Home

Anulimi i programit të kredive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe deklasimi i Kosovës në shtet me status të monitorimit i përmbushi fatzezësisht parashikimet e atyre pak protagonistëve dhe ekspertëve të cilëve u ka ngelur një fije racionaliteti e që tërhiqnin vëmendjen kah rreziku i lojëve politike me financat e shtetit. Ky kurs i theqafjes politike dhe financiare për vendin tashmë nxori viktimën e saj të parë, që është programi kreditor i FMN-së bashkë me grantet dhe fondet tjera nga Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian që lidheshin me të.
 
Do të isha i fundit që i dal në mbrojtje një institucioni si FMN-ja, duke marrë parasysh historinë e mizershme që ky institucion ndërkombëtar financiar ka me vendet në zhvillim. Do të isha i pari gjithashtu t’i dal në mbrojtje sovranitetit fiskal dhe financiar të Kosovës karshi imponimeve të FMN-së. Madje pezullimi i kredive të FMN-së (që nuk janë, siç i quajnë disa dhe vetë FMN-ja, “ndihma”, por para hua që Kosova duhet t’i kthejë me kamatë) janë pikërisht për shkak se planifikimet buxhetore të Kosovës dolën jashtë kornizës së shpenzimeve të cilin ministri i kaluar i Financave, Ahmet Shala, e kishte përgatitur vitin e kaluar me zyrtarët e FMN-së në Washington (ku, ndër të tjera, ishte premtuar privatizimi i PTK-së). Por ky rast nuk i përngjet situatave ku disa burokratë arrogantë të një institucioni të fuqishëm financiar i diktojnë një vendi të varfër në zhvillim se si dhe ku t’i shpenzojë paratë e veta. Jo. Kemi të bëjmë me një situatë absolutisht absurde ku marrëveshja me FMN-në bie viktimë e disa kalkulimeve afatshkurtëra politike, të bëra nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili çdo vendim ia nënshtron të njëjtit racionalitet: prolongimit me çdo mundësi dhe mjet qëndrimit të tij në pushtet.
 
Realiteti është se në vitin 2010 qeveria kishte nënshkruar një marrëveshje “stand-by” me FMN-në, për përfitimin e pak më shumë se 100 milionë eurove kredi, me kushtin që qeveria t’i përmbahet kornizës së shpenzimeve të dakorduar me FMN-në për këtë periudhë. Asokohe, kur FMN-ja kishte tërheq vërejtjen për madhësinë e papërballueshme të investimit në autostradën Vërmnicë-Merdare, ishte pikërisht në këtë marrëveshje që qeveria i kishte premtuar FMN-së privatizimin dhe shitjen e 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës (për shumën aq të përfolur të 300 milionë eurove) për ta mbuluar deficitin buxhetor të krijuar nga projekti i autostradës. Mirëpo, e dimë se që nga korriku i vitit të kaluar, kur Kosova firmosi marrëveshjen “stand-by” me FMN-në, e deri më sot, vendi kaloi një sërë avanturash politiko-kushtetuese-zgjedhore, me ç’rast kryeministri Thaçi, në vlugun parazgjedhor, si magjistari që nxjerr lepurin nga kapela, nxori nga xhepi i tij i pasëm premtimin për rritje pagash deri në 50% për gjithë sektorin publik. E dimë të gjithë avanturën që pasoi me pagat dhe faktin që shou politik i kryeministrit, i cili në janar të këtij viti, akoma pa u konstituuar qeveria e re, në kohën kur pritej përsëritja e zgjedhjeve të famshme, nënshkroi një “vendim” për rritje pagash (që ishte thjesht një copë letre pa kurrfarë peshe juridike, sepse me kushtetutë buxhetin publik nuk mund ta ndryshojë në mënyrë unilaterale kryeministri, pa aprovim nga Kuvendi). Se si vajti puna e atij “vendimi” e dinë të gjithë ata që ende i presin paratë e premtuara për rritje pagash nga janari, dhe mbase arritën të mësojnë ngapak nga aftësitë për nga “showman”-i që i posedon kryeministri, sidomos në momentet kur i rrezikohet pushteti.
 
Aftësitë prej “showman”-i të z. kryeministër i pamë në veprim edhe kur në publik doli lajmi se FMN-ja vendosi për ndërprerjen e marrëveshjes “stand-by”. Degradimin faktik të statusit të Kosovës brenda FMN-së, në status të shtetit të monitoruar (në rang, siç e theksoi ekonomisti Lumir Abdixhiku, me shtetet e dështuara si Sudani), kryeministri e përshkroi, me pak fjalë, si thellim të bashkëpunimit me FMN-në. I bie kjo sikur një student, që dështon në provim, kthimin në provim ta përshkruajë si “thellim të bashkëpunimit” me profesorin! Po kaq i paskrupullt (nëse mund ta huazoj shprehjen e Isa Mustafës) doli edhe ministri i Financave Bedri Hamza, i cili haptazi shtrëmbëroi përmbajtjen e marrëveshjes së re monitoruese me FMN-në. Z. Hamza, në Kuvend deklaroi se, “kemi arritur një marrëveshje me FMN-në, është marrëveshje e monitoruar nga stafi, që deri në fund të vitit 2011 do t’i ketë dy vlerësime. Njërin në shtator, nëse është pozitiv atëherë derdhën mjetet, nëse është negativ, hapet rruga për një marrëveshje të re.” Kurse ja çka thotë komunikata e FMN-së: “Implementimi i suksesshëm [i marrëveshjes monitoruese] mund të vendos një rekord të menaxhimit të mirë fiskal dhe mund ta hapë rrugën për rinisjen e asistencës financiare nga FMN-ja më 2012”. Z. Hamza thjesht gënjen, sepse dredhje të mjeteve për vitin 2011 nuk ka, dhe çdo vlerësim i FMN-së sivjet bëhet vetëm dhe vetëm për ta kualifikuar Kosovën për një pako të re financiare për vitin 2012.
 
Sido që të jetë, problemi nuk është vetëm te humbja e kredisë nga FMN-ja. Pasojat e kësaj janë të panumërta dhe do ta godasin Kosovën rëndë aty ku dhemb më së shumti: në financat e saj. Prishja e marrëveshjes me FMN-në çon në humbjen e fondeve nga Banka Botërore dhe nga Bashkimi Evropian, diku rreth 30 milionë euro. Për më tepër, ai njollos Kosovën në sytë e organizatave ndërkombëtare dhe ato financiare, me ç’rast shtohen argumentet e bollshme ekzistuese për ta konsideruar Kosovën si vend të rrezikshëm dhe të pasigurt për investime. Kemi fat të mirë, ironikisht, që Kosova tani për tani nuk emeton bono shtetërore dhe nuk ka akoma rejting kreditor ndërkombëtar (vlerësimi që i bëhet kapaciteteve kreditore të shtetit), sepse me këtë prapakthim në marrëdhëniet me FMN-në, pa asnjë mëdyshje, institucionet vlerësuese do t’i kategorizonin bonot kosovare si “junk” (ang. “pleh”, të pavlera).
 
Dhe jo vetëm kaq. Siç thekson edhe Instituti Riinvest, pa ndonjë modifikim buxhetor për sivjet (i cili do të nënkuptonte reduktime të ndjeshme), deficiti i krijuar nga “vrima” buxhetore e fondeve të humbura tani duhet të financohet nga rezervat modeste shtetërore të Kosovës. Edhe pse me këto rezerva, prej rreth 244 milionë eurosh, disi mund të kalohet viti 2011, në vitin 2012 rrezikojmë të ballafaqohemi me reduktime të thella në shpenzimet publike, që do të jetë një goditje e rëndë për ekonominë e Kosovës, duke marrë parasysh varshmërinë e saj në shpenzimet publike dhe sidomos në investimet infrastrukturore. Në qoftë se ky vit po ju duket si vit krize, atëherë priteni vitin tjetër, kur në vend të bukës gjithnjë e më të shtrejtë, z. Thaçi mbase do t’u ofrojë kosovarëve që të shërbehen me asfalltin dhe gurët e Bechtel-Enkas.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s