Home

Një mik imi irlandez, para pak kohe kishte shkuar në vizitë në Zelandën e Re. Ishte habitur, më tregonte, nga numri i irlandezëve që kishte takuar në Auckland, kryeqytetin e Zelandës së Re. Krejt këta ishin imigrantë të ri që ishin shpërngulur gjatë dy-tre viteve të fundit, kishte marrë vesh ai, si pasojë e krizës ekonomike në Irlandë.

Me rastin e krizës ekonomike që ka goditur rëndë Irlandën, irlandezët i janë kthyer zanatit të vjetër të emigracionit ekonomik. Të gjithë e dinë se ishulli i vogël prej 4,4 milionë banorëve ka qenë burim i madh emigracioni, kryesisht në Amerikë. Imigracioni irlandez në Amerikë ka qenë masiv, sidomos në fund vitet e shekullit XIX, në vlugun e industrializimit amerikan dhe në kohën e zisë së bukës gjatë viteve 1845-1852 që nxorri jashtë Irlandës më shumë se gjysmën e popullsisë së saj. Megjithëse duket se imigrantët e rinjë irlandezë preferojnë Australinë dhe Zelandën e Re si destinacion, llogaritet se si pasojë e imigracionit, në Amerikë sot jetojnë shumëfish më shumë banorë me prejardhje irlandeze se sa ka banorë vetë Irlanda.

Regjistrimi i fundit në Kosovë tregoi se Kosova aktualisht ka 1.733.872 banorë rezidentë. Në krahasim me popullatën e vitit 1981, del se në tridhjetë vjet, Kosova është rritur për vetëm 150.000 banorë, një shifër shumë më e vogël nga ç’pritej, dhe që del edhe më e vogël nëse totalit i shtohet edhe minoriteti serb i pjesës veriore që nuk ka marrë pjesë në regjistrim. Megjithëse procesi i regjistrimit ka qenë përcjellur me kundërthënie, kurse disa kontestojnë saktësinë e totalit të dhënë zyrtarisht, duhet marrë parasysh se shifra nuk është aspak befasuese nëse merret parasysh emigracioni nga Kosova, dhe vlerësimet e ndyrshme sikur ajo nga UNDP që thonë se jashtë Kosovës jetojnë më së paku 500.000 kosovarë. Numrin e saktë nuk e dimë sepse qeveria jonë deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë program për të mbajtur evidencë për numrin e emigrantëve kosovarë, qoftë edhe jashtë regjistrimit zyrtar të popullsisë, apo edhe numrin e emigrimeve që bëhen çdo vit.

Ajo që është më habitëse është se emigracioni ka vazhduar me ritëm të pandryshuar edhe gjatë dekadës së parë të viteve 2000. Megjithëse vala e emigracionit nga Kosova në vendet perëndimore fillon me të madhe në vitet 1970, kjo valë shumëfishohet në vitet 1990, për arsye të njohura të represionit politik e ekonomik që i bëhej shqiptarëve nga regjimi i atëhershëm i Serbisë. Pritja ka qenë se, pas largimit të forcave serbe, emigracioni jo vetëm se do të ndalet, por edhe mund të zbrapset nga dëshira e shumë kosovarëve për t’u kthyer në Kosovë, siç bënë një numër i konsiderueshëm i imigrantëve pas vitit 1999 – e disa u riatdhesuan përkundër dëshirës së tyre. Por, me sa duket, gjendja e rëndë ekonomike, papunësia (sidomos tek të rinjët) dhe mungesa e përgjithshme e paperspektivës për një pjesë të madhe të qytetarëve kanë bërë që vrulli i ikjeve nga Kosova të mos pushojë as gjatë dekadës së fundit, përkundër politikave shumë më restriktive karshi imigracionit kosovar të vendosur nga shumë shtete perëndimore pas vitit 1999.

Në njërën anë, ky është trend i nevojshëm, sado që mund të jetë i padëshirueshëm, qoftë nga kosovarët, qoftë nga vendet evropiane dhe të tjera që synojnë të reduktojnë numrin e imigrantëve nga Kosova. Gjendja ekonomike në Kosovë është aq e rëndë, dhe papunësia aq e madhe, sa që edhe një zhvillim ekonomik i përmasave aziatike nuk do të mund të plotësonte nevojat për punësim të një pjese të madhe të popullatës. Emigracioni është – dhe duhet të jetë – një opsion për kosovarët që në Kosovë nuk gjejnë zgjidhje për problemin e sigurimit të ekzistencës së tyre, dhe mbrojtja e kësaj të drejte (në vend të përkrahjes së verbër që i jepet nga qeveritë tona politikave të riatdhesimit të shteteve perëndimore) duhet të jetë pjesë e agjendës së akëcilës qeveri kosovare, ashtu siç duhet të jetë kërkimi i regjioneve të tjera botërore si destinacion për punë të përhershme ose sezonale. Kjo është aq më shumë e nevojshme kur dihet roli që remitancat kanë për të ardhurat e vendit, duke zbutur gjendjen e rëndë sociale për shumë familje kosovare.

Kosova, bashkë me Shqipërinë, janë dy prej ekonomive ballkanike me varësi të madhe në remitancat, me rreth 670 milionë euro për Shqipërinë dhe rreth 370 milionë euro për Kosovën në vitin 2010. Sipas një studimi të bërë nga Gallup, 23% të familjeve kosovare varen nga remitancat (në krahasim me 20% për Shqipërinë). Fakti se popullata e Kosovës nuk është rritur në tridhjetë vitet e fundit, duhet të na ngulë në kokë se jemi, dhe do të jemi edhe në të ardhmen, vend i emigracionit, dhe si pasojë edhe vend i varshmërisë strukturore në remitancat e emigrantëve. Ky fakt duhet të vlejë edhe në nivel të bërjes së politikave, sidomos atyre zhvillimore.

Deri më tani, remitancat janë konsideruar si mënyrë për mbështetjen ekonomike dhe zbutjen e varfërisë të famljeve, dhe përkrahje financiare për nevoja të konsumit privat. Studimet kanë treguar se shumica e parave të ardhura nga jashtë në Kosovë, shpenzohen për konsum familjar, dhe jo në investime. Kjo është e pritshme – familjarët kosovarë kanë në radhë të parë prioritet që të zgjidhin gjendjet e tyre ekonomike, dhe nuk u takon (e më shumicën e rasteve, as që janë mundësi) që të mendojnë se si paratë e dërguara nga ata mund të mobilizohen për qëllime më të mëdha zhvillimore për vendin. Kjo, natyrisht, i takon lidershipit politik, mirëpo që remitancat të mobilizohen për qëllime zhvillimore, edhe modeli zhvillimor kosovar duhet të dalë nga mendësia që i sheh remitancat si një faktor për zbutjen e gjendjes sociale, dhe të zhvillojë politika dhe programe që remitancat i drejtojnë drejt projekteve dhe nismave zhvillimore.

Për këto politika nuk duhet marrë shembull nga shtetet e pasura evropiane, të cilat nuk ballafaqohen fare me një situatë sikur tonën, por nga shtetet latino-amerikane, që kanë situatë të ngjashme ku remitancat përbëjnë një faktor të rëndësishëm ekonomik. Shembulli kryesor i politikave dhe programeve të suksesshme të shfrytëzimit të remitancave për qëllime zhvillimore është Meksikoja. Meksikoja është shteti që pranon vëllimin më të madh të remitancave në botë – rreth 21 miliardë dollarë ka qenë shifra e remitancave të pranuara në vitin 2009, kryesisht nga imigrantët meksikanë në SHBA, nga afër 60 miliardë dollarë sa ka qenë vëllimi i remitancave në tërë Amerikën latine. Dy programe i ka zhvilluar shteti meksikan, që janë treguar të suksesshme në mobilizimin e remitancave dhe të fuqisë ekonomike të mërgimtarëve meksikanë për qëllime zhvillimore. Që nga viti 1993, në disa shtete të Meksikos zbatohet me sukses programi Dos por Uno (“Dy për Një”), i cili përmes organizimit të shoqatave atdhetare, dyfishon me para publike çdo investim publik që emigrantët meksikanë bëjnë në qytetet ose fshatrat e tyre të lindjes, siç është ndërtimi i një shkolle, ose asfalltimi i një rruge. Kështu, në vend se të konsumit privat, remitancat mobilizohen drejt projekteve të investimit publik, duke lehtësuar barrat e buxheteve lokale publike dhe duke përdorë fuqinë ekonomike të emigrantëve për nevoja zhvillimore të vendit. Kështu, në vitin 2006, 723 shoqata atdhetare investuan rreth 70 milionë dollarë në projekte të ndryshme publike. Një program tjetër i qeverisë meksikane, mbështet 40% të investimit në sektorin e bujqësisë të çdo investimi që bëhet nga një emigrant i kthyer meksikan. Që nga viti 2002, ky projekt ka gjeneruar mbi 200 milionë dollarë investime në projekte të ndryshme.

Regjistrimi i popullatës kosovare do të vazhdojë të gjenerojë kundërthënie. Për shumë njerëz, mosrritja e popullatës në Kosovë do të jetë fakt vështirë i pranueshëm, për një vend të mësuar me dekada me rritje rapide të popullsisë. Por edhe nëse ka pasë mangësi në regjistrim, nuk mund të presim, siç pandehin disa, se qindra mijëra banorë të Kosovës paskan mbetur pa u regjistruar. Thjesht, Kosovës ia han popullatën emigracioni, dhe do të vazhdojë t’ia hajë për shumë kohë, ndërsa neve na konfirmohet fakti se Kosova në dekadat e fundit ka marrë rolin në ekonominë politike evropiane të një burimi të fuqisë së lirë punëtore. Klasa jonë politike duhet ta pranojë këtë fakt, duke i dalë në mbrojtje idesë së emigracionit (sidomos karshi qeverive evropiane) dhe duke filluar të zhvillojë programe që mobilizojnë emigracionin kosovar për qëllime zhvillimore. Në vend se të vajtojmë humbjen e banorëve, duhet të gjejmë mënyra të reja dhe kreative që faktorin e emigracionit ta fuqizojmë në funksion të zhvillimit të vendit.

Botuar te Koha Ditore, 3 korrik 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s