Home

Në emër të tregut të lirë, qeveria dhe zyrtarët e saj shesin jo doktrina por dokrra ekonomike. Na thonë se zhvillimin ekonomik do ta mbështesin në idenë se atë do ta çojë përpara sektori privat, me nënkuptimin se shteti nuk duhet të ketë asnjë rol në ekonomi, përveç atë të një rregullatori bazik që mbron pronën private. Madje, në një dokument të rëndësishëm qeveritar, nën rubrikën “ndërhyrjet e shtetit në ekonomi”, si masë “ndërhyrëse” përfshihet vetëm privatizimi i aseteve publike. Me një fjalë, i vetmi rol i shtetit në ekonomi (sipas doktrinës zyrtare ekonomike të qeverisë), është kalimi i atyre aseteve që tashmë janë në pronësi të shtetit, në pronësi private – dhe mundësisht të kapitalit të huaj. Privatizimi, më shumë se sa politikë që synon ngritje të kapitalit dhe zhvillim ekonomik, prihet nga dëshira për ta çliruar ekonominë nga e keqja e madhe e quajtur shtet.

Kjo është ajo që thuhet në nivel të doktrinës. Doktrinë që është konstruktuar nga ekonomistë të një shkolle të caktuar të mendimit (asaj neoliberale), të cilët atë shkollë e plasuan (megjithëse kohëve të fundit me më pak sukses) si doktrinë zhvillimore në institucionet si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, e që përmes këtyre u filtruan në dokumentet e qeverisë tanë, ku gjen shprehjet si “qeverisje e mirë” (good governance) dhe “sundim i ligjit” (rule of law), shpesh të përpiluara nga këshilltarë me Masterë të përfituar në universitete anglo-amerikane ku doktrina origjinale mësohet jo si teori, por si gjendje natyrore e njeriut dhe e realitetit ekonomik. Me teori ata synojnë konfirmimin e politikave qeveritare, ndërsa kryeministri konfirmon teorinë duke u thirrë në politikat qeveritare.

Por, të shkojmë përtej nivelit të doktrinës e të kalojmë në realitetin ekonomik në Kosovë. Është e vërtetë se në një ekonomi të zhvilluar të tregut, sektori privat është ai në të cilin qëndron dinamika e vërtetë ekonomike. Por kur flasim për Kosovën, harrohet se sektori privat përshkohet nga dobësi të mëdha strukturore. Sektori privat e ka pothuajse të pamundur kalimin në ekonomi në shkallë – 98% e firmave private në Kosovë janë firma të vogla dhe të mesme; shumica dërrmuese syrësh janë firma të vogla me një pronar dhe me jo më shumë se pesë të punësuar (mund të supozojmë që të punësuarit janë kryesisht familjarë të pronarit). Sektori privat vuan nga mungesa e kapitalit; bankat kosovare, përderisa janë disa nga bankat më profitabile në Ballkan, ofrojnë një nga shkallët më të larta të kamatave kreditore në Evropë. Dhe sektori privat investon pak. Mbi 90 për qind e aktivitetit privat që bën pjesë në BPV-në e Kosovës është konsum. Këto të dhëna nuk janë të shpifura por të nxjerra nga të dhënat me të cilat disponon vetë qeveria.

Ky është miti i parë. Miti i dytë ndoshta është më pak mit se sa paradoks. Argumentin që dëgjojmë shpesh nga kryeministri, ministrat e resorëve ekonomikë dhe aleatët e tyre jashtë qeverisë, që kanë të bëjnë me privatizimin, japin argumentin se privatizimi është i domosdoshëm për shkak se pronësia e shtetit në ndërmarrjet ekzistuese publike është ekonomikisht e dëmshme. Thuhet se është pronësia ajo që shkakton keqmenaxhimin dhe joefiçiencën e tyre. Çuditërisht, ky argument nuk duket se vlen kur është fjala për ndërmarrjet investuese në Kosovë, e që janë pronë e shtetit. Sigurisht, jo e shtetit të Kosovës, por e shteteve të tjera.

Telekomi i Sllovenisë është një nga firmat më të suksesshme të rajonit. Ajo ka investime në Maqedoni dhe në Kosovë, ku posedon operatorin IPKO. Vlera e saj në treg llogaritet në mbi një miliardë euro, ndërsa aksionet e saj tregtohen në bursën e Londrës. 52.5% e Telekomit slloven është pronë direkte e Republikës së Sllovenisë. Rreth 28% të aksioneve u takojnë investitorëve institucionalë slloven, siç është Fondi Kapital, fondet investuese sllovene, firma sllovene dhe individë privatë sllovenë. Vetëm 3.5% e aksioneve mbahen nga investitorë të jashtëm.

Merreni një shembull tjetër suksesi nga rajoni i Evropës qëndrore. Ndërmarrja energjetike ÇEZ është një nga firmat që Çekinë po e shndërrojnë në fuqi rajonale energjetike. ÇEZ vitin e kaluar bleu 70% të pronës të OSSH-së, ndërmarrjen e rrjetit shpërndarës në Shqipëri, dhe ka qenë një nga kandidatët seriozë për marrjen përsipër të projektit “Kosovën e Re”, deri para tërheqjes së saj. Ajo që nuk na tregohet shpesh është se 70% e ÇEZ-it është pronë e shtetit çek. Na dilka se edhe ndërmarrjet në pronësi shtetërore na qenkan të pranueshme për të hyrë në tregun e Kosovës. Me rëndësi vetëm që këto ndërmarrje shtetërore të mos jenë në pronësi të shtetit të Kosovës.

Dhe nuk është e vërtetë se Kosova nuk ka kapital për të bërë investime në asetet e saj strategjike. P.sh., nevojat për energji në rajon dhe Evropë do të vazhdojnë të rriten, ndërsa Kosova është një nga vendet e pakta të Ballkanit që do të investojnë në krijimin e kapaciteteve të reja prodhuese. Rreth një miliard euro të Fondit Pensional dhe atij të privatizimit rrinë fjetur nëpër banka ose të investuara në tregje të jashtme. Në vend se këto fonde të angazhohen dhe të investohen në fusha me një profitabilitet të garantuar, siç është energjetika e Kosovës, nga ato përfitojnë ekonomitë tjera, ashtu siç do të përfitojnë të tjerët duke ia shitur Kosovës rrymën e saj.

Tregu i telekomunikacionit në Kosovë është relativisht i nënzhvilluar. Vetëm 6% e popullatës ka qasje në telefoni fikse, kurse sipas Internet World Stats, e cila monitoron qasjen e vendeve botërore në Internet, më pak se 21% e popullsisë është e kyçur në Internet (në krahasim me mesatarën e BE-së që është rreth 58%). Ky është një treg potencial në rritje, përfitimi nga i cili do t’i jepet firmës e cila do të kontrollojë 75% të aksioneve në Telekomin e Kosovës.

Vendet si Sllovenia dhe Çekia vepruan mençur duke ditur se asetet e tyre kryesore do të gëlltiteshin shpejt nga kapitali i huaj, sikur ai gjerman ose austriak, sikur të mos merrnin masa për mbrojtjen e tregjeve dhe aseteve të tyre. Sllovenia dhe Çekia – dy nga ekonomitë më të suksesshme që kaluan me më pak vështirësi tranzicionin ekonomik, vepruan me politika që mbrojten tregun e vet, shfrytëzuan kapacitetet e shtetit për të mobilizuar kapitalin dhe për të përforcuar industritë e tyre tradicionale dhe për t’i riorganizuar ato në baza komerciale, dhe jo vetëm aq, t’i bëjnë ato konkurrente në tregun evropian. Athua ku do të ishin Sllovenia dhe Çekia sot, sikur si plan për “zhvillim ekonomik”, si puna e qeverisë sonë, do ta kishin shitjen e 70, 80 ose 100 për qind të industrive të tyre kryesore dhe humbjen e kontrollit nga asetet kryesore ekonomike? Le të na përgjigjen ata që thonë se pronësia shtetërore qenka e dëmshme për zhvillimin ekonomik.

Botuar te Koha Ditore, 24 prill 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s