Home

Shumë njerëz, kur dëgjojnë emrin “banana republic”, kujtojnë se ajo tregon ndonjë gjë për kulturën politike të Amerikës latine, për korrupsionin dhe brishtësinë e shteteve që ka karakterizuar historisë e këtij kontinenti. Përderisa është e vërtetë se termi “banana republic” është etiketë që i vihet shteteve me qeveri të korruptuara, ku ka abuzime pushteti, dhunë politike, puçe e konflikte, shumica nuk e dinë se origjina e saktë e termit “banana republic” lidhet ngushtë me depërtimin ushtarak dhe ekonomik amerikan në Amerikën latine. Në rastin konkret, termi “banana republic” është përdorë për ta përshkruar situatën në Guatemala dhe Honduras gjatë fillimit të shek. XX, kur në këto shtete depërtoi me interesat e veta United Fruit Company, ndërmarrje që shpejt krijoi jo vetëm monopole të bananeve në këto shtete, por ishte thellë e involvuar në ndërtimin e hekurudhave (të cilat orientoheshin sipas nevojave të sjelljes së bananeve), në përkrahjen e diktaturave sikur asaj të Manuel Estrada Cabreras në Guatemala (i cili si kundërshpërblim i dha United Fruit Company një koncesion 99 vjeçar mbi hekurudhat e vendit), madje edhe në menaxhimin e postës kombëtare të Guatemalas.

Më 1906 marinsat amerikanë okupuan Kubën, me çka filloi një valë intervenimesh ushtarake amerikane në Amerikën latine, përfshirë dhe në Nikaragua, Panama dhe Honduras, sidomos kur revoltat popullore rrezikonin në këto shtete diktaturat pro-amerikane, sikur atë të Cabreras në Guatemala dhe të Jose Miguel Gomezit në Kubë. Në po këtë periudhë monopoli i United Fruit Company në Honduras po rrezikohej nga themelimi i një kompanie rivale të bananeve, Cuyamel Fruit Company. Cuyamel Fruit Company orkestroi një puç kundër presidentit honduran Miguel Dávila, i cili po negocionte me SHBA-të për një kredi në shkëmbim për dhënien e monopolit të bananeve United Fruit Company. Si pasojë e këtij konflikti ekonomik, Cuyamel Fruit Company bëri që ta rrëzojë nga pushteti Dávilan, në vend të të cilit erdhi gjenerali Manuel Bonilla, aleat i ngushtë i Cuyamel Fruit Company. Kur ushtria nikaraguiane sulmoi Bonillan, marinsat amerikanë ndërhynë shpejt jo për ta mbrojtur Bonillan por për ta mbrojtur industrinë e bananeve dhe infrastrukturën që siguronte lëvizjen e saj drejt SHBA-ve, ku bananet shpejt po shndërroheshin në pjesë të pandashme të kulturës ushqimore amerikane. Marinast amerikanë ndërhynë në politikën hondurasiane, më 1903, 1907, 1911, 1912, 1919, 1924 dhe 1925, jo rrallë për mbrojtjen e interesave të United Fruit Company dhe biznesit të bananeve. Jo pa arsye konfliktet e kësaj periudhe quhen “luftërat e bananeve”. Në këtë periudhë ndërmarrjet si United Fruit Company morën në pronësi qindra mijëra hektarë tokash pjellore (përfshirë edhe hekurudhat dhe porteve detare), revoltat punëtore nëpër plantazhe shuheshin me dhunë brutale, ndërsa vendet si Hondurasi dhe Guatamala u shndërruan në ekonomi eksporti ku dominonte vetëm një produkt – bananet.

Fatmirësisht Kosova nuk i plotëson të gjitha kushtet e një banana republike – jo të gjitha. Kosova nuk ka as banane, as pambuk, as kafe, as naftë, as gaz, as ari, as diamant, as ndonjë pasuri tjetër natyrore për të cilën ka kërkesë të madhe në tregun global (sidomos në vendet e zhvilluara), çka do të çontë në mësymjen e kompanive multinacionale që t’i fusin në dorë këto burime. Por edhe burimet me vlerë relativisht më të vogël, si energjetika apo telekomunikimet, janë hiç më pak të rëndësishme. Energjetika është sidomos një fushë e rëndësishme interesi, për shkak të kërkesës gjithnjë në rritje për energji në Evropë, dhe fakti që liberalizimi i tregut evropian të energjisë ka gjasa të çojë në formimin e një numri të caktuar kompanish që do ta dominojnë këtë treg, me prodhim të shpërndarë në shtete të ndryshme. Ndërtimi i paraparë i një termocentrali të ri 2100 megavatësh në Kosovë nuk ka kuptim tjetër përveç të shfrytëzimit të thëngjillit të Kosovës për energji e cila do të shitet në eksport. Profitet e këtij prodhimi, natyrisht, në krah të punës, shëndetit dhe mjedisit kosovar, do të përvetësohen nga kompania që do ta ketë në pronësi këtë kompani dhe do ta ketë në shfrytëzim pasurinë natyrore të thëngjillit, jo shumë ndryshe nga plantazhet e bananeve të Hondurasit e Guatemalës që ishin pronë e United Fruit Company.

Fatmirësisht nuk jemi në situatë ku ndonjë shtet ndërhyn ushtarakisht për mbrojtjen e interesave ekonomike të ndonjë kompanie të caktuar, mirëpo në banana republikën e Kosovës presioni është tjetërfarë, dhe ai ka të bëjë me imponimin e një modeli të caktuar ekonomik, i cili përshkruhet si i paalternativë. Ditë më parë ambasada amerikane lëshoi një kumtesë për shtyp, në mbrojtje të privatizimit të PTK-së. Aty jo vetëm që mbështetej privatizimi, gjë që është e drejtë e deklarimit politik të ambasadës, por polemizohej me kundërshtarët e privatizimit, në të cilët individët dhe grupet e tilla u quajtën se kanë një mentalitet të prapambetur ekonomik, se janë nostalgjikë të socializmit etj. Një gjest të ngjashëm, para pak ditësh, e kishte bërë edhe kryeministri i Kosovës, i cili tha se kundërshtarët e privatizimit angazhohen për ekonomi “centraliste”, kundrejt tij që është për “ekonomi të tregut”. Aq më tepër që ky qortim nuk i drejtohej vetëm partive parlamentare – në fakt, asnjëra nga të cilat nuk e kanë kundërshtuar privatizimin si të tillë, por kanë kundërshtuar modalitetin, kushtet, momentin e privatizimit etj. Andaj qortimi i drejtohet grupeve të shoqërisë civile, organizatave tjera dhe individëve që kanë shprehur mospajtim me këtë proces. Thjesht, kemi të bëjmë me një presion kundrejt atyre që angazhohen për një debat të mirëfilltë rreth organizimit ekonomik dhe modelit zhvillimor në Kosovë, pa imponime e shantazhe në emër të – siç thotë edhe kryeministri – “interesit shtetëror”, obligimeve ndaj FMN-së apo premtimeve që qenkan dhënë këtij apo atij diplomati.

E vërteta është se nuk ekziston vetëm një model zhvillimor, janë vetëm ideologët fundamentalistë që thonë se zgjidhjet janë ose-ose. Një ekonomi e suksesshme tregu funksionon edhe me ndërmarrje publike, ashtu si një ekonomi tërësisht e privatizuar mund të mos sjell rritje ekonomike e as zhvillim. Askush nuk bën thirrje për kthim në socializëm, as nuk ka nostalgji për një sistem ekonomik të kaluar, megjithëse për shumë dekada – ky është fakt empirik dhe jo sentimentalizëm nostalgjik – ai u dëshmua si model i suksesshëm zhvillimor, duke transformuar Kosovën nga një vend i prapambetur agrar në një ekonomi moderne të industrializuar. Problemi është se modelet zhvillimore për vendet e varfëra janë të shumëllojta, ndërsa modelet më të suksesshme, ato që merren si shembull i një zhvillimi të shpejt, të mbështetur në institucionet e tregut dhe të lidhur me proceset globalizuese, janë ato të vendeve të Azisë juglindore, siç është Korea Jugore, në të cilat shteti ruan një rol të rëndësishëm në orientimin e ekonomisë, apo edhe Kina, ku përkundër zhvillimit kapitalist, ndërmarrjet strategjike janë në pronësi të shtetit (megjithëse sigurisht pakkush në Kosovë lakmon sistemin politik kinez). Ta marrim edhe një model tjetër, Turqinë, një shtet demokratik, aleat i SHBA-ve, me ekonominë që rangon në një nga njëzet më të mëdhat në botë, me rritje ekonomike midis 5-7% në vitin 2010 në kohën kur krejt bota e zhvilluar është në stagnim, ku midis vitit 2009 dhe 2010 u krijuan mbi një milion e gjysmë vende të reja pune, e ku mbi 40% të ekonomisë akoma kontrollohet nga ndërmarrjet shtetërore. Të mos harrojmë gjithashtu se, edhe me parashikimet aktuale, rritja ekonomike në Kosovë në vitet e ardhshme nuk do të tejkalojë shkallën 5 ose 6 përqind, një shkallë krejt e pamjaftueshme për zvogëlimin e papunësisë dhe zbutjen e varfërisë. Thjesht, kjo imponon që të zhvillohet një debat serioz për modelet zhvillimore, që të merren parasysh të gjitha alternativat, pa kërcënime e shantazhe se o bëni kështu, o u shkatërruat, apo se po qe se nuk përkrahni këtë model (atë neoliberal) jeni mendërisht të prapambetur apo i nënshtroheni presioneve politike. E dimë fort mirë se si kaloi historia e shek. XX në banana republikat e Amerikës latine, disa nga të cilat janë akoma të varfëra, akoma të varura nga bananet, kafeja ose ndonjë produkt i vetëm eksporti për ta mbajtë gjallë ekonominë, akoma politikisht jostabile (të kujtojmë vetëm puçin e vitit 2009 në Honduras). Prandaj, do të ishte mirë që të mos shantazhohet një debat akoma pa filluar, e të mos anatemohen ata që besojnë se nuk është vetëm modeli neoliberal i vetmi i mundshmi, e që angazhohen për mbrojtjen e interesit ekonomik e publik në një vend të varfër në zhvillim siç është Kosova.

Botuar te Koha Ditore, 25 tetor 2010

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s