Home

Kredia 80 milionë dollarëshe që Kosova humbi sivjet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) duken si para të imta karshi kredisë 110 miliardëshe që vitin e kaluar FMN-ja dhe Bashkimi Evropian (nga kjo shumë, 30 miliardë janë nga FMN-ja) ia ndanë Greqisë për ta shpëtuar vendin nga falimentimi i shkaktuar nga kolapsi i bonove greke. Pakoja e vitit 2010 erdhi me kushte për politika të reduktimeve të ashpra buxhetore, përfshirë zvogëlimin e pagave të sektorit publik, të pensioneve, dhe shitjen e aseteve në pronë shtetërore me vlerë prej dhjetera miliardë eurosh – përfshirë edhe privatizimin e Akropolisit të famshëm të Athinës. Tregjet financiare janë tani në hall se çfarë do të bëjnë politikbërësit evropianë karshi këstit të korrikut, që Greqia duhet ta marrë nga BE-ja dhe FMN-ja, përderisa kryeministri grek Jorgo Papandreu ballafaqohet me një krizë të thellë politike. Greqia është kapluar nga protestat masive të sindikatave, punëtorëve, studentëve, pensionistëve dhe qytetarëve të thjeshtë që refuzojnë shkurtimet e thella të pagave dhe shpenzimeve që qeveria e Papandreut duhet t’i implementojë si kusht për marrjen e kredive shpëtuese. Në ndërkohë, Standard and Poor’s, një nga organizatat që bën vlerësimin e rrezikshmërisë së bonove publike, këto ditë uli bonot greke nga kategoria B në CCC, e paparë për ndonjë shtet të zhvilluar në historinë e re evropiane. Krejt kjo ndodh përderisa Greqia ballafaqohet me mundësinë që thesari i saj edhe de facto të falimentojë gjatë muajit të ardhshëm, duke ndezur një zinxhir të ri krize në ekonominë botërore.

Problemi i borxhit sovran të Greqisë (bashkë me Portugalinë dhe Irlandën që po kalojnë situatë të ngjashme) nuk është vetëm çështje e brendshme e ekonomisë greke, sepse në fundament përbën sprovë për projektin e unionit monetar dhe tregtar evropian. Siç kam shpjeguar në kolumnet e mëhershme mbi problemin e borxheve sovrane evropiane, shkaku i krizës financiare greke nuk është vetëm politika e brendshme e qeverisë greke, por rezultat i drejtpërdrejtë i aranzhmaneve monetare të unionit, e cila me normat e ulta të kamatave të Bankës Qëndrore Evropiane (që favorizoheshin nga shtetet e pasura si Gjermania), nxiti futjen në borxh të shteteve më pak të pasura si Greqia dhe Portugalia, të cilat financoheshin me kredi të lira, kryesisht nga bankat gjermane. Në momentin që tregjet financiare humben besimin në financat greke, normat e kamatave të kërkuara nga bankat u ngriten në numra dyshifrorë, duke tejkaluar mundësitë e shtetit grek për t’i kryer të gjitha obligimet e veta financiare. Kjo detyroi ndërhyrjen financiare të BE-së dhe FMN-së në mënyrë që të shpëtohet thesari grek nga falimentimi i plotë.

Pavarësisht se është zbuluar se qeveria greke ka shtrëmbëruar një pjesë të kontabilitetit të financave të saj publike për t’u kualifikuar për hyrjen në unionin monetar evropian (të cilin e bëri më 2001), kjo vetëm tregon se sa politik është në fund menaxhimi i çështjeve të Bashkimit Evropian, i cili bëri përjashime jo vetëm ndaj Greqisë por edhe ndaj shumë rasteve të tjera, në rregullat gjoja strikte të Bankës Qëndrore Evropiane (BQE) për anëtarësim në unionin monetar. P.sh., përderisa BQE kërkon që deficiti i shteteve të mos tejkalojë 3% të BPV-së së shtetit anëtar dhe që borxhi publik të mos tejkalojë 60% rë BPV-së (në vitin 2010, borxhi grek ishte rreth 140% të BPV-së), një gjë të tillë nuk e kishin respektuar për shumë vite shumë shtete të unionit monetar, përfshirë edhe vendet si Italia dhe Belgjika. Ideja shtytëse mbapa unionit monetar evropian ishte se ai do të çonte jo vetëm në një bashkim monetar të vendeve të BE-së përmes monedhës së përbashkët, por edhe se do të shërbente si mekanizëm për nivelizimin e dallimeve ekonomike midis vendeve të pasura dhe më pak të pasura të BE-së.

Mirëpo siç vënë re revista The Economist, një nga efektet kryesore të futjes së euros në Greqi ishte nxitja e mëtejmë e importeve në një ekonomi që historikisht ballafaqohej me një deficit të lartë tregtar. Por ajo që nuk e thekson The Economist është se në një mënyrë, aranzhmani monetar dhe tregtar i krijuar me euron ishte e dobishme për vendet eksportuese si Gjermania, duke e bërë euron të vlefshme për Gjermaninë në formë të dyfishtë: në njërën anë duke e shfrytëzuar BQE-në si zgjerim të Bundesbankës (përmes së cilës euro në radhë të parë reflekton fuqinë ekonomike gjermane) dhe në anën tjetër si nxitëse e eksporteve, meqënese inflacioni në vendet e periferisë (që ishte pothuajse i menjëhershëm pas hyrjes në qarkullim të euros) krijoi kushtet për nxitjen e eksporteve gjermane drejt periferisë evropiane. Derdhja e kredive gjermane në Greqi, mund të argumentohet, shërbeu për të financuar blerjen e importeve të prodhuesve gjermanë. Konsumi grek kështu kishte vlerë të dyfishtë për ekonominë gjermane: ajo thithte mbivlerën si përmes eksportit të mallrave që i shiteshin Greqisë, ashtu dhe përmes përfitimit të bankave gjermane si financierë të ekonomisë greke. Një gjë e tillë vërtetohet edhe nga të dhënat. Në vitin 2001, para hyrjes së Greqisë në unionin monetar, deficiti tregtar grek ishte rreth 1,5 miliard euro, ndërsa në vitin 2009 kjo shifër pothuajse u trefishua në afër 4 miliardë euro. Ndërkaq, Gjermania është partneri kryesor tregtar i Greqisë për importe.

Euro qëndron në themel të problemit grek. Siç shpjegon Andrew Watt nga Instituti i Unionit Tregtar Evropian, një shtet që posedon monedhë të vetën nuk mund të falimentojë: problemit të obligimeve financiare – ato, kuptohet, që i përmbush me monedhë të vetën – shteti mund t’i përgjigjet duke shtypur para të reja (të cilat shkaktojnë telashe tjera, si devaluim dhe inflacion), por që ulin normën nominale të kamatave dhe me këtë ulin shkallën e borxhit si përqindje të BPV-së. Devaluimi ndërkaq, çon në ristrukturimin tregtar të vendit, pasi që ul çmimet e eksportit. Kjo është një nga arsyet pse SHBA-të, borxhi i së cilës në korrik pritet të tejkalojë shumën e 14 bilionë dollarëve (rreth 70% e BPV-së), nuk e ka hallin e njëjtë si Greqia megjithëse ballafaqohet me problemin e njëjtë të borxhit të lartë publik. Në mungesë të instrumentit të politikës monetare, ristrukturimi i vetëm i mundur i ekonomisë është ai i brendshëm (që ekonomistët ortodoksë e quajnë “rritje të konkurrueshmërisë”), që domethënë shkurtime të dhimbshme të shpenzimeve, luftë kundër të drejtave të punëtorëve, privatizim i aseteve dhe shkurtime tjera që, në efekt çojnë në recesion të mëtejmë ekonomik, i cili e dobëson më tej aftësinë e shtetit për t’i paguar borxhet. Pikërisht kjo edhe ndodhi – BPV-ja greke u zvogëlua për mbi 5% gjatë këtij viti si pasojë e masave reduktuese të qeverisë së Papandreut, kurse pakënaqësia politike në Greqi, siç pamë këto ditë nga Athina, ka arritur në nivel para-revolucionar.

Çështja kryesore që ngrit Watt – e që nuk po merret parasysh nga politikbërësit evropianë – është se problemi grek nuk duhet të trajtohet si deri më tani, një problem i veçantë i financave greke, por si problem kolektiv i unionit monetar. Zgjidhja, sipas Watts, është që unioni monetar të funksionojë si një sferë e vërtetë e bashkuar ekonomike dhe që BQE-ja të marrë përsipër për një periudhë të caktuar të gjitha borxhet sovrane të vendeve të eurozonës. Mirëpo, kjo do të nënkuptonte që barra për problemet e Greqisë dhe shteteve periferike të eurozonës të shpërndahet në të gjitha ekonomitë e eurozonës dhe që për situatën aktuale të mos ndëshkohen me varfërim ekonomik qytetarët grekë, portugezë, irlandezë e të tjerët të periferisë së eurozonës. Kjo padyshim nuk është diçka që dëshirojnë vendet e pasura, veçanërisht Gjermania, që nuk ka interes që të dëmtojë eksportet e veta në emër të unionit monetar. Por, kjo ngrit një problem shumë më fundamental, dhe ky është se sa është Bashkimi Evropian në të vërtetë bashkim i një kolektiviteti të ri politik dhe ekonomik, dhe sa është vetëm një koleksion i shteteve me interesa të veta të veçanta. Dita-ditës – dhe ky është leksioni kryesor i Greqisë për të gjithë ne – po mësojmë se realiteti, fatkeqsisht, po përkon gjithnjë e më shumë me përshkrimin e dytë.

Botuar te Koha Ditore, 19 qershor 2011

Një mendim mbi “Problemi grek i Evropës apo problemi evropian i Greqisë?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s