Home

Qeveria e re, me rastin e zgjedhjes së saj, shpërndau programin e saj qeverisës për periudhën 2011-2014. Ky dokument që nuk tejkalon 50 faqe, që Kuvendit ju dorëzua vetëm pak orë para se të zgjedhej qeveria e re, përmban ambiciet e qeverisë së re periudhën që vjen. Qytetarët e Kosovës që janë të interesuar të mësojnë më shumë mbi programin, kot e kërkojnë atë në web-faqen e Qeverisë apo të zyrës së kryeminisrit (ku, ndër risi të tjera, ende mund të shkarkohet broshura solemne e botuar me rastin e njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës).

Sido që të jetë, programi përmban tre kapituj: Zhvillimi ekonomik, Qeverisja e mirë dhe Mirëqenia sociale. Çuditërisht, programi në pamje të parë duket i cunguar dhe jo-komplet. Duke lexuar programin, të krijohet përshtypja thuaja se kjo qeveri i ka disa ministri mangut, si p.sh. atë të Jashtme. P.sh., komponentë themelore e aktiviteteve të një qeverie të një shteti të pavarur janë politika e jashtme dhe ajo e sigurisë. Ndonëse politika e sigurisë së një shteti zakonisht gëzon trajtim të veçantë dhe të përkushtuar, në programin qeveritar kjo e fundit, çuditërisht, përshkruhet me një faqe nën kapitullin për “qeverisjen e mirë”. Për politikën e jashtme bëhet pak fjalë, por nën kapitullin për zhvillimin ekonomik. Thuaja se njohjet ndërkombëtare dhe “ndërtimi dhe funksionalizimi i shërbimit diplomatik” janë pjesë e politikave ekonomike. Liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE, platforma mbi të cilën kishte ndërtuar fushatën e tij parazgjedhore Hashim Thaçi dhe PDK, nuk e gjen fare të trajtuar në program si pika të veçanta. Të krijohet përshtypja se raportet që nxjerrin disa nga OJQ-të kosovare janë më komplete dhe më profesionalisht të përgatitura se ky program.

Do si do, programi nuk është pa anët e tij përmbajtësore, megjithëse edhe ato relativisht të varfëra në detaje dhe parametra konkret. Një nga aspektet pozitive të programit, e që (mbase) do të reflektojë edhe në prioritetet e qeverisë, është se në krye të tij është vendosur zhvillimi ekonomik, i cili gjithashtu mbulon pjesën më të madhe të programit. Fatmirësisht, zgjedhjet e fundit bënë që zhvillimi ekonomik si fushë e politikëbërjes të marrë vëmendje shumë më të madhe se që kishte në të kaluarën. Në këtë pikë, është interesante të ravijëzohen disa ndryshime konceptuale në qasjen ndaj zhvillimit ekonomik që po merr qeveria e re (e vjetër) në mandatin e saj të ripërtëritur.

Në këtë pikë, argumentet e shtruara gjatë fushatës parazgjedhore, sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia FER për nevojën që shteti të ketë rol më të madh në zhvillimin ekonomik, duket të kenë patur efekt tek këshilltarët dhe hartuesit e politikave të Thaçit. Kjo pasi që gjuha e programit dallon thelbësisht nga ajo e kryeministrit, jepen ide dhe qasje që kryeministri nuk është parë e as dëgjuar duke i folur ose përshkruar gjatë paraqitjeve të tij publike. Kjo shihet tek theksi që programi vendos në dy pika: përkrahjen e zhvillimit industrial të vendit (që programi e quan “ri-industrializim” të Kosovës) dhe një rol më aktiv të shtetit në përkrahjen e eksportit. Ndoshta për herë të parë, merret me seriozitet adresimi i disbalanseve të thella strukturore me të cilat ballafaqohet ekonomia kosovare, të cilat asaj i kushtojnë miliarda euro në vit humbje. Ja se çka thotë programi: “rritja e eksportit dhe substituimit të importit është esencial për zbutjen e shpërpjesëtimeve makroekonomike. Fuqizimi i sektorit privat, sidomos bizneseve prodhuese dhe rritje së[sic] aftësisë së tyre konkurruese dhe promovimit efektiv duhet të rrisë mbulimin e importit me prodhime vendore dhe eksporte” (fq. 10). Programi shkon edhe më tej. “Zhvillimi i NVM-ve [Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme] industriale paraqitet si një komponentë qenësore e zhvillimit të sektorit industrial në Kosovë, jo vetëm për shkak të situatës së krijuar për shkak të de-industrializimit, por edhe për faktin se vendet e vogla jo mjaft të zhvilluara duhet të mbështeten në një sistem të mbështetjes së NVM-ve industriale” (fq. 11). Përderisa programi thirret vazhdimisht në tregun e lirë, qeveria duket se po hedh poshtë konceptin neoliberal të shtetit minimalist, dhe pranon se shteti duhet të ketë një rol më aktiv në mbështetjen e zhvillimit ekonomik. Nga një qeveri e cila në të kaluarën, zhvillimin ekonomik e kishte mbështetur tërësisht në shpenzimet publike dhe sidomos në projekte infrastrukturore, ky fokus i ri në mbështetjen e drejtpërdrejtë të industrive prodhuese dhe të eksportit duket të shënojë një ndryshim paradigmatik në mendimin e qeveritarëve aktualë për mënyrën dhe politikat që duhet ndjekur për zhvillimin ekonomik. Të paktën, kjo është ajo që po jepet në letër.

Por, përderisa paradigma zhvillimore jep shenja ndryshimi, programi është mjaft i zbehtë përsa i përket masave konkrete për arritjen e qëllimit të rritjes së industrive prodhuese dhe eksportit. Ato më së shumti vijnë në shprehje në sektorin e bujqësisë ku, ndër të tjera, parashihen programe subvencionuese, përfshirë dhe themelimi i një banke publiko-private (të dedikuar, me sa duket, për agrobiznesin), ndërtimi i depove dhe përkrahja e prodhimit bujqësor për eksport (edhe pse për bujqësinë duket më i rëndësishëm jo eksporti, por furnizimi adekuat i tregut vendor dhe eliminimi i dominancës së importeve në këtë fushë).

Aq më tepër që kjo politikë mbështetëse ndaj industrive duket se përfundon në sektorin e bujqësisë, pasi që dy sektorët tjerë tradicionalë industrialë, xehtaria dhe energjetika, nuk dallojnë në qasje nga e kaluara. Energjetika përmendet si prioritet, jepen ide për një mori projektesh (siç janë, përveç termocentralit “Kosova së Re”, hidrocentralet dhe centralet me erë), ndërsa premtohet eliminimi i plotë i importeve të energjisë (por nuk jepet asnjë parashikim për eksportet). Qeveria premton riaktivizimin e Trepçës, por nga ajo që shihet në program, për këtë gjë nuk duket se ekziston një plan konkret.

Qasja e ndryshuar ndaj industrializimit dhe përkrahjes së bizneseve nuk përkthehet në qasje të ndryshuar ndaj politikave të privatizimit. Nuk ka asnjë vlerësim për privatizimin në formën e tij aktuale, kostot e tij dhe as investimet që (nuk) i solli privatizimi i ish-ndërmarrjeve shoqërore. Ndërmarrjet e dikurshme, që ishin bazë e industrisë së dikurshme të Kosovës dhe gjithë sektorëve ekonomik që ekzistonin në Kosovë, shihen si një fantom dhe mbeturinë që duhet spastruar dhe likuiduar. Ri-industrializimi, sipas programit qeveritar, do të behët vetëm me investime të reja dhe në fusha të reja. Ndërkaq, suksesi i vendeve në tranzicion asnjëherë nuk ka qenë mbështetur (të paktën jo fillimisht) në investime në sektorë dhe fusha të reja, por në rivalorizimin e industrive ekzistuese dhe atyre të vjetra. Për fat të keq, mendimi ekonomik i qeverisë aktuale vazhdon të jetë infektuar nga sindromi i IPVQ-ve, sipas së cilave ekonomia kosovare para vitit 1999 përbën vetëm një parahistori me vlerë muzeale për ekonominë e vendit.

Një nga pjesët ndoshta më skandaloze të programit është ajo që i përket sistemit financiar. Sa herë është ngritur problemi i kamatave të larta bankare që përbëjnë një nga barrierat kryesore për praninë e kapitalit në ekonominë kosovare. Programi, i cili vazhdimisht thirret në investime dhe tërheqje të kapitalit, jo vetëm që nuk parasheh masa për adresimin e problemit, por as që përmend këtë hallkë qëndrore në gjenerimin e investimeve, që është shtrejtia e parasë në tregun kosovar.

Përgjithësisht, programi ekonomik i qeverisë vuan nga një mungesë e thellë e parametrave dhe indikatorëve konkretë ekonomikë dhe zhvillimorë. Nuk merret vesh se cili është synimi i qeverisë për shkallën e rritjes ekonomike gjatë viteve në vijim dhe zbutjen e papunësisë dhe varfërisë, në shifra konkrete, gjatë përiudhës së programit. Krijimi i vendeve të punës mbetët një koncept abstrakt, pa një numrim ose llogaritje se sa vende pune dhe në çfarë nivelesh qeveria synon t’i gjenerojë në fushat që i përmend si prioritare. Pa matës konkretë të rezultateve, çdo masë dhe politikë mund të shitet, ashtu siç është shitur në të kaluarën, si sukses dhe arritje e madhe e qeverisë. Dhe sidomos se çfarë domethënie kanë politikat ekonomike për qytetarin e zakonshëm kosovar, qoftë ai i cili me zor mbijeton muajin, qoftë ai që kërkon të dalë nga rrethi i varfërisë dhe synon një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme për vetën dhe pasardhësit e tij. Ata qytetarë dëshirojnë ta dijnë më konkretisht se cila është perspektiva e tyre ekonomike dhe për ta nuk mjaftojnë formulat abstrakte të zhvillimit ekonomik.

Mangësitë e programit qeveritar janë shqetësuese sidomos kur kihet parasysh se kemi të bëjmë me një qeveri që, në dallim prej opozitës, ka patur tri vjet mundësi që t’i studiojë në hollësi fushat dhe potencialet zhvillimore të vendit. Ndonëse ka shenja për ndryshim të qasjes në politikat e zhvillimit ekonomik, është e drejtë e secilit qytetar të Kosovës të jetë skeptik mbi atë nëse politikat ekonomike të qeverisë vërtetë do të sjellin një ndryshim të kahjes ekonomike për Kosovën. Sepse kështu siç është, programi qeveritar për zhvillimin ekonomik është një program pa këmbë.

Botuar te Koha Ditore, 6 mars 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s