Home

Duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm, Kosova do të gëzojë rolin e kryesuesit të CEFTA-s, që është akronim për Central European Free Trade Agreement (Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qëndrore). Ndoshta është me vend që në ditën e zgjedhjeve të shkruajmë për tregtinë ndërkombëtare, meqenëse para pak ditësh mësuam se Kosovës iu është rritur deficiti tregtar, në rreth një miliard e gjysëm euro, që është më shumë se vlera e buxhetit të Kosovës. Me fjalë të tjera, përderisa shteti i Kosovës i shpenzon rreth 1,2 miliard euro në vit për nevoja të brendshme, Kosova i eksporton rreth 1,5 miliard euro në vit jashtë vendit në formë të blerjes së mallrave nga jashtë. Me fjalë të tjera, kosovarët më shumë punojnë për rritjen e ekonomive të huaja se sa që kontribojnë me tatime për shtetin e tyre.

Ku hyn CEFTA këtu? CEFTA ka fillet e saj në fillimvitet 1990, dhe filloi me shtetet e Evropës qëndrore dhe lindore si Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Sllovenia dhe ishte një kornizë e cila ndihmoi integrimin ekonomik të këtyre shteteve me njëra-tjetrën dhe me Bashkimin Evropian, kryesisht përmes eliminimit së barrierave të eksportit. Kur këto shtete përfundimisht u bënë pjesë e BE-së, CEFTA u ridefinua si kornizë për pjesën e Ballkanit të ngelur jashtë BE-së, përfshirë edhe Kosovën. Ideja ishte se duke u përshtatur me kornizat tregtare të BE-së dhe Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), vendet e Ballkanit gradualisht intensifikojnë lidhjet ekonomike mes vete dhe vendeve të BE-së, si një lloj tranzicioni drejt anëtarësimit në BE.

Fatkeqsisht, përfitimi i Kosovës nga CEFTA ka qenë minimal. E para, kanë qenë problemet politike. Marrëveshjen për anëtarësim e Kosovës në CEFTA më 2006, e ka nënshkruar UNMIK-u (si përfaqësues ndërkombëtar i Kosovës), por më e keqja është se për shkak të bllokadave të Serbisë, Kosova ende nuk përfaqësohet në CEFTA si shtet i pavarur. Nëse shkon në web-faqen e CEFTA-s, Kosova ende identifikohet si “UNMIK”, ndërsa në kryesimin që do t’ia bëjë CEFTA-s gjatë vitit që vjen, merret vesh se, si një lloj kompromisi, përfaqësuesit nuk do të përdorin as titujt zyrtarë dhe as flamujt shtetëror. Ajo që është edhe më skandaloze, për çdo marrëveshje, Kosovës ende do t’i nevojitet nënshkrimi i UNMIK-ut. Ky lloj shantazhi që Serbia ia bën jo vetëm Kosovës, por integrimit të tërë rajonit, mbetet çuditërisht i padënuar edhe nga vetë BE-ja.

E dyta, kanë qenë bllokadat ekonomike. Përderisa marrëveshja e CEFTA-s lejon qarkullimin e mallrave me qëllim eksporti, Serbia nuk respekton këtë pjesë të marrëveshjes me Kosovën dhe pengon mallrat e Kosovës që të kalojnë përmes territorit të saj. Meqenëse Kosova vazhdon të jetë importuese e mallrave nga Serbia, kjo masë e njëanshme i bën dëm të vazhdueshëm ekonomik Kosovës, përderisa Prishtina nuk ka ndërmarrë asnjë masë reciprokuese ndaj kësaj sjellje destruktive të Serbisë, por vazhdon të lejojë importimin e mallrave serbe pa asnjë lloj pengese. Edhe në këtë rast, BE-ja mbetët e heshtur.

E treta është se Kosova, e cila deri më tani në realitet nuk zhvilluar ndonjë politikë ekonomike për të thënë, të paktën jo në substancë, po ngelet jashtë zhvillimeve të reja ekonomike në Ballkan. Gjatë muajit nëntor, presidenti i Kroacisë Ivo Josipoviq, gjatë takimit me homologun e tij serb, deklaroi se e ardhmja e Ballkanit janë firmat rajonale. Revista The Economist tashmë paralajmëron formimin e “Jugosferës” ekonomike, duke marrë shembull rastin e blerjes, nga kompania Atlantic Grupa e Kroacisë, të Droga Kolinska-s të Sllovenisë, prodhuesin e njohur të pashtetave “Argeta” dhe produkteve tjera ushqimore, për rreth 243 milionë euro. Ideja e Atlantic Grupës, si dhe e firmave tjera të republikave ish-jugosllave, është të shfrytëzojnë njohjen që kanë vendet e ish-Jugosllavisë me markat ish-jugosllave, për të ripushtuar tregjet e dikurshme. Në Kosovë, një strategji e tillë i ka ecur me sukses si prodhuesve sllovenë, ashtu dhe ata serbë, që kanë kapitalizuar familjarizimin e konsumatorëve kosovarë me Fructal-in apo Plazma keksat. Përveç pushtimit të tregjeve rajonale, firmat rajonale tashmë duken edhe si investitorë të mundshëm në vendet e rajonit. Siç tregon Economist, për firmat sllovene dhe kroate, Serbia tashmë duket vend gjithnjë e më atraktiv për investime, për shkak të çmimit më të lirë të krahut të punës në krahasim me Kroacinë dhe Slloveninë.

Por përderisa Ballkani po ecen drejt “Jugosferës”, vendet e Ballkanit, përfshirë vendet si Sllovenia dhe Bullgaria si pjesë e BE-së, kanë përfituar nga CEFTA duke forcuar lidhjet tregtare me shtetet e BE-së, në radhë të parë me dy ekonomitë e kontinentit me ndikim të drejtpërdrejtë në Evropën qëndrore dhe në Ballkanin, Gjermaninë dhe Italinë. Këto dy vende janë ndër partnerët kryesorë tregtarë të të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Kroacinë, Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Por përderisa këto vende po tregtojnë me qendrat ekonomike evropiane, të dhënat paraqesin Kosovën si një periferi e periferisë ekonomike evropiane, duke patur si partner tregtar Serbinë dhe Maqedoninë në nivel të njëjtë me Gjermaninë (përsa i përket shkallës së importit). Jo vetëm pengesat politike, por edhe paaftësia e firmave kosovare për të konkurruar në një treg rajonal dhe evropian, për të mos përmendur shkallën e lartë të korrupsionit, po tregojnë se ekonomia kosovare ballafaqohet me pengesa të dyfishta apo të trefishta për t’u stabilizuar në një mjedis të ri ekonomik.

Krejt kjo tregon se si rajoni i Ballkanit po ecën drejt një realiteti të ri ekonomik, një realitet i cili, sikur në të kaluarën, rrezikon ta lëjë anash dhe margjinalizojë Kosovën. Ata që do ta qeverisin Kosovën në të ardhmen duhet të reflektojnë shumë më seriozisht për atë se ku e shohin Kosovën në organizimin e ri ekonomik të rajonit, ku i shohin epërsitë e mundshme të Kosovës për integrim ekonomik në rajon dhe në Evropë, dhe me çfarë politikash do të nxisin përmirësime të dukshme në pozitën ekonomike të vendit në rajon. Integrimi në BE do të mbetet një frazë boshe dhe një simbolizëm pa ndonjë vlerë përderisa rajoni ecën drejt integrimeve të brendshme dhe të jashtme kurse Kosova mbetet një humbëse e përhershme, ashtu siç është sot. Pas vendosjes përfundimtare të kornizave politike, është një periudhë e shkurtër në të cilën po vendosen kornizat e reja ekonomike të Ballkanit. Kosovës i duhet një udhëheqje që do të gjejë rolin e vendit në këto procese, o Kosova do të katandiset sërish duke ngelur një vrimë të zezë ekonomike në hartën ballkanike dhe evropiane.

Botuar te Koha Ditore, 12 dhjetor 2010

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s