Home

Politika i ngjet marrëdhënieve intime me atë se në politikë po aq sa në marrëdhënie intime ekziston një hapësirë e madhe për mendimin konspirativ, për pabesi dhe për paranojë. Skandali seksual i para disa javshëm me tashmë ish-drejtuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn, i akuzuar nga prokuroria e New Yorkut për dhunimin e një pastruese hoteli gjatë qëndrimit të tij në këtë vend, nxiti menjëherë spekulimet se mos në të vërtetë rasti ka qenë një kurth i përgatitur nga kundërshtarët e z. Strauss-Kahn. Strauss-Kahn konsiderohej favorit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë, si kundërkandidat socialist i presidentit aktual Nicholas Sarkozy. Mendimi konspirativ në rastin e Strauss-Kahn është se nëse Sarkozy, apo dikush i lidhur me të, ia përgatiti atij kurthen e cila i kushtoi me humbje karriere dhe dëmtim pothuaj të pariparueshëm të shansave të tij për të qenë kandidat serioz për zgjedhjet presidenciale franceze. Nuk ka ndonjë indikacion se rasti në të vërtetë ka qenë kurth, mirëpo si gjithmonë, duke marrë parasysh rrethanat, mendimi konspirativ mbi këtë rast imponohet shumë kollaj.

Një mendim i ngjashëm konspirativ të imponohet me rastin e arrestimit të gjeneralit Ratko Mlladiq nga policia serbe. A ishte rastësi që Mlladiq u kap pikërisht në ditën kur në Dauville të Francës po mbahej samiti i G8-shës? Ndonëse bisedimet në samit u dominuan nga zhvillimet në Lindje të Mesme, presidenti Sarkozy – i cili, duhet ta theksojmë, ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhej të pavarësisë së Kosovës – e pa të udhës që në një deklaratë të rastit t’i bëjë një lëvdatë Serbisë për arrestimin e Mlladiqit. Për më tepër, Sarkozy theksoi se arrestimi i Mlladiqit e afron Serbinë edhe një hap drejt anëtarësimit në BE. Siç dihet, arrestimi dhe dorëzimi i Mlladiqit në Gjykatën e Hagës ka qenë një nga kushtet e BE-së për nisjen e procesit të anëtarësimit. Me plotësimin e këtij kushti, Serbia tani ka eliminuar një pengesë të madhe drejt anëtarësimit. Për të mos thënë se mesazhi medial e nxori presidentin e Serbisë Boris Tadiq si një hero që po bën përpjekje të jashtëzakonshme për ta shkëputur Serbinë nga e kaluara e saj si kryeprotagoniste të nxitjes së dhunës në luftërat ballkanike të viteve 1990.

Por a ishte vërtetë arrestimi i Mlladiqit një hap i kalkuluar i qeverisë serbe? Nga raportimet në terren duket se Mlladiqi vërtetë kishte kaluar vitet e fundit i fshehur dhe në izolim. Thuhet se Mlladiqi lëngon nga një sërë sëmundjesh, përfshirë edhe një sëmundje e lëkurës, që tregon se Mlladiqi vërtetë ka kaluar vitet e fundit i mbyllur dhe larg syve të publikut. Në Lazarevë, fshatin vojvodinas ku është arrestuar Mlladiqi, gazetarët tregojnë se shumë banorë nuk e kanë ditur fare se Mlladiqi është i fshehur aty. Sipas gazetarit të New York Times, disa nga banorët e Lazarevës madje besojnë se vetë arrestimi i tij në Lazarevë ishte një inskenim i orkestuar. Policia, thonë ata, e solli Mlladiqin në Lazarevë për ta krijuar përshtypjen se Mlladiqi fshehej aty. E pamundur, thonë ata, që në këtë fshat prej 3.000 banorësh, të mos e dijë askush se aty fshehet një nga të kërkuarit kryesorë për krime lufte nga Gjykata e Hagës.

Sido që të jetë, edhe nëse Mlladiqi ka kaluar vitet e fundit në izolim në një shtëpi në Lazarevë, kjo nuk do të thotë se ai nuk ka pasë një rrjet të përkrahësve që kanë mundur ta dinë vendndodhjen e tij. Sëmundjet e vuajtura nga Mlladiqi dëshmojnë se ai kishte mbikëqyrje mjekësore dhe të afërm që janë kujdesur për gjëra si strehimi, ushqimi dhe barnat. Është vështirë të besohet se policia, apo shërbimi inteligjent serb, ka qenë me vite të tëra i paaftë të depërtojë në këtë rrjet për ta mësuar vendndodhjen e Mlladiqit.

I kalkuluar politikisht apo jo, arrestimi i Mlladiqit ka krijuar efekt tepër pozitiv për Serbinë në marrëdhëniet e saj me BE-në. Në këtë kontekst përfshihen edhe bisedimet e Serbisë me Kosovën, që janë nxitur dhe po ndërmjetësohen nga BE-ja. Edhe bisedimet me Kosovën, qeveria serbe dhe presidenti Tadiq i ka shfrytëzuar mjeshtërisht për ta përmirësuar pozitën e Serbisë sidomos në raport me BE-në. Fakti i hidhur është se, si në pikëpamje strategjike, ashtu dhe politike dhe ekonomike, Serbia është vend i rëndësishëm për Perëndimin dhe shumë herë më i rëndësishëm se sa Kosova. Tash e sa vite ekziston një “luftë e ftohtë” midis shteteve perëndimore dhe Rusisë për shtrirjen e ndikimit në Serbi. Tadiqi e ka të qartë se Serbia nuk mund të ngelet jashtë BE-së nëse i tërë rajoni futet në të, prandaj atij nuk i ka konvenuar asnjëherë krijimi i një aleance të ngushtë me Rusinë duke përjashtuar BE-në dhe Perëndimin. Mirëpo, Tadiqi po e shfrytëzon konkurrencën e heshtur midis dy palëve, përfshirë edhe interesin e SHBA-ve, për ta faktorizuar Serbinë si faktor të rëndësishëm rajonal. Në këtë situatë, Beogradi ka arritur të shfrytëzojë edhe përçarjet brenda BE-së përsa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, siç u pa edhe në takimin e Varshavës, ku për shkak të Kosovës, rezistencë për të ardhur në Varshavë bëri edhe Rumania, pavarësisht se në konferencë ishte i pranishëm edhe presidenti amerikan Barack Obama.

Në vitet e fundit Kosova ka shërbyer si karta kryesore e Serbisë në rolin e saj ndërkombëtar. Nga njëra anë, me Kosovën Serbia paraqitet, sidomos para Rusisë dhe disa vendeve jugo-nostalgjike ish të painkuadruara të Afrikës dhe Azisë, në rolin e viktimës së imperializmit perëndimor dhe sidomos atij amerikan, të cilit i është “grabitur” një pjesë e territorit nga një “minoritet secesionist”. Në anën tjetër, me refuzimin për njohjen e Kosovës, Serbia i shantazhon vendet e BE-së duke marrë parasysh investimin e madh të BE-së në projektin shtetndërtues në Kosovë, sidomos me misionin e EULEX-it.

Serbia e di se nuk mund ta kthejë Kosovën, ndërsa e di se gjasat për ndarje zyrtare territoriale në rrethanat aktuale nuk janë të mëdha (megjithëse opsionin për ndarje ajo do ta mbajë të hapur përherë, i cili nëse asgjë tjetër, vazhdon të problematizojë statusin ndërkombëtar të Kosovës, dhe sidomos kufijtë e saj). Në këto rrethana, politika e Serbisë është një politikë që synon anëtarësimin në BE e që njëkohësisht synon “containment” të Kosovës – shfrytëzimin e vazhdueshëm të çdo leve diplomatike për ta kontestuar shtetësinë e Kosovës, për ta bllokuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, për ta penguar njohjen e mëtejme të pavarësisë së saj dhe për ta izoluar Kosovën ndërkombëtarisht. Me bisedimet aktuale midis Kosovës dhe Serbisë, Serbia nuk humb asgjë, sepse Kosovën Serbia tashmë e ka humbur dhe e di që e ka të humbur, përderisa i mbetën nën ndikim vetëm veriu me disa enklava. Mirëpo në anën tjetër, Serbia fiton në imazh si një vend kooperativ me BE-në dhe një faktor stabiliteti në rajon, që përkundër mospajtimeve, megjithatë zbaton një politikë pragmatike që synon “normalizimin” e raporteve me Kosovën (pyetja është, natyrisht, normalizimin e cilës gjendje?). Arrestimi i Mlladiqit, me apo pa kalkulim, i përshtatet mirë boshtit themelor të kësaj politike afruese me BE-në. Por kjo është për shkakun se Tadiqi e di, se BE-ja është e gatshme të bëjë shumë që të mos e lëshojë Serbinë të dalë nga orbita e ndikimit perëndimor. Kjo shihet edhe nga interesat ekonomike të vendeve të BE-së në Serbinë (krahasuar, sërish, në raport me Kosovën), kur merret parasysh fakti se që nga viti 2001, investimet e jashtme në Serbi tejkalojnë shumën e 20 miliardë dollarëve, ndërsa 70% e tyre janë me origjinë nga vendet e BE-së.

Megjithëse politika dhe qëllimet e Serbisë ndaj Kosovës janë të qarta, ajo çka nuk është fare e qartë janë qëllimet dhe politika e Kosovës ndaj Serbisë. Është e vërtetë se edhe Kosova edhe Serbia synojnë anëtarësimin në BE, mirëpo vetëm njëra palë (Serbia) në z o64321qqw12këtë proces synon gjithashtu obstruksionimin e palës tjetër (Kosovës). Dhe rreziku më i madh i këtij procesi dihet – ngrohja e marrëdhënieve midis Serbisë dhe BE-së, deri te anëtarësimi i saj eventual, përderisa Kosova vazhdon rrugën e saj drejt shndërrimit në një kuazi-shtet gjithnjë më të gjymtë dhe të izoluar ndërkombëtarisht. Duket se, në situatën e sotme, me mungesën e një politike të qartë të saj karshi Serbisë dhe gatishmërinë e parezervë për t’u futë në bisedime dhe marrëveshje me Serbinë, Prishtina po i shërben për mrekulli agjendës së Beogradit.

Botuar te Koha Ditore, 29 maj 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s