Home

Ndodhi ajo që pritej dhe qeveria vendosi që deficitin buxhetor të këtij viti, të përkeqësuar tani me humbjen e mbi 150 milionë eurove nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet tjera ndërkombëtare, ta mbulojë duke shfrytëzuar paratë e deponuara në rezervën shtetërore. Siç njoftoi kjo gazetë, Ministria e Financave ka marrë vendim që me fondin rezervë, që ka arritur vlerën e 342 milionë eurove, të mbulojë deficitin buxhetor që për sivjet arrin në 226 milionë euro. Është hera e parë që prej themelimit të institucioneve qeverisëse të Kosovës, që një qeveri prek fondin rezervë për nevoja të shpenzimeve të rregullta buxhetore, siç janë pagat e shërbyësve civilë, investimet infrastrukturore dhe nevojat e shpenzimeve të përditshme buxhetore të qeverisë, administratës dhe shërbimeve publike. Fondi rezervë deri tani ishte dedikuar për nevoja të jashtëzakonshme, dhe ishte sidomos i rëndësishëm për një vend si Kosova për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.

Zakonisht, mbajtja e rezervave shtetërore nga vendet në zhvillim, zakonisht në dollarë ose euro, bëhet për stabilizimin e valutës së vendit dhe ruajtjen e sistemit makrofiskal. Në rastin e Kosovës, e cila nuk ka monedhë të vetën, rezerva mbahet për ruajtjen e sistemit financiar nga ndonjë rrezik i papritur, siç është ndonjë katastrofë natyrore ose ndonjë krizë financiare ose bankare. Kjo është aq më shumë e nevojshme duke marrë parasysh mundësitë e kufizuara huamarrëse të Kosovës në rast se i nevojiten fonde të menjëhershme emergjente.

Tani po e përjetojmë fundin e konservatorizmit fiskal që i ndihmoi Kosovës që në kushte jashtëzakonisht të vështira të pasluftës ta ndërtojë një qëndrueshmëri financiare dhe ardhjen e një periudhe kur buxheti i shtetit bëhet pre gjithnjë e më e madhe e kalkulimeve afatshkurtëra politike dhe vendimeve arbitrare shpenzuese të kreut të qeverisë, duke rrezikuar krizën fiskale dhe qëndrueshmërinë ekonomike të vendit. Është vënë re shpesh madhësia e qeverisë aktuale në krahasim edhe me shtete shumë më të mëdha dhe fakti se vetëm shpenzimet për ministritë dhe kabinetet e tyre do të tejkalojnë shumën e mbi 50 milionë eurove. Është mjaft indikative se në vend të shkurtimit të këtij lloji të shpenzimeve (p.sh. duke shkurtuar disa nga privilegjet për shoferë e makina ose duke zvogëluar rrogat e stafit qeveritar), si përgjigje ndaj humbjes së fondeve të FMN-së, qeveria më parë do të cënojë rezervat shtetërore duke e bërë gjithnjë e më të afërt mundësinë që thesari i shtetit të mbetet bosh. Kur situata të këtilla sot po kalojnë shtete me përvoja shumë më të gjata të qeverisjes financiare si Portugalia, Greqia dhe Irlanda, falimentimi i një shteti të brishtë si Kosova nuk është skenar i paparamendueshëm dhe sidomos nëse vazhdon avazi i mendësisë aktuale (keq)qeverisëse se arka e shtetit është pa fund.

Sido që të jetë, qeveria, dhe në veçanti Ministria e Financave po përballet me pasojën e parë të keqmenaxhmit financiar, veçanërisht karshi një kryeministri që përderisa është përplot retorikë për ekonominë e tregut, po tregon se i mungon një sens shumë më elementar i menaxhimit të financave publike. Por është pikërisht ky kryeministër që ka përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar ku qeveria duhet t’i fus duart në rezervat e shtetit për të financuar buxhetin, sepse të gjitha vendimet për shpenzime të mëdha investuese janë marrë ose bekuar personalisht nga ai. Kjo ishte e qartë me rastin e vendimit për rrogat gjatë zgjedhjeve të kaluara, por edhe për autostradën, për të cilën dikur kryeministri Thaçi synonte ndarjen e meritës me Fatmir Limajn (të cilin si ministër transporti e kishte shpërblyer me qindra miliona euro buxhet për investime), por tani sikur po e përvetëson si një “pet-project” i cili do të ngelet vetëm në emër të tij. Kjo u pa edhe në javët e fundit kur kryeministri nguli këmbë që puna në autostradë do të vazhdojë përkundër humbjes së fondeve nga FMN-ja, dhe sa herë përballet me kritika del para kamerave tek punishtet e autostradës duke insistuar në madhështinë e veprës.

Megjithëse autostrada do t’i hajë një pjesë të mirë të buxhetit për sivjet dhe vitin që vjen, ajo që nuk merret parasysh është se autostrada do të jetë një ngarkesë e përhershme për buxhetin meqenëse edhe pas ndërtimit, ajo duhet të mirëmbahet. Siç po zbulon edhe Sali Berisha në Shqipëri, projektet e mëdha infrastrukturore nuk kërkojnë vetëm investime të jashtëzakonshme për t’u ndërtuar, por kërkojnë edhe shpenzime të mëdha të mirëmbajtjes në mënyrë që të ruhet vlera e investimit, e cila sidomos në investime rrugore, shumë shpejt mund të humbet si pasojë e amortizimit të shpejt. Berisha tani po kërkon konçesionar privat për mirëmbajtjen e autostradës, që do të jetë punë e vështirë pasi që, siç kanë zbuluar vitet e fundit vendet si Kroacia e Rumania, autostradat nuk janë investime profitabile dhe nuk mund vetëvetiu të gjenerojnë të hyrat e nevojshme (p.sh., duke aplikuar taksë për secilin përdorues të tyre) për ta shpaguar vetëveten. Kjo është arsyeja pse privatizimi i autostradave dhe rrugëve nacionale nuk është në modë dhe ndoshta arsyeja kryesore pse ato ende konsiderohen investime publike në të cilat beneficioni ekonomik është indirekt. Sido që të jetë, edhe pasi Kosova t’ia paguajë centin e fundit Bechtel-Enkas për ndërtimin e autostradës (në shumën finale që mbetet misterioze për të gjithë ne pjesëtarët e publikut), mund të ballafaqohemi me situatën ku buxheti vjetor vetëm për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit” do të jetë disa herë më i lartë se sa fondi i dedikuar për subvencionimin e bujqësisë.

Sido që të jetë, përdorimi i fondeve rezervë për shpenzime buxhetore nuk do të kalojë mirë as në sytë e FMN-së. Lëvdata kryesore që FMN-ja ka patur për qeverisjen financiare të Kosovës gjatë dekadës së fundit është pikërisht konservatorizmi financiar që pavarësisht varfërisë relative të vendit, ka çuar në krijimin e një mjedisi relativisht të stabilizuar makroekonomik i cili kaloi pa ndonjë goditje të drejtpërdrejt edhe gjatë krizës financiare të 2008-ës. Megjithëse përgjithësisht FMN-së i intereson stabliteti fiskal dhe financiar dhe rritja ekonomike si e tillë, e jo premisat zhvillimore dhe orientimet strategjike të politikave ekonomike, ky vlerësim pozitiv nga FMN-ja i ka ndihmuar Kosovës në përfitimin e kredibilitetit karshi bashkësisë ndërkombëtare si shtet i ri i pavarur.  Megjithatë, pas ndërprerjes së financimit nga FMN, prekja e fondit rezervë është një sinjal i dytë i keqmenaxhimit financiar. Madje, një nga kërkesat e FMN-së në vitin 2010 ka qenë pikërisht rritja e fondit rezervë dhe krijimi i një mekanizmi të veçantë për “shpëtim” financiar në rast se Kosova ballafaqohet ndonjëherë me situata sikur që ndodhën në shumë shtete gjatë krizës financiare të 2008-ës dhe shteti duhet të intervenojë në shpëtimin e bankave. Zvogëlimi i rezervës mund të reflektojë negativisht në vlerësimet e qeverisjes financiare që FMN-ja ia bën Kosovës sivjet, duke e skualifikuar Kosovën nga kreditë edhe në vitin 2012. Refuzimi i FMN-së për t’i rinovuar Kosovës programin e kredisë më 2012, kombinuar me shpenzimet e vazhdueshme të autostradës dhe zvogëlimin drastik të fondit rezervë, si dhe humbjes së dividentës së rregullt që buxheti ka përfituar nga PTK-ja (si pasojë e privatizimit), duket se do ta bëjnë vitin 2012 një vit të rëndë për Kosovën në pikëpamje ekonomike. Ndërkaq, mundësia që në vitin 2012 ose 2013 FMN-ja të vijë si “zjarrfikës” financiar i vendit të gjendur buzë grëminës financiare, do të përkthehet në imponime për shkurtime drastike të shpenzimeve publike që do ta përkeqësojnë disa fish gjendjen edhe ashtu të keqe ekonomike në vend. Shto kësaj edhe parashikimet për shtrejtimin e vazhdueshëm të grurit që po paralajmërohet gjithandej nga Organizata Botërore e Ushqimeve dhe nga tregjet botërore, dhe mundemi shumë kollaj ta paramendojmë se në çfarë situate toksike financiare dhe ekonomike mund të përfundojë vendi deri në vitin e ardhshëm si pasojë e politikave të dezorientuara të qeverisë aktuale.

Botuar te Koha Ditore, 12 qershor 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s