Home

Bota politike shënoi dy ngjarje të rënieve nga detyra gjatë javës që shkoi. Rasti i parë ishte prefekti shumëvjeçar i Moskës Juri Luzhkov, i larguar nga posti që e kishte mbajtur për 17 vjet rresht, me vendim nga presidenti i Rusisë Dmitrij Medvedev. Presidenti rus mund ta largojë nga detyra prefektin e Moskës nga shkaku i prerogativave pushtetore që ai gëzon për shkarkimin e prefektëve dhe guvernatorëve regjionalë, ndërsa në arsyetimin e tij për Luzhkovin Medvedev kishte shkruar se shkas për shkarkim ishte “humbja e besimit” në aftësinë e tij për kryerjen e detyrës. Luzhkovi, ndërkaq, është anëtar i lartë i partisë Rusia e Bashkuar e Vladimir Putinit, ndërsa një kohë, para përzgjedhjes së Medvedevit nga Putini, spekulohej se mund të emërohej edhe president. Shkas i vërtetë për largimin, besohet, ishte një artikull i botuar nga Luzhkov, në të cilin denonconte Medvedevin, duke bërë thirrje për “kthimin e autoritetit të vërtetë” në Kremlin, një aludim i qartë në Putinin.

Pas largimit të Luzhkovit, filluan shpejt spekulimet në mediat ndërkombëtare për atë se çfarë domethënie ka kjo ngjarje për marrëdhëniet politike midis Medvedevit dhe kryeministrit aktual të Rusisë, ish-presidentit Putin. Një teori është se edhe kjo masë dëshmon forcën e paluhatshme të Putinit në politikën ruse, i cili synon ta rimarrë postin e presidentit më 2012. Pra ishte Putini ai që synonte largimin e prefektit të Moskës, ndërsa Medvedevi këtu paraqitet sërish si një kukull e tij, i cili vazhdon të kryejë detyrat që ia përcakton Putini. Teoria e dytë thoshte se largimi i Luzhkovit ishte një veprim i njëanshëm i Medvedevit, pikërisht si mënyrë e Medvedevit për të filluar distancimin dhe pavarësimin nga Putini. Megjithëse kishte argumente për të dyja interpretimet, askush deri më tani nuk ka arritur ta kuptojë se çfarë politike qëndron mbrapa shkarkimit të Luzhkovit.

Rasti i dytë i rënies nga detyra është patjetër ai i presidentit, tashmë ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Në vend të shkarkimit, ky i fundit dha dorëheqje, një dorëheqje në njëfarë mënyre e imponuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me mbajtjen e njëkohësishme nga Sejdiu të postit të presidentit të shtetit dhe atë të kryetarit të LDK-së. Në Kosovë, si në Rusi, rënia e figurave të larta nga postet ka edhe pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, mirëpo nuk e dimë nëse sektori i taksive të Prishtinës iu gëzua njëjtë largimit të ish-presidentit të Kosovës aq sa sektori i patundshmërive në Moskë iu gëzua largimit të Luzhkovit. Sepse përderisa i biri i ish-presidentit është investitor në biznesin e taksive, gruaja e prefektit të Moskës llogaritet të ketë grumbulluar një pasuri prej rreth dy e gjysmë miliardë eurove (dhe e ranguar nga revista Forbes në numrin 27 e individëve më të pasur të Rusisë) nga biznesi i ndërtimtarisë – një pjesë e madhe, supozohet, me përfitimin e kontratave të ndërtimit nga qeveria e qytetit të Moskës. Raportohet se sektori i patundshmërive tani pret një lehtësim në tregun e patundshmërive në Moskë, nga shpartallimi i mundshëm i monopolit të bashkëshortes së Luzhkovit, 47 vjeçarës Jelena Baturina. Sido që të jetë me pasojat ekonomike të rënies së këtyre dy figurave, e dimë se sikur për Luzhkovin, ashtu dhe për Sejdiun filluan të thuren teori të ndryshme për të shpjeguar vendimin e tij të papritur për dorëheqje.

Teoria e parë është se krejt çështja rreth vendimit të GjK është një kurdisje nga kryeministri Thaçi, i cili synonte eliminimin e Sejdiut dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të reja në momentet e një dobësie të thellë në mesin e partive opozitare, duke i mundësuar PDK-së një fitore të lehtë zgjedhore dhe rimarrje të mandatit qeveritar. Teoria e dytë është se Sejdiut iu imponua dorëheqja nën presionin e Dragodanit, karshi të cili Sejdiu u detyrua të hiqte dorë nga rezistenca që shfaqi në ditën e kthimit nga vizita zyrtare në SHBA, kur u ballafaqua publikisht me vendimin e GjK-së për shkeljen e kushtetutës. Ndonjë provë konkrete për këto nuk është dhënë, por le të shikojmë një mundësi të tretë: ndoshta objekti i këtyre teorive është edhe subjekti i tyre, në kuptimin që vetë Sejdiu mund të ketë besuar se kundër tij (siç kishte lënë të kuptohet në disa nga deklaratat) po zhvillohet një konspiracion, i drejtuar nga Thaçi por i përkrahur nga ndërkombëtarët. Në këto rrethana, Sejdiu nuk vendosi të japë dorëheqje nga motivi i restaurimit të kushtetutshmërisë, për kthimin e nderit të humbur personal etj., por si hakmarrje politike ndaj Thaçit dhe ndërkombëtarëve. Kjo hakmarrje konsiston në faktin se dorëheqja e menjëhershme, e ndodhur pa “koordinim dhe marrëveshje të plotë me miqtë tanë ndërkombëtarë” e shkakton një huti momentale dhe një krizë të brendshme politike, sidomos tani para bisedimeve të planifikuara me Serbinë, duke e bërë disfunksional koalicionin midis PDK-së dhe LDK-së dhe faktikisht duke imponuar zgjedhjet e parakohshme.

Kjo variantë duket kredibile për disa arsye. E para, vetë presidenti deklaroi se besonte se kundër tij po zhvillohet një fushatë e koordinuar. E dyta, dorëheqja ishte krejt e papritur, e dhënë, siç deklaroi edhe vetë Sejdiu, pa pritur as marrjen e vendimit formal nga GjK, por vetëm në bazë të një kumtese për shtyp mbi përmbajtjen e saj. E treta, në deklaratën e tij të dorëheqjes, Sejdiu nuk shfaqi kurrfarë pendese për aktin për të cilin ishte gjykuar, e as nuk kërkoi falje për shkelje të kushtetutës. Në vend të kësaj, ai citoi ish-kryetarin Rugova dhe mënyrën e ballafaqimit të tij me oponentë (duke shikuar më larg se ata, siç tha Sejdiu). A nuk është kjo shenjë se Sejdiu tashmë është në lojë politike, se edhe ai “sheh më larg” se kundërshtarët e tij? Megjithatë, do ta marrim vesh shpejt nëse ky shikim më larg i Sejdiut në të vërtetë nuk shkon më larg se karriga e kryeministrit, ku ai synon të ulët pas zhvillimit të një fushate të re politike, tashmë si lider i LDK-së.

Përtej mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe fateve të liderëve individualë, tashti në sfidë janë edhe legjitimiteti i koalicionit dhe projektet e mëdha politike të qeverisë aktuale. Është e qartë se kryeministri Thaçi dhe PDK nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga projektet e mëdha që ka nisur kjo qeveri, edhe nën koston e prishjes së koalicionit dhe daljes në zgjedhje. Këtë e dëshmoi kryeministri Thaçi, i cili në vend se të jetë i shantazhuari, luajti rolin e shantazhuesit kur erdhi tek çështja e privatizimit të PTK-së, duke kërcënuar me dorëheqje nëse LDK bllokon miratimin e ligjit për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike. Thaçi mund të jetë i bindur në fitore, dhe se LDK-ja është kollaj e zëvendësueshme me ARK-në dhe LDD-në, ndaj edhe se agjenda e tij e brendshme qëndron e sigurt pavarësisht zhvillimeve. Megjithatë, acarimi i marrëdhënieve midis dy partive në koalicion e vë në pikëpyetje legjitimitetin e qeverisë aktuale në periudhën e ndërmjetme deri në zgjedhjet e reja. Çfarëdo që të jenë kalkulimet e Thaçit dhe të PDK-së për fatin e tyre zgjedhor në të ardhmen, është e qartë se efekti politik i dorëheqjës së Sejdiut nuk ishte vetëm një veprim që kufizohet me karrieren e tij personale apo një çështje ekskluzive e partisë së cilës i takon, por edhe tërheqje e plotë e mandatit politik të qeverisë aktuale, meqë edhe zgjedhja e Sejdiut kishte qenë pjesë e një kompromisi politik të dy partive në pushtet. Thaçi mund mbase t’i fërkojë duart, duke parë një opozitë të çorganizuar dhe perspektivën e fitores në zgjedhjet e parakohshme. Por deri sa të dëshmohet me një mandat të ri, kryeministri duhet ta kuptojë se përmbysja e Sejdiut është njëkohësisht përmbysje e mandatit politik të qeverisë së tij.

Botuar te Koha Ditore, 3 tetor 2010

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s