Home

Athua çka u shkonte ndërmend atyre, çka i motivonte ata, qofshin komisionerë, vëzhgues apo thjesht miltantë partiakë, që më 12 dhjetor të vitit të kaluar vendosen që të dhunojnë votën e qytetarit duke mbushur kutitë, falsifikuar nënshkrime, duke votuar me emër të rrejshëm apo duke kryer çfarëdo malverzimi tjetër që të shtojnë numrat e votave për partinë apo kandidatin e tyre apo të dëmtojnë votat e partive dhe kandidatëve rivalë. Këtë ndoshta nuk do ta dimë asnjëherë, por atë që e dimë me siguri është qëllimi i tyre: që të fitojë partia apo kandidati i tyre me çdo kusht, qoftë edhe duke ndërhyrë për ta manipuluar integritetin e procesit zgjedhor. Ndoshta ata që bënin këto veprime nuk kishin menduar se veprimet e tyre do të çonin në skandalin më të madh zgjedhor të demokracisë së brishtë kosovare në dhjetë vitet e fundit. Se do të bëhëshin rinumërime, rivotime dhe kontestime serioze të legjitimitetit të zgjedhjeve; se Kosova do të qortohej ashpër nga instanca ndërkombëtare, duke rrezikuar perspektivën e saj të integrimit në BE dhe perspektivën e saj të pranimit të plotë në bashkësinë ndërkombëtare; se Kosova rrezikon të kalojë një periudhë të re me institucione me legjitimitet të sfiduar rëndë. Duket se edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një racionalitet që tashmë është shndërruar në normë të përgjithshme shoqërore: se është në rregull që të synohet përmbushja e interesit të një individi apo një grupi, qoftë edhe nëse përmbushja e atij interesi mban kosto të lartë kolektive. Ta vonojmë konstituimin e institucioneve të reja, ta rrezikojmë legjitimitetin e institucioneve politike të vendit dhe ta kthejmë Kosovën akoma më mbrapa në sytë e BE-së. Zor se ata që manipuluan me vota, duke menduar se të vjedhësh vota në një shkollë diku në një fshat të Drenicës apo Deçanit nuk çon ndonjë peshë serioze si skandal, që kostoja e papërgjegjësisë dhe cinizmit të tyre mund të jetë kaq e lartë për krejt vendin.

Por çmimi është më shumë më i lartë se kaq. Shpenzimi i kohës dhe energjisë që po bëhet për të sanuar procesin e dëmtuar zgjedhor vetëm po i shtohet kohës tashmë të humbur që prej 27 shtatorit 2010 kur Fatmir Sejdiu zyrtarisht dha dorëheqje nga posti i presidentit. Që nga ai moment Kosova gjendet në një ortek të pandalshëm të çintegrimit politik. Kriza e presidentit prishi balansin e koalicionit qeveritar, duke e bërë qeverinë joefektive. Pas prishjes zyrtare të koalicionit, vendi kaloi në një disfunksion të plotë politik. U gjymtua Kuvendi. Zgjedhjet duheshin ta riparonin këtë situatë duke i dhënë vendit një Kuvend dhe qeveri me mandat të ri, për t’i ngarë punëve përpara. Çka pasoi pas zgjedhjeve është një krizë e re, fundi i së cilës nuk po duket në horizont.

Dhe problemet politike vetëm sa po thellohen. Buxheti i vendit ka kaluar në menaxhim emergjent si pasojë e mosmiratimit të buxhetit për vitin 2011. Shumë shpejt edhe kjo mundësi ligjore do të skadojë pasi që ligji parashikon financim vetëm për dy muajt e parë të vitit. Vendi atëherë do të ballafaqohet edhe me krizë buxhetore. Situata është përkeqësuar dhe ndërlikuar më tej edhe nga vendimi ligjërisht arbitrar dhe unilateral i kryeministrit në detyrë që të ngrisë pagat e punonjësve publik pa një proces të rregullt ligjor të hartimit dhe miratimit të buxhetit. Kjo është një krizë e re që i shtohet problemeve politike që tashmë i kemi në pjatë. Në këtë pjatë është financimi i autostradës, për të cilin akoma nuk është gjetë (apo nuk është treguar) formula e re, pas dështimit të formulës së parë dhe humbjes potenciale (siç po pritet) të kredisë nga FMN-ja.

Gjëja tjetër e paqartë është edhe aftësia e fituesve nominalë të zgjedhjeve, PDK-së dhe liderit të saj, që të thurrë një kompakt dhe përbërje të qëndrueshme të koalicionit. Por edhe nëse kjo ndodh, opozita do ta mbajë skandalin e vjedhjeve të 12 dhjetorit si kartë të përhershme me të cilën do ta sfidojnë legjitimitetin e institucioneve, dhe përsëritjes së kërkesës për zgjedhje të reja. Kjo do t’i kontribuojë edhe intensifikimit të polarizimit politik, që tashmë ka marrë përmasa të reja dhe të rrezikshme.

Në këto kushte, mund të harrojmë se Kosova do të bëjë ndonjë progres të rëndësishëm në përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave, apo se do të ndërmerret ndonjë masë konkrete për ndryshimin e kahjes ekonomike të vendit. Reformat institucionale, si në drejtësi apo në luftën kundër korrupsionit, nuk mund të jenë të suksesshme në këto kushte. Kosova do të vazhdojmë të vendnumërojë, partitë të merren me njëra-tjetrën dhe me vetëvetën, në kohën kur do të duhej të punohej drejt ndryshimeve konkrete dhe substanciale në jetën e qytetarëve.

Institucione me legjitimitet të kontestuar, rrezik finaciar, dy muaj të kaluar në shpenzim të kotë energjie, me rrezikun që krejt ky vit i rëndësishëm Kosovës t’i kalojë pa bërë asnjë hap përpara.

Por ajo që po bëhet e qartë është se prioriteti numër një i Kuvendit të ardhshëm do të jetë reforma zgjedhore. Është e qartë se kjo reformë duhet të jetë rrënjësore. Duhet të riorganizohet dhe ristrukturohet KQZ-ja dhe tërë formati i menaxhimit të procesit zgjedhor. Duhet të reduktohet roli i partive në procesin zgjedhor dhe atë të numrimit të votave. Duhet të krijohet një staf i përhershëm i menaxherëve të qendrave të votimit që menaxhojnë qendrat e votimit në mënyrë rotative dhe anëmbanë Kosovës, e jo që strukturat politike të të njëtit fshat ta kontrollojë krejt procesin zgjedhor në atë fshat. Duhet të ashpërsohen dënimet për manipulimin e votës, që tani nuk mbartin më shumë se disa muaj burg. Dhe duhet të vazhdohet të ngulet këmbë tek prokuroria që të sjell para gjykatës ata që kryen dhe organizuan manipulime, dhe me këtë t’i jepet emër e mbiemër krimit, në mënyrë që të nxirren nga njollosja kolektive qoftë partitë e akuzuara për më së shumti manipulime, qoftë rajonet ku pati më së shumti manipulime. Kjo do të duhej të ishte në radhë të parë interesi i PDK-së, e cila ka një mundësi tani të dëshmojë se nuk është krejt e marrë në dorë nga manipulantët. Duhet të tejkalohen ndasitë partiake në mënyrë që të bëhen hapa drejt vendosjes së një procesi të drejtë zgjedhor. Kurrë nuk do të mund të pengohet çdo manipulim, por mund të vështirësohet dhe të rritet çmimi që paguhet për manipulimit të zgjedhjeve. Dhe që këtë çmim ta paguajnë drejtpërdrejt individët e implikuar në keqpërdorime, e jo që krejt një vend të paguaj për keqpërdorimet e tyre. Sepse këto zgjedhje i kushtuan dhe po i kushtojnë Kosovës tepër shtrejtë.

Botuar te Koha Ditore, 16 janar 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s