Home

Hashim Thaçi ka vendosur që privatizimi i PTK-së ta mbajë firmën e tij, nën çfarëdo çmimi politik apo ligjor. Tashmë është e qartë se përfundi “strategjisë” për privatizimin e PTK-së që qeveria para pak kohe e kishte dërguar në Kuvend, në të vërtetë qëndronte strategjia e përbashkët e Thaçit dhe Ministrit për Ekonomi dhe Financa Ahmet Shala që PTK-ja të nxirret në ankand qoftë edhe me çmimin e shkeljes së ligjit dhe procedurave parlamentare e kushtetuese. Para pak muajsh, Kuvendi i Kosovës, votoi një “strategji” për privatizimin e PTK-së, e cila megjithatë nuk ishte miratuar me votë të rregullt. Në ndërkohë, pa pritur kryerjen e procedurës legjislative, qeveria shpalli të hapur fazën e parë të privatizimit të PTK-së, duke ftuar ndërmarrjet e huaja të shprehin interesin për blerjen e PTK-së, përkatësisht Telekomit të Kosovës. Në mungesë të ligjit që përfundimisht autorizon shitjen, të enjtën e kaluar kryeministri Thaçi së bashku me bandën e tij sunduese kreu hiç më pak se një puç në Kuvendin e Kosovës, duke shpallur të miratuar një “strategji” në momentin që në sallën e Kuvendit mungonte edhe kuorumi.

Faji për dështimin e Planit A të Thaçit ishte problemi me koalicionin qeveritar pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut. Që nga ai moment, LDK kishte vënë frenat ndaj masës për privatizimin e PTK-së. Kjo kishte shqetësuar aq shumë Thaçin, sa që kishte kërcënuar me dorëheqje të përnjëhershme dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të duhej të mbaheshin brenda disa javësh, e që do të prishte orarin e planifikuar të zgjedhjeve të parakohshme në shkurt ose mars të vitit tjetër. Thaçi përdori këtë shantazh duke llogaritur se një prishje e tillë oraresh nuk i konvenon LDK-së, por as AAK-së e cila është hedhur në kundërshtim ndaj privatizimit të PTK (për arsye të qarta politike, e aspak parimore, programore ose ideologjike). Me sa duket, kërcënimi i Thaçit nuk “dhezi”, sepse deputetët e LDK-së, edhe të enjten që shkoi, vazhduan që privatizimit të PTK-së t’ia fusin kleçkën në Kuvend.

Por në ndërkohë luftës politike për të ardhmen e PTK-së iu kishin shtuar edhe disa zëra anonimë diplomatikë, por edhe sekretarja e Shtetit e SHBA-ve, Hillary Clinton, e cila, përveç rregullimit politik e kushtetues, ashtu si ambasadori i këtij shteti në Kosovë, tani po e sheh të udhës që të inkuadrohet edhe në çështjet e rregullimit ekonomik në Kosovë. Zërat anonimë diplomatikë shkuan edhe më larg, duke kryer hiç më pak se terror propagandistik kundrejt publikut kosovar, me mesazhin shantazhues (të lëshuar, ashtu si me pahir, vetëm një ditë para se strategjia për privatizimin e PTK-së të diskutohej në Kuvend) se po qe se Kuvendi dështon në miratimin e strategjisë për privatizimin e PTK-së, Kosova do të penalizohet ashpër nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), me të cilin Kosova paska një “marrëveshje” për shitjen e PTK-së.

Problemi natyrisht qëndron te fakti se qeveria Thaçi ka hyrë në një marrëveshje “stand-by” me FMN-në, kreditë e së cilave do t’i duhen kësaj qeverie, për mbulimin e deficiteve të ardhshme dhe financimin e projektit të autostradës Morin-Merdarë. Në projeksionet buxhetore për vitin 2011, Thaçi tashmë u ka premtuar zyrtarëve të FMN-së se privatizimi i PTK-së është punë e kryer, duke llogaritur, madje, bashkë me përfaqësuesit e saj, se shitja e PTK-së do t’i sjellë buxhetit të Kosovës të hyra rreth 300 milionë euro, apo që shitja e PTK-së të mbulojë rreth 6,7% të buxhetit për vitin 2011. Këto fonde, sipas llogarive të përbashkëta të qeverisë dhe FMN-së, do të kontribojnë në pjesën më të madhe për financimin e autostradës.

Problemi me marrëveshjet “stand-by” është se ato i japin FMN-së pushtet të ndjeshëm mbi planifikim buxhetor të shteteve që i nënshtrohen atyre, për kualifikim për kredi afatshkurtëra që mbulojnë deficitet buxhetore. Me një fjalë, shteti në fjalë (zakonisht ato të varfëra dhe politikisht të dobëta si Kosova), ia falin FMN-së një pjesë të sovranitetit të tyre fiskal, në kthim për financim nga FMN-ja, financim i cili duhet natyrisht t’i kthehet FMN-së bashkë me llogaritje të kamatës. Duke shfrytëzuar nevojat e shteteve në zhvillim si Kosova për financim, FMN-ja shfrytëzon këtë mundësi për të diktuar politikat buxhetore, përfshirë, p.sh., shpenzimet shtetërore në arsim, shëndetsi, asistencë sociale apo edhe në rrogat e administratës publike – zakonisht në formë reduktimi.

Por, problemi këtu nuk është vetëm te fuqia financiare dhe, rrjedhimisht, politike e FMN-së aq sa të logjika e mbrapshtë dhe ekonomikisht absolutisht shkatërruese e qeverisë Thaçi për planifikim ekonomik. Dhe krejt problemi qëndron te projekti i madh i autostradës, e cila qysh tash po e shantazhon politikisht Kosovën me masa jopopullore, siç është shitja urgjente e PTK-së. Problemi është, gjithashtu, se edhe me shitjen e PTK-së, të hyrat mund të mos jenë aq sa kanë menduar qeveria e as FMN-ja. Së pari, çmimi i PTK-së nuk ka asnjë “vlerë reale”. “Vlerën reale” të një sendi (qoftë ai një produkt i vetëm apo edhe një ndërmarrje e tërë) e përcakton vlera e tij relative në treg, ndërsa “treg” në këtë rast nuk ka, sepse po shitet vetëm një ndërmarrje. Çmimi i shitjes në këtë rast do të jetë relativisht arbitrar. Aq më tepër kur vetë qeveria me angazhimin e saj po kontribon në zbritjen e vlerës së ndërmarrjes, me paralajmërimet e bujshme nëpër media (që patjetër se regjistrohen edhe nga blerësit potencialë) se PTK po shkon drejt kolapsit të sigurt (pavarësisht se PTK vazhdon të jetë ndërmarrja më profitabile në Kosovë). E dyta, shitja po ndodh në një ambient global krejt të pavolitshëm ekonomik e financiar. Bankat në gjithë botën kanë shtrënguar huadhënien, e blerësi i ri do të ketë nevojë për financim për ta kryer pagesën ndaj qeverisë, si dhe për investimet që do t’i bëjë në këtë ndërmarrje, pasi që është zor të gjesh ndërmarrje, qofshin edhe korporata të mëdha globale, që në ditët e sotme kanë qindra miliona euro në kesh që iu rrinë fjetur nëpër arka. E treta dhe kryesorja, ajo çka po ndodh këtu është thjesht marrëzi në kuptimin ekonomik. Plani i qeverisë (tani në ikje) ishte që të tëhuajsohet PTK-ja si një burim të sigurt të të ardhurash për investim në projekte kapitale (e cila, siç kam theksuar në kolumnen e javës së kaluar, ka kontribuar në 5% të GDP-së vetëm në vitin 2009), për një autostradë e cila do të futë Kosovën në borxhe të pashpagueshme, e cila do të rritë shpenzimet buxhetore (për shkak të nevojave të mirëmbajtjes mbas ndërtimit) dhe e cila nuk ka asnjë garancë se do të sjell ndonjë rritje ekonomike të ndjeshme, për arsye që janë shtjelluar shumë herë (si p.sh., faktit që autostrada më shumë kontribon në shndërrimin e Kosovës në zonë transiti se sa në qendër që tërheq investime). Kjo, natyrisht, pa llogaritur dëmet tjera ekonomike e sociale që do të sjell privatizimi i PTK-së, me përjashtimet masive nga puna që do të ngjajnë. Në fjalën e tij në Kuvend, Thaçi u premtoi punëtorëve se do ta kenë vendin e punës të sigurt për katër vjet, por ky është premtim i kotë për një qeveri që tregohet se është në zor që ta heq qafe pronën e saj.

Por, me rënien e koalicionit PDK-LDK, duket se edhe Plani B i Thaçit, që “strategjinë” ta imponojë nën presionet e shantazheve politike, dështoi. Por është ironike që u desht një krizë politike sikur kjo që u krijua të shtunën, që t’ia ndal hovin qeverisë Thaçi, në synimin e saj për implementimin e kornizës ekonomike neoliberale në Kosovë. Prishja e koalicionit jo vetëm që ka privuar Thaçin nga mandati për shitjen e PTK-së, por ka krijuar mundësinë që çështja e PTK-së, bashkë me planet për zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Kosovës, të shndërrohen në tema të mirëfillta për debat politik, përfshirë edhe rinegocimin e kushteve të kredive që kjo qeveri ka nënshkruar me FMN-në.

Botuar te Koha Ditore, 17 tetor 2010

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s