Home

Sapo kishim kujtuar se qeveria e re kishte ardhë në pushtet me një plan për zhvillimin ekonomik të Kosovës, mësuam se në të vërtetë një plan i tillë nuk kishte ekzistuar fare. Javën e kaluar, kryeministri Thaçi me një grup ministrash kishin shkuar në një qendër turistike në Bullgari, për të hartuar, siç u njoftuam, një plan për zhvillim ekonomik. Sido që të jetë, është reale që të mos presim ndonjë befasi të madhe nga plani që mund të na shpaloset, duke marrë parasysh se Thaçi me ministrat e tij në Bullgari shkuan të shoqëruar nga ambasadori amerikan Christopher Dell. Duke marrë parasysh deklaratat e mëhershme të z. Dell mbi pikëpamjet e tij ekonomike, nuk besoj se ka arsye për të pritur ndonjë kthesë radikale në orientimin e përgjithshëm të politikave ekonomike në Kosovë.

Përkundrazi, besoj se në periudhën që vjen do të shohim një intensifikim të politikave tashmë ekzistuese. Të tilla që nuk japin dhe nuk po japin rezultate në asnjë aspekt rrënjësor të zhvillimit ekonomik.

Gjatë javës së kaluar pata rastin të jem pjesëmarrës në një debat të organizuar nga Forumi 2015, mbi procesin e privatizimit të aseteve publike të Kosovës. Në këtë debat u fol për projektin e autostradës, deficitin buxhetor, ndërtimin e elektranës “Kosova e Re” dhe privatizimin e PTK-së. Në të vërtetë, marrja jonë me problemet që po i ndjekin këto projekte – përfshirë jotransparencën, keqplanifikimin, papërgjegjësinë financiare, mungesën e përllogaritjeve të kostove dhe benefiteve etj. – është shenjë se nga marrja me simptomat e një keqqeverisjeje të vazhdueshme në sferën ekonomike, në të vërtetë duhet të merremi me problemin në qasjen globale për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Problemi fundamental ekonomik i Kosovës, nga i cili lëngon Kosova sidomos nga viti 2008, është paaftësia e vendit të futet në atë që mund ta quajmë një “moment zhvillimor”. Fjala është për një periudhë të një ekspanzioni rapid ekonomik, të shoqëruar me investime të mëdha dhe hapje të shpejta të vendeve të punës, i cili do të vazhdonte për një periudhë më të gjatë dhe të qëndrueshme kohore, duke nxitur një transformim të shpejt strukturor ekonomik (dhe rrjedhimisht edhe shoqëror) të vendit. Një ekspanzion i cili do ta zbuste, brenda një periudhe të shkurtër kohore, shkallën e papunësisë (sidomos ndër të rinjët) dhe të varfërisë, do të hapte perspektivë ekonomike për shumë familje, si dhe do të sillte, pas një periudhe të gjatë të mynxyrës që ka ndjellur cinizëm dhe pesimizëm të skajshëm në çdo segment të popullatës (me përjashtim, kuptohet, të pushtetarëve dhe njerezve të lidhur me pushtetin), një dozë optimizmi për kahjen e ardhshme të vendit.

Në vend të kësaj, kemi kaluar atë që mund ta quajmë një periudhë të një iluzioni të rritjes ekonomike. Kurse tani jemi në prag të një periudhe të dytë ku sërish, në vend të zhvillimit të vërtetë ekonomik, popullit të Kosovës sërish do t’i shitet një iluzion i zhvillimit.

Periudha e parë, që filloi menjëherë pas pavarësisë, është periudhë që u shënua nga investime të mëdha publike, sidomos në infrastrukturë. Ministria e Transportit u favorizua nga qeveria Thaçi 1 si njësi buxhetore, duke derdhur qindra miliona euro në ndërtim e sanim rrugësh. Të ndjekur, siç e dimë, edhe nga korrupsioni i nivelit të ultë e të lartë, i cili ende mbetet i pasqaruar dhe pazgjidhur nga prokuroria dhe gjykatat. Lidhur me këtë ishte edhe vendimi për nisjen e ndërtimit të autostradës, një vendim i cili do ta rëndojë hiç më pak se çerekun e gjithë Bruto Prodhimit të Vendit deri në vitin 2012 dhe pa një llogari të qartë të beneficioneve ekonomike që do të duhej të rridhnin nga ky investim lluksoz karshi fuqisë së kufizuar financiare të Kosovës.

Me politika të tilla të investimeve infrastukturore, u gjenerua një efekt ekonomik i cili u paraqit si një hov zhvillimor, por në të vërtetë (siç po shihet edhe sot), një hov zhvillimor i paqëndrueshëm dhe ndoshta edhe me investime jorentabile. Sot Kosova ka më tepër asfallt se që kishte dje, por nuk ka vende pune më shumë se që kishte dje. Dhe, përveç se ka asfallt dhe rrugë, duhet të shpenzojë më shumë në mënyrë që ta mirëmbajë atë asfallt dhe rrugë pa ndonjë rritje të theksuar të bazës ekonomike që mund t’i mbartë këto shpenzime.

Me përfundimin e kësaj etape, po hyjmë në një etapë tjetër të përqëndrimit të politikave ekonomike, që mbështetet në privatizimin e aseteve publike të Kosovës. Shitja dhe privatizimi i aseteve publike të Kosovës, siç janë PTK-ja, KEK-u dhe sektori i energjetikës në përgjithësi, e mbase së shpejti edhe Trepçës dhe sektorit minerar, po trumpëtohet nga qeveria Thaçi 2 si nisja e një hovi të ri zhvillimor të Kosovës. Dhe sërish, ky fokus i ri i politikave të ashtuquajtura zhvillimore do të krijojë sërish një efekt iluziv të zhvillimit, pa gjenerimin e një baze të vërtetë ekonomike për vendin.

Mënyra se si po ndëtohet ky iluzion është në thirrjen në idenë se privatizimi i aseteve çon në ardhjen e investitorëve të jashtëm në Kosovë, ndërsa ortodoksia e ligjërimit ekonomik në Kosovë thotë që investimet e jashtme janë motor i zhvillimit.

Pa hyrë në debate politike e akademike rreth rolit të investimeve të jashtme për zhvillimin ekonomik të vendeve në zhvillim si puna e Kosovës, një nga gjërat që e dimë nga përvoja e vendeve në zhvillim, është se ka rëndësi destinimi apo sektori ekonomik në të cilin kanalizohen ato investime. Vlera e shtuar për një ekonomi vjen kur ato investime kanalizohen në zgjerimin e bazës ekonomike, përmes ndërtimit ose zgjerimit të sektorëve të rinjë apo margjinalë të ekonomisë. P.sh., investimet që do ta zgjeronin industrinë e tekstilit ose atë ushqimore në Kosovë, do ta rritnin edhe bazën ekonomike të vendit, meqë këta sektorë sot janë relativisht margjinalë në strukturën ekonomike të Kosovës. Mirëpo, investimet e huaja në Kosovë, meqë do të orientohen në asete ekzistuese (dhe me potencial të vogël zgjerimi), në të vërtetë nuk do të përbëjnë më shumë se sa akte të dhënies në shfrytëzim të garantuar kapitalit të huaj, të ekonomisë dhe tregut ekzistues në Kosovë pa i shtuar asaj ndonjë vlerë të re.

Në fakt, me privatizimin e aseteve publike, ne po humbin kontrollin mbi këto asete por pa një përfitim sinjifikant në formën e shtimit të aktiviteteve ekonomike në Kosovë.. Me një fjalë, në vend të krijimit të sektorëve të rinjë ekonomik, kapitalit të huaj në të vërtetë vetëm po ia shesim të drejtat e monopolit ose gjysëm-monopolit mbi tregun konsumator të Kosovës dhe resurseve të saj natyrore. Blerësit të PTK-së po ia shesim tregun ekzistues telekomunikativ, blerësit të Distribucionit të KEK-ut monopolin mbi rrjetin ekzistues të shpërndarjes, kurse investitorit në energji atë ekzistues të rrymës. Investimet eventuale që bëhen në këta sektorë nga pronarët e rinjë do të krijojnë sërish një iluzion të zhvillimit, por në të vërtetë baza ekonomike e Kosovës mbetet e pandryshuar. Kosova humb kontrollin mbi asetet strategjike dhe ato që janë në interesin publik, kurse efekti zhvillimor ekonomik është minimal.

Një hov i vërtetë, ose një moment zhvillimor, ndodh jo vetëm kur kapitali i huaj përvetëson asetet ekzistuese ekonomike, por kur investimet orientohen në krijimin e sektorëve të rinjë të prodhimit dhe shërbimeve. Privatizimi i aseteve publike nuk premton më shumë se këtë të parën.

Megjithatë, jam i bindur se gjatë javëve e muajve në vijim do të dëgjojmë shumë se privatizimi i aseteve publike të Kosovës do të sjellin investitorë të huaj dhe si pasojë do të jenë ajo që do ta sjell mrekullinë ekonomike në Kosovë. Në fakt, do ta shohim se kemi të bëjmë me iluzionin e radhës, rezultati i cili do të vazhdojë ta çojë vendin drejt humnerës ekonomike, dhe perspektivës së papunësisë dhe varfërisë së cilës nuk do t’i duket fundi.

Botuar te Koha Ditore, 17 prill 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s