Home

Një nga pretendimet e qeverisë është se ekonomia kosovare ka mbetur e pangacmuar nga kriza globale financiare, e cila gjatë viteve 2008-09 dërrmoi tërë sistemin bankar në SHBA dhe Evropë, çoi në falimentimin e shteteve si Islanda dhe Latvia, ndërsa në shtetet tjera detyroi intervenimet shtetërore në shpëtimin e bankave. Është e vërtetë se sistemi financiar i Kosovës nuk është prekur nga kriza, por kjo jo për faktin se kemi patur të bëjmë me ndonjë politikë të mençur të qeverisë, por nga fakti se bankat kosovare nuk kanë qenë të ekspozuara ndaj risqeve dhe spekulimeve që shkaktuan humbjet e mëdha të bankave që ishin të lidhur me tregun e kredive në patundshmëtë amerikane. Thjesht, politikat konservatore të bankave, por edhe qarkullimi i kufizuar i kapitalit financiar, ka bërë që përfitimi i bankave kosovare të përqëndrohet jo në investime spekulative por në grumbullimin e depozitave. Në këtë rast, paradoksalisht, mos­globalizimi i sistemit financiar të Kosovës e ka shpëtuar atë nga kriza globale. Megjithatë, fakti që në Kosovë 90 përqind e depozitave bankare kontrollohen nga bankat e huaja, domethënë se politikat bankare në Kosovë përcaktohen nga qendra jashtë Kosovës. Politikat konservatore të këtyre bankave gjithashtu pasqyrojnë faktin se këto banka shprehin një mosbesim të vazhdueshëm në ekonominë kosovare. Si pasojë, me kamata për kredi biznesi nga 12 deri në 17 përqind, ato kanë ngushtuar praninë e likuiditetit në ekonomi, që e ngulfatë zhvillimin ekonomik. Kapitali i shtrejtë domethënë më pak mundësi për bizneset që të investojnë, rriten dhe rrjedhimisht të rrisin edhe punësimin. Përveç mbledhjes së depozitave, pra përveç mbledhjes së parave nga qytetarët, kamatat e larta të këtyre bankave nuk kanë bërë që rreth një miliardë e gjysmë eurot e qytetarëve kosovarë që ato i mbajnë në depozita, të kontribojnë në mënyrë më të ndjeshme në zhvillimin ekonomik dhe në zbutjen e papunësisë.

Por imunitetit të Kosovës ndaj ekspozimeve ndaj tregut global financiar dhe stabilitetit relativ makroekonomik duket se gradualisht po i vjen fundi. Kësaj radhe, jo pa kontributin e qeverisë. Jo pa arsye qeveria Thaçi është quajtur qeveri e asfalltit dhe e tullave, sepse shpenzimet më të mëdha buxhetore ajo i ka kthyer në investime në infrastrukturë. Në një anë, kjo ka anën pozitive, sepse i ka ikur politikës konservatore buxhetore të qeverive të kaluara që bënte që Kosova të ketë suficite buxhetore në fund të vitit, një fakt i dëmshëm për zhvillimin ekonomik (suficiti është para që shteti e nxjerr nga ekonomia, por nuk e kthen në qarkullim, duke shkaktuar rënie të GDP-së). Në fund të fundit, Kosova ka nevojë për investime në infrastrukturë, pas dekadash mosinvestimi, neglizhence dhe shkatërrimi. Gjithashtu, me dobësinë e vazhdueshme të sektorit privat, shpenzimet buxhetore të shtetit kanë bërë që me këtë të zbutet kriza e brendshme ekonomike në Kosovë. Në kohët kur sektori privat është i dobët – që në Kosovë është një fakt strukturor – shpenzimet shtetërore mbesin e vetmja mundësi për rritje të ndjeshme ekonomike. Por nga ana tjetër, me ndërtimin e godinave shkollore, me themelimin e universiteteve të reja publike, me ngritjen e pagave në sektorin publik, e sidomos me projektin e madh të austostradës Morin-Merdarë, qeveria tashmë rrezikon që për shkak të rritjes së shpenzimeve pa mbulesë fiskale Kosovën ta çojë drejt deficiteve. Vetëm autostrada pritet të hajë diku 3 deri 6 përqind të GDP-së së Kosovës në vitet që vijnë. Vala e shpenzimeve të pakontrolluara dhe paplanifikuara të qeverisë Thaçi, po bëjnë që nga viti 2009, kur buxheti ishte i balansuar, ky vit të përfundojë me deficit ndërsa vitet që vijnë me deficite edhe më të lartë. P.sh., për vitin 2011 pritet një deficit buxhetor prej rreth 5 përqind, mbase edhe më shumë nëse dështon shitja e PTK-së, në çka qeveria llogaritë për mbulimin e shpenzimeve të autostradës gjatë vitit që vjen. Deficitet vetëm se do të shtohen nëse qeveria vazhdon me këtë avaz zotimesh investuese pa politika që rrisin bazën ekonomike.

Shtrëngimi buxhetor nga shpenzimet e mëdha të qeverisë, tashmë ka prodhuar pasojat e para. Si masë parandaluese, me kërkesën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria ka shpallur ngrirjen e punësimit në administratë publike, ndonëse është vështirë të dihet se me sa rigorozitet qeveria, me presionet e brendshme të nepotizmit dhe përdorimit të punësimit në administratë për zgjerimin e rrjeteve klienteliste (sidomos tani para zgjedhjeve të parakohshme), po i përmbahet premtimit të dhënë FMN-së. Por, nuk mund ta ngrish punësimin në administratë më një dorë, ndërsa me dorën tjetër ta nënshkruash themelimin e tre universiteteve të reja publike, në Prizren, Gjilan dhe së fundi, sipas premtimit të kryeministrit, edhe në Pejë.

Vazhdimi i këtij ritmi shpenzues pa një rritje të qëndrueshme ekonomike do të thotë një thellim të shpejt të deficiteve, të cilat duhet të financohen me borxhe ndërkombëtare. Qysh tani, edhe nën skenaret e saj optimiste të kahjes ekonomike të Kosovës në vitet që vijnë, FMN llogarit që deri më 2015 borxhi ndërkombëtar i Kosovës do të tejkalojë shifrën e një miliard eurove, një shifër që sot përfshin tërë buxhetin e Kosovës. Nga ana tjetër, servisimi i kredive në kushtet e një ekonomie shterpe do të gjenerojnë presione për reduktim të shpenzimeve në administratë publike. Qeveria do të detyrohet jo vetëm që të tërhiqet nga zotimet investuese, ndërsa rrugët e reja të asfalltuara do të mbesin o të papërfunduara o pa mirëmbajtje (nga mungesa e fondeve), universitetet e premtuara pa u hapur ose pa financim, ndërsa fillon shkurtimi i të ardhurave dhe vendeve të punës në arsim, shëndetsi dhe administratë publike, duke shtuar pakënaqësinë dhe radhët e të papunëve. Aq më shumë që, nëse qeveria arrin ta shesë PTK-në, e cila vetëm në vitin 2009 ka kontribuar në 5 përqind të GDP-së, ajo humb edhe një bazë stabile të të ardhurave financiare, ndërsa ndërtimi i autostradës Morin-Merdarë gëlltitë tërë fuqinë e brishtë ekonomike të vendit. Presionet ekonomike në sektorin publik, e vetmja fushë e cila ka shënuar stabilitet dhe rritje konsistente që nga koha e pasluftës, shpejt do ta prishin paqen edhe ashtu të brishtë sociale në Kosovë, me mundësi shpërthimesh të pakënaqësisë popullore çfarë nuk kemi parë deri më tani.

Aq më shumë kur politikat ekonomike të kësaj qeverie nuk janë vetëm të keqorientuara dhe nuk për bazë asnjë master-plan të zhvillimit ekonomik, por motivohen kryekëput nga kalkulimet politike. Favorizimi i fushave me shumë prerje shiritash për efekt elektoral (siç janë rrugët, autostrada, hapja e godinave të reja shkollore dhe themelimi i universiteteve) ecin paralelisht me faktin se shpenzimet favorizojnë resorët e qeverisë të kontrolluar nga PDK-ja. Ndërkaq, shëndetsia, një shërbim vital shoqëror, meqë është nën drejtimin e LDK-së, është lënë të shkojë drejt degradimit të mëtejmë në mungesë të fondeve. Në anën tjetër, shpenzimet buxhetore kanë favorizuar, përmes korrupsionit, gjithashtu edhe pasurimin e aleatëve dhe familjarëve të qeveritarëve (përfshirë edhe vetë ata), diçka që çoi edhe në bastisjen e Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikimit nga EULEX-i, ministria e cila ka përfituar më së shumti nga dorëshlirësia e qeverisë Thaçi. Nëse vazhdojnë në këtë drejtim dhe në këtë ritëm, politikat buxhetore të qeverisë rrezikojnë ta çojnë Kosovën drejt shndërrimit të saj në rob të borxheve ndërkombëtare, të shkurtimeve buxhetore dhe rrjedhimisht edhe në rritje të papunësisë dhe thellim të varfërisë. Qeveria Thaçi deri sot është sillur sikur arka e shtetit nuk ka fund. Por ky fund po fillon të shihet shpejt, ndërsa ky fund shpejt do të preket me këmbë, me kokë e me stomak nëse politikat ekonomike të vendit nuk marrin kahje tjetër.

Botuar te Koha Ditore, 10 tetor 2010

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s