Home

Inflacioni i premtimeve po merr premisa të reja. Jemi mësuar që në kohën parazgjedhore, partitë të dalin me sllogane idilike për “një jetë më të mirë”, të premtojnë ujë, rrymë, asfallt, shkolla, rritje rrogash dhe vende pune pa fund. Ndoshta një hap përpara tani është fakti se nga kjo gjuhë përgjithësuese e cila premton gjithçka për gjithkë, po kalojmë gradualisht në premtime pak më specifike për masa dhe synime konkrete. Në hap me strukturimin e shtetit dhe kapaciteteve të tij vjen edhe specializimi i diskursit elektoral: nga gjuha që premton gjithçka për gjithkë, jemi në situatë ku flitet gjithnjë e më shumë për politika konkrete dhe rezultate të kapshme dhe të matshme në fusha të caktuara. Por, përderisa partitë politike, dhe kultura politike kosovare në përgjithësi, ka shënuar këtë progres, një hap tjetër i nevojshëm është që partitë të fillojnë të kalojnë nga çka, në si.

Ta marrim p.sh. shpalosjen e programit qeverisës të AAK-së (po e marrë si shembull ndoshta arbitrar, pa qëllim që ta vëjë në shënjestër vetëm këtë parti). Gjatë një konference për shtyp, në prani të dy zyrtarëve të lartë të kësaj partie, Melihate Tërmkollit dhe Besnik Tahirit, foli edhe një kandidat, emrin e të cilit nuk arrita ta regjistroj (ndërkohë që nuk po e gjej në Internet, meqë AAK-ja nuk ka azhurnuar websajtin e saj që nga zgjedhjet e vitit të kaluar), i cili shpalosi idetë e AAK-së për zhvillim ekonomik. Dy deklarime i bëri ky kandidat, të cilat kaluan pa u transmetuar nga mediat, pasi që ato më shumë u moren me deklaratën e Tërmkollit për koalicionin e mundshëm me PDK-në. E para, ky zyrtar tha se AAK-ja, me ardhjen e saj në pushtet, premton rritje të rrogave në TËRË sektorin publik për 70% (po – pikërisht shtatëdhjetë për qind!). Më tej, ai tha se sipas kalkulimeve të AAK-së (që mbeten misterioze për ne), rritja ekonomike në Kosovë në vitet e ardhshme do të jetë 7% (po – shtatë për qind!).

T’i zbërthejmë këto dy deklarata. Përderisa Kosova sot ballafaqohet me mundësinë e zhytjes në deficite, për shkak të angazhimeve të mëdha financiare të qeverisë së kaluar, AAK-ja premton rritje rrogash në sektorin publik për 70%. Çka do të thotë kjo, e përkthyer në euro? Për vitin 2010, me gjithë rritjet e pagave që janë instituuar në arsim dhe sektorë të tjerë nga qeveria në ikje, në buxhetin e Kosovës kanë qenë planifikuar për paga 313 milionë euro, apo rreth 26% e buxhetit shtetëror. Në qoftë se qeveria e re do të vendoste rritje të përgjithshme pagash për 70% në tërë sektorin publik, pjesa e buxhetit e ndarë për paga do të duhej të ishte mbi 530 milionë euro, domethënë afër gjysmës së tërë buxhetit të Kosovës! Kemi të bëjmë me një matematikë të thjështë që as në teori nuk e kap atë që premtoi ky zyrtar.

Por – do të thoshte ky zyrtar – kur të arrijmë shkallë të rritjes ekonomike vjetore në 7%, kjo rritje rrogash do të jetë e mundur. Ta lëmë anash njëherë se çfarë plani ka AAK-ja (apo cilado parti tjetër!) për një rritje ekonomike vjetore 7%, të tillë çfarë do ta lakmonte edhe Singapuri, e që sivjet nuk e arrin asnjë shtet i rajonit, në një kontekst në të cilin, me pak përjashtime, gjithë ekonomitë evropiane janë në stagnim. Lëre që një rritje 7% të GDP-së për vitin 2011 nuk do të mjaftonte për një rritje 70% rrogash në sektorin publik, por edhe po qe se kjo shkallë e rritjes vazhdon për katër vjet (sa do të zgjatte hipotetikisht qeveria e ardhshme), një rritje e tillë rrogash do të ishte vështirë e realizueshme edhe në kushtet e një rritje vjetore 7% deri në vitin 2015 (nëse llogarisim se, po qe se niveli i tatimeve mbetet i njëjtë, me një rritje 7% në vit deri më 2015, buxheti i Kosovës do të arrinte pak mbi një miliardë e gjysëm euro – akoma e pamjaftueshme për rritje pagash deri në shkallën 70%).

Natyrisht, premtime të tilla pa mbulesë ndodh që do të dëgjojmë edhe më shumë javën që vjen. Por, edhe më cinik është manipulimi i fundit nga qeveria me pagat e arsimtarëve, që sipas kryeministrit në ikje, do të rriten për 50% që nga janari i vitit të ardhshem. Se një gjë e tillë jo vetëm që nuk e kap kalemi (meqë ai 50% i arsimtarëve duhet të derdhet në asfalltin e autostradës Vermnicë-Merdare), një gjë e tillë është edhe proceduralisht e pamundur, siç kanë theksuar vëzhgues të tjerë. Por, kemi të bëjmë me një manipulim të pastër elektoral, por një i cili duhet të vetëdijësojë arsmitarët për rëndësinë e tyre në rritje si bllok elektoral. Po qe se sindikata e arsmitarëve fillon dhe e merr seriozisht rolin e saj për mbrojtjen e interesave të arsmitarëve (pa u shndërruar në vegël të asnjë partie ose qeverie), numrat që qëndrojnë prapa saj, e që mund të jenë vendimtare për zgjedhjen apo jo të një partie në pushtet, do të jenë gjithnjë e më të rëndësishme për politikën elektorale në Kosovë. Një gjë e tillë do të ishite zhvillim pozitiv jo vetëm për arsimtarët, por për tërë sektorin publik.

Por, të kalojmë tek çështja më thelbësore. Ato që nuk e tha zyrtari i AAK-së, e që do të duhej të na shpaloste ai (si dhe çdo parti tjetër që duhet patjetër ta adresojë çështjen e ekonomisë), është se SI do të arrihej një rritje vjetore prej 7%. Cilat akivitete ekonomike do të stimulohen nga qeveria, në mënyrë që të arrihet një zhvillim i tillë? Fatkeqsisht, në Kosovë nuk do të zbulohet nafta e as gazi, që ta katapultojë Kosovën ekonomikisht brenda pak vitesh, prandaj partitë tona duhet të mendojnë pakëz më kreativisht, megjithëse një gjë të tillë nuk e kemi dëshmuar që shumë kohë. Në fund të fundit, problemi në Kosovë nuk qëndron edhe aq shumë te rritja e ekonomisë, se sa të ndryshimi thelbësor i strukturës së saj. Përderisa vazhdojmë me modelin aktual të ekonomisë T-T (tregti-tender) – pra, se në Kosovë, pasuria krijohet o përmes tregtisë, o përmes tenderave, mund të kemi rritje edhe 15% në vit dhe efektet e kësaj rritje nuk do të jenë të ndjeshme e të kapshme për shumicën e popullatës. Cilado parti që vjen në Kosovë, duhet të dalë me një Plan – si do ta arrijë zhvillimin e shpejt ekonomik, për ta filluar nxjerrjen e vendit nga varfëria.

Botuar te Koha Ditore, 28 nëntor 2010

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s