Home

Pas një pauze disamujore, financat e brishta të shteteve evropiane janë sërish në krye të ballinave të gazetave botërore. Kriza financiare e shteteve më pak të pasura evropiane, që mori flakë vitin e kaluar, duket se u shua përkohësisht nga zjarrfikësit e thesarit gjerman, që derdhën miliona euro për të larë përkohësisht borxhet e Greqisë e të Irlandës, dhe shpëtuan këto shtete nga falimentimi i plotë (apo, më saktësisht, në falimentimin e huadhënësve të tyre, që janë bankat dhe investitorët e tjerë). Që disa muaj ka ekzistuar frika se problemet që çuan në krizë Greqinë dhe Irlandën, mund të kaplojnë më tej vendet e Evropës jugore. Në shënjestër të rrezikut financiar kanë qenë sidomos Portugalia dhe Spanja. Rreziku nuk është vetëm ai i problemeve financiare të shteteve individuale, por ai i një krize zinxhirore që me vete mund t’i dëmtojë rëndë disa nga bankat më të mëdha evropiane (si p.sh. Deutsche Bank dhe Barclay’s, të dyjat të investuara në bono spanjolle) dhe me të, edhe euron si monedhën e përbashkët evropiane. Atëherë në pikëpyetje vihet jo vetëm fati ekonomik, por edhe ai politik, i BE-së.

Në të vërtetë, krizat e Greqisë dhe e Irlandës megjithatë janë dukur të përballueshme për BE-në, e cila i shpëtoi financat e këtyre shteteve me derdhjen e fondeve (pra, kryesisht ato me origjinë gjermane). BE-ja, si gjithmonë, krizave u përgjigjet me krijimin e burokracive të reja, dhe në këtë rast kjo ishte Mjeti për Stabilitetin Financiar Evropian (European Financial Stability Facility – EFSF). Por përderisa EFSF vlerësohet të ketë mjaft kapacitet financiar për të përballuar krizën eventuale të Portugalisë, që megjithatë është një shtet relativisht i vogël, nëse kriza përfshin Spanjën, problemi bëhet shumë më i ndërlikuar. Spanja hyn në rangun e një prej dhjetë ekonomive më të mëdha në botë dhe e katërta në Eurozonë për nga vlera e BPV-së. Por, papunësia në Spanjë arrin në 20%, që është shkalla më e lartë nga të gjitha vendet e zhvilluara, e që nuk ka ndjerë fare zbutje që katër vjet. Deficiti i shtetit spanjoll është mbi 9% të BPV, mbi gjashtë pikë më i lartë se norma e 3% e kërkuar nga Banka Qendrore Evropiane. Kolapsi eventual financiar i Spanjës mund të jetë tepër i madh për t’u përballuar edhe nga BE-ja. Shto kësaj se larg rrezikut të kolapsit financiar nuk është as Italia. Nëse kriza e borxheve sovrane përhapet në këto dy ekonomi qëndrore të BE-së, mund ta marrim me mend se epilogu, si ekonomik ashtu dhe politik, nuk do të jetë aspak i këndshëm.

Dhe duket se momenti i alarmit erdhi. Gjatë javës së kaluar, Moody’s, një nga institucionet që merret me rejtingun e besueshmërisë së kredimarrjes për shtetet, zbriti rejtingun e Spanjës për një shkallë, nga “Aa1” në “Aa2”. Ky rejting është i rëndësishëm sepse përcakton kushtet sipas së cilave investitorët vlerësojnë bonot shtetërore dhe me këtë edhe aftësinë e shteteve për të tërhequr kredi nga financuesit privatë. Për shumë kohë, rejtingu i Spanjës ishte më i larti, “Aaa”, që ndahet nga një grup i vogël i shteteve të pasura, si SHBA-të, Britania e Madhe, Zvicra, Gjermania dhe Suedia, ndër të tjera. (Sa për krahasim, rejtingu i Shqipërisë është “B1”, që domethënë “spekulative dhe me risk të lartë”, ai i Malit të Zi “Ba1”, ai i Kroacisë “Baa3”, ndërsa Kosova si shtet pa histori të huamarrjes sovrane ende nuk ka rejting). Moody’s tani vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatgjatë të financave shtetërore spanjolle.  Sidoqoftë, efekti i zbritjes së rejtingut të Spanjës qe i menjëhershëm, dhe u pa me rënien për 1,5 % të vlerës së euros karshi dollarit.

Këto zhvillime janë në krye të agjendës për qeveritë evropiane dhe, me sa duket, do të vazhdojnë të jenë për shumë kohë. Të premten, derisa shqiptarët dhe serbët kishin vëmendjen tek bisedimet Kosovë-Serbi që po mbahen me ndërmjetësimin e BE-së, në Bruksel mbahej një samit i krerëve evropianë që është shumë më i rëndësishëm dhe më qenësor për BE-në. Është ironike se përderisa Kosova dhe Serbia negociojnë, me shpresë dhe llogari se arritja e disa marrëveshjeve mes vete do t’i çojë të dyja vendet në BE, jo larg tyre krerët evropianë negociojnë për faktin nëse do ta shpëtojnë BE-në në formën që ne e njohim sot.

Vazhdimi i krizës së borxheve sovrane ka një sërë pasojash. E para, ajo do të vazhdojë ta mbajë peng fatin e euros, pasi që borxhet sovrane dhe deficitet buxhetore drejtpërsëdrejti involvojnë bankat qëndrore të shteteve. Vështirësia kryesore për shtetet më pak të pasura evropiane si Portugalia dhe Greqia është çmimi i lartë i euros. Përderisa ekzistojnë disbalanse midis vendeve më shumë dhe më pak të pasura evropiane, euroja bëhet ngarkesë gjithnjë e më e madhe për shtetet më pak të pasura, që për të larë borxhet e tyre dhe për të financuar shpenzimet duhet të tërheqin euro, e që si rrjedhojë u kushtojnë atyre më shtrejtë se që do të paguanin me monedhën e tyre (për shkak se vlera e asaj monedhe do të ishte më e ulët dhe në raport më të drejtë me fuqinë e tyre reale ekonomike). E dyta, kriza e borxheve sovrane do t’i mbajë frerët mbi rritjen ekonomike në pothuajse të gjitha ekonomitë e Eurozonës. Deri më tani, Gjermania ka arritur t’i kapërcejë pengesat e recesionit, përderisa ekonomitë tjera evropiane lëngojnë nga një shkallë e plogësht e rritjes ekonomike. Kriza financiare ka çuar gjithashtu në masa të thella shtrënguese për buxhetet publike në mbarë kontinentin. Kjo ndodhi në Greqi, në Irlandë, kurse reduktime të thella buxhetore po kryhen edhe qeveria e Jose Luis Rodriguez Zapateros në Spanjë. Këto shtrëngime buxhetore, ironikisht, po detyrojnë shkurtime të dhimbshme në shërbime publike dhe programe sociale, pavarësisht ngjyrës së partive në pushtet. Në Greqi kjo po ndodh nën qeverisjen e socialistëve, po ashtu në Spanjë. Në Irlandë shtrëngimet buxhetore u detyrua t’i bëjë partia e qendrës Fianna Fáil, e cila si pasojë gjatë shkurtit pësoi debaklin më të madh elektoral të një partie që nga themelimi i shtetit irlandez më 1921. Edhe në Britani, shtet i cili nuk ballafaqohet (të paktën jo akoma) me një krizë borxhesh por me një deficit të thellë, qeveria e konservatorit David Cameroon implementoi shkurtime drastike buxhetore të papara edhe në kohën e sundimit të Margaret Thatcher-it gjatë viteve 1980. Me një fjalë, politikisht, situatat e tilla po shfrytëzohen nga qeveritë për reduktimin e programeve sociale dhe beneficioneve universale si shëndetësia dhe pensionet, duke e hedhur barrën e krizës ekonomike tek klasa e mesme dhe shtresat më të varfëra dhe më të margjinalizuara shoqërore.

Këto zhvillime mund të duken të largëta për Kosovën, por dihet fare mirë se fati i Kosovës është, deshem s’deshem, drejtpërsëdrejti i lidhur me fatin e kontinentit evropian. Jo vetëm në efekte të drejtpërdrejta ekonomike (siç është, p.sh., vendimi i qeverisë britanike për të ndërprerë ndihmat për Kosovën), zhvillimet në BE do të prekin Kosovën politikisht. Në njërën anë, një Evropë në krizë mund të jetë shumë më ngurruese karshi pranimit të anëtarëve të ri, sidomos në shoqëri ku krizat ekonomike zakonisht ndiqen edhe me rritjen e ksenofobisë dhe sentimenteve anti-imigrante dhe bashkë me to, edhe përkrahja për partitë ekstreme të djathta. Në anën tjetër, dobësimi i fuqisë ekonomike të BE-së ka pasoja globale, nga fakti se Evropa margjinalizohet më tej si fuqi ekonomike, në përfitim të Kinës dhe ekonomive tjera të Azisë juglindore. Për të mos thënë se vazhdimi i krizës mund të gjenerojë konflikte brenda BE-së. Një gjë nuk duket në horizont tani, pasi që Franca dhe Gjermania kanë ende interes në shpëtimin e Eurozonës dhe janë të gatshme të shkrijnë pasurinë e tyre për këtë qëllim. Mirëpo, nëse ky interes shkon duke u zbehur – pjesërisht edhe si pasojë e reaksionit popullor në këto shtete kundër financimit të vendeve më pak të pasura me paratë e taksave të tyre, në kohën kur nga ata kërkohet të durojnë shkurtime të pensioneve dhe shërbimeve publike – atëherë vetë kuptimi i projektit të BE-së mund të vihet në sprovë serioze. Na mbetet vetëm të shpresojmë se do të ketë akoma një BE, në kohën kur përfundojnë negociatat midis Kosovës dhe Serbisë.

Botuar te Koha Ditore, 13 mars 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s