Home

Bardhyl Salihu, redaktor i Nismës Ekonomike për Kosovën me seli në Vjenë, ka reaguar ndaj kolumnës sime të datës 24 prill 2011, mbi çështjen e pronësisë shtetërore në ekonomi. Po shpresoj se z. Salihu nuk i ngelet hatri që nuk po i përgjigjem në morinë e çështjeve të ngritura nga ai, disa nga të cilat i kemi debatuar më herët në shkëmbimet tona në Facebook. Po e kthej debatin në një çështje që e konsideroj më eprore, që z. Salihu e përmend  shkarazi në shkrimin e tij. Kjo çështje është nëse qeveria e Kosovës është liberale. Me liberale, aludoj, sikur z. Salihu, në politikat e veta ekonomike, jo në kuptimet tjera që i jepen liberalizmit (siç është liria e shprehjes dhe e shtypit, demokracia përfaqësuese etj.).

Z. Salihu pohon se qeveria e Kosovës nuk është liberale. Kundërshtia e tij është paksa e çuditshme, meqenëse unë, në të vërtetë, nuk kam pohuar se qeveria e Kosovës është liberale, aq sa nuk është, në kuptimin klasik të fjalës, liberale qeveria e konservatorit David Cameron në Britani apo e Angela Merkelit në Gjermani. Neoliberalizmi nuk ka asgjë të bëjë me liberalizmin klasik, dhe kjo është shpesh çështje që shkakton konfuzion.

Historikisht, liberalizmi klasik ka ekzistuar në dy forma. Forma e parë është ajo ideologjike, në të cilën përfshihen mendimtarët e politikës ekonomike britanike, si David Ricardo, Jeremy Bentham e John Stuart Mill (Adam Smith, megjithëse zakonisht përfshihet në këtë shoqëri, kishte një mendim mbi tregun dhe zhvillimin kombëtar që megjithatë dallon nga liberalët klasikë). Roli i tyre në transformimin shoqëror të Britanisë gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX është i rëndësishëm, dhe e ka analizuar bukur Karl Polanyi në veprën e tij klasike The Great Transformation (Transformimi i madh), kur flet për lindjen e tregut (dhe rolin primar të shtetit në këtë proces) dhe bashkë me të edhe të asaj që e quan “kredoja liberale”. Pjesërisht në sajë të ideve liberale, pjesërisht si pasojë e pozitës së saj të privilegjuar në ekonominë botërore, Britania e shekullit XIX ishte vend i cili më së afërti përfaqësoi modelin e ekonomisë liberale, me politikat e saj të tregut të hapur, në kohën kur vendet tjera nuk heqnin dorë nga proteksionizmi. Liberalizmi klasik, si sistem formal ideologjik dhe si praktikë politike, shënoi ekzistencën e vet në Britani nga viti 1820 deri rreth viteve 1890. Hegjemonia britanike në ekonominë botërore ishte epoka e artë e liberalizmit klasik, megjithëse edhe aty, një kërkim më i hollë do të gjente shumë politika e ligje (siç është, p.sh., ai për kufizimin e orarit të punës dhe ndalimin e punës së fëmijëve) që nuk përputhen absolutisht me konceptet klasike liberale për tregun, sipas të cilit shteti nuk duhet të vendos asnjë kufizim në marrëdhëniet e punës. Devijimi i praktikës nga doktrina klasike liberale ishte e paevitueshme pasi që, siç argumenton bukur edhe Polanyi, liberalët klasikë kishin ndërtuar një ide për tregun që nuk është asgjë më shumë se një utopi, realizimi i së cilës do të çonte në shkatërrimin e plotë të shoqërisë.

Kur flasim për neoliberalizmin, nuk flasim për liberalizmin klasik, sado që idetë themelore që qëndrojnë mbrapa neoklasicizmit ekonomik, shkollës ekonomike mbi të cilën mbështetet neoliberalizmi, thirren në idetë e liberalëve burimorë. Dosido, neoliberalizmi nuk është ringjallje e as vazhdimësi e liberalizmit klasik, kurse neoklasicistët për shumë kohë kanë qenë (dhe tani duket se po kthehen) në margjinat e mendimit ekonomik. Idetë monetariste të Milton Friedmanit ishin velo shkencore për lëvizjen elitiste të Mont Pelerinit, të themeluar nga ekonomisti Friedrich Hayek më 1947, që trumbëtonte fuqishëm doktrinat neoliberale. Në të vërtetë, vendi i parë ku i vunë në sprovë idetë neoliberale, në formën e politikave ekonomike, nuk ishte ndonjë vend i zhvilluar dhe demokratik, por Çile nën sundimin diktatorial të gjeneralit Augusto Pinochet. Në Perëndim, momenti politik i neoliberalizmit u arrit gjatë viteve 1980, në epokën e Ronald Reaganit në SHBA dhe Margaret Thatcherit në Britani. Mirëpo, siç dëshmon në studimin e saj Monica Prasad, as këta nuk i ndoqen deri në fund idetë strikte të neoklasicizmit. Thatcheri nuk arriti t’i implementojë shumë prej reformave të saj (p.sh., ajo nuk pati sukses në privatizimin e National Health Service, shërbimit publik shënëdetsor britanik), ashtu siç devijoi Reagani nga idetë bazë të shtetit minimalist të neoklasicizmit (me deficitet astronomike publike në SHBA). Megjithatë, projekti politik i neoliberalizmit, që vazhdoi gjithashtu nën ombrellën e të ashtuquajturës “Rrugë të Tretë” të binomit Clinton-Blair, prodhoi efektet e veta: reduktimin e shtetit social, rritjen e pabarazive sociale (me përqëndrimin e pasurisë në elitat e larta ekonomike, stagnimin e të ardhurave të klasës së mesme dhe shtimin e radhëve të të varfërve), intensifikimin e trendit të financiarizimit të ekonomisë, bashkë me intensifikimin e derregullimit financiar, proces që përfundoi me katastrofën e krizës financiare të vitit 2007-08, e që në Evropë vazhdon sot në formën e krizës së borxheve sovrane.

Siç argumentojnë Gérard Duménil dhe Dominique Lévy, neoliberalizmi, përtej një sistemi formal idesh, përfaqëson në radhë të parë një epokë e zhvillimit historik të kapitalizmit në kohën e përballjes me krizën strukturore të shkaktuar nga rënia e përgjithshme e shkallës së profitit, sidomos në SHBA, pas viteve 1970. Për shtetet në zhvillim të periferisë globale, që përgjatë viteve 1980 dhe 1990 iu nënshtruan “shok-terapive” të neoliberalizmit nën patronatin e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, neoliberalizmi u kthye, sërish me ndihmën e teorisë ekonomike, në një doktrinë të caktuar për rritjen ekonomike që arrihet, gjithmonë sipas kësaj doktrine, me hapjen e tregut (eliminimin e barrierave mbrojtëse për ekonominë e vendit), reduktimin e programeve sociale dhe arsimore në emër të disiplinës fiskale, privatizimin e ndërmarrjeve publike/shtetërore në emër të efiçiencës dhe konkurrencës, orientimin e investimeve në infrastrukturë fizike në emër të zhvillimit, dhe mbështetjen e rritjes ekonomike në investime direkte të jashtme. Siç vën re ekonomisti Ha-Joon Chang, ironia e kësaj periudhe është që shtetet që NUK e ndoqen rrugën neoliberale, si Korea Jugore, Taivani dhe Kina, janë ato që shënuan rritjen më të madhe ekonomike gjatë dekadave 1980-90. Shtetet që iu nënshtruan reformave neoliberale, jo vetëm që nuk shënuan rritje ekonomike, por pësuan tkurrje ekonomike dhe varfërim, siç ndodhi gjithandej Afrikës, Amerikës latine dhe vendeve “tranzicionale” të Evropës lindore, përfshirë dhe Rusinë, që është shndërruar në një nga vendet me pabarazitë më të mëdha shoqërore në botë.

Kështu që, përkitazi me qeverinë e Kosovës, ajo pa asnjë mëdyshje nuk është qeveri liberale. Por a është qeveri që zbaton politika neoliberale? Të ndjekesh politika neoliberale nuk nënkupton përpjekje për të ndërtuar një treg të lirë dhe të hapur, siç vënë re edhe z. Salihu, kur përshkruan monopolet dhe privilegjet e ndryshme jo-publike që ekzistojnë në ekonominë kosovare, dhe të tjera që synojnë të krijohen (si p.sh. në sektorin e energjetikës). Në këtë mes mund të përfshijmë edhe kritikën e Lumir Abdixhikut dhe Uk Lushit mbi mundësinë e ekzistencës së një oligopoli bankar. Neoliberalizmi nuk është një deux es machina që botës po ia dhuron tregun smithian; ajo është ideologji e institucioneve dhe fuqive të privilegjuara botërore që implementohet në mjedise me situata definitive politike dhe me marrëdhënie definitive klasore. Neoliberalizmi, nëse mund të shprehem me termet e David Harvey, është një mekanizëm që mundëson atë që ai quan “akumulim përmes shpronësimit” dhe përqëndrimin e shpejt të kapitaleve ekonomike brenda një klase të vogël pronarësh. Në rastin e Kosovës, duhet të pyetemi për situatën e caktuar klasore që krijon kushtet për neoliberalizmin; në njërën anë, një elitë politike e interesuar në nxjerrjen e rentave përmes “tatimeve” joformale që ata ia vendosin aktiviteteve ekonomike, kurse në anën tjetër një ekonomi të dominuar nga kapitali tregtar. Kapitali tregtar, apo, më saktësisht, klasa kapitaliste që është formuar gjatë dekadës së fundit dhe që ka përfituar nga tregu i hapur i Kosovës (në kuptimin e importit të jashtëm), ka interes të drejtpërdrejtë në ruajtjen e monopoleve tregtare, përmes marrjes së eksluziviteteve në treg, dhe përmes pengimit të konkurrentëve prodhues të brendshëm. Kapitali tregtar është ai që mbyt kapitalin prodhues të brendshëm, duke shërbyer si agjent lokal i interesave të kapitalit prodhues të jashtëm. Neoliberalizmi gjen hapësirë në Kosovë pikërisht si pasojë e aleancës, herë të heshtur dhe herë të hapur, midis kapitalit tregtar dhe një elite politike rentiere. Grupi i parë synon ruajtjen e monopoleve tregtare, zvogëlimin ose eliminimin e çdo barriere tregtare të jashtme, dhe nuk ka interes në zhvillimin ekonomik si të tillë; i dyti vepron sipas logjikës grabitçare, dhe te privatizimet dhe shndërrimet e pronës sheh shansa të reja për nxjerrje rentash. Liberalët besojnë se për kapitalizmin është i domosdoshëm tregu i lirë, dhe teoria e tyre nuk e kapërdinë mundësinë që kapitalizmi të ekzistojë pa treg të lirë, për shkak se tregun e konceptojnë si antitezë të shtetit; ekonomistët institucionalistë dhe historikë – përfshirë këtu edhe Marksin – nuk i befason ekzistenca e kapitalizmit pa treg të lirë, meqënesë interesi imediat i kapitalit është krijimi i kushteve për akumulimin e tij, e jo ndërtimi i institucioneve konkurrente të tregut, as i shpërndarjes së barabartë të pasurisë, e as i zhvillimit ekonomik, gjëra që mund të bëhen vetëm nga shteti.

Botuar te Koha Ditore, 8 maj 2011


Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s