Home

Është bërë bujë e madhe për raportin e Dick Marty-it, që do t’i dorëzohet Këshillit të Evropës, i cili riaktualizoi çështjen që mendohej se ishte mbyllur, mbi pandehjet se disa struktura brenda UÇK-së kishin qenë përfshirë në tregti organesh, të siguruara, siç pandeh raporti, nga të burgosurit e ekzekutuar të UÇK-së. Raporti nuk sjell ndonjë fakt të ri bindës për këtë akuzë (duke e asociuar rastin, pa argumentuar ndonjë lidhje direkte, me arrestimet e fundit për trafikim organesh në një klinikë në Prishtinë). Raporti dhe komentuesit e tij gjithashtu nuk vëjnë në pah se, të paktën përsa i përket rastit të arrestimeve të fundit, dukuria e shitblerjes së organeve është e përhapur gjithandej vendeve të varfëra, nga favelat e Brazilit deri në zonat rurale të Indonezisë. Mjerimi i shtynë të varfërit që për një përfitim të vogël t’i shesin organet e tyre, ndërsa blerësit janë perëndimorët e pasur që kanë nevojë për transplantim organi por të cilin nuk mund ta sigurojnë përmes kanaleve legale. Në këtë biznes të ndyrë, sikur në shumë tregje tjera ilegale (sikur ato të drogës apo prostitucionit), problem nuk janë vetëm vendet e origjinës, por edhe ato të destinacionit, që janë zakonisht klientët perëndimorë.

Por problemi i Kosovës nuk janë akuzat e projekt-raportit të KE-së për ekzistencën e të ashtuquajturës “Shtëpi të Verdhë” gjatë viteve 1998-99. Problemi më i madh i Kosovës, dhe më i dëmshëm në çdo pikëpamje se çfarëdo akuze tjetër, është zverdhja që iu bë shtetit me farsën e madhe të zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Ta nisim nga e para.

Efekti i një raporti të këtillë do të kishte peshë tjetër politike sikur ai të nxirrej para 17 shkurtit 2008. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, andaj edhe çfarëdo akuze për liderë apo grupe të caktuara nuk përbën dëm i përgjithshëm për Kosovën, aq sa mund të jetë për elitën politike që po e udhëheq atë.

E dyta, është vetë përmbajtja e raportit, i cili me gjasë do të miratohet zyrtarisht nga KE-ja, trupi kryesor evropian për të drejtat e njeriut. Për këtë vlen të rikujtohet një barcoletë e treguar nga shkrimtari indian Salman Rushdie, ndaj të cilit qe shpallur “fatva” e ajatollave të Iranit për shkak të novelës së tij “Satanic Verses” (Vargjet satanike), që këta të fundit e kishin e cilësuar si libër anti-islamik. Barcoleta ka të bëjë me një aktivist anti-Rushdie në Londër. I intervistuar nga një gazetë londineze, aktivisti në fjalë derdh vrerë të paparë mbi Rushdie-n dhe librin e tij të pandehur anti-islamik. I pyetur nga gazetari nëse e ka lexuar librin, aktivisti përgjigjet, “jo, nuk jam tip që lexon”.

Një gjë e ngjashme po ndodh me raportin e Marty-it, mbi të cilin ka komente të shumta nga njerëz që me sa duket nuk e kanë lexuar atë. Ndonëse ai pjesërisht i kushtohet rastit të trafikimit të organeve, një pjesë e konsiderueshme e raportit flet për krimin e organizuar në Kosovë pas luftës. Kjo pjesë e raportit, në fakt, është shumë më skandaloze dhe më serioze se sa pjesa për akuzat spekulative për trafikimin e organeve gjatë luftës. Është krejt e pavërtetë se Marty në raportin e tij akuzon UÇK-në si organizatë kriminale. Në fakt, Marty pohon faktin se UÇK ishte një organizim i pacentralizuar dhe fraksionalizuar, ndërsa veçon një grup të caktuar brenda UÇK-së, në krye të të cilit e vendos Hashim Thaçin, për aktivitete kriminale që fillojnë në luftë dhe vazhdojnë pas luftës. Ndonëse dëshmitë për trafikimin e organeve mbështeten mbi ca dëshmi jo-materiale (çfarë nuk janë gjetur asnjëherë as nga hetuesit e EULEX-it), për krimin e organizuar pas lufte, raporti mbështetet mbi burimet e FBI-së dhe shërbimeve inteligjente të shteteve të NATO-s, disa nga të cilat thotë se janë dokumente publike (siç është një raport 27 faqesh i BND-së gjermane). Konstatimi i Marty-it është i drejtpërdrejtë: edhe pse shtetet perëndimore e kanë ditur se pjesëtarë të strukturave udhëheqëse politike kosovare kanë qenë përfshirë në aktivitete kriminale, si reket, monopole nafte dhe cigareje, trafikim droge e prostitucioni, vrasje të organizuara etj. (fjala është gjithmonë për aktivitete pas luftës), ata i kanë toleruar ato dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë për ndalimin apo ndëshkimin e tyre.

Flasim për krimin e organizuar, gjë që na sjell, shumë natyrshëm, te zgjedhjet.

Ato që kishin dëshmuar vëzhguesit, përfshirë edhe ambasadori amerikan, francez dhe ai zvicran, që folen publikisht në emisionin “Jeta në Kosovë” për ato që kishin parë në vendvotime në komunën e Skënderajt, dhe ajo që ata vetë kishin konkluduar nga ato që kanë parë, është se nuk kishim të bënim me ca militantë partiakë paksa tepër të ekscituar nga euforia zgjedhore, por me një sistem të organizuar të vjedhjes dhe manipulimit të votave, i cili me sa dukej qe ushtruar me kohë, me një përgatitje dhe përvojë të theksuar organizimi nga zbatuesit. Ambasadorët vënë në pah se në vendvotimet që kishin vëzhguar, konspiracioni i plaçkitjes së votave kishte përfshirë jo vetëm militantët partiakë, por edhe komisionerët (përfshirë ata të partive opozitare, që manipulonin në favor të PDK-së) dhe vëzhguesit, të cilët shikonin seri apo mbyllnin sytë para mbushjes së kutive, plotësimit të fletëvotimeve apo moskontrollimit të nënshkrimeve nga komisionerët gjatë numrimit. Dhe aq konfor ishin ndjerë këto figura, që nuk shqetësoheshin fare që po dhunonin procesin demokratik mu para syve të diplomatëve të vendeve mike të Kosovës, të cilëve nuk kishin përtuar as që t’u fikin dritat në objektet e votimit, duke i konsideruar ata si të marrë, në tentativë për t’iu hedhur (literalisht) terr mbi sy.

Analisti dhe gazetari tiranas Mero Baze, ka bërë një përllogaritje në bazë të manipulimeve në Skënderaj dhe Drenas, sipas të cilës llogarit se manipulimet vetëm në këto komuna i kanë dëmtuar partitë tjera për mbi tre për qind të rezultatit final, qoftë edhe duke llogaritur se PDK do të fitonte në këto komuna gjithsesi, me një proces të ndershëm zgjedhor. (Baze është autoritet i besueshëm, meqë Shqipëria ka një përvojë më të gjatë në vjedhjen e votave, atë që tashmë po bëhët një specialitet shqiptar në të dyja anët e kufirit). Sipas Bazes, kurdisja e rezultatit në Skënderaj dhe Drenas ka mjaftuar që ta nxjerr PDK-në të parën. Kjo, kuptohet, është spekulative. Ndoshta, ndoshta, PDK do të kishte dalë e para edhe sipas një votimi të ndershëm. Por këtë nuk do ta dimë asnjëherë, pasi që manipulimi që tashmë është konstatuar zyrtarisht në 21 vendvotime (aty ku PZAP ka urdhëruar rivotime), e që sipas shumë dëshmive ka ndodh edhe në shumë vendvotime tjera, e ka vënë në sprovë integritetin e gjithë procesit zgjedhor, neutralitetin politik të KQZ-së dhe aftësinë e vëzhguesve të pavarur si të atyre të “Demokracia në Veprim” që të bëjnë ndërhyrje dhe raportime atëherë kur shohin keqpërdorime dhe shkelje ligji.

Por manipulimi i organizuar i votave është indikativ për diçka tjetër. Se ato që tregojnë pjesë të raportit të Marty-it, për infiltrimin e thellë të krimit të organizuar në strukturat politike dhe ekonomike të Kosovës, nuk është krejt pa lidhje me kulturën e vjedhjes dhe dhunimit të paskrupullt, të paturpshëm dhe ende fare të padënuar të demokracisë që dëshmuam më 12 dhjetor. “Shtëpia e verdhë” është një spekulim kalimtar dhe i cili do të përmbyllet atëherë kur hetimet ta konstatojnë të vërtetën mbi akuzat për trafikimin e organeve. Ndërkaq, problemi më i madh dhe më serioz i Kosovës është jo “Shtëpia e verdhë” por shteti i verdhë: kultura e vjedhjes, plaçkitjes, kërcënimit dhe dhunimit të organizuar dhe orkestruar të shtetit, të demokracisë, të shoqërisë dhe të ardhmes së vendit. Ky trend, ky problem i brendshëm i shoqërisë kosovare, e me të cilin duhet të merren vetë kosovarët, e rrezikon demokracinë, sundimin e drejtësisë, liberalizimin e vizave, njohjen e mëtejme të pavarësisë së Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe integrimin në BE, më shumë se çfarëdo raporti me çfarëdo akuza i çfarëdo raportuesi nga akëcili institucion botëror. Sprova për ndryshim radikal të kahjes politike dhe institucionale të vendit nuk përfundoi, por filloi, më 12 dhjetor.

Botuar te Koha Ditore, 19 dhjetor 2010

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s