Home

Ata me pak njohuri historike e dinë se Revolucioni francez fillimisht nisi si protestë kundër shtrejtimit të bukës në furrat parisiene. Ndoshta Revolucioni francez ishte rast dramatik, por furnizimi me bukë dhe gjësende tjera elementare ushqimore përbën një nga pikat më të ndjeshme për cilindo regjim politik. Siç ka dëshmuar revolucioni në Francë dhe në shumë raste të tjera, mungesa e bukës dhe gjësendeve tjera elementare ushqimore – apo edhe shtrejtimi i tyre – mund t’i kushtojë një regjimi me përmbysje të plotë. Nuk mjafton ajo klisheja (ndonëse historikisht e pavërtetë), që mbretëresha e Francës Marie Antoinette, me të dëgjuar që populli vuante për bukë, ishte përgjegjë “s’kanë bukë, le të hanë torte!”. Se buka dhe çmimet ushqimore janë faktor i rëndësishëm politik u pa edhe në Lindjen e Mesme. Ka argumente se një pjesë e madhe pakënaqësive popullore atje u gjeneruan pjesërisht edhe si pasojë e rritjes enorme të çmimeve të ushqimeve gjatë viteve të fundit. Dhe jo vetëm atje. Me dhjetëra protesta, disa të dhunshme, ngjanë nëpër botë gjatë vitit të kaluar për shkak të rritjes së çmimit të bukës dhe gjërave tjera elementare, që nga Haiti deri në Mozambik.

Duhet të jetë shqetësues prandaj trendi i ngritjes së vazhdueshme të çmimeve ushqimore dhe pasiviteti qeveritar karshi kësaj dukurie. Sipas Entit të Statistikës, në krahasim me vitin e kaluar, çmimi i bukës është shtrejtuar për 42 për qind, vajrat dhe yndyrërat 47 për qind, sheqeri afër 25 për qind, pemët 11 për qind, kafja 12 për qind e kështu me radhë. Shtrejtimi mesatar është afër 18 për qind për të gjitha produktet e konsumit ushqimor në periudhën shkurt 2010-2011, ndërsa indeksi i përgjithshëm i çmimeve ka arritur në nivel rekord qysh së ESK-ja ka filluar matjen e tij në vitin 2002. Rritjet e rrogave të sektorit publik, të premtuara nga qeveria, duket se tani do të kenë qëllim jo që ta ngrisin standardin e jetës për atë pjesë të familjeve kosovare që kanë fatin të jenë të punësuar në sektorin publik, por që t’ua shpëtojë atë standard të brishtë të jetës që e kanë pasur deri më tani, në mënyrë që atë të mos ua gërryej më tej inflacioni i pakontrolluar.

Rritja e çmimeve të gjësendeve ushqimore nuk është vetëm dukuri kosovare. Sipas raportit të fundit të Organizatës së Ushqimeve dhe Agrikulturës (OUA) të OKB-së, e cila monitoron çmimet globale të ushqimeve, gjatë muajit shkurt indeksi i çmimeve ushqimore globale u rrit për 2,2 përqind nga muaji paraprak. Rritjen më të madhe në këtë periudhë e kanë shënuar çmimet e qumshtit, sheqerit dhe të grurit. Sheqeri tashmë shitet për 752 dollarë për ton, në krahasim më 383 dollarë në pikun e qershorit 2008, një ngritje marramendëse. Gruri ka arritur në 362 dollarë për ton, 75 për qind më lartë se një vit më parë (por larg pikut prej 482 dollarë në qershor 2008). Çmimi i grurit, që është një nga faktorët që përcakton çmimin e bukës në tregjet e konsumit, është rritur sidomos në zonën e Detit të Zi, treg i cili dominohet nga Rusia si eksportuese, kurse përfshin edhe tregjet e Ballkanit. Në këtë zonë, çmimi i një tonelate të grurit është rritur nga 173 në 280 dollarë nga tetori 2009-2010 (muaji i fundit për të cilin jepen të dhënat), kurse në zonën e BE-së çmimi për ton në muajtin shkurt arriti në 333 dollarë, çmim që ka shënuar rritje përgjatë vitit 2010. Një sërë faktorësh po ndikojnë në rritjen e çmimeve të grurit dhe komoditeteve tjera bazë ushqimore. Një nga to është rritja globale e kërkesës. Rritja botërore e popullsisë në vetëvete përbën faktor që rrit kërkesën për komoditetet ushqimore (ndonëse në mënyrë që, natyrisht, godet më së shumti vendet e varfëra: OUA vlerëson se në vitin 2010 afër 925 milionë njerëz në botë nuk kanë patur ushqim adekuat, një nga shifrat më të larta në histori). Përveç kësaj, vendet në zhvillim, sidomos Kina, kanë shtuar kërkesën për komoditetet bazë ushqimore, si pasojë e rritjes së fuqisë ekonomike të konsumatorëve të saj. Ndërkaq, nga ana tjetër, një sërë faktorësh të tjerë kanë ndikuar në rënien e prodhimit. Gjatë vitit 2010, vërshimet në Australi dhe thatësia e madhe në Kanada dhe Rusi i kanë bërë dëm të madh rendimenteve. Si pasojë e kësaj, qeveria e Rusisë, një nga eksportuesit më të mëdhej të grurit në botë, ka vendosur një ndalesë për eksportet, që pritet të vazhdojë përgjatë tërë këtij viti, diçka që ndikon negativisht sidomos në rajonin e Ballkanit. Ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e komoditeteve agrikulturore ka edhe çmimi i naftës, i cili ka arritur në 98 dollarë për barelë (nga 72 dollarë para një viti) dhe sipas vlerësimeve të ekspertëve do të vazhdojë të ngritet, pjesërisht edhe si pasojë e jostabilitetit në Lindje të Mesme.

Fatkeqsia më e madhe është se nuk ka perspektivë për ndonjë lehtësim në këtë trend. OUA parasheh vazhdim të rritjeve të çmimeve përgjatë këtij viti. Vlerësim të njëjtë japin edhe ekspertët dhe institucionet financiare që tregtojnë komoditete agrikulturore në bursat botërore. OUA jep një sërë rekomandimesh, një pjesë e madhe e të cilave ka të bëjë me fokusimin, sidomos të organizatave zhvillimore, në sektorin e agrikulturës, i cili, siç thekson kjo organizatë, pranon vetëm 3% të ndihmave zhvillimore në botë.

Investimi në agrikulturë duket i rëndësishëm sidomos në një vend si Kosova. Ky sektor ekonomik dikur kyç për Kosovën i është lënë shkatërrimit, neglizhencës dhe keqmenaxhimit qeveritar. Në ligjërimin e përditshëm është bërë zakon që për mospunimin e tokës të fajësohen fshatarët, pa u marrë parasysh faktorët strukturor që kanë çuar në braktisjen e bujqësisë nga një pjesë e madhe e fshatarësisë, siç është, në radhë të parë, vërshimi i tregut të Kosovës me importe, çmimet e larta të farërave dhe lëndëve tjera të para, si dhe mungesa e përkrahjes së duhur institucionale për gjenerimin e investimeve në këtë sektor.

Në fakt, duket se ekziston një korrelacion i drejtpërdrejtë midis shkallës së importit dhe shkallës së rritjes së çmimeve ushqimore në shtete të caktuara gjatë periudhës së fundit. P.sh. në Shqipëri, e cila importon 80 për qind të grurit, indeksi i çmimeve ushqimore për shkurt 2011 ishte 6,9 për qind më i lartë se para një viti. Në Serbi, ndërkaq, e cila ka pasur sukses më të madh në mbrojtjen e sektorit të agrikulturës dhe të industrive ushqimore të vendit, rritja e çmimeve ushqimore ka qenë vetëm 1,9 për qind për të njëjtën periudhë. Megjithëse as Shqipëria nuk ia tejkalon Kosovës, me rritjen që ka pasur sivjet që, siç u cek, ishte galopante me afër 18 për qind. Vendet e varura nga importi janë – siç e thotë edhe logjika e thjeshtë – më të ndjeshme ndaj lëvizjeve të çmimeve në tregjet botërore, ndaj edhe rritjet e çmimeve ndihen drejtpërsëdrejti nga xhepi i konsumatorëve, konsumatorë që, si në rastin e Kosovës, shpenzimet për ushqim ua hanë pjesën më të madhe të buxhetit të vogël shtëpiak.

Në rastin e Kosovës, këto tregojnë për një nevojë urgjente për marrjen e masave nga ana e qeverisë për ta adresuar situatën. Impulsi i menjëherëshëm i shumë qytetarëve është që të kërkohet që të vendoset kontroll mbi çmimet, sidomos ai i bukës. Sado që kjo ide duket atraktive, problemi më themelor është ai strukturor, ndaj edhe intervenimet më efikase do të jenë jo ato që imponojnë çmime por që në mënyrë afatgjatë synojnë korrigjimin e problemeve strukturore në sektorin e agrikulturës dhe të industrisë ushqimore, sidomos varshmërinë në importin. Kjo, përveç se do të zbutë problemin e furnizimit me ushqime, gjithashtu do të gjenerojë rritje ekonomike dhe vende pune. Qeveria e Hashim Thaçit rreh gjoks se ka dyfishuar buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë, por kjo në vetëvete nuk është arritje e madhe duke konsideruar se kjo ministri është konsideruar si e fundit nga prioritetet për të gjitha qeveritë e radhës që ka patur Kosova, dhe ka qenë gjithmonë në fund të listës për nga ndarjet buxhetore, prandaj ajo mbetët e dobët përkundër kësaj rritjeje. E dyta, kjo rritje buxhetore nuk po tregohet të ketë dhënë ndonjë rezultat të theksuar, kur edhe subvencionet që janë ndarë kanë qenë të nxitura nga shkaqe politike, si në rastin e vreshtarëve të Rahovecit. Kjo qeveri duhet të zhvillojë një politikë shumë më agresive për zhvillimin e bujqësisë dhe industrisë ushqimore dhe ky sektor duhet të konsiderohet prioritar, dhe atë jo vetëm me fjalë. Buxheti i vitit 2011 premton rreth 7,4 milionë euro për subvencione bujqësore por kjo në një anë as nuk është adekuate dhe në anën tjetër nuk ka garanca se do të kanalizohen drejtë dhe në forma që nxisin rritjen e prodhimit. Përveç subvencioneve dhe investimeve ka edhe gjëra tjera që mund të bëhen, sikur formimi i një rezerve shtetërore që ofron një masë mbrojtëse nga krizat eventuale që mund t’i kaplojë tregjet globale, por kjo nuk duket të jetë prioritet i qeverisë.

Në të vërtetë, Kosova ka nevojë urgjente për ndërtimin e një sistemi të menaxhimit të prodhimit dhe distribuimit ushqimor. Sepse të bësh politikë me stomakun e njerëzve nuk i levërdis askujt, e më së paku qeverisë aktuale.

Botuar te Koha Ditore, 20 mars 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s