Home

Ministria për Tregti dhe Industri mori vendim që të vendos embargo ndaj hyrjes së mallrave serbe në Kosovë, duke vënë në jetë paralajmërimet që ishin bërë mbi këtë masë tash e sa kohë. Me këtë, ministrja Mimoza Kusari-Lila, pas një kohë luhatjeje dëshmoi seriozitetin e saj, ndërsa qeveria vendosi një masë të drejtë dhe të nevojshme reciprociteti ndaj Serbisë dhe Bosnjës, të cilat që nga shpallja e pavarësisë nuk kanë pranuar qarkullimin e mallrave me vulën e Republikës së Kosovës në territorin e tyre. Këto masa penguese kundrejt mallrave kosovare jo që janë vetëm kundër frymës së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në rajon, por janë edhe shkelje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes CEFTA për tregti të lirë midis vendeve të Ballkanit.

Pavarësisht se vendimi është i drejtë dhe i justifikueshëm, veçanërisht ndaj një shteti që ka qëllime armiqësore ndaj Kosovës, problemi është se në formën e marrë tani, kjo masë mund të interpretohet më shumë si një pozim politik se sa masë serioze mbështetur në një plan afatgjatë për pavarësimin e Kosovës nga importet serbe. Problemi është jo vetëm fakti se Serbia hyn në listën e tre vendeve kryesore nga e cila Kosova blen mallra, që e bën embargon destabilizuese për ekonominë e vendit, por edhe fakti se Kosova importon nga Serbia mallra të konsumit bazë (si p.sh. gruri, mielli, sheqeri dhe vajrat ushqimore). Në formën e tanishme, të nxituar dhe të pa planifikuar, embargoja kundër Serbisë (nëse vazhdon) mund t’i kthehet si bumerang Kosovës, duke shkaktuar rritje çmimesh, që do të jetë me pasoja sociale sidomos tani pas një periudhe rekorde inflacioni në çmimet e shportës bazë. Eksportuesit serbë do të dëmtohen nga humbja e një tregu relativisht të madh për ta, por njëkohësisht veprimi i qeverisë së Kosovës do të jetë sikur i atij që pështyn në qiell për ta goditur kundërshtarin e vet.

Dihet se Kosova ka bilans tmerrësisht negativ tregtar nga afër dy miliardë euro (që është gati sa gjysma e gjithë BPV-së së vendit) dhe ekonomia e saj varet nga importet deri në gjërat më elementare të konsumit. Për fat të keq, ky fakt ka mbetë i palëkundur qoftë edhe për një grimë që nga viti 1999, dhe qeveritë e njëpasnjëshme – përfshirë ato të pas-pavarësisë – kanë bërë hiç ose fare pak që ta ndryshojnë këtë strukturë të dëmshme dhe të paqëndrueshme ekonomike për një shtet të pavarur. As politikat ekonomike dhe (të ashtuquajtura) zhvillimore të qeverisë aktuale nuk e adresojnë seriozisht këtë fakt, në ndërkohë që nga viti 2001, bilansi negativ tregtar i Kosovës është katërfishuar, që domethënë se në dekadën e fundit, apetitet e kosovarëve për të konsumuar mallra të prodhuara jashtë vetëm sa janë shtuar, përderisa kapacitetet e vendit për të prodhuar dhe eksportuar kanë ngecur dukshëm.

Në mesin e vendeve nga të cilat importon Kosova, Serbia, bashkë me Maqedoninë dhe Gjermaninë, hyn në tre nga partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës. Vëllimi i importeve nga Serbia në vitet e fundit vetëm ka shkuar duke u rritur. Në vitin 2010 Kosova importoi mallra nga Serbia me vlerë prej rreth 260 milionë euro, rreth 50 milionë më shumë se në vitin 2009, ndërsa deri para embargos, importet e vitit 2011 ishin edhe më të mëdha se në periudhën e njëjtë gjatë vitit 2010. Mirëpo problem më fundamental se sa vëllimi është lloji i mallrave që Kosova importon nga Serbia. Në këtë listë, mbizotërojnë dy: lëndët dhe prodhimet ushqimore dhe materiali ndërtimor. Në njërën anë, kjo është fare e natyrshme, pasi që Serbia është larg të qenurit fuqi industriale dhe eksportet e saj nuk janë prodhime të teknologjisë së lartë, por kryesisht prodhime të vlerës së ulët, sikur janë prodhimet bujqësore dhe blegtorale dhe ushqimet e përpunuara. Mirëpo në raport me Kosovën, ky specializim ekonomik i Serbisë ka qenë pikërisht avantazhi kryesor i prodhuesve serbë në pushtimin e një cope të mirë të tregut kosovar. Në mungesë të prodhimit vendor, sidomos të grurit (dhe në mungesë të burimeve alternative të importit), Serbia, me çmimet e saj relativisht të ulta në nivel të rajonit, që i gëzon pjesërisht për shkak të tokave të plleshme të Vojvodinës, zën vendin e furnizuesit kryesor të Kosovës me bukë.

Varësinë e thellë, mund ta quajmë edhe strukturore, të Kosovës në prodhimin ushqimor të Serbisë e vërteton shifra në vijim: në vitin 2010, Kosova importoi afër 355 milionë euro ushqime (përfshirë ato të përpunuara dhe ato bimore, kafshët e gjalla, por pa përfshirë pijet), nga të cilat 222 milionë (apo rreth 62%) ishin nga Serbia. Siç u theksua më lartë, një pjesë e mirë e këtyre janë grurë dhe miell që përdorën për prodhimin e bukës. Sa për krahasim: gjatë vitit 2010 Kosova importoi grurë dhe miell me vlerë prej rreth 29 milionë euro. Gjatë po të njëjtit vit, Kosova jo që nuk importoi, por eksportoi miell me vlerë prej 5 milionë euro në Shqipëri (Kosova eksportoi miell gjithashtu edhe në Maqedoni). Nga të dhënat nuk e dimë nëse ky miell ka origjinë në Kosovë, apo është ri-eksportim i grurit të përpunuar ose miellit serb. Sido që të jetë, është e pamohueshme se embargoja, po qe se vazhdon, do të ketë efekt negativ në çmimet e bukës në Kosovë. Sa do që shumë prodhime serbe janë të zëvendësueshme me importe tjera (siç janë Plazma-keksat e famshëm), çmimi i bukës godët gjithkë dhe sidomos të varfërit dhe ata me të ardhura mesatare dhe të ulta. Ministria për Tregti dhe Industri, e as kreu i Qeverisë, nuk i kanë shpjeguar publikut kosovar se çfarë masash kanë marrë që të sigurohen se embargoja ndaj Serbisë nuk do të rezultojë në shtrejtimin e bukës, që na bën të mendojmë se këto masa nuk janë marrë fare dhe se rrjedhimisht kjo politikë e rrahjes së gjoksit shumë shpejt do ta ekspozojë brishtësinë ekonomike të Kosovës kundrejt Serbisë.

Por, të kthejmë kokën nga realiteti ekonomik kah realitetet politike. Embargoja kundër Serbisë është e paqëndrueshme jo vetëm për shkak se është ekonomikisht e papërballueshme për Kosovën (dhe pa llogaritur këtu problemet e implementimit të embargos në pikat kufitare të veriut), por se importi serb është i lidhur drejtpërdrejtë me dy fraksionet kryesore të kapitalit në Kosovë: atij tregtar dhe atij ndërtimor. Duke marrë parasysh se të dyja këto fraksione janë mirë të përfaqësuara në partitë kryesore politike, presioni për ndërprerjen e embargos do të vije shumë shpejt nga brenda (padyshim se pa shumë zhurmë dhe në formë gjysmë të heshtur). Në të njëjtën kohë, kërkesat e BE-së për vazhdimin e bisedimeve do të shërbejnë si alibi i përshtatshëm për Hashim Thaçin që të gjejë arsye për ndërprerjen e embargos, duke sugjeruar se kjo bëhet në emër të bashkëpunimit rajonal, kërkesave nga BE-ja dhe “integrimit euro-atlantik”.

Ministrja Kusari-Lila mund ta ketë marrë nismën për embargo me vullnet të mirë dhe me një motiv fisnik, për t’iu përgjigjur një situate realisht të padrejtë. Por për sa kohë Kosova han bukën serbe, një bllokadë kufitare me Serbinë nuk do ta ndryshojë realitetin ekonomik në Kosovë, as nuk do të mund ta ndalë vrullin e prodhimeve serbe në Kosovë. Që të arrihet kjo, qeveria duhet ta ndërtojë një plan afatgjatë veprimi, e cila synon ta pakëzojë varshmërinë ekonomike të Kosovës ndaj Serbisë, qoftë duke rritur kapacitetet e brendshme prodhuese, qoftë duke ndihmuar në gjetjen e burimeve të tjera importi me çmime konkurrente, sidomos të grurit dhe gjërave tjera ushqimore që Kosova aktualisht i blen në Serbi. Është pikërisht një masë e tillë që do ta kërcënonte ekonomikisht Serbinë, shumë më tepër se sa veprimi spektakular i ndërmarrë javën që shkoi.

Kolumna javore, Koha Ditore, 24 korrik 2011.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s