Home

Në Evropën lindore, dekada e viteve 1990 u shënua me aspiratën e shteteve të ish-bllokut sovjetik për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian. Asokohe, Paul Goble, redaktor i Radios Evropa e Lirë dhe një nga vëzhguesit më të mprehtë të politikës së vendeve të Evropës lindore, pat theksuar dallimin midis motivit që shtynte shtetet si Polonia, Çekia, Rumania e Hungaria drejt anëtarësimit në këto institucione, dhe kapaciteteve reale të këtyre institucioneve për të përmbushur aspiratat që këto vende shihnin në to. P.sh., sa përket NATO-s, Goble pat deklaruar se motivi kryesor i shteteve të Evropës lindore për anëtarësim në NATO është mbrojtja nga çfarëdo rreziku të ardhshem rus. Mirëpo, pat thënë ai, pasi që të kenë hyrë në NATO, këto vende do të zbulojnë se NATO-ja nuk është më e njëjta organizatë që ka qenë dikur.

Kështu dhe ndodhi me NATO-n. E themeluar si një aleancë strategjike për mbrojtje nga rreziku ushtarak i bllokut sovjetik, më 1999 ai kreu në Kosovë një operacion krejt jashtë mandatit të që kishin menduar për NATO-n themeluesit e saj, kur nënshkruan traktatin themelues më 1949. Sot, shtetet anëtare të NATO-s janë mobilizuar në Afganistan, vend ku tani edhe një ndër anëtarët më të rinjë, Shqipëria, dërgon ushtarë. Shtetet e vogla shihnin vlerën tek NATO-ja sepse aty siguronin mbrojtje ushtarake nga një superfuqi, SHBA-të. Sot, roli i NATO-s duket të jetë i kundërt: është SHBA-ja që prej anëtarëve të NATO-s siguron një pjesë të fuqisë ushtarake për intervenimet që Washington-i i konsideron strategjike nga këndvështrimi i interesave të tij, këndvështrim që nuk po has gjithmonë në mbështetje në kancelaritë evropiane.

Rezistenca, sidomos e shteteve të fuqishme evropiane, për t’u shndërruar në instrumente të politikave strategjike amerikane duket edhe një prej motiveve që po shtyn shtetet si Franca dhe Gjermania të gjejnë alternativa tjera për arkitekturën e sigurisë në kontinent. Rol kyç këtu luan faktori i Rusisë: Franca dhe Gjermania synojnë një kultivim të marrëdhënieve me Moskën, në mënyrë që të parandalojnë çfarëdo acarimi që do ta shtynte Rusinë drejt një politike më agresive të jashtme ndaj vendeve të BE-së. Një gazetë rumune, në një formë paksa bombastike, tashmë paralajmëron rrezikun e formimit të asaj që e quan një “bosht Paris-Berlin-Moskë”, i cili do të dobësojë më tej rolin e NATO-s në sigurinë evropiane. Duke parashikuar një kthim të realpolitikës së shekullit XIX, kjo gazetë bën thirrje që Rumania dhe vendet tjera të Evropës lindore të zhvillojnë marrëdhënie direkte me Washington-in, duke anashkaluar NATO-n. Megjithatë, nënshkrimi i një marrëveshje të re për sistemin e mbrojtjes raketore në Evropë gjatë samitit të NATO-s në Lisbon më 19 dhe 20 nëntor, paksa zbeh ashpërsinë e pretendimit se NATO-ja nuk luan më rol të rëndësishëm në mbrojtjen evropiane. Sido që të jetë, skepticizmi i shprehur në këtë gazetë rumune ndaj NATO-s pak a shumë tregon për faktin se, atëherë kur u bënë pjesë e NATO-s, rumunët si shumë evrolindorë tjerë, zbuluan se NATO ishte një organizatë krejt tjetër prej asaj që e kishin imagjinuar.

Një gjë e ngjashme po ndodh me BE-në. As BE-ja nuk është më ajo organizatë që ka qenë, dhe dështimet në federalizimin e mëtejmë të BE-së po tregojnë se projekti i integrimit të shteteve kombëtare në një strukturë supershtetërore ka arritur disa kufij. Kjo po shihet jo vetëm tek shtetet që tradicionalisht kanë qenë për një BE që funksionon dhe vepron si bashkësi shtetesh sovrane, si Britania e Madhe, por edhe boshtin e vjetër të BE-së, Gjermani-Francë. Elita politike në Francë, sidomos e djathta e presidentit Nicholas Sarkozy, por edhe figura si ish-ministri i Jashtëm Hubert Vedrine, haptazi flet për nevojën e rishikimit të BE-së si një bashkësi shtetesh sovrane, duke hequr dorë nga çfarëdo projekti federalist. Kjo, natyrisht, nuk domethënë zhdukjen e BE-së, por në rikonceptimin e BE-së si një mekanizëm për koordinimin e shteteve anëtare në disa fusha të caktuara ekonomike e institucionale, por jo si zëvendësim apo organizim që në ndonjë mënyrë suprimon sovranitetin e shteteve anëtare.

Një gjë e ngjashme është parë në rolin ridistributiv që BE-ja ka luajtur në të kaluarën. Kur BE-ja kishte vetëm dymbëdhjetë anëtarë, shtetet më pak të pasura të bashkësisë, si Portugalia, Irlanda dhe Greqia, përfituan nga investimet dhe fondet e BE-së, me para që financoheshin nga shtetet anëtare më të pasura. Kur BE-së ju bashkuan një pjesë e shteteve të Evropës lindore, këto programe u shkurtuan drastikisht – kusht i vënë nga vetë shtetet më pak të pasura të BE-së për pranimin e tyre në bashkësi. Përfitimi ekonomik i Bullgarisë apo Hungarisë nuk është i barabartë me atë të dikurshmin për Irlandën apo Greqinë.

Sot lufta kryesore e BE-së është mbijetesa e euros, e rrezikuar nga borxhet sovrane, e parë në mënyrën më dramatike në rastin e Greqisë, e cila me vite kishte huazuar para, duke manipuluar edhe me kontabilitetin e financave publike për ta fshehur shkallën e borxhit ndërkombëtar. Kur goditi kriza financiare, Greqia u vu para kolapsit financiar, të cilin e evitoi me ndërhyrjen nga BE-ja, me financim kryesisht nga Gjermania. Në një situatë të njëjtë gjendet sot Irlanda, e cila është buzë katastrofës financiare. Në dyja këto shtete kishte pasë një boom në fushën e ndërtimtarisë të financuar nga bankat, treg që pësoi kolaps dhe që tani po tërheq zvarrë gjithë financat bankare dhe ato të shtetit. BE-ja tani po luan rolin e zjarrfikësit financiar, duke shpëtuar financat publike të Greqisë dhe tani Irlandës, por duke imponuar mbi to edhe një disiplinë fiskale që çon në rritje të pakënaqësisë popullore, si në shtetet huamarrëse si Greqia dhe Irlanda (që duhet të ballafaqohen me shkurtime drastike buxhetore), si në shtetet huadhënëse si Gjermania, ku popullata nuk e sheh të arsyeshme që me para të tyre të paguhet për avanturat e qeverisë greke, kur ekzistojnë nevoja të mëdha të brendshme për investime.

Është interesante që këto zhvillime të shihen në pasqyrën e sondazhit të fundit gjithëballkanik nga Gallup, Balkan Monitor 2010. Ndonëse shumica e ballkansave mbështesin idenë që shtetet e tyre të anëtarësohen në BE (me përjashtim të kroatëve, nga të cilët vetëm 28 përqind shprehen pozitivisht për anëtarësimin e Kroacisë në BE), këto shifra janë më të lartat në Shqipëri (93 përqind) dhe Kosovë (87 përqind). Siç komenton raporti, mbase kemi të bëjmë me një reagim përmes të cilit popullatat e shteteve ballkanike shprehin pakënaqësitë e tyre me qeverisjen dhe politikën e brendshme duke lidhur shpresën e tyre me një institucion si BE-ja. Por, pyetja përfundimtare është nëse anëtarësimi në BE vërtetë do të jetë – atëherë kur të bëhet – ilaçi magjik që do të shpëtojë shoqëritë ballanike nga korrupsioni dhe varfëria. Mirëpo, në dallim prej aspiratave të evrolindorëve gjatë 1990-ave, të cilët nuk kuptonin se institucionet si NATO dhe BE do të ndryshojnë në karakter me vetë aderimin e tyre në to, në rastin e vendeve të Ballkanit perëndimor, sidomos në Kosovë dhe Shqipëri, kemi të bëjmë me një hendek që ekziston midis realitetit të BE-së dhe asaj që ajo përfaqëson si simbol i brendshëm politik. Sepse ajo çfarë ka gjasa të ndodh, është që edhe pas anëtarësimit eventual në BE, shoqëritë ballkanike do të shohin se përfitimi nga ky institucion nuk është edhe aq i madh sa që kanë kujtuar, të paktën jo në një formë që ndjehet shpejt në jetën e përditshme, duke humbur me këtë edhe atë simbol që përfaqëson aspiratën për një të ardhme tjetër nga realiteti i sotëm. Në njërën anë, kjo mund të jetë një zhvillim negativ, sepse krijon kushtet që pakënaqësia që dikur ngushëllohej dhe kompenzohej me nocionin se BE-ja paraqet shpëtimin, të kalojë në mllef që zëvendësohet me një popullizëm nacionalist, siç po ndodh në shtetet si Rumania e Hungaria, por edhe në vendet perëndimore të BE-së. Në anën tjetër, anëtarësimi në BE eliminon shumë prej mitologjisë që sot rrethon këtë projekt, duke krijuar mbase edhe kushtet për një debat më të informuar dhe më racional për BE-në, dhe çfarë domethënie konkrete, politike dhe ekonomike, ka ky projekt për vendet e Ballkanit.

Botuar te Koha Ditore, 21 nëntor 2010

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s