Home

Erdhi momenti i pritur i përfundimit të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit të organizuara nën patronatin e BE-së. Erdhi zhgënjimi i opozitës por edhe entuziazmi i ligësht i kryeministrit për marrëveshjen. Qeveria, dhe veçanërisht kreu i saj, gjatë tërë kohës ka mbajtur një qëndrim tejët jokoherent karshi negociatave, herë duke insistuar se këto janë përmbushje e obligimeve ndërkombëtare, herë duke i quajtur rrugëtim i përbashkët i Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së, herë si hap drejt njohjes së Kosovës nga Serbia, refren që u përsërit sërish nga kryeministri Thaçi këto ditë. Si Thaçi, ashtu dhe opozita dhe kritikët apartiakë të qeverisë u kapen për detajet e marrëveshjes, siç janë targat dhe librat e amzës, duke deshifruar se në ç’masë këto paraqesin ose jo njohje të shtetësisë së Kosovës nga Serbia – të dyja palët duke mbajtur qëndrim të kundërt nga tjetra. Se përfitimet “teknike” (t’i quajmë këto në gjuhën e Qeverisë dhe të dërguarve të BE-së) të Kosovës janë tejët të zbehta nuk do koment fare, siç është “zgjidhja” pothuaja qesharake (dhe krejtësisht joreciproke) për targat, por që të masim se sa apo në ç’shkallë këto paraqesin hapa drejt njohjes së Kosovës është ushtrim i kotë – Serbia mund t’i kishte kthyer të gjithë librat e amzës, mund t’i lejonte targat RKS të qarkullojnë lirshëm nëpër Serbi, mund t’i pranonte vulat doganore ashtu siç janë (me mbishkrimin “Republika e Kosovës”), asnjëra nga këto nuk do të konstituonin asnjë hap drejt njohjes së Serbisë nga Kosova. Thjesht, Serbia do ta njoh Kosovën atëherë kur do ta njoh Kosovës zyrtarisht si shtet, me akt juridik nga Kuvendi i saj. Gjestet e Serbisë rreth targave, vulave dhe dokumenteve zyrtare megjithatë na rikonfirmojnë faktin se sa larg është klasa politike në Serbi nga vullneti politik për ta bërë një gjë të tillë, dhe interesin e Beogradit për të bërë ekzibicionizëm politik karshi Brukselit, se sa vullnet përmbajtësor për përmirësim marrëdhëniesh me Prishtinën.

Dhe ato konfirmojnë një fakt tjetër ogurzi për Kosovën. Ky është se sa i zbehtë – apo më saktësisht, inekzistent – është presioni i BE-së ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën. Në realitet, BE-ja nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Formalisht, BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet, përderisa pesë anëtarë të BE-së nuk e njohin individualisht Kosovën si shtet të pavarur. Formalisht, BE-ja, Kosovën e njeh akoma në bazë të Rezolutës 1244 të OKB-së; një gjë e tillë vlen edhe për misionin e EULEX-it. Ky fakt i ka komplikuar gjërat më tej në gjithë këtë proces. Brukseli nuk i krijon rrethanat politike, sepse ato i bëjnë shtetet anëtare; në këto rrethana, teknokratët e Brukselit i kanë hyrë zanatit që e dinë më së miri, të kërkojnë pafundësisht kompromise, zgjidhje “teknike” dhe forma tjera që të funksionalizojnë gjërat në rrafsh praktik, pa e prekur thelbin e problemit, që është (dhe do të jetë përherë) shtetësia e kontestuar e Kosovës nga Serbia. Mirëpo, pyetja është se sa kohë dhe deri me çfarë kostoje politike (si dhe ekonomike) mund të vazhdojnë gjërat në këtë formë. Ndejtja duarkryq dhe pritja që mendësia e politikës serbe karshi Kosovës ndonjë ditë do të ndryshojë nuk është politikë, por mungesë e saj.

Problemi është edhe më i ndërlikuar, kur marrim parasysh se në rrethanat aktuale, anëtarësimi në BE nuk është beneficion i dyanshëm, por faktikisht një garë përjashtuese midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe humbësi i garantuar është gjithnjë Kosova. Ta zemi se, edhe pse jashtë mundësive reale, hipotetikisht, Kosova do të pranohej në BE para Serbisë. Kosova, dhe sidomos në rrethanat e brendshme politike, në asnjë mënyrë nuk do të gjente vullnetin për ta bllokuar pranimin e Serbisë; e kundërta nuk është vetëm hipotetike por e garantuar; përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën, ajo nuk do ta pranojë asnjëherë anëtarësimin e saj në BE si shtet sovran, po qe se arrin të futet në BE e para. Në qoftë se Serbia pranohet në BE, vendimi për ta bllokuar Kosovën do të jetë politik, për ç’gjë Brukseli nuk ka çfarë të bëjë, ashtu siç nuk ka çfarë të bëjë me pesë vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën. Dhe se këtë garë po e fiton Serbia është tepër e qartë; ajo jo vetëm që është më përpara në procedurat e anëtarësimit, por edhe qëndrimi i BE-së për të mos pranuar vendet si bllok por individualisht (duke mësuar nga shembulli i keq i Bullgarisë dhe Rumanisë, që përfituan nga anëtarësimi në bllok, por që doli se ishin realisht të papërgatitura për anëtarësim). Se pranimi do të jetë individual u konfirmua edhe me rastin e Kroacisë, e cila tashmë fitoi anëtarësimin pa pritur ritmin e vendeve tjera të të ashtuquajturit “Ballkan Perëndimor”.

Në lojë pra nuk janë vetëm dashakeqësia dhe malicioziteti politik i Serbisë ndaj Kosovës, por edhe hipokrizia e BE-së. Në njërën anë BE-ja thotë se nuk do të pranojë një “Qipro të dytë” (duke aluduar në Kosovën dhe në Bosnjën) por në anën tjetër ajo po dëshmon se nuk ka plan konkret për evitimin e një Qiproje të dytë. Kryetari i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, gjatë qëndrimit në Prishtinë para pak muajsh pat dhënë, si dhe Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme e BE-së, Catherine Ashton, në takim me kryeministrin Thaçi përsëriti angazhimin e vazhduar të BE-së për Kosovën. Por skenari i pranimit të Kosovës në BE, pa njohjen e Serbisë dhe pa njohjen nga pesë vendet tjera është thjesht i pamundur; BE-ja është bashkësi shtetesh sovrane, të njohura ndërkombëtarisht dhe anëtare të OKB-së, jo territoresh të kontestuara. Në mënyrë që të mos i shesin publikut kosovar premtime të thata me qëllim të arritjes së qëllimeve të tyre më imediate (siç është “suksesi” në negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit) Barroso dhe Ashton duhet t’i shpjegojnë publikut kosovar (ashtu siç duhet kryeminstri Thaçi) se si do të ecën anëtarësimi i Kosovës në BE pa njohjen e Kosovës si shtet të pavarur nga e gjithë BE-ja dhe nga Serbia, dhe se çfarë do të bëhet me Kosovën nëse të gjitha vendet e mbetura të Ballkanit pranohen në BE ndërsa vetëm Kosova ngelet jashtë. Besoj se ky është një skenar i padëshiruar edhe në Bruksel, sepse izolimi i Kosovës nuk është në interes të askujt (përveç ndoshta të Serbisë), por nuk është e qartë se Brukseli ka ndonjë mundësi për ta penguar një skenar të tillë si epilog, pasi që një gjë e tillë tashmë ndodhi me liberalizimin e vizave.

Përderisa debati në hapësirën publike kosovare mbetet i ngujuar në detajet e marrëveshjes, pakkush po merret me problemin më të madh me të cilin ballafaqohet Kosova. Fatkeqsisht zgjidhjet nuk janë lehta, sepse Kosova nuk ka kapacitet (dhe sidomos me legjitimitetin e brishtë të udhëheqjes aktuale të saj) të bëjë ndonjë trysni karshi Serbisë, e as ndaj BE-së. Fjalët e ashpra për masa reciprociteti ndaj ndalesës së mallrave kosovare në Serbi dolën të ishin vetëm ekzibicionizëm politik i ministrës Mimoza Kusari-Lila, pasi që një luftë kundër importeve serbe kërkon një strategji të tërë qeveritare, dhe jo vetëm ngritje të akcizës ose mbyllje të kufirit; Kosova nuk mund të vendos ndalime ndaj mallrave serbe, kur Kosova varet nga Serbia për mallrat bazike ushqimore, ndërsa një bllokadë e drejtpërdrejtë ekonomike ndaj Serbisë do të ngriste çmimet e shportës bazike në Kosovë deri në përmasat e një revolte sociale. Por, ky është çmimi i vartësisë së dyfishtë ekonomike dhe politike – ekonomike ndaj Serbisë, politike ndaj BE-së. Pranimi në BE do të jetë i mundur, por vetëm pas një realpolitike më të vendosur të Prishtinës; politika të targetuara që synojnë çlirimin gradual të Kosovës nga importi serb, si dhe forcimin e aleancave të drejtpërdrejta me shtetet e fuqishme të BE-së, ato që të parat kanë avokuar pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që Serbisë t’i kushtëzohet fuqishëm dhe vendosmërisht anëtarësimi në BE me njohjen e Kosovës. Por, me një qeveri të paaftë për të bërë kthesa politike, dhe një kryeministër me kredibilitet të dëmtuar ndërkombëtar, është vështirë se një kthim i tillë politik është i mundur sot.

Botuar te Koha Ditore, 10 korrik 2011


Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s