Home

Hapësira partiake në Kosovë është buzë një ristrukturimi të ri. Përderisa koha e shumicës konsumohet nga kriza aktuale politike, të tjerët kanë kthyer sytë nga e ardhmja, me shumë shpresa e synime për riorganizimin e skenës politike në Kosovë.

Sa i përket krizës në qeveri, duhet ta pranojmë faktin se situata të tilla do të shohim edhe në të ardhmen. Kemi një traditë të mbrapshtë që, në kundërshti të plotë më frymën e kushtetutës dhe sistemit parlamentar, ulësen e presidentit e trajton si post politik që jepet e merret sipas pazareve partiake. Kemi një sistem zgjedhor i cili favorizon fragmentimin partiak. Nuk kemi asnjë parti që mund t’i marrë mbi 51% të votave dhe ta drejtojë vendin e vetëm. Si pasojë, aleancat dhe koalicionet do të vazhdojnë të jenë pjesë e pandashme e jetës politike. Ashtu siç do të jenë edhe prishjet e tyre. Mbase edhe të papritura dhe të paparashikuara, siç ndodhi kësaj radhe. Mirëpo, përderisa kemi politikë të varur mbi tekat e individëve dhe grupeve të vogla, gjithmonë duhet ta llogarisim edhe efektin e faktorit inat. Mund të ndodh që pas këtij cikli elektoral të shohim një konsolidim gradual të sistemit partiak, i cili do të rezultojë në dy apo tri blloqe më të konsoliduara politike dhe me identitete më të qarta politike. Rreziku tjetër, shumë i mundshëm, është se po shkojmë drejt një sistemi partiak të modelit rus, ku partitë janë pa ndonjë bazë shoqërore, ndërsa funksionojnë në radhë të parë si instrumente elitare dhe mekanizma për grupet dhe individët që ta arrijnë kapjen e shtetit dhe të shtrijnë rrjetet klienteliste.

Në partinë më të madhe, PDK, arritëm të shohim pak nga puna e saj e brendshme, me rastin e mbajtes së Kongresit të saj emergjent. Ashtu siç edhe ishte mbajtur ky Kongres, sa për përmbushjen e kriterit ligjor për ta ruajtur statusin e një partie legale, në mënyrë ceremoniale dhe unanimisht kjo parti rizgjodhi Hashim Thaçin për kryetar dhe strukturat e vjetra i shpërbleu me mandat të ri.

Ndonëse ka një dekadë që PDK-ja udhëhiqet nga Hashim Thaçi dhe pak a shumë garnitura e njëjtë (kryesisht njerëzit e dalur nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së), qysh në zgjedhjet e 2007-ës Thaçi e ka kuptuar se partia duhet ta ndryshojë imazhin e saj në mënyrë që të zgjerojë bazën elektorale përtej Drenicës dhe militantëve bazë. Ndonëse PDK vuan akoma në mjediset urbane, sidomos në Prishtinë, nga theksi rural i imazhit partiak, udhëheqsia e saj prej kohësh po përpiqet që ta çrrënjosë këtë imazh. Por, edhe pse për përmirësimin e imazhit dhe zgjerimin e bazës elektorale, PDK është e hapur për figura të reja, Kongresi na tregoi se ajo është shumë më hezituese kur vjen puna te futja e emrave të rinjë në rangjet e larta të kreut partiak.

Por, ajo që duket sheshazi është se PDK tashmë është strukturuar në dy rrjete. Njëri është rrjeti vertikal, që përbën “hard core” (bazën e fortë) të partisë, e që ngelët ajo e vjetra. Rrjeti tjetër është ai horizontal, i lidhur me kreun e partisë, që përdorët nga Thaçi për kapjen e peshqëve të vegjël, individë politikisht të parëndësishëm por që ngrisin kapitalin simbolik të partisë. Thaçit, i gjendur në pozicionin e kontrollimit të të dyja rrjeteve, i ka konvenuar deri më tani fakti se baza partiake, sado që pret beneficione nga pushteti, ruan diçka edhe nga lojalitetet e vjetra, ndryshe nga rrjeti i dytë që funksionon në bazë të interesave më të ngushta dhe gjeneron aderim në parti duke shfrytëzuar ambiciet personale të individëve që futen aty. Puna është se përderisa PDK ka qenë në kontroll të pushtetit, ky sistem ka funksionuar për mrekulli. Por, po qe se PDK nuk arrin të kthehet në pushtet (shpesh harrohet se edhe PDK-ja është gjithmonë e varur nga gjetja e një apo më shumë partneri të koalicionit, dhe rrezikohet nga krijimi i një kundërkoalicioni minoritar, edhe nëse merr pjesën më të madhe të votave në zgjedhje), Thaçi do të gjendet në presion të jashtëzakonshëm nga të dyja rrjetet. Rrjeti i parë do të humb besimin në të, dhe mund të rindizën antagonizmat e vjetër dhe rivalitetet e heshtura të brendshme, sikur ai midis Hashim Thaçit dhe Fatmir Limajt. Rrjeti i dytë, ashtu siç u krijua brenda natës, do të shpërbëhet brenda natës, kur “prurjet” e reja me të shpejt do ta braktisin Thaçin pasi që ky nuk ka më mundësi t’ua plotësojë ëndrrën e të bërit person me titull shtetëror. Në kohërat e sotme gjithçka është e mundur, por e kam pak vështirë ta imagjinoj Nait Hasanin dhe Petrit Selimin krah për krah të ulur në Kuvendin e Kosovës në bangat e PDK-së.

Zanatin e “prurjeve” PDK e ka përvetësuar nga AAK-ja e Ramush Haradinajt, i cili me kohë ka synuar ta zgjerojë përkrahjen e partisë së tij dikur të re me anëtarë të rinjë. Për një kohë të gjatë, kjo strategji i ka funksionuar Haradinajt dhe ky sukses është parë me rritjen graduale të kësaj partie. Mirëpo, në dallim prej PDK-së, Haradinaj ka arritë që shumë prej figurave të reja t’i futë brenda strukturave partiake. Kjo ndodh për dy arsye. E para, për momentin, Haradinaj nuk ka tjetër çfarë t’u ofrojë individëve pos pozita në parti, me premtimin se këto dikur mund të përkthehen në poste pushteti, atëherë kur (nëse) AAK arrin të futet në qeveri. E dyta, Haradinajt i është krijuar kjo mundësi me ndarjet e krijuara brenda partisë. Largimi i Bujar Dugollit, margjinalizimi i Bajram Kosumit dhe krahut tjetër të “parlamentarëve” (bazës së dikurshme të Partisë Parlamentare) ka hapur mundësinë që brenda partisë të bëhen disa ndryshime dhe riemërime, duke filluar natyrisht nga njeriu tani numër dy i partisë, Blerim Shala. Por meqë pozicioni që AAK ka në opinion akoma varet nga karizma e Haradinajt, mungesa e tij do t’i kushtojë mjaft në përkrahje kësaj partie, ashtu si dhe aftësia për të tërhequr aderentë të rinjë.

LDK, edhe pse në pushtet, nuk është treguar aq agjile sa PDK-ja. Ajo jo vetëm që nuk ka arritur të tërheq figura të reja, por është pranë një fraksionalizimi të dytë që do të jetë një goditje për vdekje për këtë parti. Shumë shpejt, LDK mund të reduktohet në një parti skelet ku mbesin vetëm ca militantë të vjetër, ca 50 e 60-vjeçarë të papunë, nostalgjikë të kohërave të vjetra kur Rugova udhëheqte partinë, përderisa pjesa tjetër e elektoratit mobilizohet dhe zgjedh nga menyja e zgjeruar partiake. Përderisa PDK, përmes rrjeteve dualiste, ka arritur të shkojë përtej bazës militante duke krijuar simpatizantë (dhe votues) që nuk janë medoemos anëtarë të partisë, LDK tradicionalisht është varur nga anëtarësia për votën e saj, aq sa partia nuk ka as strategji për tërheqjen e simpatizantëve jo-anëtarë. Aq më shumë që LDK, me konfliktet dhe fraksionalizimin e brendshëm (dhe pa traditë të brendshme institucionale për konkurrencë lojale) tëhuajëson anëtarësinë e saj, aq më tepër redukton potencialin e saj për tërheqjen e votës. E nëse LDK arrin, siç po bën, ta zhgënjejë më tej bazën e saj, mund ta marrim me mend çfarë qëndrimi do ta kenë për këtë parti ata që lëmshin brenda e shikojnë nga jashtë.

Po përmendim vetëm shkurt dy partitë opozitare LDD dhe AKR, meqë ato kanë patur shumë problem të gjejnë vetën si opozitë e artikuluar, e as nuk po tregojnë shenja ripozicionimi. Ato nuk arriten asnjëherë të ofrojnë alternativa ndaj qeverisjes së deritanishme, ndërsa ky është testi kyç për një parti, pasi që vetëm ankesat, kritikat dhe vërejtjet nuk mjaftojnë asnjëherë për grupet që synojnë të ofrojnë vetën si alternativë. AKR nuk ka arritur të dëshmohet se është më tepër se një klub privat politik i Behgjet Pacollit, por i cili me financat e veta mund të shtyej për një kohë jetën e kësaj partie, duke gjetë edhe rekrutë të rinjë për t’i mbushur vendet që i janë boshatisur në ndërkohë. Shpresa dhe kalkulimi i Pacollit, e mbase edhe i Nexhat Dacit, është se njëri apo secili nga ata do ta luajë rolin e “kingmaker”-it i cili vendos për qeverinë e ardhshme, duke ofruar veten si partner koalicioni dhe duke garantuar kështu marrjen e ndonjë ministrie.

Ajo që ka ngjallur shpresën dhe entuziazmin e disave është paraqitja e dy grupeve të reja politike në skenë. Në një anë, kjo është shenjë pozitive, pasi që me FER-in dhe Lëvizjen Vetëvendosje kemi shansën që vërtetë të shohim një “frymë të re” në skenën politike. Për nga aspekti demografik kemi të bëjmë, megjithëse me “bekgraunde” e përvoja të ndryshme, me një gjeneratë që formimin kryesor e kanë bërë në kohën e pasluftës dhe të papërlyera nga aferat politike të këtij dhjetëvjetëshi. Por me kaq në të vërtetë përfundon ngjashmëria, sepse kultura politike në këto dy grupe është radikalisht e kundërt. Lëvizja Vetëvendosje grumbullon të zhgënyerit dhe të pakënaqurit e viteve të fundit, kultivohen ide tradicionale nacionaliste të servuara me një dozë kolektivizmi dhe solidariteti shoqëror. FER-i është parti që rrjedh nga bota e OJQ-ve, ku gravitojnë MA-të e fituara jashtë vendit dhe pretendimet për profesionalizëm dhe sukses individual. Përderisa FER-i do të provojë nëse kultura e OJQ-ve funksionon në botën e vrazhdë të politikës kosovare, Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet që ta gjejë formulën kombinuese midis aktivizmit radikal për të cilin njihet dhe identitetit si organizim që ka prioritet zhvillimin ekonomik dhe barazinë sociale. Në qoftë se këto dy parti kalojnë kësaj radhe testin zgjedhor, ndoshta do të fillojmë të shohim një kalim gjeneratash në politikën kosovare, ndoshta më të shpejt se sa do të pritej në një proces të zakonshëm të sukcesionit të gjeneratave në politikë.

Përkundër stileve dhe formave individuale partiake, terreni partiak është ende jostabil. Një nga simptomat e kësaj është jo vetëm fragmentimi i shtuar, por edhe mbiprodhimi i politikanëve dhe individëve që synojnë rolin e personaliteteve politike. Kjo nuk është thjesht problem i kulturës politike, por simptomë edhe e krizës ekonomike. Përderisa ekonomia është e brishtë, kurse mundësitë e vetme për avancim personal dhe grupor ekzistojnë vetëm në politikë dhe në sektorin publik, shoqëria kosovare do të ketë gjithmonë tepricë politikanësh aktivë dhe atyre në hije. Sa më gjatë ka krizë, aq më shumë do të ketë individë që, qoftë nga mllefi a idealizmi, qoftë nga kalkulimet a oportunizmi, kërkojnë futjen në lojë. Shpëtimi për këtë mund të vie vetëm në formën e një koalicioni të gjerë shoqëror – e jo vetëm partiak – me një plan dhe strategji të qartë për zhvillim dhe rritje ekonomike. Suksesin e kësaj do ta vërejmë atëherë kur trendi aktual do të zbrapsej – nga mësymja drejt politikës, në mësymje nga politika drejt mundësive për zhvillim profesional dhe punë të ndershme.

Botuar te Koha Ditore, 31 tetor 2010

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s