Home

A do të kishte shkas që të ekzistonte ajo që shpesh mbiquhet “politikë e jashtme e Bashkimit Evropian” sikur të mos ekzistonte Ballkani? Vizita e kryetarit të Komisionit Evropian Jose Manuel Durao Barroso dhe komisionerit Stefan Füle në Prishtinë sërish konfirmoi përshtypjen se BE-ja, si një institucion koherent në politika dhe unitar në veprime, ekziston vetëm në raport me Ballkanin. Krizat e vazhdueshme politike në Shqipëri, jostabiliteti politik në Maqedoni, bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, lufta kundër korrupsionit në Kroaci dhe Mal të Zi, janë probleme që hyjnë në kuadrin e përhershëm të angazhimit të zyrtarëve të lartë BE-së. Dhe sigurisht që kategori e veçantë për politikbërjen evropiane është Kosova. Kosova është i vetmi vend në botë ku BE-ja ushtron jurisdiksion ligjor dhe ekzekutiv përmes policëve dhe prokurorëve që veprojnë në emër të saj dhe me mandat nga ajo. Eshtë shumë valide pyetja se, si një superstrukturë mbishtetërore, a ekziston BE-ja për Ballkanin, apo në të vërtetë është Ballkani ai që ekziston për BE-në. Apo që, në të vërtetë, pa Ballkanin dhe “krizat” e tij, do të eliminohej një pjesë e madhe e raison d’etre e superstrukturës politike të BE-së, e cila do t’i reduktohej në një burokraci ceremoniale pa ndonjë rol të rëndësishëm politik.

Një nevojë e veçantë për BE-në duhet të jetë Kosova, ku angazhimi institucional i BE-së është i pakrahasueshëm me asnjë vend tjetër në Evropë. Po të pyetet një qytetar i rëndomtë i vendeve anëtare të BE-së, jam i sigurt se ai nuk do ta ketë fare idenë se dikund në botë ka policë që mbartin uniformën e BE-së dhe zbatojnë “ligjin” në emër të saj (pasi që BE-ja, si institucion multilateral josovran, nuk emiton ligje të veta). Imazhi i BE-së në Ballkan dhe veçanërisht ai në Kosovë, si një institucion koherent në nivelin politik, zhbëhet shpejt kur kthen kokën kah ngjarjet brenda vetë vendeve që e përbëjnë BE-së. Përbrenda shteteve anëtare, ky institucion përballet me një krizë që po sfidon thellësisht koherencën e brendshme politike dhe ekonomike të BE-së. Boshti tradicional politik i BE-së, Gjermania dhe Franca, në momentet e krizës së madhe të borxheve sovrane, tregojnë se prioritet kanë interesat e tyre ekonomike nacionale, më shumë se sa shpëtimin kolektiv të ekonomive të Eurozonës. Britania qysh prej kohësh ka vënë në prioritet interesin e saj kombëtar karshi interesit kolektiv të BE-së, çështje kjo e konfirmuar përfundimisht në periudhën e qeverisjes nga konservatorët. Në kohën kur është në rrezik bashkimi monetar evropian dhe fati i euros, BE-ja i ngjan më shumë një guaske të zbrazur se sa një bashkimi të vërtetë ku mbizotëron interesi i përgjithshëm karshi interesave individuale.

Në të vërtetë, shikuar nga këndvështrimi i sotëm, infrastruktura politike dhe juridike e BE-së në Kosovë duket më shumë si një mbeturinë institucionale e lënë pas nga shpresat e mëdha të një pjese të elitave politike evropiane për të ardhmen e BE-së në fillimvitet 2000. Lansimi i monedhës së përbashkët, zgjerimi përmes pranimit të dhjetë anëtarëve të rinjë nga Evropa lindore, perspektiva për miratimin e Kushtetutës evropiane dhe arritjen e de facto federalizimit të bashkimit, bashkë me thellimin e politikave të bashkëpunimit dhe integrimit në fushat e gjyqësisë, imigracionit, policisë, ato të mbrojtjes dhe ato të jashtme, krijuan përshtypjen e një blloku gjithnjë në rritje e të fuqishëm i cili një herë e përgjithmonë do ta krijojë një Evropë të bashkuar në kuptimin e plotë të fjalës. Një Evropë që me energjinë e saj kolektive do të paraqitej si bllok me fuqi globale ekonomike, financiare dhe ushtarake, një alternativë politike, ekonomike e sociale ndaj boshteve ekzistuese të fuqisë ndërkombëtare, atij ekzistues në SHBA, në njërën anë, dhe atij që po sendërtohet në Azi në anën tjetër.

Sot shohim se sa iluziv dhe tejoptimist ishte ky projekt, dhe se BE-ja në të vërtetë jo vetëm që ka dështuar në përmbushjen e këtij vizioni, por është kthyer shumë më fuqishëm drejt një aranzhmani ku secili vend anëtar në plan të parë nxjerr interesin e vet kombëtar. Së pari, disfata e Kushtetutës evropiane në referendumet popullore më 2005, i dha goditje për vdekje idesë për një Evropë të federalizuar, e pasuar me kompromisin e Lisbonës që krijoi një sërë institucionesh të reja të BE-së, por nuk i mbushi ato me pushtete serioze. E dyta, anëtarët e rinjë të BE-së shpejt kuptuan se anëtarësia në BE, me gjithë adaptimet ligjore e burokratike dhe kostot ekonomike e financiare që i kërkon, dhe me nënshtrimin faktik ndaj dominancës politike e ekonomike të Berlinit, Parisit e Londrës, shpesh paraqitej më shumë si barrë se sa si përfitim. E treta, ideja e një politike koherente dhe të përbashkët të jashtme bie vazhdimisht në ujë kur janë në pyetje çështje me rëndësi globale. BE-ja nuk arriti të faktorizohet politikisht në konfliktet e Lindjes së Mesme, sidomos atij midis Izraelit dhe palestinezëve, kurse konfuzioni u shpërfaq haptazi karshi vendimit për të intervenuar në Libi, që sërish nuk ndodhi nën ombrellën e BE-së. Të mos përmendin faktin se BE-ja akoma nuk ka konsenzus karshi Kosovës, meqenëse pesë shtete anëtare të këtij vendi nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Dhe e katërta, me ardhjen e krizës së borxheve sovrane, edhe ajo pak koherencë ekonomike që mëtohej të krijohej me euron, u shpartallua dhe shkatërrua si një kullë prej letre. Aq sa tani po rivendoset fuqishëm hierarkia ekonomike midis shteteve të qendrës dhe atyre periferike (si Greqia, Irlanda e Portugalia), kësaj radhe pikërisht si pasojë e një unioni monetar të keqmenduar, i cili krijoi kushte për derdhjen e kredive të bankave të vendeve të pasura (sikur ato gjermane) në vendet më pak të pasura (sikur Greqisë), duke i dënuar tani këto vende me masa dramatike të shkurtimeve buxhetore që do t’i bëjnë dëme të pariparueshme ekonomike vendeve të periferisë. Qytetarët e vendeve të periferisë evropiane sot po penalizohen rëndë ekonomikisht, me humbje vende punësh, shkurtime pagash e pensionesh dhe shërbimesh, pa fajin e tyre, dhe përpara po ju hidhet një perspektivë tepër e zymtë ekonomike, për shkak të politikave të ashpra reduktuese buxhetore që po u imponohen nga shtetet e qendrës, si kusht për pakot e shpëtimit financiar. Dhe për zhvillime sikur këto nuk ka pikë ndjesie e as solidariteti në vendet më të pasura të BE-së, në veçanti Gjermanisë, që haptazi qortojnë këto vende dhe qytetarët e tyre për “papërgjegjësi” financiare. Gjermanët me cinizëm deklarojnë se fajin për borxhet sovrane i kanë grekët, portugezët e irlandezët që shpenzuan përtej mundësive që kishin, duke “harruar” se avanturat financiare të këtyre shteteve u nxiten nga Banka Qendrore Evropiane dhe u mundësuan nga bankat gjermane që derdhën qindra miliona euro në këto ekonomi përderisa shihnin mundësi të lehta përfitimi.

Aq më tepër që perspektiva përpara nuk duket aspak e favorshme. Kriza e borxheve sovrane ka nxitur grindjet politike midis vendeve anëtare dhe ka hedh në binarë një proces të ri të thellemit (dhe jo reduktimit) të niveleve ekonomike brenda bashkimit. Përkundër masave të marra, siç është krijimi i mekanizmit të ri mbrojtjes financiar, paaftësia e BE-së për ta rimenduar problemin e nivelizimit ekonomik të bashkimit përmes investimeve kapitale dhe projekteve të reja zhvillimore tregon se mendimi dominant nuk shkon përtej shikimit të interesave të ngushta financiare të secilit vend për vete. Zhvillimi i dytë brengosës është besimi gjithnjë e më i vogël i qytetarëve të BE-së në vetë BE-në. Në Gjermani, sipas një sondazhi, 63 për qind të qytetarëve nuk i besojnë BE-së kurse 53% nuk e shohin të ardhmen e Gjermanisë brenda saj. Në disa vende trendet janë edhe më brengosëse, me fitoren gjithnjë e më të madhe të forcave ultra të djathta konservatore, anti-imigrante dhe anti-BE. Në Finlandë, në zgjedhjet e sivjeme suksesin më të madh elektoral e korri partia populliste, anti-imigrante dhe anti-BE Perussuomalaiset (Finlandëzet e Vërtetë). Në Danimarkë, qeveria e kryeministrit Lars Løkke Rasmussen ka rikthyer masat e kontrollit kufitar për të pacifikuar kërkesat e partive të djathta populliste për shkurtimin e imigracionit, masa që shihen si shkelje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes së Schengenit.

Në rrethanat kur projekti evropian po sfidohet në thelb, nuk është çudi që supërstruktura evropiane – në veçanti Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe zyra e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë – i duhen për jetë a vdekje Ballkani. BE-ja mund të pretendojë t’i menaxhojë krizat e Ballkanit, dhe të justifikojë ekzistencën e vet përmes Ballkanit, pikërisht në kohën kur BE-ja tregohet e paaftë për ta menaxhuar krizën e vet të brendshme.

Botuar te Koha Ditore, 22 maj 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s