Home

Qeveria sërish arriti ta kontrabandojë privatizimin e PTK-së në Kuvend. Vitin e kaluar atë e arriti përmes një puçi parlamentar, atëherë kur, pak çaste pasi ambasadori amerikan doli nga porta e ndërtesës qeveritare, Strategjia për privatizimin e PTK-së u shpall e “miratuar” pa votat e mjaftueshme të deputetëve në sallë. Kësaj radhe, Qeveria e përfshiu atë si pikë në buxhetin e Kosovës për këtë vit. Përkundër kundërshtimeve nga opozita, partitë e koalicionit qeverisës megjithatë miratuan buxhetin dhe bashkë me këtë edhe dhanë dritë jeshile për privatizimin e asetit më profitabil publik të Kosovës.

Jo që një strategji e re për shitjen e PTK-së nuk do të kalonte dosido në Kuvend. Koalicioni, me një shumicë votash gjithsesi do ta miratonte një masë të veçantë që autorizon shitjen e PTK-së sikur ajo të futej në rend dite, andaj edhe kundërshtia ndaj përfshirjes së shitjes brenda buxhetit është më shumë një gjest politik nga opozita, se sa një kundërshti që do të mund ta bllokonte përfundimisht privatizimin e PTK-së. Sido që të jetë, fshehja e pikës për shitjen e PTK-së brenda buxhetit dëshmon se edhe koalicioni qeveritar është i vetëdijshëm për jopopullaritetin e kësaj mase. Indinjata ndaj kësaj shpejt mund të kthehet edhe në revoltë në mesin e punëtorëve të PTK-së dhe asaj pjese të publikut që kundërshton këtë masë, siç u pa edhe nga ecuria e protestës së sindikatës së punëtorëve të PTK-së para godinës së Kuvendit.

Shitja e PTK-së ka qenë gjithmonë një vendim politik, e jo ekonomik, prandaj s’është e rastit që kjo çështje tashmë po politizohet edhe nga ata që presin të humbin nga ky proces (që janë në radhe të parë punëtorët e ndërmarrjes). Se politizimi i këtij procesi do të arrinte në këtë shkallë mbase nuk ka qenë vlerësimi i qeverisë Thaçi 1, e cila vitin e kaluar bëri llogarinë se me shitjen e PTK-së do të paguante ndërtimin e autostradës, llogari që sërish bën pjesë në kalkulimet buxhetore të qeverisë Thaçi 2. Vëzhgues të tjerë kanë vënë në dukje se si ky lloj kalkulimi i bën dëm vetë procesit të privatizimit. Tregtarët e vjetër të Shkodrës kanë një fjalë kur blejnë një shtëpi. E pyesin shitësin, “e ke tëndën apo të babës?”. Sepse e dinë se nëse shitësi shtëpinë e ka trashëguar nga baba, pazari shkon më kollaj se me atë që shtëpinë e ka ndërtuar vetë. Qeveria po sillet jo vetëm sikur PTK-në e kanë trashëgim nga baba, por edhe po i tregojnë blerësit se janë në zor për ta shitur, duke madje i paragjykuar edhe çmimin prej 300 milionë euro pa një llogari paraprake të vlerës komerciale të ndërmarrjes.

Por, me rëndësi tjetërfarë nga situata absurde e krijuar rreth shitjes së TK-së (pasi që Posta, si njësi humbëse, mbetet ndërmarrje publike) është vetë korniza e politikave ekonomike brenda së cilës po ndodh kjo. Privatizimi i një aseti nuk bëhet vetëm për hir të privatizimit, as për hir të argumentit se “po bëjmë siç kanë bërë të tjerët”. Privatizimi i aseteve publike nuk bëhet as për hir të nevojës për të mbuluar shpenzime buxhetore të paplanifikuara mirë, për shkak të angazhimeve kontraktuale që tejkalojnë kapacitetet financiare të shtetit (siç është rasti i kontratës me Bechtel-Enka për ndërtimin e autostradës). Privatizimi, atëherë kur bëhet, bëhet me qëllim të gjenerimit të një dinamike të re ekonomike, në rastin konkret në sektorin e telekomunikimeve. Fakti se telekomunikimet janë sot një sektor dinamik dhe se Kosova ngecen mjaft në këtë sektor edhe në krahasim me vendet e rajonit, tregon se një ndërhyrje në këtë sektor është e nevojshme. Prandaj, synimi i parë i Qeverisë do të duhej të ishte dinamizimi ekonomik i këtij sektori, që nuk nënkupton medoemos privatizimin e TK-së. Privatizimi i TK-së, po qe se është pjesë e një strategjie të tillë, do të duhej të parashihte beneficionet që kjo masë do t’i sillte në radhë të parë qytetarëve të Kosovës si pronarë aktualë të ndërmarrjes profitabile PTK dhe si konsumatorë të shërbimeve të telekomunikimit, dhe së dyti punëtorët e ndërmarrjes për të cilët PTK-ja është burim ekzistence në një ekonomi me një papunësi të pakrahasueshme në shkallë kontinenti. Këto beneficione do të duhej të ishin gjenerimi i investimeve të reja, krijimi i vendeve të reja të punës (një rritje neto të kapaciteteve të punësimit në sektor), shërbime më të mira për konsumatorët, si dhe pista tjera ekonomike që qeveria (p.sh., përmes rritjes së të hyrave tatimore nga aktivitetet e shtuara ekonomike) të rikuperojë humbjen e të hyrave që ajo aktualisht përfiton nga PTK-ja. Në rastin e PTK-së asnjëra nga këto nuk duken të garantuara e as të planifikuara, ndërsa privatizimi premton ta rrisë, dhe jo ta ulë, papunësinë, kurse Qeveria ta humbë një burim të vazhdueshëm të të hyrave.

Se ideologjia e qeverisë aktuale është shit për hir të shitjes duket të jetë mishëruar edhe në strukturën e saj të re organizative. Shitja e PTK-së duket se i është kaluar ministrisë së porsathemeluar për Zhvillim Ekonomik, misioni i saktë i së cilës nuk duket akoma i qartë (dhe të cilën, sipas ministrit të saj Besim Beqaj, nuk e di as ai vetë, pasi që programi i saj akoma është në përgatitje e sipër). Në të vërtetë, kjo ministri nuk duket se do të ketë rol tjetër pos menaxhimin e procesit të kalimit të aseteve kryesore të Kosovës, që vlerësohen të kapin vlerën rreth dy miliardë euro, në duar të kapitalit të huaj (që, pas TK-së, përfshin energjetikën dhe minierat). Kjo kuptohet nga vetë forma e zgjedhur e privatizimit të TK-së, që dukshëm favorizon kapitalin e madh të jashtëm. Privatizimi arrihet edhe në forma tjera: p.sh., duke hapur një treg ku punëtorët e ndërmarrjeve, biznesmenët lokalë, madje edhe qytetarët e thjeshtë, mund të blejnë pjesëmarrje në pronësinë e ndërmarrjeve të privatizuara përmes blerjes së aksioneve. Ajo mund të arrihet duke krijuar paraprakisht investitorë institucionalë, qofshin ata edhe me fonde shtetërore, të cilët investojnë në ndërmarrjet kyçe të ekonomisë. Kjo është formë e privatizimit që është ndjekur në shumë shtete të Evropës lindore, dhe përmes së cilës shumë ish-ndërmarrje publike dhe shoqërore, sidomos në sektorë strategjikë, arritën të ngrisin kapital, por njëkohësisht të ngelin në duar të pronarëve vendorë, dhe nuk i kaluan krejtësisht në kontroll kapitalit të jashtëm. Një shembull i kësaj është ndërmarrja “Konçar” e Kroacisë, një ndërmarrje e suksesshme në fushën e elektroteknikës. Pronësia në këtë ish-ndërmarrje shoqërore është e ndarë në aksione, shumica (mbi 55 për qind) e të cilave mbahet nga invesititorë institucionalë të Kroacisë (Banka Postare e Kroacisë, Fondi Pensional i Kroacisë dhe Fondi kroat i privatizimit). Të mos flasim se sot favorizimi i verbër i kapitalit të madh privat nuk duket zgjidhje për vendet në zhvillim as në plan global. Përderisa ekonomitë perëndimore tash e tri vite akoma nuk arrijnë të këndellën nga kriza financiare, modeli për zhvillim të shpejt ekonomik mbetët Kina, ku kriza nuk bëri që rritja ekonomike të humb aspak prej forcës së saj. Një prej arsyejeve të kësaj, vlerësojnë analistët, është se rritja ekonomike në Kinë vazhdon në saje të investimeve të shtetit në sektorët strategjik të ekonomisë, si energjetika, infrastruktura dhe transporti, që nuk varen nga kapitali privat por janë në pronësi të shtetit. Peisazhi i neoliberalëve kosovarë, se sektori privat domethënë rritje dhe zhvillim, kurse ai shtetëror dhe publik ngecje, korrupsion dhe joefiçiencë, në këtë rast ballafaqohet me një fakt të paasimilueshëm sepse sot Kina, e cila shumë sektorë ekonomikë nuk i lë as që të preken nga kapitali privat, prapë mbetet ekonomia me shkallën më të madhe të rritjes në botë.

Pse qeveria në Kosovë as nuk ka shqyrtuar për asnjë minut alternativa ndaj formës së privatizimit që automatikisht favorizon interesat e fuqishme të jashtme, aq më tepër kur këto bëhen përmes marrëveshjeve të fshehta, kontratave sekrete e ujdive për të cilat publiku nuk ka kurrfarë dijenie (një formë pra, që shkon në kundërshti të plotë me parimet e tregut të hapur dhe transparencës)? Kjo nuk ka lidhje me tregun, efiçiencën dhe gjuhën financiare që e pëlqënte ministri i dikurshëm i Financave Ahmet Shala dhe tani e vazhdon pasardhësi i tij Besim Beqaj i MZHE. Këtu kemi të bëjmë thjesht me një projekt politik, i cili favorizon interesat e mega-kapitalit, dhe i cili, siç po dëshmohet në rastin e Kosovës, nuk është mega-kapitali i multinacionaleve me qendër në ekonomitë perëndimore, për të cilin Kosova nuk është mjaftueshëm atraktive, por ai i shteteve të rajonit që synojnë të tregojnë muskujt e ri përmes ekspanzionit në zonat periferike të ekonomive të tyre. Në Kosovë nuk po investon kapitali gjerman, amerikan, britanik ose francez; ekonomia e Kosovës po bëhet pre e kapitalit turk, slloven, çek, maqedon e nesër pse jo edhe atij serb (i cili edhe ashtu, në mënyrë të tërthortë dhe përmes kompradorëve lokalë dominon një pjesë të tregut kosovar, si p.sh. atij të ushqimeve). Paradoksi, i vënë re që nga Marksi, është se interesi përfundimtar i kapitalit nuk është mirëmbajtja e institucioneve të tregut dhe konkurrencës, por favorizimi dhe mbrojtja politike e interesave të tij monopoliste. Kjo po shihet edhe në rastin e TK-së. Në qoftë se interesi i Kosovës është ndërtimi i një sektori më të fuqishëm të telekomunikeve, në qoftë se interesi është përmirësimi i efiçiencës së TK-së, kjo do të mund të arrihej përmes hapjes së sektorit për konkurrencë, ftesës për investime të reja (siç është liçensimi i operatorëve të rinjë), të gjitha masa që bazohen në parime të tregut por që nuk do të kërkonin fare ndryshimin e pronësisë në PTK.

Sidoqoftë, kemi të bëjmë me një  projekt të favorizuar dhe të nxitur, siç është e qartë, nga interesa më të fuqishme se vetë kryeministri Thaçi. Kontrabanda e vërtetë në këtë situatë nuk është ai i ligjeve në Kuvend nga Qeveria, por i interesave të caktuara ekonomike që maskohen në gjuhën e zhvillimit dhe tregut të lirë.

Botuar te Koha Ditore, 3 prill 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s