhe nëse kësaj i shtojmë edhe kontrabandën dhe tregtinë ilegale që realizohet gati tërësisht në veri, dhe që tani premtohej vetëm të shtohej si pasojë e zbatimit të embargos në pikat tjera kufitare me Serbinë.

Dhuna e zbatuar nga turmat serbe në natën e 27 korrikut ka krijuar një komplikim të madh për pozitën e Beogradit në raport me BE-në, me KFOR-in dhe në aftësinë e saj për ta mbajtur gjendjen nën kontroll në veri. Këtë e dëshmojnë edhe akuzat qesharake të Tadiqit, të bëra në një intervistë me mediumin beogradas B92 të premten, se Prishtina ka dorë në organizimin e sulmit në Jarinjë. Tentativa e vazhdueshme e Tadiqit për t’u distancuar nga sulmet kundër pikave kufitare janë dëshmi jo vetëm se Tadiqi nuk do që qeveria e Serbisë të asociohet me dhunën e asaj nate, por provë se politika shkurtpamëse (dhe, në thelb, destruktive) e Serbisë karshi Kosovës ka shndërruar veriun e Kosovës në një territor që në esencë nuk është i administruar nga askush – as nga Prishtina, por as nga të ashtuquajtura struktura paralele të mirëmbajtura nga Beogradi, e as nga EULEX-i. Deri më tani, atuja kryesore e Beogradit në raport me bashkësinë ndërkombëtare ka qenë se vetëm Beogradi ka ndikim në veri, se serbët e veriut janë luajalë ndaj qeverisë në Beograd, gjë që e mban atje gjendjen të qetë, dhe që i jep të drejtë Beogradit të flas në emër të serbëve të veriut. Në fakt, po shihet se neglizhenca e vazhdueshme karshi sundimit të ligjit në veri, tolerimi i grupeve ekstremiste dhe strukturave kriminale – lindja, me një fjalë, e një veriu të paintegruar as në Kosovë dhe as, realisht, në Serbi – paraqet rrezikun më të madh për sigurinë e Kosovës dhe atë të rajonit.

Kjo duhet të përkthehet në një pyetje të thjeshtë: a janë EULEX-i, KFOR-i, por edhe Policia e Kosovës, të gatshme që akoma të tolerojnë ekzistencën e grupeve ekstremiste dhe kriminale në veriun e Kosovës? Deri kur do të lejohet që veriu të mbetët një zonë gri midis ligjësisë dhe paligjësisë në të cilën lulëzon kontrabanda, kriminaliteti dhe ekstremizmi? Deri në ç’masë është BE-ja e gatshme të tolerojë një situatë të rrezikshme, në të cilën bandat kriminale mund ta destabilizojnë situatën, të sulmojnë trupa ndërkombëtare dhe të zbatojnë dhunë kundër përfaqësuesve të rendit, përfshirë vrasjen e policit të njësitit ROSU, Enver Zymberi?

Kjo është pyetja që në nivel politik duhet t’i bëhet BE-së, e cila me vite jo vetëm që toleron, por edhe shpërblen sjelljen e papërgjegjshme dhe destruktivitetin e Beogradit, dhe i cili me politikën e vet e ka konservuar gjendjen e anarkisë në veri. Beogradi mund të mos ketë dorë të vet në organizimin e dhunës, por kushtet për kriminalizimin e veriut i ka krijuar pikërisht politika e saj e mbajtjes së veriut të Kosovës në amulli politike dhe ligjore, në dëm edhe të serbëve që jetojnë atje.

Ditëve të fundit, Boris Tadiqi deklaroi se nëse Serbisë i kushtëzohet anëtarësimi në BE me Kosovën, përgjigja e Serbisë do të jetë “jo”. Ndoshta ka ardhë koha që BE-ja të kërkojë nga Tadiqi të vendos.

Kolumna javore, Koha Ditore, e diel, 31 korrik 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s