Home

Kushtetuta e Republikës së Kosovës thotë se Presidenti i Republikës “përfaqëson unitetin e popullit”. Mbase, në realitet, Kushtetuta do të duhej të thoshte se Presidenti ka pak lidhje me unitetin e popullit dhe përfaqëson hiç më shumë se sa unitetin e partive të koalicionit qeveritar.

Është hera e katërt që nga themelimi i institucioneve të pasluftës që Kosova zgjedh presidentin e saj. Dhe është hera e katërt që politika kosovare në mënyrën më galopante dështon në përmbushjen e kërkesës kushtetuese për një president gjithpërfshirës. Si pjesë e marrëveshjes së koalicionit, PDK ka pranuar ultimatumin e AKR-së së Behgjet Pacollit që koalicioni shkon vetëm nëse ky i fundit përfiton postin e presidentit të vendit.

Posti i presidentit është shndërruar në një post ordiner politik, i dhënë në pazare politike sikurse ndarja e ndonjë resori ministror apo e ndonjë pozite ambasadori ose këshilltari. Në kohën e një jostabiliteti të vazhdueshëm politik, dhe pas një periudhe të gjatë të humbjes së besimit të qyetarëve në institucionet e tyre politike, emërimi i një figure partiake në pozitën e presidentit përbën edhe një goditje të rëndë në qëndrueshmërinë dhe autoritetin politik të institucioneve.

Në sistemet parlamentare, ndonëse përmban pushtete të caktuara, posti i presidentit është gjithashtu një post ceremonial, me funksion të përfaqësimit të shtetit dhe, siç thotë shprehimisht edhe Kushtetuta, të unitetit të popullit. Mu për këtë, Kushtetuta kërkon që kandidati fitues për president të marrë dy të tretat e votave në Kuvend. Asnjë president i deritanishëm i Kosovës nuk është zgjedhur me dy të tretat e votave të Kuvendit. Çdo herë, procedura zgjedhore ka kaluar në variantën rezervë, atë të raundit të tretë ku zgjedhja bëhet më një shumicë të thjeshtë të votave.

Për fat të keq, kjo është një traditë e keqe që i ka ngelur Kosovës qysh nga viti 2001, me rastin e zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës, kur Ibrahim Rugova u zgjodh në postin e presidentit pa arritur ta fitonte përkrahjen e PDK-në, asokohe në opozitë. Rugova dhe LDK lëshuan pe vetëm atëherë kur e panë se presidenca e Rugovës po rrezikohej nga mungesa e votave dhe kryeadministratori i atëherëshëm i UNMIK-ut arriti ta sajojë një koalicion artificial në të cilën në këmbim të presidencës, PDK merrte kryeministrin, e udhëhequr atëherë nga Bajram Rexhepi. Me atë rast, Rugova inauguroi traditën e ndjekur më vonë nga pasardhësi i tij në LDK, Fatmir Sejdiu, të mos-heqjes dorë nga udhëheqja e partisë deri sa mbante postin e presidentit (megjithëse Rugova pat dhënë dorëheqje nga lidershipi i LDK-së gjatë mandatit të tij të dytë si president).

Në zgjedhjet e vitit 2004, Rugova ndërroi pazarin dhe bëri hapin e papritur, atë të lidhjes së koalicionit LDK-AAK. Pazari qe i lartë, dhe partia që asokohe ishte e para në vota, bëri të pazakonshmën dhe ia lëshoi postin e kryeministrisë partnerit të saj minoritar.

Duket se apetitet për poste të larta janë shumë të mëdha dhe sërish, një parti fare e vogël me elektorat, përfiton ndër postet më të rëndësishme institucionale në Republikën e Kosovës.

Kësaj radhe fajtore është ambicia e Hashim Thaçit për ta formuar me çdo kusht qeverinë dhe për të qenë vetë kryeministër. Por edhe opozita e re në Kuvend qëndroi anash dhe nuk ngriti as kundërshtinë më të vogël në kohën kur PDK bënte pazare politike me pozitën e kreut të shtetit. Sikur PDK-ja, opozita nuk e pa zgjedhjen e presidentit si proces të ndarë nga pakoja e marrëveshjeve të koalicionit qeverisës.

Ndërsa PDK, e rrezikuar nga mundësia që të mos jetë në gjendje të gjejë partnerë për koalicion, ishte tepër e motivuar që presidencën ta mbajë brenda lojës së pazareve politike. Atë ia ofroi si karrotë AAK-së, e cila me sa duket ngriti epshet brenda një pjese të kësaj partie që të shkilet premtimi parazgjedhor dhe të konsiderohet shumë seriozisht oferta e PDK-së për koalicion. Strategjia e drejtë për postin e presidentit, sidomos pas dëmit që i është shkaktuar legjitimitetit të institucioneve pas skandalit të vjedhjes së votave gjatë zgjedhjeve, do të kishte qenë që PDK të merrte nismën për një tyrezë me të gjitha partitë parlamentare, përfshirë ato të opozitës, për gjetjen e një figure konsensuale që do të emërohej në postin e presidentit. Një figurë e tillë do të ishte një figurë jo-partiake, e respektuar popullore, e njohur për kontributin e saj apo të tij politik dhe profesional, dhe e cila do të kishte mbështetjen e shumicës dërrmuese të partive në Kuvend. Kjo figurë, pavarësisht emrit, do të kishte qenë sidomos e rëndësishme tani kur institucionet kanë nevojë për riparimin e besimit dhe ndërtimin e legjitimitetit pas një krize të vazhdueshme politike që filloi qysh në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Një president i fuqishëm, i respektuar në popull dhe politikisht i pavarur do të ishte një kundërpeshë e rëndësishme ndaj një Kuvendi të fraksionalizuar dhe një qeverie të dobët, sidomos në kohën kur Kosovës i duhen një sërë reformash të rëndësishme, duke filluar nga ato të sistemit zgjedhor deri te ato ekonomike. Për të mos thënë se negociatat me Serbinë do të jenë një barrë e rëndë që gjithashtu rrezikojnë qëndrueshmërinë e institucioneve në periudhën që vjen. Një figurë e qëndrueshme dhe e besuar presidenciale, me një mandat pesëvjeçarë, do të ishte garancë për qëndrueshmërinë dhe koherencën e bashkësisë politike dhe për integritetin e institucioneve, përkundër krizave potenciale politike që mund të paraqiten në periudhën që po vjen.

Një gjë e tillë duket shumë më pak e mundur me figurën e Behgjet Pacollit si president. Problemi nuk është vetëm te aktivitetet kundërthënëse të z. Pacolli gjatë njëzet viteve të fundit, të problemeve të tij të kaluara me skandalet e korrupsionit dhe me ligjin, por edhe faktit se z. Pacolli imponon vetën si president nga pozita e një kryetari të një partie të vogël, si pasojë e një konjukture të caktuar politike. Z. Pacolli mbase mund edhe të dëshmohet si figurë e denjë për presidencën, por mënyra e katapultimit të tij në postin e presidentit do të jetë një hije që do ta ndjek atë gjatë gjithë kohës së tij në mandat.

Si president, z. Pacolli do të jetë, ndër të tjera, Komandat Suprem i Forcave të Sigurisë, do të emërojë prokurorët dhe gjykatësit e Republikës në një kohë kur gjyqësie ende përpiqet të ndërtojë pavarësinë e saj, dhe do të emërojë postin e lënë bosh të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës. Si president, z. Pacolli do të ketë rol të veçantë në udhëheqjen e politikës së jashtme të vendit dhe do t’i duhet të di të veprojë si krerë shteti në suaza të një diplomacie të hapur dhe publike, larg nga forma e tij e preferuar e takimeve të fshehta të aranazhuara përmes kanaleve joformale. Si president, z. Pacolli do të ketë shans të dëshmohet nëse është figurë politike udhëheqëse dhe e gatshme të marrë vendime të vështira dhe të pavarura dhe për të vepruar në situata të vështira. Por pavarësisht kësaj, politika jonë konfirmoi edhe një herë traditën e mbrapshtë të politizimit dhe partitizmit të figurës së presidentit, diçka që ka dhe do të vazhdojë të ketë pasoja negative në zhvillimin e institucioneve të qëndrueshme politike të shtetit tonë të ri.

Botuar te Koha Ditore, 20 shkurt 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s