Home

Më 2 nëntor në SHBA u zhvilluan zgjedhjet e rregullta në Kongres dhe nivele të tjera të pushteteve. Republikanët dhe e djathta koren suksese të konsiderueshme në zgjedhjet lokale dhe guvernatoriale, si dhe morën kontrollin mbi Dhomën e Përfaqësuesve nga demokratët, duke tejkaluar demokratët për mbi 50 ulëse (në Senat demokratët arritën ta ruajnë shumicën). Ndonëse një gjë e tillë tashmë pritej nga vëzhguesit dhe sondazhet, komentatorët i kanë përshkruar këto zgjedhje si një referendum mbi presidentin Barack Obama.

Fitorja e Obamas më 2008 ngjalli shpresa dhe pritje të mëdha në SHBA. Ngazëllimi nga fitorja e Obamas u ndje në gjithë botën. Emri i tij pos që u mor në gojë në të katër anët e rruzullit tokësor, vitin e kaluar, Obama u shpërblye me çmimin Nobel për Paqe, edhe pse nuk kishte akoma ndonjë arritje të shënuar në fushën e politikës së jashtme që ta meritojë këtë çmim prestigjioz. Sido që të jetë, në SHBA, popullariteti i Obamas ka qenë në rënie të vazhdueshme.

Të paktën dy faktorë kanë ndikuar në këtë humbje popullariteti. E para është stagnimi i vazhduar ekonomik në SHBA. Ndonëse goditja e rëndë e krizës financiare të vitit 2008 ka kaluar, pasojat e saj vazhdojnë të ndjehen gjithandej ekonomisë amerikane. Papunësia zyrtare në SHBA ka arritur në shkallën afër 10 për qind, karshi shkallës 5,8 për qind sa ka qenë më 2008. Programi për shpëtimin e sistemit financiar, i inicuar nga ish-presidenti Bush në muajt e fundit të presidencës së tij, programi i stimulimeve i cili ka derdhur mbi 780 miliardë dollarë në ekonominë amerikane, mandatet e reja qeveritare me reformën e sistemit të sigurimit shëndetsor, si dhe vazhdimi i luftërave të kushtueshme në Irak dhe Afganistan kanë rënduar buxhetin amerikan, duke shtuar deficitet vjetore dhe duke detyruar rritjen e shkallës edhe ashtu të madhe të huamarrjes. Borxhi shtetëror i SHBA-ve ka arritur shifrën astronomike prej 13 biliardë (13.000 miliardë) dollarë, ndërsa shteti amerikan huazon mesatarisht dy miliardë dollarë në ditë për financimin e veprimeve të veta, kryesisht nga Kina, e cila është treguar e gatshme që rezervat e saj në rritje t’i investojë në bono amerikane. Ndonëse ish-presidenti Bush ka qenë ai që ka kontribuar më së shumti në ngritjen e borxhit amerikan (pjesërisht me kombinimin fatal të uljes së taksave për të pasurit gjersa hapte fronte të luftës në Afganistan dhe Irak), fakti se Obamas i është dashur që të financojë programe të reja në kushtet e krizës ekonomike ka kontribuar në zmadhimin e deficiteve. Mospërmirësimi i gjendjes ekonomike në dy vitet e fundit, sidomos në sektorin e prodhimit (i cili ka mbi katër dekada që është goditur nga globalizimi dhe zhvendosja e prodhimit në shtetet si Kina) i ka kushtuar Obamas në mbështetje në elektorat, sidomos tek të ashtuquajturit “demokratë konservatorë” të klasës punëtore të cilët sikur kanë pritur rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike.

Përveç kësaj, rritja e deficitit është një nga çështjet që ka kontribuar në paraqitjen e një lëvizje të re djathtiste, Tea Party (me emrin nga Boston Tea Party, protesta e vitit 1773 kundër tatimeve të çajit të vendosura nga Britania, që ishte shkak për fillimin e revolucionit amerikan). Përderisa Tea Party është thirrë në idetë e vjetra republikane (shtet të vogël, tatime të ulta etj.), në të ka pasë edhe elemente raciste që në mënyra të tërthorta kanë aluduar në faktin se Obama nuk “njëri prej nesh” (shumicës së bardhë). Kjo lëvizje ka elektrizuar të djathtën dhe ka mobilizuar votën për republikanët javën e kaluar.

Arsyeja e dytë e rënies së popullaritetit të Obamas ka të bëjë me dobësimin e koalicionit i cili bëri të mundur zgjedhjen e tij më 2008. Obama mobilizoi demokratët e krahut të majtë progresivë, por edhe nxiti masovikisht në zgjedhje minoritetin zezak dhe të rinjtë, dy grupe që tradicionalisht kanë pjesëmarrje të vogël në zgjedhje. Këto dy grupe u paraqiten fare pak në këto zgjedhje, ndërsa demokratët e majtë që nga fillimi u zhgënjyen me qasjen centriste të Obamas dhe gatishmërinë e tij për t’i hyrë kompromiseve me republikanët, sidomos me rastin e reformës në sistemit të sigurimit shëndetsor, ku Obama hoqi dorë nga formimi i një institucioni publik për sigurim (në SHBA, sigurimi shëndetsor duhet të blihet nga institucione private të sigurimit).

Agjenda e Obamas në këto dy vite ka qenë jo pa të arritura. Programi i stimulimeve, sado që ka ngarkuar buxhetin shtetëror, i ka dhënë ekonomisë amerikane një infuzion që e ka shpëtuar atë nga një krizë edhe më e thellë se ajo që ekziston tani, një vlerësim që ndahet nga shumica e ekonomistëve. Reforma e sistemit të sigurimit shëndetsor përbën një arritje të madhe në një shtet ku shpenzimet në shëndetsi tejkalojnë pothuajse të gjitha shtetet tjera të zhvilluara, por ku afër 50 milionë amerikanë jetojnë pa sigurim shëndetsor. Reformat financiare kanë riorganizuar sistemin e rregullimit të shkëmbimeve financiare dhe bankare me qëllim të parandalimit të marsheve spekulative që çuan në kolapsin e 2008-ës. Obama ka arritur që në dy vitet e para t’i arrijë disa ndryshime rrënjësore, por zgjatja e krizës ekonomike ka bërë që ato të mos shihen si suksese nga një pjesë e madhe e publikut amerikan.

Historikisht, amerikanët për problemet ekonomike kanë ndëshkuar figurat në pushtet, sidomos presidentin. Fat të ngjashëm pësoi Bill Clinton më 1994, partia e të cilit humbi kontrollin në Kongres. Nga ai moment Clinton-i anoi nga e djathta, duke përqafuar agjendën politike republikane. Gjatë dy viteve të para Clinton-i ishte treguar anemik dhe i paaftë ta vendosë agjendën e tij qeverisëse dhe legjislative (p.sh., Clinton-it i pat dështuar përpjekja për reformën në shëndetsi), kundrejt Obamas. Dilema e Obamas do të jetë aftësia e tij për të vendosur bashkëpunim me republikanët, që përmes kontrollit që kanë në Dhomën e Përfaqësuesve mund të bllokojnë çdo nismë legjislative në Kongres.

Ndonëse Obama qysh në fillim është përpjekur të paraqitet si centrist, pyetja është nëse republikanët kësaj radhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të, apo do të përdorin strategjinë e obstruksionit, duke llogaritur se me këtë kontribojnë në dëmtimin e mëtejmë të popullaritetit të tij, me synimin që ai të mposhtet në zgjedhjet presidenciale të 2012-ës. Obama o duhet të jetë më i sforcuar në agjenden e tij të ardhshme, o do të shndërrohet më tej në thumb të republikanëve. Problemi i Obamas ka qenë gjithmonë se si kandidat ka gjeneruar shumë shpresë dhe entuziazëm, por këtë frymë nuk ka arritur ta kultivojë gjatë qeverisjes. Kjo ka të bëjë kryesisht me humbjen e besimit te baza e demokratëve progresivë, gjë që do ta linte Obama-n në pozitë edhe më të vështirë. Tashmë kanë filluar të shihen shenjat e para të kësaj. Në përgjigje ndaj fjalimit të Obamas pas zgjedhjeve, komentatori Matthew Rothschild në revistën The Progressive e quan “patetike” agjendën e re të Obamas për afrim me republikanët dhe bën thirrje që “progresivët të mos investojnë shpresën më në të”. Obama duket se nuk ka vlerësuar drejt polarizimin ideologjik të SHBA-ve gjatë dekadës së fundit, duke llogaritur se mund të funksionojë akoma pseudo-centrizmi Clintonesk i 1990-ave. Me bazë demokrate që gjithnjë e më shumë humb besimin në të, dhe me republikanë që synojnë shkatërrimin e tij politik, Obama gjendet para një udhëkryqi të vështirë. Kahja që ai merr do të vendos agjendën amerikane gjatë dy viteve që vijnë dhe perspektivën e Obamas për rizgjedhje më 2012.

Botuar te Koha Ditore, 7 nëntor 2010

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s