Home

Është normale që në një fushë konkurrente politike, kandidatët dhe partitë të shkojnë drejt një shtimi premtimesh, disa nga të cilat mund të tejkalojnë kufijtë e së realizueshmes. Në demokracitë e pjekura parlamentare, megjithatë ekziston një normë që kërkon nga kandidatët të mos gënjejnë plotësisht në premtime, sidomos kur ato jepen në formë të premtimeve konkrete ndaj sektorëve të caktuar të shoqërisë. Kjo jo për arsyen se në Perëndim medoemos kemi të bëjmë me politikanë me një ndërgjegje më të madhe morale se këta të Kosovës, por nga fakti se dhënia e premtimeve që nuk mund të përmbushen u kthehet si bumerang po atyre kandidatëve, të cilët shpejt humbin besueshmërinë e elektoratit dhe me këtë e përshpejtojnë mbarimin e karrierës së tyre politike. Ndonëse periudhat historike në të cilat ka kaluar Kosova gjatë dekadave të fundit, gjithmonë u ka dhenë një vlerë të shpërpjestueshme figurave simbolike karshi politikave konkrete (të gjithë kujtojnë fituesin e madh të zgjedhjeve, Ibrahim Rugova, i cili nuk njihej si ndonjë specialist i veçantë për probleme konkrete të qeverisjes, zhvillimit ekonomik, shëndetësisë apo çfarëdo fushe tjetër), jam i bindur se pas pavarësisë vlera e aduteve simbolike gjithnjë e më shumë po zbehët karshi masave konkrete që elektorati kosovar pret të zbatohen nga politikanët e tyre në pushtet dhe qeverisje.

Por një normë tjetër e pashkruar e demokracive parlamentare, kjo në raport jo vetëm me elektoratin por edhe me partitë tjera me të cilat duhet të ndërrohet pushteti atëherë kur njëra humb zgjedhjet dhe tjetra fiton, është që të mos shfrytëzohen, apo më mirë të themi të abuzohen, ditët e fundit në pushtet për përfitime elektorale. Pikërisht kjo është ajo që ndodhi në Kosovë në ditët e fundit të kësaj qeverie, sidomos me premtimet (disa nga të cilat kryeministri në ikje i quajti “vendime”) për rritje rrogash në sektorët e ndryshëm të administratës publike.

Në ditët e fundit të mandatit të tij, kryeministri Hashim Thaçi iu rrek, qysh para të së mërkurës, ditës kur fillonte zyrtarisht fushata paraelektorale, këtij lloji specifik premtimesh, i cili ka në shënjestër rreth shtatëdhjetë e pesë mijë punonjësit e sektorit publik, që përbën një bllok të konsiderueshëm elektoral. Premtimet filluan që nga arsimtarët, arriten deri tek policët dhe zjarrfikësit, madje edhe shtesa e marrur në formë të ndihmës sociale nga ish-minatorët. Sektori publik në çdo vend elektoral përbën një grup të rëndësishëm shoqëror dhe me peshë politike, por lidhjet e krijuara midis tyre dhe partive të caktuara janë në radhë të parë institucionale (ndaj edhe ekzistojnë dallimet midis partive historikisht të majta dhe të djathta, të parat zakonisht si favorizuese e sindikatave, përfshirë ato të sektorit publik). Hashim Thaçi dhe as PDK-ja e tij, që një kohë reklamoheshin si parti me prirje të majta, nuk bënë ndonjë tentativë që të kultivojnë lidhjet institucionale me këtë bllok elektoral, gjë që kanë mundur ta bëjnë qysh me ardhjen në pushtet. Në vend të kësaj, Thaçi nxjerr në përdorim metodën e vjetër (dhe si duket atë që e ka perfeksionuar më së miri) të blerjes së klientelës politike. Në Kosovë shpesh flitet për blerje votash, por në këtë rast patëm të bëjmë me një tentativë për një formë institucionale të blerjes së votave.

Një gjë e tillë jo vetëm se del përtej normave të një demokracie zgjedhore (dhe sidomos për një kryeministër që përditë flet për standarde ndërkombëtare), por përbën një papërgjegjësi të dyfishtë, sepse me premtime që marrin përsipër obligime të reja të shpenzimeve nga shteti, e që nuk kanë mundësi të mbulohen me të hyra, krijon një situatë të rrezikshme dhe potencialisht shpërthyese qoftë për të (nëse rizgjedhet për një mandat të dytë), qoftë për cilindo tjetër që merr timonin e qeverisë në mandatin që po vjen. Sepse po qe se premtimet për rritje pagash nuk realizohet, pakënaqësia do të arrijë pikën e shpërthimit. Në Kosovë shpesh flitet për shpërthim social, por nuk merret parasysh fakti se lëvizjet sociale (sidomos që kanë shkas gjendjen e mjerë ekonomike) në të shumtën e rasteve nuk vijnë nga shtresat e varfëra dhe më të margjinalizuara të shoqërisë, por nga ato që gjenden përpara rrezikut të drejtpërdrejtë ekonomik dhe njëkohësisht posedojnë mjetet organizative për veprim kolektiv. Këto janë në radhë të parë sindikatat formale dhe rrjetet tjera të organizimit punëtor, prandaj dhe çdo presion ekonomik që bie mbi sektorin publik, do të ketë mundësi të nxisë greva, protesta dhe demonstrata ashtu siç po ndodh sot në tërë Evropën, ku tkurrja e buxheteve publike po shton presionet mbi sektorin publik, gjë që po i mobilizon sindikatat e këtij të fundit të pushtojnë rrugët. Tashmë ka paralajmërime se disa nga sindikatat i kanë marrë me seriozitet të plotë premtimet e kryeministrit (pasi që fjala është për një kryeministër zyrtarisht në detyrë, jo për një kandidat që garon në zgjedhje), që është një paralajmërim i hershëm për atë se çfarë mund të pritet vitin që vjen, sidomos kur dihet qartë se zotimet e kryeministrit për rritje pagash nuk reflektojnë në planifikimet aktuale për shpenzimet buxhetore të vitit 2011.

Kjo na bie të çështja e fundit lidhur me këtë lloj sjellje nga kryeministri Thaçi, që është paniku politik që shfaq kjo shellje. Një kryeministër që është treguar gjithnjë “kooperativ” me (të mos themi i dëgjueshëm ndaj) institucioneve ndërkombëtare, zotimet për rritje të pagave shkelin me këmbë e me duar mbi marrëveshjet që qeveria në ikje ka lidhur me Fondin Monetar Ndërkombëtar për mbajtjen e ritmeve të shpenzimeve buxhetore, gjë që lidhet drejtpërdrejti me kredinë që kjo qeveri ka pritur ta përfitojë në vitin 2011 për financimin e ndërtimit të autostradës. Para disa ditësh në Kosovë ishte edhe udhëheqësi i kompanisë Bechtel e cila po bën ndërtimin e autostradës, dhe ne si publik nuk patem mundësi të mësojmë nëse gjatë vizitës edhe ky ngriti ndonjë shqetësim për mundësitë aktuale të qeverisë për ta bërë pagesën për ndërtimin e autostradës gjatë muajve në vijim. Është interesante nëse Hashim Thaçi është i gatshëm që ta flijojë edhe autostradën vetëm me kusht të ruajtjes së pushtetit, duke i marrë parasysh mundësitë e brishta financiare dhe ekonomike të Kosovës.

Krejt kjo çon në dyshime se mos Hashim Thaçi dhe PDK-në gjenden në një gjendje paniku, sidomos kur rizgjedhja e tij nuk do të jetë aq e lehtë sa që kishte kalkuluar, dhe kur disa nga sondazhet e nxjerrin PDK-në afër e në disa raste edhe përfundi LDK-së. Në këtë situatë, Thaçi duket i gatshëm të përdorë çdo mjet për ruajtjen e pushtetit.

Natyrisht, është e drejtë e çdo partie të luftojë për pushtet dhe të luftojë për ruajtjen e pushtetit, por mbase arrijmë në disa kufijë kur një parti dhe një lider është i gatshëm që ta vëjë në rrezik edhe stabilitetin financiar të shtetit dhe të shoqërisë në një gjendje mjerimi ekonomik, si dhe të keqpërdorë besimin e elektoratit, për mbajtjen e pushtetit.

Botuar te Koha Ditore, 5 dhjetor 2010

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s