Home

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka një njësi të posaçme për hulumtime dhe inovacione që lidhen me avancimin e interesave ushtarake dhe të sigurisë së shtetit amerikan. Kjo njësi njihet si Agjensia e Projekteve të Avancuara Hulumtuese (Defense Advanced Research Projects Agency – DARPA). Një prej inovacioneve të saj më të njohura është rrjeti i decentralizuar kompjuterik të cilin ne sot e njohim si Interneti. Në vitin 2003, DARPA ishte pranë lansimit të një projekti të njohur si Tregu i Analizave të Politikave (Policy Analysis Market – PAM). Projekti PAM bazohej në konceptin e tregjeve të “futures”, në të cilët investitorët blejnë parashikime, qofshin ato parashikime të çmimeve të komoditeteve të caktuara, apo edhe të ngjarjeve të caktuara që ende nuk kanë ndodhur. Sot, në tregjet financiare ekzistojnë tregje të shumta të “futures”, në të cilat tregtohet me miliarda dollarë në vit. P.sh., ekziston tregu i “futures” për naftë, në të cilin investitorët spekulojnë mbi çmimin e naftës në muajt në vijim. Ekzistojnë “futures” për çmimet e rendimenteve bujqësore, si të misrit, grurit, orizit dhe vajin, apo të atyre xehërore, sikur të arit. Ekzistojnë “futures” për vlerën e valutave, mbi kompanitë, siç janë parashikimet për çmimet e aksioneve të korporatave ose të profiteve të tyre. Tregjet e “futures” janë të organizuara edhe rreth ngjarjeve të caktuara, siç janë gjasat për katastrofa natyrore, për suksesin financiar të filmave Hollywood-ian, apo të rezultateve të zgjedhjeve. Së fundmi është themeluar edhe tregu i “futures” për motin, në të cilin investitorët mund të blejnë “futures” për ngjarje që lidhen me motin (p.sh., “blihen” parashikimet për një dimër të ashpër, që mund të kenë efekt, fjala vjen, në të korrurat e atij viti dhe rrjedhimisht te çmimet e tyre). Bastoret sportive, shumë më të njohura për mjedisin kosovar, funksionojnë me një koncept të ngjashëm sikurse “tregjet” tjera të parashikimeve, ku bastorja shërben si një lloj tregu për “shitjen” e parashikimeve të rezultateve sportive, kurse “investitorët” i “blejnë” ato me çmime të përcaktuara nga “tregu” i parashikimeve.

Ideja e PAM ka qenë që këtë formë të aktivitetit spekulativ ekonomik ta përdorë në fushën e prognozave politike të ngjarjeve globale, por ku investimet do të ishin fiktive (pra, nuk do të investoheshin para të vërteta). P.sh., një “investitor” i mençur që para gjashtë muajsh do të “investonte” në parashikimin se gjatë këtij dimri do të rrëzoheshin regjimet autoritare në Lindjen e Mesme, sot do të përfitonte jashtëzakonisht shumë. PAM nuk u lansua, sepse disa senatorë amerikanë e konsideruan projektin të papërshtatshëm dhe indinjues në disa nga aspektet e tij (p.sh., dikush do të mund të blente “futures”, apo të vinte bast, se do të ketë sulm terrorist në SHBA, apo se do të kryhej atentat kundër ndonjë lideri të caktuar botëror) dhe si pasojë e ndërprenë financimin për te. Por koncepti është interesant. Mbase është moment i përshtatshëm që dikush të themelojë një bastore të tillë për zhvillimet politike në Kosovë.

Para nja një jave, atëherë kur shihej se Hashim Thaçi u gjunjëzua karshi ultimatumit të Behgjet Pacollit për marrjen e postit të presidentit si kusht për formimin e koalicionit, dhashë këtë “propozim”: formula e Hashim Thaçit për ruajtjen e pushtetit është që të heq dorë nga posti i kryeministrit, dhe atë t’ia lëshojë AKR-së. Në postin e presidentit të zgjedhet Jakup Krasniqi (për çka kishte përkrahje në PDK), ndërsa Thaçi të qëndrojë në prapaskenë. Pas gjashtë muajsh qeverisjeje të dështuar nga AKR (sepse çdo qeverisje në këto rrethana politike është e dështuar), të orkestrojë me partinë e tij rrëzimin e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, në momentin më të volitshëm për të, duke e prezantuar vetën si shpëtimtar. Gjatë kohës jashtë qeverisë, Thaçi do të kishte kohë që t’i riparonte marrëdhëniet me rivalet, e sidomos me AAK-në, me të cilën do të përgatitej koalicioni i ardhshëm. Pas zgjedhjeve të reja, PDK sërish do të fitonte numrin më të madh të votave dhe Thaçi do të kthehej në pushtet shumë më i fuqishëm. Në ndërkohë, vendi i presidentit do të ishte në duart e Jakup Krasniqit i cili do ta vazhdonte mandatin deri më 2016. PDK do të fitonte në të dyja frontet. Aq më shumë që do të ruhej uniteti i partisë, ndërsa koha e blerë në ndërkohë do t’i ndihmonte Thaçit për ta hequr vëmendjen nga vetëvetja dhe për t’u ripozicionuar në skenë.

Natyrisht, ky skenar hipotetik i imi ishte bërë më shumë për qëllim argëtimi me miq, por nëse nuk do të ndjekej ky kurs, kisha dhënë parashikim e dytë. Skenari i dytë është që Thaçi të vazhdojë rrugën e imponimit të formulës që atë e sjell në pushtet tani dhe menjëherë, me çmimin e zgjedhjes së Pacollit president. Rezultatet e kësaj: përçarja e PDK-së, shkatërrimi i AKR-së (apo shndërrimi i saj, pa Pacollin, në një grup gjithnjë e më irrelevant politik) dhe sërish – rrëzimi i qeverisë, kësaj radhe edhe të Thaçit bashkë me te. Nuk mund të them se kjo do të ndodh brenda gjashtë muajsh, por me rebelimin e hapur të Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit, një skenar i tillë duket gjithnjë e më shumë i mundur. Po të kishte treg të “futures” në politikën kosovare, kjo është ajo në të cilën tani do të vëja bast.

Pavarësisht çështjeve teknike e kushtetuese që janë ngritur nga opozita për procedurën e zgjedhjes së presidentit, zgjedhja e Behgjet Pacollit në vetëvete nuk ishte vetëm irritim për shumë qytetarë që nuk e shohin figurën e tij si të denjë për një post të tillë, por tani siç shihet, nxiti një përçarje të thellë dhe serioze brenda PDK-së. Problemi i Thaçit është se tani është shpërndarë në shumë fronte. Në vjeshtën e vitit të kaluar, Thaçi dukej i pathyeshëm. Ai orkestroi me mikun e tij të ri (të vjetër), Pacollin, votëbesimin kundër qeverisë, i bindur se do të shkonte i palëkundur drejt fitorës në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në Kuvendin zgjedhor farsë të PDK-së, Thaçi tregoi dhëmbët brenda partisë duke u rizgjedhë kryetar i partisë me aklamacion dhe pa asnjë kundërkandidat. Dukej se s’kishte forcë që do ta ndalte atë në marrjen e sërishme të kontrollit të qeverisë, tani edhe më fuqishëm se më 2007. Por, pikërisht zgjedhjet dhe formimi i qeverisë dolën të jenë Thembra e Akilit për Thaçin. Gjithçka mori teposhtëzën. Cënimi i procesit zgjedhor përmes vjedhjes dhe manipulimit të votave, akuzat brendapartiake në PDK për vjedhje votash, eliminimi i Jakup Krasniqit nga perspektiva e ruajtjes së pozitës së presidentit (për çka ai duket të jetë shqetësuar tej mase), si dhe nevoja për t’iu nënshtruar presionit që Fatmir Limajn ta lë jashtë qeverisë, ka krijuar një lëmsh të ri për Thaçin. Vëmendjen mediale që ia solli raporti i Dick Marty-it, i solli Thaçit levërdi të padëshiruar në prishjen e imazhit ndërkombëtar, pikërisht atëherë kur ai po rrezikohet politikisht brenda.

Pse bëri kështu Thaçi? Siç pat thënë një mik i imi, Thaçi është takticien, nuk është strateg. Kalkulimi i tij nuk është suksesi në plan afatgjatë, por mbijetesa momentale. U pa kjo edhe gjatë zgjedhjeve, dhe rrezikimi me vetë stabilitetin ekonomik e shoqëror me premtimin për rritje drastike rrogash të sektorit publik, që duhet të jetë hera parë që Thaçi politikan shkel një marrëveshje me një palë të rëndësishme ndërkombëtare (kësaj radhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar). U pa me gatishmërinë e tij të dukshme për t’i acaruar marrëdhëniet me figurat kryesore brenda partisë së tij, me teatrin absurd të “negociatave” (që dikush me të drejtë i quan “presione”) me deputetë brenda partisë së tij gjatë pauzave të detyruara midis raundeve për zgjedhjen e presidentit në Kuvendin e Kosovës, vetëm që të mos dështojë zgjedhja e Pacollit president dhe marrja e mandatit nga Thaçi për qeverinë e re.

Po të ekzistonte një treg sikur PAM-i për politikën kosovare, apo edhe një bastore e thjeshtë për prognozat politike, do të kishte qenë një gjë e mirë për Thaçin pasi që ai do ta shihte shumë më qartë se si qëndrojnë llogaritë për perspektivën e tij. Në ndërkohë, duket se Thaçi ka vendosur që për fatin e tij politik të mos bëjë baste, as të merret me prognozat e tipit të “futures” për zhvillimet në periudhën gjashtë-mujore ose njëvjeçare. Thaçi po dëshmohet të jetë shumë më riskant se kaq, dhe si duket me fatin e tij politik, por edhe atë të vendit, parapëlqen ta luaj ruletin rus.

Botuar te Koha Ditore, 27 shkurt 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s